DR. ROZOLIN PETROTA: SHTYLLA KRYESORE E SHQIPTARIZMIT ARBËRESH
Nga Frank Shkreli
Javën e parë të Nëntorit, në krye të një delegacioni zyrtar, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta ndërmori një vizitë historike nënë Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit të shpallur Mbarë-Kombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut. Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidenti Meta, është takuar edhe me homologun e tij, Presidentin e Italisë, Z. Sergio Mattarella. Në fillim të vizitës së tij në komunitete arbëreshe të Italisë, Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë, ndërsa shtoi se, “Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë, të cilëve u jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin, që nga koha e Skënderbeut. Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur”, është shprehur Presidenti Meta, me atë rast. Ndërsa, Presidenti italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij dërguar para dy ditësh Presidentit Meta me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë shprehet se: “Përkujtimi i përbashkët së fundmi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, forcoi më tej jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe por edhe ndjenjën e ndarjes bashkërisht të faqeve të rëndësishme të historisë – siç u dëshmua konkretisht nga pakica arbëreshe mjaft aktive – si dhe të horizonteve të përbashkëta në gjirin e familjes evropiane dhe të komunitetit euro-atlantik”.
Fatkeqësisht, jan pak njerëz që mund ta dinë se një meritë të madhe, për të mos thënë ndoshta meritat kryesore për ruajtjen e gjuhës, identitetit, traditave, kulturës arbëreshe si dhe forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane — për të cilat folën dy presidentët — i takon arbëreshit Dr. Rozolin Petrota: Sipas dy miqëve dhe bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, Prof. Ernest Koliqit dhe Prof. Karl Gurakuqit, Dr. Petrotta e dinte mirë se ruajtja e traditave e shpëtoi nga cenimi dhe nga izolimi komunitetin arbëresh, nepër rrëmujat historike prej pesë shekujsh. Në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, vlen të përmendet edhe vlersimi i këtyre dy burrave të cilët kanë shkruar se Dr. Petrota – një trashëgues dhe ruajtës i traditës arbëreshe, ishte gjithashtu edhe një pjesëtar i spikatur i asaj breznie që përgatiti 28 Nëntorin fatlum, më 1912, një ngjarje kjo të cilën arbëreshi Petrota e ndoqi dhe e përkrahi nga Italia, ashtu si çdo nismë tjetër në dobi të vendlindjes së të parëve të tij. Prof Koliqi ka shkruar për mikun e tij të ngushtë arbëresh, Dr. Petrotën se ai ishte trashëgues dhe ndjekës i traditës arbëreshe, ndërkohë që, “Ushqente bindjen se zvetnimi i rrjedhun nga mospërfillja e traditave, dobësonte vetitë ma të zgjedhuna të gjakut të trashiguem”. Ai admirohej nga ata që e kanë njohur, si një njeri i cili për qëllim kryesor kishte lartësimin e vlerave arbërore. Atdhedashuria e tij”, ka shkruar Ernest Koliqi, iu shmangte “Shafqjeve të bujshne që mbulojnë shterpësi ndjesishë të vërteta ndërsa tregohej në vepra të mbara e të frytshme”.
Njëra prej këtyre “veprave të mbara”, rezultat i punës së tij të vendosur për promovimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës arbëreshe në Itali, ishte themelimi i Qendrës Shqiptare për Studime Ndërkombëtare, pranë Universitetit të Palermos, në vitin 1948, me dekret të Presidentit të Republikës Italiane, që u pasua më vonë me hapjen e Institutit për Studime Shqiptare në Romë, në vitin 1959, nën drejtimin e Prof Ernest Koliqi, gjithashtu me dekret të Presidentit të Italisë. Me bashkpunimin e Gaetan Petrotës (të vëllait), Karl Gurakuqit, Namik Resulit, At Zef Valentinit dhe Ernest Koliqit, ishte arbëreshi Dr. Rozolin Petrota ai i cil,i në të vërtetë, luajti rolin kryesor në themelimin e këtyre dy instituteve tepër me rëndësi, në Palermo dhe Romë — të cilat jo vetëm kanë promovuar por kanë mbajtur gjallë identitetin, gjuhën dhe kulturën arbëreshe në Itali, për të cilën folën Presidenti Ilir Meta dhe Presidenti Italian Sergio Mattarella gjatë vizitës së tyre në fillim të këtij muaji, në komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut.
Karl Gurakuqi ka vlerësuar lartë punën e kolegut të tij të ngushtë arbëresh dhe rolin që ai ka luajtur në ruajtjen e identitetit të shqiptarizmit arbëresh duke thënë se, “Nuk besoj se më idhnohen Arbëreshët e Sicilisë nëqoftse pohoj se po të hiqet Rozolin Petrota nga lista e atyne që i mbajtën gjallë ndjenjat atdhetare shqiptare në popullsinë arbëreshe siciliane, nuk mund të bahet më një histori e saktë e tyre. Rozolini është i mbrami i radhës së ndritëshme të Arbëreshve që ia ndritë faqet shqiptarizmit në Itali”, ka shkruar Prof. Karl Gurakuqi me rastin e vdekjes së arbëreshit të madh, Dr. Rozolin Petrotës në shtator të vitit 1969.
E përkujtojmë sot Dr. Rozolin Petrotën edhe për një arsye tjetër në këtë vit kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skendërbeu, pasi një vit para se të ndërronte jetë, Dr. Petrota organizoi, kuvendin e fundit të jetës së tij në Nëntor të vitit 1968 — takimin e madh përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të kalimit në amëshim të Prijësit të Shqiptarëve. Nën drejtimin e tij, në kujtim të Skendërbeut – në Qëndren Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo – u mblodhën arbëreshë, vatranë, shqiptarë nga Kosova, trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora, studiues dhe albanologë të huaj dhe shqiptarë të arratisur nga vendlindja. Ata që kanë qenë të pranishëm — shumë prej të cilëve nuk jetojnë më — më kishin thënë se ai takim historik kishte mbetur përgjithmonë në kujtimet e tyre. Jam i bindur se si i tillë do të mbetet edhe në analet historike të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Si kryeorganizatori i takimit në Palermo me rastin e 500-vjetorit të kujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në vitin 1968, Dr. Petrota iu drejtua, arbëreshve dhe shqiptarëve të mbledhur atje nga mbarë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, me disa fjalë vëllazërore, siç janë botuar në revistën “Shëjzat:
”…Kemi këtu studiuesë dhe miqë shqiptarë, arbëreshë e albanologë, nga Siqilia, nga Kalabrija, nga Italia, nga Kosova, nga Austria, nga Gjermania dhe nga Shtetet e Bashkuara t’Amerikës. Shqiptarë dhe Arbëreshë: Jemi gjithë këtu bashkë pa dallim feje, dialekti e rryme politike.
Na Arbëreshët, stërnipëra të atyre mërgimtarëve të ikur nga Arbërija qintra vjet më parë, të cilët të parët e të gjithëve kanë bërë të valvitet në Itali Flamuri i Skenderbeut – e kanë bërë të kumbojnë lartë e me nderë gjuhën tonë.
Shqiptaro-Amerikanët, mërgimtarët më të rinjë, të cilët të përbashkuar në Vatrën e Fan Nolit e të Faik Konicës, nga Amerika i kanë dhënë kumbim të ri e depërtim kërkesave të Kombit Shqiptar.
Shqipëtarët profugë më të vonshëm, të cilët, sikurse ata më të vjetërit, kanë marrë udhën e mërgimit për të mbajtur besën në vlerat ideale.
Si njëherë Skenderbeu kje Kryetrimi i të tërë ushtrisë mprojtëse të qytetërimit dhe Flamuri i tij kje shënji i bashkimit të të gjithë Shqiptarëve, po kështu edhe sot të gjithë na ka mbledhur emëri dhe kujtimi i tij.
Na po vërejmë me zemër vëllazërore të thellë, të gjithë profugët e sotëm, të cilët në vehten e tyre dhe ndër familjet e tyre, mbajtën zi dhe ruajtën plagët e vuajtjevet të tyre, por mburren duke dijtur se përfaqësojnë akoma Shqipërinë e Skënderbeut.
Dhe vërej me admirim ata që ndër vuajtjet dhe varfërinë e mërgimit, akoma e gjejnë shtegun për të ndritësuar me vepra ndërtonjëse, veçanërsisht kulturore, emërin e Atdheut.
Na vërejmë me mirënjohje të veçantë të gjithë studjuesit e miqët e huaj, të cilët me studimet e tyre dëftojnë se sa shumë i çmojnë vlerat e vërteta të Shqipërisë.
Por neve, përfaqësues të gjithë institucioneve kulturore arbëreshe dhe veçanësisht neve të Qëndrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare të Palermos, trashëgimtarë të së moçmës dhe lëvdimplote, “Lidhje Italo-Arbëreshe” të na lejohet të ndihemi vëllëzër në mënyrë të veçantë me miqët dhe bashkatdhetarët t’anë shumë të dashur të Federatës “Vatra”, ka përfunduar përshëndetjen e tij arbëreshi DrRozolin Petrota, me rastin e 500-vjetorit të kujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe më 28 Nëntor, 1968 në Palermo.
Atë organizim në Palermo 50-vjetë më parë, frymëzuesi dhe inciatori i të cilit ishte vet Dr. Petrota, bashk-kohësit dhe bashkpuntorët e tij të ngushtë, e kishin cilësuar si vepra e tij e fundit e shkëlqyeshme dhe e mrekullueshme, që kurorëzoi një veprimtari patriotike 50-vjeçare, si shtylla kryesore e patriotizmit të Arbëreshëve të Italisë. Një patriotizëm ky, të cilin Petrota – ndër të tjera — e shfaqte në shumë artikuj të çmueshëm, ndërsa në vitin 1919 së bashku me të vëllain Gaetanin, kishin filluar botimin e revistës “Rassegna italo-albanese”, ku sipas një vlerësimi të Prof Karl Gurakuqit, shiheshin shkrime me vlerë mbarë kombëtare shqiptare. “Me anën e këtyre artikujve”, shkruan Gurakuqi, “Rozolini mpronte me energji çështjet shqiptare, kufijtë etnikë të Shqipënisë, vetqeverimin e plotë të Atdheut shqiptar, ndërsa luftonte lakmitë e kufitarvet anmiq të Shqipënisë, të cilët me dredhi të ndyta përpiqeshin të shembin themelet e shtetit të posa lindun”.
Kjo, pra është arsyeja që këtë javë të Pavarësisë së Shqipërisë dhe në mbylljen e vitit kushtuar 550-vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, meriton të kujtohet jeta dhe veprimtaria atdhedashëse e arbëreshit Rozolin Petrotës – ndoshta një emër pak i dëgjuar por me shumë merita për kauzën kombëtare — i cilësuar nga bashkohësit e tij si shtylla kryesore e shqiptarizmit të arbëreshëve të Italisë.