26/12/2024
Agim-Vinca-Strofulla

Refleksione per tregimin ”Në strofullën e djajve”

Nga Prof. Resmi Osmani

Profesor Agim Vinca, i mirënjohur, që ka bërë emër më së shumti si poet, pedagog, studiues i letërsisë, eseist dhe publicist, vjen para lexuesve me një libër të ri, këtë herë në prozë, me titull “Konkubina”, botuar nga “Syth” në Tetovë. Pati mirësinë të ma dërgojë në Tiranë. Janë përfshirë në të 15 tregime të shkurtra, kryesisht mbresa, kujtime dhe ndodhi nga jeta e autorit, rrëfyer në vetë të parë. Janë krijime mjeshtërore, të shkruara thjesht, ku shpaloset talenti, arti, filozofia dhe mendimi i dijetarit për dukuritë mbresëlënëse e të pashlyera të  jetës.

Në këtë libër, veç të tjerash, më bënë të ndalem dhe t’i rilexoj dy tregim-rrëfime ”Në strofullën e djajve” dhe”Një luftë e vogël shqiptaro-serbe” dhe , ja përse:

Ishte duke u gdhirë 28 marsi i vitit 1989. Mugëtirë. Trokitje të forta në derën e banesës së profesor Agim Vincës, që e zgjojnë nga gjumi. Hapet dera. Është policia, me shtatë agjentë që, vjen të bastisë, kur Kosova luftonte për jetë a vdekje, nën dhunën serbe, që kishte marrë përmasa të mëdha. Duheshin gjetur armiqtë, kundërshtarët, ndër ta intelektualët, që, sipas tyre, ishin frymëzuesit dhe nxitësit e “nacionalizmit”, të grevave dhe demonstratave, për ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe shpalljen e Kosovës Republikë. Ndër ta, në listat e zeza, figuronte edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim Vinca. Në banesë, kërkohen objekte fajësimi, sidomos të shkruara, përmbysen librat dhe shkrimet në bibliotekë. Katrahurë. Nën kërcënim, bastiset tërë shtëpia. Përmbyset gjithçka. Sekuestrohen dhe merren me vete, fashikuj dorëshkrimesh dhe ato objekte të cilat u duken të dyshimta dhe të dobishme për hetimin, në gjetje të provave të fajësisë së supozuar. Profesor Vincës i thuhet se duhet të shkojë me ta. Merret dhunshëm e shoqërohet në komisariatin e policisë. Në strofullën e djajve. Një arrestim, por pa u delklaruar si i tillë me eufemizmin “Marrje në pyetje”. E mbyllin në një dhomë nën rojen e policit dhe kërcënimin e automatikut. Brenda mureve të ftohta, orë heshtjeje, ankthi e pritjeje torturuese, e mirëmenduar. Si parapërgatitje për atë që do të vijë në vazhdim. Më pas hyjnë e dalin agjentë. Pyetje provokuese, zhbiruese. Është një skemë inkuizicionale. Inkuizitorët nuk janë të veshur me zhgune, por me xhinse dhe xhupe lëkure. Në vend të turrës së druve, në flakët e të cilave digjej heretiku, ngrihet kërcënimi, frika për jetën. Pyetjet janë si morsa shtypëse, si garrota mesjetare spanjolle. Herezia: nacionalizmi shqiptar, nxitje e qytetarëve, punëtorëve  dhe studentëve për protestat, grevat e minatorëve. Parulla ”Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Të mjaftueshme për ta prangosur e dergjur në galera. Pyetjet ndjekin njëra-tjetrën, të befasishme e kërcënuese, djallëzore deri në mërzi, shpesh absurde, të përsëritura dhe kundërthënëse, që ngrenë lakun për ta mbërthyer viktimën për fyti, për ta depersonalizuar e humbur vetëdijen, për ta mbërthyer me shpatulla për muri, që të pranojë fajësinë e supozuar e të dyshuar. Janë profesionistë, provokatorë të kualifikuar, që kanë si sistem presionin psikologjik, që ngrenë rrjetën e merimangës ku të ngecë viktima. Nuk nguten, ruajnë në dukje qetësinë, teksa në psikikën e tyre gëlon gjithçka që ta bëjë të marrurin në pyetje ta ndjejë veten të kërcënuar, të frikësuar, në zgrip të së keqes pa shpëtim, të thyhet, të gabojë, të pranojë atë që i kërkohet. Orët kalojnë. Profesori, i pagjumë, i pangrënë e pirë, i lodhur e drobitur fizikisht e shpirtërisht, i vetëm, por i qëndrueshëm, dinjitoz, i pathyer, i vendosur në të drejtën dhe pafajësinë e tij. Mos është krim të duash vendin dhe popullin tënd? Përballë e keqja, djallëzore, e sofistikuar, por me raste edhe brutale, egërshane.  Hetuesit venë e vinë, ia përsërisin se ku ndodhet dhe përse ndodhet. Natyrisht, ai e di: në strofullën e djajve dhe djallëzive! Kur lodhen ndërrohen, shkojnë të hanë e të pinë. Mbrëmanet, kur përjashta ka rënë errësira, hapet dosja satanike, atje është gjithçka, jeta e tij, veprimtaria, fryt i ndjekjeve, dyshimeve, keqdashjes, spiunimeve, informatorëve (se spiunë gjenden përherë.) Në aksh ditë e në aksh datë, ku ka qenë, me cilët është takuar, çfarë kanë biseduar, a ka qenë në Shqipëri, me kë është  takuar, çfarë kanë biseduar, a e dëgjon Radio Tiranën, ç’mendim ka për propogandën që bën Qeveria Shqiptare për Jugosllavinë dhe Kosovën, a e ka lexuar librin “Titistët”… Breshëri i pyetjeve s’ka të sosur.

Të dy palët janë të lodhur, por inkuizitorët janë të dëshpëruar, i ndaluari që e marrin në pyetje qëndron burrërisht, dinjitoz, i kujdeshëm në përgjigje, që nuk bie në rrjetën provokative, sido të ngritur mjeshtërisht. U duhen fajtorë, por s’kanë ku të kapen, faktet mungojnë. Më në fund që ta thyejnë, i japin lajmin tragjik: policia ka qëlluar mbi demonstruesit, studentët, janë vrarë 22 vetë! Rrugët e Prishtinës janë larë me gjak. Lajmi është drithërues: njëzet e dy të vdekur! “Kanë qëlluar në djemtë dhe vajzat tona që kanë protestuar sot. Kanë qëlluar drejt në trupat e tyre të njomë, o Zot!”. Është një klithje shpirti, një goditje rrufeje. Hetuesi i thotë se edhe profesori është përgjegjës, ai dhe shokët e tij i kanë shpënë turmat drejt grykës së pushkëve, teksa për vetë rrinë në kolltukët e rehatshëm! Çfarë akuze kriminale, çfarë alibie djallëzore!

Kur nis e shkruan, në atë atmosferë mbytëse e rrënuese, ku i zihet fryma, autori kthehet plot një muaj pas, në Qendrën e Studentëve. Vijnë disa faqe retrospektive, si fllad lirie, me nënndarjet “Fëmijët e epokës” dhe “Në shenjë të germës V” për lëvizjen studentore në grevën që zgjati shtatë ditë e shtatë net, ku ai u ndodh mes tyre, për t’u dhënë zemër dhe për t’u thënë sa shumë i donin.

Afrohet mesnata. Ora kur fanepsen shtrigat, shtriganët dhe djajtë si në kohët e mesjetës të tragjedive shekspiriane, në kërkim të haraçit të tyre. I ofrojnë letër dhe laps, duhet të deklarojë gjithë sa u tha në përgjigjet për pyetjet e bëra. Nuk u mjafton dëshmia gojore, e duan të shkruar nga dora e tij. I tillë është protokolli!

Më në fund, agjenti hetues shqipton: ”Ja, kështu, shoku A. V…. Ki kujdes!!… Ne vendosëm të të lirojmë (nuk thotë për mungesë provash), por…..Ti e di…. Ne të marrim përsëri… Po qe se…”. Kërcënimi është i hapët: Domethënë, po qe se s’rri urtë, ne të marrim prapë, ose…. Ose… Rrugë tjetër s’ka! S’ka alternativë.

Është një rrëfim tronditës, jo fiksion, apo fantazi, por ngjarje e jetuar nga tregimtari që e dëshmon ashtu si  ka ndodhur dhe përjetuar.

Tregimi duhet lexuar, për të nxjerrë mësime, sidomos nga brezi i ri i rinisë kosovare, lindur pas viteve 2000, për ta ditur dhe kuptuar se Liria e Kosovës u fitua jo vetëm me luftën dhe gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, por edhe me përpjekjet dhe sakrificat e rinisë studentore, të  minatorëve dhe intelektualëve patriotë që vunë në shërbim të çështjes së lirisë dhe të idealit kombëtar shpirtin, dijet, atdhedashurinë dhe jetën për vendin dhe popullin e tyre. Që meritojnë nderim dhe respekt.

Mbetet aktuale thirrja e Julius Fuçikut: “Njerëz ju kam dashur, jini vigjilentë”. Jo më vonë se këto ditë, presidenti serb Vuçiç, përmendi “konfliktin e ngrirë” dhe kërcënoi Kosovën me luftë.

Tregimi është një episod, një fragment, një kujtesë e asaj që ka ndodhur në Kosovë nën pushtimin serb dhe që rrëfen fytyrën e vërtetë të armiqësisë dhe egërsisë të nacionalizmit fashistoid serb.

Tiranë, më 13. 1. 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok