23/12/2024

DR. IBRAHIM RUGOVA: VETITË E NJË BURRËSHTETI

0
Shkreli-Rugova5

Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës
Nga Frank Shkreli
Ditët e fundit, historiani i njohur dhe njëri prej intelektualëve më të shquar të Kombit shqiptar, Jusuf Buxhovi botoi, me rastin e 30-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dokumentin autentik të programit të kësaj lidhjeje njëra prej partive më të mëdha politike në Kosovë. Dokumenti origjinal që mban nënshkrimin e Jusuf Buxhovit, është nënshkruar me datën e 23 Dhjetor të vitit 1989. Dokumenti në fjalë, në të cilin radhiten angazhimet e LDK-së për të ardhmen e Kosovës, sipas historianit Buxhovi, ishte bazuar mbi sugjerimet e paraqitura nga akademikët e njohur të Kosovës, Gazmend Zajmi, Fehmi Agani dhe Ajri Begut dhe ishte miratuar njëzëri nga Kuvendi themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Urime LDK-së në 30-vjetorin e themelimit të saj, megjithëse ky shënim nuk është për LDK-në, por për Dr. Ibrahim Rugovën — të cilit, delegatët që morën pjesë në themelimin e LDK-së — ia besuan Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes ndoshta më të madhe mbarë popullore që ka ekzistuar ndonjëherë në trojet shqiptare dhe të cilën ai e drejtoi për 16 vjet. Në një kohë ndryshimesh të mëdha politike, anë e mbanë Evropës, ishte një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh shqiptarë të Kosovës që miratoi themelimin e një partie – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën post-komuniste — e cila më në fund do të artikulonte kërkesat politike dhe kombëtare të shqiptarëve, si nisëmtarja e proceseve të pluralizmit politik ndër shqiptarë, në rrethana mjaft të vështira nën të cilat gjëndej në atë kohë Kosova.
Në deklaratën e Kuvendit nismëtar thekësohej një temë gjithnjë aktuale edhe sot, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në trojet e veta, ku thuhej se, “Është e drejtë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike të komunikojnë e të bashkëpunojnë në mënyra që i konsiderojnë vetë më të përshtatshme, sikur që është e drejtë e tyre që në hapësirën gjithë shqiptare, në frymën e ecurive të sotme politike e civilizuese evropiane, të bashkëpunojnë, të papenguar dhe të kërkojnë që kufiri me Shqipërinë të shëndërrohet nga një mur i pengimit në një vijë të takimit e të komunikimit të lirë ndërshqiptar”.
Ndërkohë që Dr.Ibrahim Rugova u zgjodhë Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me “aklamacion” — në rolin e Kryetarit të Partisë së re — në përmbyllje të Kuvendit, Dr. Rugova u ka deklaruar delegatëve se, “LDK-ja kontribuoi që sot shqiptarët pa frikë mund të shtrojnë kërkesat politike dhe të gjitha problemet që i preokupojnë, jo vetëm karshi pushtuesit, por kemi arritur që të lirohemi edhe brenda vetvetes”, ka thekësuar Presidenti i ardhëshëm historik i Kosovës.
Kush ishte Dr. Ibrahim Rugova, i cili pothuaj pa asnjë përvojë në fushën politike dhe diplomatike, nga një intelektual i panjohur jaashtë Kosovës, mbrenda një kohe të shkurtër, në një periudhë të vështirë për Kombin shqiptar, bëri aq shumë miq anë e mbanë botës — mbrenda dhe jashtë kancelarive më të njohura botërore –jo vetëm për Kosovën, por edhe për Kombin shqiptar në përgjithësi?
Unë kam patur nderin ta takoja, Dr. Rugovën, para se të bëhej i njohur ndërkombëtarisht, më s’pari si njeri, si intelektual e shkrimtar, por mbi të gjitha si shqiptar, në shtëpinë time në Virxhinia, afër Washingtonit, në tetor të vitit 1989, që për të ishte edhe vizita e tij të parë në Washington. Në librin e tij, “Në hap me Rugovën”, Adnan Merovci, ish-këshilltar i Presidentit Rugova për një kohë të gjatë ka shkruar në librin e tij, “Në Hap Me Rugovën”, se Ibrahim Rugova, “posedonte atribute profetike” që e dallonin nga të tjerët. Për këtë unë isha bindur që nga takimi i parë me ‘të. Autori gjithashtu citon Dr. Rugovën t’i ketë thënë se, “Jemi popull i vogël, edhe lisat duhet t’i bëjmë për vete”. Presidenti i ardhëshëm i Kosovës ishte i qartë se ai i konsideronte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “lisin e madh” që shqiptarët duhej ta bënin për vete. Gjithashtu pyetjes se si duhej vepruar për tu përballur me shtypjet brutale serbe që po shtoheshin gjithnjë kundër shqiptarëve në Kosovë, ai qe përgjigjur që në vizitën e tij të parë në Washington në tetor të vitit 1989, se fillimisht duhej të ndërmirreshin urgjentisht dy gjëra si hapa të parë: ndërkombtarizimi i çështjes së Kosovës dhe vendosja e një numri të konsiderueshëm forcash ushtarake të OKB-së ose të NATO-s në Kosovë, pikë kjo që më vonë, siç shkruan edhe Z. Merovci, kryesonte 10-pikat e planit veprues paraqitur bashkisë ndërkombëtare, për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Duket pra, se që në vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara, Ibrahim Rugova, kishte menduar për masat dhe opcionet më të mira dhe më të efektshme fillestare për të zgjidhur të ardhmen afat gjatë të Kosovës. Ai e konsideronte ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës si një mision personal. Por, ai kurrë nuk u predikonte të tjerëve, por i shpjegonte faktet me urtësi dhe pa zemërim. Në këtë pike, udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë mund të mësojnë shumë nga ish-Presidenti Rugova, se si duhet komunikuar me të huajt. Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës bindshëm përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe si përfundim, bota me në fund, e dëgjoi.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës shqiptar, ndryshe, me veti dhe karakteristika që e dallojnë nga të gjithë të tjerët. Me cilin udhëheqës tjetër të 100-viteve të kaluar, përfshirë politikanët aktualë, mund të krenohen shqiptarët. Rugova jo vetëm që e deklaroi, por i vuri themelet e miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës.
Ibrahim Rugova jo vetëm që e deklaroi, por i vuri themelet miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe në proces forcoi mëtej lidhjet e forta midis dy kombeve tona. Presidenti historik i Kosovës, ruante një krenari atdhedashurie si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar i kohërave moderne. Ish-Presidenti i Kosovës, ishte një burrështeti ndryshe me bashk-biseduesit e tij, qoftë shqiptarë apo ndërkombëtarë. Ai ishte ndryshe sepse ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë e qëndresën tradicionale, që gjatë shekujve kanë përberë vlerat e qenjës shqiptare — së bashku me besën, nderin e burrëninë. Presidenti Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të identitetit të tyre arbëror. Dr. Rugova ishte një burrështeti shqiptar ndryshe, i frymëzuar nga këto virtyte. Ai me durim, guxim e besim – fillojë të shpaloste para botës dinjitetin dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve, të nepërkambura për më shumë se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste, anti-perëndimore, krejt e huaj për kulturën dhe traditat më të mira shqiptare.
Kam respekt për Ibrahim Rugovën si një burrështeti ndryshe, për bindjen e tij dhe siç shprehej me të tjerët, se komunizmi ishte rreziku më i madh që i ka ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e 20-të, si dhe për faktin se besonte që Kombi shqiptar, në liri e në demokraci, duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij dhe të shtetformimit – jo mbi një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose në trashëgiminë e saj autoritare — por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë të Kombit.
Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës shqiptar ndryshe sepse kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor perëndimor, plotë urtësi, të gërshetuar me traditat dhe vlerat më të mira të kombit shqiptar. Megjithëse shumë e kanë kritikuar dhe e kritikojnë gjithnjë se ishte tepër paqësor për kohën që jetoi, Ibrahim Rugova ishte ndryshe, sepse ishte i vetdijshëm se edhe trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdour në mbrojtje të interesave të kombit, por ai njëkohësisht me sjelljet e tija, tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e të drejtës dhe interesave kombëtare dëshmohet gjithashtu edhe duke i ruajtur nderin emrit shqiptar, në marrëshëniet me njëri tjetrin dhe me të huajt.
Një gjë tjetër që e dallonte Presidentin Rugova si burrë shteti ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë, është se ai fliste pak, nuk i kërkonte kamerat as studiot televizive, por megjithkëtë, jehona dhe apeli i tij në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, u dëgjua anë e mbanë botës.
Unë nuk jam i sigurt se si do të vepronte Presidenti Ibrahim nën rrethanat e sotëme politike kaotike në Kosovë dhe në Shqipëri, por për një gjë jam i sigurt:se nëqoftse politikanët e sotëm shqiptarë do të kishin urtësinë, fuqinë mendore dhe atdhedashurinë e Ibrahim Rugovës, për të venë interesat e Kombit mbi ato personale dhe partiake, shqiptarët në përgjithësi do të ishin më mirë se ç’janë sot. Jam i sigurt se përballë përçarjeve aktuale të egëra politike, në Shqipëri dhe në Kosovë, Ibrahim Rugova do të jepte kushtrimin e arsyes, për tu këthyer në rrugën e pajtimit duke bërë thirrje, “Uluni burra të pajtojmë vendin”. I bindur në drejtësinë dhe më fund në realizimin e kërkesave historike të shqiptarëve, ai citohet të jetë shprehur në tubimin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, 30-vjetë më parë, se atëherë, madje në një gjëndje shumë më të vështirë se sot për shqiptarët ka thënë: “Ne kemi forcën morale të popullit, e cila çmohet shumë në botë. Ne jemi nën gjëndje okupimi, por jemi solidarë me njëri tjetrin, falë edhe mërgimtarëve tanë në botën e jashtme”, ka theksuarDr. Ibrahim Rugova, 30-vjet më parë me rastin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është një porosi për klasën e sotëme politike shqiptare, ashtu siç e ka thënë edhe Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, 30-vjet më parë: Besoni në forcën morale të shqiptarëve dhe dëgjoni kushtrimin e tyre, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare kudo që janë, për pajtim politik e kombëtar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok