22/12/2024

Dr. Prof. Thanas Furreraj, mirënjohje mjekut, profesorit, mikut, qytetarit!

0
Entela-Binjaku

Nga Entela Binjaku

Më 18 janar 2023 në qytetin e Tiranës ndërroi jetë mjeku i mirënjohur endokrinolog, Dr. Prof. Thanas Furreraj. Lajmi për largimin nga jeta të mjekut Furreraj u shpërnda me shpejtësi në të njohur e të panjohur. Trishtimi kaploi gjithëkënd mësoi për ikjen e shpejtë dhe të parakohshme të mjekut fierak. Pushoi së jetuari doktori që ishte për pacientët ashtu siç të gjithë presin: i ditur, i papërtuar, i gatshëm, i thjeshtë, ishte aty për të gjithë! Ndërsa dhimbja kishte kapluar familjarët, të njohurit, miqtë e bashkëpunëtorët, nuk mund të mos mendoje pacientët: kush e di si janë ndjerë ata! Nga vitet që jetoi, e që nuk ishin dhe aq shumë, 39 prej tyre Dr. Thanasi ja kushtoi njëherazi punës me pacientët dhe me studentët. Gadishmëria, besimi dhe kurajua që ai u jepte njerëzve ishte forca për të cilën kishin nevojë. Dijet e thella mjekësore ishin qetësia që u duhej të kapërcenin problemet që u kërcënonin shëndetin. Nëse kërkoje dr. Thanasin, e dije që do ta gjeje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Dera para dhomës së tij në Shërbimin e Endokrinologjisë tek Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, ishte e  hapur për qytetarët. Për të gjithë! Nuk besoj se ka qenë dikush nga të cilado zonë e vendit, e veçanërisht nuk besoj se kishte fierakë, mallakastriotë që nuk i takoje tek dera e doktor Thanasit. Siç edhe zakon është tek ne, nëse një i afërm i yti do të shtrohej po vizitohej në Tiranë, së pari do të telefonoje doktorin e më pas do të nisje rrugën. Kështu ishte edhe dr. Thanasi për ata që e njihnin. Karriera e admirueshme e doktor Furrerajt nisi që me përfundimin e studimeve në Mjekësinë e Përgjithshme në vitin 1983. Ai punoi fillimisht në një nga spitalet e vendit, më pasi vijoi me punën në QSUT, jetëshkrimi i tij profesional u pasurua me specializimet në fushën e Diabetologji/Endokrinologisë dhe titujt e lartë e të merituar erdhën bashkë me punën e madhe. Dr. Prof. Thanas Furreraj ushtroi detyrën e presidentit të  Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë, shumë botime dhe artikuj shkencorë mbajnë autorësinë e tij. Për më shumë se tri dekada ai ishte profesor pranë Departamentit të Sëmundjeve të Brendshme, në  Fakultetin e Mjekësisë.  Janë mijra studentë të këtij fakulteti që e kujtojnë me respekt doktor Furrerajn si lektor në fushën e endokrinologjisë.  I papërtuar, i gatshëm, modest dhe i durueshëm, a nuk është ky mjeku që duam? Por edhe mjekët vdesin! Filozofët i janë qasur vdekjes në mënyra të ndryshme: Kirkegardi e quante “dera drejt besimit”, Hajdegeri thoshte se është “mënyra për t`i dhënë kuptim jetës” ndërsa për Kamynë tek vdekja qëndron “absurdi i të gjithave”. Ndërsa besimtarët thonë se “kur engjëjt në qiell janë sëmurë, Zoti zbret në tokë e u çon pranë mjekët”. Doktor Thanasi u shua më 18 janar, një nga datat e shënuara të kalendarit të krishterë: në ditën e Shën Thanasit.  Ashtu si edhe shenjtori, i lindur nga prindër të varfër por të devotshëm dhe i pajisur me dhunti të çmuara shpirtërore, ai dëshmoi në të gjallë cilësitë më të larta të njeriut, mjekut, profesorit, qytetarit.

Mirënjohje punës dhe kujtimit të Dr. Prof. Thanas Furrerajt! Ai do të na mungojë të gjithëve: pacientëve, familjarëve, endokrinologjisë shqiptare, studentëve, të njohurve e të panjohurve. Kur ikën një mjek, shoqëria nuk humbet vetëm një njeri. Kur ikën një mjek si dr. Thanasi, edhe kombi humbet shumë më shumë: një jetë të vlerë dhe një kontribut të çmuar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok