07/10/2024

Nga Prof. Blerim Latifi

Unë jam krenar me gjithë vëllezërit e mi, po sot do rrëfej për vëllaun e katërt, Xhevdetin.

Dr. Xhevdeti është specialist në ORL, specialisti ma i mirë në Kosovë për sëmundjet e veshit. Dhe kjo që po them është vetë mendimi i kolegëve të tij dhe i mijëra pacientëve të cilët kanë kaluar nëpër duart e tij tash e 20 vjet.

Por kjo është vetëm një pjesë e historisë së tij, me të cilën ne si familje ndihemi krenarë.

Në vitet para fillimit të luftës Xhevdeti, i sapo diplomuar, u bë pjesë e sistemit paralel të shëndetësisë, duke dhënë një kontribut sa profesional aq edhe humanist në ato kohë të vështira të mbijetesës sonë kombëtare.

Dhe kur u dëgjuan pushkët e para të lirisë në Likoshan e Qirez, ai u nis për atje për t’u ofruar ndihmë të plagosurve.

Të plagosurit e parë të 5 marsit 1998 u trajtuan prej tij në malin e Mikushnicës, tek shkolla e Prekazit.

Një muaj më vonë ai e hapi ambulancën e luftës në Prekaz me kërkesën e komandantit, tash hero i Kosovës, Ilaz Kodra. Deri në përfundim të luftës mbi 12 mijë njerëz, të plagosur, të lënduar, të gjymtuar nga predhat, të sëmurë, të traumatizuar, do të kalonin nëpër duart e tij dhe njerëzve që e ndihmonin. Rrëfimet e tij për ata njerëz janë tronditëse dhe të denja për t’i dëgjuar bota përmes një dokumentari. Shtëpia jonë ishte kthyer në farmaci të UÇK’së, prandaj kur serbët hynë aty kujtuan se ishte spital i saj dhe e rrafshuan me tokë.

Pas luftës dr. Xhevdeti nuk u lëshua në garën e grabitjes së meritave. Ai zgjodhi rrugën që e zgjedhin të gjithë patriotët e vërtetë. Vazhdoi punën që kishte përpara: specializimin në mjekësi dhe disa subspecializime në Zvicër e Gjermani. Pa e harruar kurrë dimensionin e përhershëm të humanizmit. Është e pafundme lista e njerëzve që kanë marrë shërbime shëndetësore falas prej tij në klinikën e tij private. Ashtu siç është edhe lista e vizitave nëpër shtëpi të njerëzve në nevojë.

Pas 30 vitesh në shërbim të njerëzve dhe vendit, i lodhur nga vitet plot sfida dhe i deprimuar nga një sistem shëndetësor që nuk vlerëson profesionistët, po matrapazët, dr.Xhevdeti është larguar nga QKUK, por pa hequr dorë nga motoja e tij jetësore: PROFESIONALIZËM, HUMANIZËM DHE PATRIOTIZËM.

Shëndet e tana t’mirat vllaçko!

__________

Në filozofi është diskutu shumë mbi marrëdhëniet midis logjikës dhe matematikës. Disa mendojnë se matematika del nga logjika. Të tjerë e mendojnë të kundërtën: logjika del nga matematika. Frege dhe Russell, dy prej mendimtarëve themelues të filozofisë analitike, e mbrojnë pikëpamjen e parë. Bile Russell e përdorë një metaforë nga biologjia humane për ta konkretizuar këtë pikëpamje: Logjika është rinia e matematikës, kurse matematika është burrëria e logjikës.

Pra, ashtu siç nuk mund të arrijmë moshën e pjekurisë pa e kaluar atë të rinisë, as matematikën nuk e arrijmë dot pa kaluar paraprakisht nëpër logjikë.

Por logjika e shkretë ka shumë armiq rreth e rrotull. Përveç fanatikëve të çmendur fetarë, edhe politikën. Sidomos politikën në vendet e pazhvilluara. Politikanët, duke ndjekur interesin e tyre primar, pushtetin, rëndom lëshohen në konsumimin e absurditeteve e ideve të palogjikshme dhe kështu, me kalimin e kohës, e humbin vetë sensin e të menduarit logjik. Humbja e këtij sensi zakonisht kompensohet me praninë e servilëve, të cilët janë aty që edhe budallallëkun më banal të shefit të tyre ta promovojnë si ide gjeniale.

Edhe një gjë për fund: një nga shkaqet kryesore pse gjimnazistët tanë rëndom dalin keq në përvetësimin e matematikës [ dhe të shkencave në përgjithësi], lidhet pikërisht me faktin se injorohet arsimimi në logjikë.

__________

Në hyrje të Shkollës së Platonit ka qenë i vendosur një urdhër interesant: Të mos hyj ai që nuk di matematikë!🤣

__________

Duket paksa fataliste, por kam fillu me mendu se atë ditë që Vokrri u mbulua me dhe, edhe futbolli kosovar nisi të marrë teposhtëzen.

Sot stadiumi që e mban emrin e tij është kthyer në simbol të kësaj rënie drastike, për të cilën askush nuk do që të marrë përgjegjësi e të japë llogari. Si shumë fusha të tjera tek ne, edhe futbollin është duke e shkatërruar doktrina e dashur e shqiptarëve, doktrina e fajit jetim

Mbi të gjitha e dhimbshme për tifozët e ekipit të Kosovës që përditë e më pak kanë arsye për të besuar në slloganin “Ëndrra vazhdon”.

__________

Nëse shikon për një kohë të gjatë në humnerë, edhe humnera fillon me të shiku ty, thotë Niçe. Aktualisht jemi në një situatë të tillë. S’po ia ndajmë sytë humnerës, e në një ditë jo të largët do ta marrim vesh se edhe ajo është duke bërë të njëjtën gjë me neve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok