23/04/2025

Duhet dëgjuar domosdo zëri i Profesorit Emil Lafe

0
Eshref-Ymeri1

Nga Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të gazetës “ExLibris” të datës 12 mars 2025, lexova  analizën me titull “A mund të ndreqet ky “mëkat” i Asdrenit?”. Autor i asaj analize është  Profesori Emil Lafe, pedagogu im i talentuar në vitet studentore (1962-1966), dijetar i shquar i gjuhës shqipe.

Më emocionoi veçanërisht përmbajtja e rreshtave në vijim:

“Pse duhet ta kemi dhe ta ekzaltojmë në himnin tonë (që është më parë një himn kombëtar i gjithë shqiptarëve e pastaj edhe i shtetit) fjalën tradhëtor? Kjo pyetje më ther së brendshmi sa herë e dëgjoj dhe më shkon mendja ta quaj Një mëkat i Asdrenit”.

Ja strofa e Himnit të Asdrenit:

Prej lufte veç ai largohet

Që është lindur tradhëtor,

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Ja ndreqja e Profesor Emilit:

Prej lufte kurrë nuk largohet

Kush është lindur arbëror!

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Ose:

Prej lufte kurrë nuk largohet

Ai që lindet arbëror!

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Ndreqja që ka bërë Profesor Emili është e shkëlqyer. Është i pari intelektual i shquar që e ka vënë re dhe e ka ndrequr atë “mëkat” të Asdrenit.

Kam përshtypjen se fjalën “tradhëtor” Asdreni e ka pasë përdorur nën ndikimin e disa ngjarjeve dëshpëruese në historinë tonë kombëtare, për arsye se shfaqje të tradhtisë hasen që së lashti në kodin moral të pellazgo-iliro-shqiptarit.

Në Legjendën e Rozafës vëllai i vogël tradhtohet nga dy vëllezërit e tij.

Mbretëresha Teuta e Ilirisë, që luftonte kundër legjioneve romake, tradhtohet nga princa të tjerë ilirë që bashkëpunonin me romakët.

Skënderbeun e tradhtoi i nipi, Hamza Kastrioti.

Ilirët, të parët në Gadishullin e Ilirisë, përqafuan katolicizmin në vitin 313, pas Ediktit të Milanos të Perandorit Konstantin (272-337), por pas dyndjes së errësirës otomane dhe largimit të Skënderbeut për në botën e amshuar, shqiptarët, në masën 90%, e tradhtuan katolicizmin dhe përqafuan fenë e pushtuesve, çka nuk ia lejuan vetes as grekët, as bullgarët, të cilët again e Stambollit e kishin në prag të derës.

Pikërisht tradhtia ka qenë ajo, e cila ka pasë shërbyer si farë përçarjeje në radhët e etnisë shqiptare. Ajo tradhti-përçarje e mallkuar solli si pasojë që, megjithëse kemi qenë etnia më e madhe e Gadishullit të Ilirisë, për pazotësinë tonë, ujqit evropianë, si askund në mbarë botën, na i bënë kashtë e koqe trojet tona etnike, duke na i hallakatur në gjashtë shtete.

Do të ishte mrekulli sikur ndreqjen që propozon Profesori Emil Lafe, ta marrin në konsideratë autoritetet përkatëse të vendit tonë dhe ta pasqyrojnë menjëherë në tekstin e Himnit të Flamurit.

Profesori i nderuar Emil Lafe, për këtë nismë që ka ndëmarrë, meriton plotësisht mirënjohjen më të thellë nga ana e elitës intelektuale shqiptare, si edhe vëmendjen e Presidentit, të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit.

I propozoj Profesor Emilit që të takojë ndokënd nga deputetët e Kuvendit për t’i rekomanduar shtrimin dhe diskutimin e këtij problemi në njërën nga seancat e tij.

Kaliforni, 12 prill 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok