21/12/2024

Drançolli & Mala: Marrëdhëniet e hershme historike midis Arbërisë dhe Kroacisë

0
u6_Drancolli-Mala-Arberi

Jahja Drançolli:

Të dashur miq,

Në Zagreb këto ditë u botua libri ynë vëllimor me bashkëautor Prof. dr. Muhamet Mala “Marrëdhëniet e hershme historike midis Arbërisë dhe Kroacisë” (“Early historical relations between Arberia and Croatia”).

– Libri ofron interpretime të reja dhe bazohet në disa nga arritjet tona kërkimore në arkivat dhe bibliotekat kroate, si dhe ato italiane, austriake dhe shqiptare.

– Libri trajton periudhën mesjetare arbërore dhe kroate, të cilën na pëlqen ta quajmë epoka e artë e historisë dhe e qytetarisë kroate dhe arbërore dhe është padyshim një periudhë në të cilën çdo njoftim nga të ndryshmet ngjall shumë emocione.

– Libri, përveçse jep të dhëna të rëndësishme dhe sjell risi në një pjesë të pashkelur të historisë mesjetare të dy popujve të Gadishullit Ilirik, nga ana tjetër, bashkëautorësia e dy historianëve kosovarë paraqet dhe afirmon kulturën e punës ekipore pak të praktikuar në studimet historike të shqiptarëve.

– Duke qenë një rajon në periferi të qytetërimit Lindor dhe Perëndimor, zona e Ilirisë antike dhe mesjetare, pati fërkime, kontakte, ndikime dhe ndërveprime që tërheqin vëmendjen jo vetëm të historianëve, por edhe të studiuesve të tjerë të shkencave humane dhe shoqërore. Historia e këtij rajoni të turbullt politik e bëri këtë zonë një përzierje mendësish, kulturash, fesh, dhe demografisë, të dukshme edhe sot ku arbërorët dhe kroatët na paraqiten si dy popuj me afërsi jo vetëm gjeografike, por edhe me sfera të tjera të jetës.

– Nëpërmjet trajtimit tematik në libër, vihet re se ndërveprimet më aktive arbërore kroate janë më të dukshme në zonat bregdetare të Adriatikut, të cilat në mesjetën e hershme ndaheshin etnikisht nganjëherë midis kroatëve dhe arbërorëve. Ky konfiguracion etnik i mesjetës është vendimtar në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve për faktin e afërsisë dhe ndonjëherë edhe kontaktit territorial të këtyre dy popujve.

– Mbështetur në këto premisa historike të trashëguara, libri i botuar paraqet aspekte shumëdimensionale të arbërorëve dhe kroatëve gjatë periudhës mesjetare. Këto raporte janë të karakterit kulturor, etnik, fetar dhe politik dhe kanë qenë shumë intensive sidomos në periudhën para pushtimit osman dhe janë paraqitur në libër me një pedantri të lartë shkencore. Në fakt, disa nga studimet në libër janë botuar më parë, por janë rishikuar nga një dioptri e re shkencore, ndërsa të tjera janë kërkime të reja të pabotuara që hedhin dritë mbi çështjen në fjalë.

– Krahas përmbajtjeve të përmendura më sipër, një qasje me interes shkencor në këtë libër është edhe studimi i veçantë kushtuar historiografisë, duke prezantuar kështu rolin e studiuesve kroatë në avancimin shkencor të albanologjisë dhe kritikës shkencore ndaj historiografisë politike të vendeve të tjera ballkanike.

– Duke dashur të largohen paragjykimet historike ndaj shqiptarëve të njohur më mirë si luftëtarë apo punëtorë dhe zejtarë në pjesë të Kroacisë moderne, libri përmes temave të trajtuara shpalos një histori të begatë arbërore-kroate në nivele shumë të larta nga familjet aristokrate arbërore si Balshaj, Topiaj, Kastrioti, si dhe figura të shquara mesjetare dhe periudhës së Humanizmit dhe Rilindjes, si Ndre Durrësaku, Gjin Gazulli, Marin Beçikemi, Gjon Progoni, e të tjerë, të cilët u bënë pjesë përbërëse e hapësirës kulturore europiane, përkatësisht asaj kroate.

– Temat e trajtuara në këtë libër nga pikëpamja metodologjike kanë një mbështetje të mirëfilltë burimore dhe marrëdhëniet arbërore-kroate konsiderohen jo vetëm si individuale, pra përmes individëve dhe personave të caktuar, por trajtohen edhe përmes spektrit të formacioneve politike dhe shtetërore të kornizave mesjetare siç është Shteti i Principatave Arbërore.

– Parimi metodologjik i mbështetur në libër, vihet re se bazohet në punën pa konstruksione dhe paragjykime paraprake, por në pritje që rezultati të dalë vetiu nga materiali burimor, gjë që e bëjnë librin të besueshëm shkencërisht dhe të vlefshëm si literaturë historigrafike.

– Marrë në tërësi, ky realizim bashkëautorial, jo vetëm që trajton të kaluarën por i kushtohet edhe të tashmes, duke qenë se edhe sot marrëdhëniet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut me Kroacinë janë intensive në të gjitha fushat, ndaj libri si e tillë ofron një pasqyrim të një të kaluare në shërbim të së ardhmes.

– Pavarësisht lëshimeve të mundshme, qofshin ato profesionale apo teknike, ndryshe nga shumë libra të historiografisë sonë, të botuar në dekadat e fundit, libri në fjalë do të jetojë pak më gjatë.

– Libri është botuar me ndihmën financiare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, si dhe të botuesit “Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë” në krye me z. Esad Çollaku dhe z. Sejfedin Prekazi, të cilëve u shprehim mirënjohjen e përzemërt për kontributin e tyre.

Shfrytëzojmë rastin për të falënderuar redaktorin gjuhësor, Prof. Edmond Ramadani, autorën e kopertinës Ark. Kaltrina Drançolli, dhe kryerësi i punëve të dixhitalizimit MA. sc. Ermal Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok