18/04/2024

Duke folur më shumë për vlerat e luftës, i kemi vyshkur vlerat e lirisë

0

Nga Ndue Ukaj

Tash e njëzet vite, protagonistët e luftës, të veshur me uniforma politike dhe pushtet politik, bashkë me media të shumta shërbyese, e kanë orientuar opinion publik kah vlerat e luftës dhe kësisoj kanë pamundësuar që populli i Kosovës të ushqehet me dashurinë për lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe për ç’gjë bëhet lufta. Duke operuar në këtë fushë, këto dy kategori tok të bashkuara, kanë ngulfatur opinionin publik dhe gjuhën politike, duke e reduktuar në dy a tri tema rreth të cilave sillemi si të marrë.

Duke u grindur si gjelat, duke parë debate shterpe përditë, për politikën dhe të kaluarën, është krijuar përshtypja- dhe te një pjesë e popullsisë bindja- se ky është tavani përmbi të cilin nuk mund të lëvizim. E kjo me siguri, u ka konvenuar atyre që dokrrat duan t’i kthejnë në vlera politike.

Në të vërtetë, vlerat e luftës nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse ato nuk kthehen në vlera të lirisë, sepse lufta bëhet për të fituar lirinë, që është vlera më sublime njerëzore, për të cilën, përgjatë gjithë historisë njerëzore është sakrifikuar pafund.

Autori Keneth Minogue, në parathënien për botimin në gjuhën shqipe të librit të tij “Pushtete e huaja” (të përkthyer në shqip nga Arsim Canolli), shkruan: “sunduesit ideologjikë gjithmonë sundojnë gjatë”.

Nëse e analizojmë historinë e zhvillimeve politike të tri dekadave të fundit në Kosovë, sidomos të luftës dhe të pas luftës, në përkim me këtë që thotë Minogue, atëherë mund të thuhet se ligjërimi i publik i protagonistëve të luftës, gjuha dhe temat që janë rrahur cektë nga ta dhe sejmenët e tyre, kanë patur vetëm një synim: sundimin, pra pushtetin.

Dhe si pasojë e këtij pushteti ideologjik- as krejt nacionalist e as krejt kozmopolit, dhe ligjërimit të cektë që ka prodhuar ai, sot është shpërfytyruar rendi i vlerave në shoqërinë tonë. Dhe, për njëzet vjet, pak kush është kujdesur për frytet e lirisë; pak kush i ka ushqyer ato, prandaj sot duken të vyshkura.

Për njëzet vite rresht, pak kush ka folur për vlerat e demokracisë dhe vlerat e saj janë rrëmbyer nga pehlivanë, të tillë që shoqëria e njeh si të fortit e vendit.

Për njëzet vite rresht, patriotizmi i vërtetë, që lidhet me koncepte zhvillimore e diturore nuk është zhvilluar aspak. Në të kundërtën, patriotizmi ynë ka mbetur në batakun primitiv të llafologjive, ku dija, interpretimet e vlerësimet patriotike kanë patur ngjyra të kameleonëve, të tillëve që brenda natës bëhen patriotë e tradhtarë, siç thoshte Noli.

Protagonistët e luftës, vlerat e luftës i kanë përdorë dhe vazhdojnë t’i përdorin për të zgjatuar pushtetin e tyre politik, pra sundimin, siç thotë Mionogue dhe kurrsesi për t’i kthyer ato vlera në vlera të paqes dhe të lirisë. Sepse, sikur vërtet të donin të bënin një gjë të tillë, ata do të krijonin kushte ku njerëzit do të ushqenin dashuri për paqen dhe lirinë, dhe këto vlera do t’i kthenin në terma zhvillimorë për vendin e tyre dhe nuk do të ofshanin natë e ditë për shtetin e tyre të deformuar e të degraduar pamasë.

Sikur të flisnim e angazhoheshim për vlerat e lirisë, frytet e tyre do të shiheshin në përparimin dhe mirëqenin tonë dhe paqen e brendshme.

Të shihesh sot si përqurren protagonistët e luftës që kanë funksione politike për historitë e para njëzet viteve, përnjëmend është neveritëse. E po aq neveritëse janë ligjërimet e tyre të cektë politike për katandisjen e Kosovës, në të cilën ata kanë dorë vetë.

Përsa kohë këta merren me këto dokrra, në anën e kundërt, në Kosovë, përditë dëgjon familje, profesionistë të shumtë, të rinj e të vjetër, që të vetmen gjë që duan është, të braktisin vendin e tyre dhe t’i lënë këta të përqurren pafund në dalldinë dhe lavdinë e tyre.

Se Kosova është katandisë në një batak të thellë, këtë tani kanë filluar ta thonë edhe ata që janë protagonistë të kësaj të keqe.

Por, nga ky batak nuk na nxjerrin vlerat e luftës, aftësitë për t’i treguar muskujt, as historitë e bujshme që i dëgjojmë për natë nëpër televizione apo i lexojmë në rrejte sociale, por vetëm urtësia dhe një klasë politikanësh të urtë e intelektualë që janë të zotët t’ i ushqejnë vlerat e lirisë dhe të flasin me respekt për dinjitetin e njeriut, në përkim me aksiomën se nuk është bërë njeriu për shtetin, por shteti për njeriun.

Vlerat politike të një klase politike lidhen me punët e vërteta që ata bëjnë në kohën kur ushtrojnë pushtet dhe jo me të kaluarat e tyre, çfarëdo qofshin ato. E, udhëheqësit që bëjnë punë të vërteta dhe janë të vërtetë, nuk bëjnë ekskursione politike në histori dhe as nuk krekosen për të kaluarën. Ata nuk sponsorizojnë lajmet e tyre në rrjetet sociale, nuk ndiejnë nevojë të bredhin nga një media në tjetrën, sepse ata e dinë se punët e vërteta e çajnë çdo errësirë informacioni dhe propagande.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok