DON NIKOLL SHELQETI
Nga Fritz RADOVANI:
Nikoll Shelqeti asht le në Shelqet pranë Vaut Dejës, me 31 Tetor 1892 nga prindët Hilë e Diela Shelqeti. Mbas mësimeve të para që mori në Shkoder, per me plotsue atë deshirë Shpirtnore që kishte qyshë fëmij, vazhdoi dhe perfundoi studimet teologjike me rezultate të shkelqyeshme në një prej Universiteteve teologjike t’ Austrisë. Mbasi asht kthye në Atdhe ka sherbye si meshtar në fshatrat e Zadrimës, ku ka lanë nder ato zona kujtimet ma të mira si mësues shpirtnuer i perkushtuem. Me sjelljen e Tij meshtarake plotson të gjitha kushtet e arrestimit dhe, Sigurimi i shtetit komunist nuk i kursen prangat as per Don Nikollin me 20-XII-1946. E sjellin edhe Don Nikollin me vazhdue hetuesinë në qendren e torturave të burgut Kishës së Fretenve, në qytetin e Shkodres. Asht viti i terrorit 1946, kur Shqiptarët të nenshtruem nga diktatura e pergjakëshme komuniste, po provonin ata tmere që as nuk i kishin ndigjue as lexue gjithë jeten e tyne.
Jo ma pak se të tjerët klerikë katolik masakrohet edhe Don Nikoll Shelqeti.
Asht krejtësisht i pafajshem po, dhe aq burrnor sa nuk pranon asnjë akuzë. Nga dita e parë e arrestimit në vitin 1946 dhe, deri në Janarin e vitit 1948 nuk ju ndane njëditë hetimet dhe torturat ku ishin ma të mnershmet.
Në Janarin e 1948, edhe Don Nikoll Shelqeti akuzohet me grupin e klerikve katolik, që kryesohej nga Prelatët Imzot Frano Gjini, Imz. Nikoll Deda dhe Provinçiali i Fretenve At Mati Prennushi, edhe pse Don Nikolli nuk kishte me Ata asnjë lidhje n’ akuza. Mjaftonte vetem Veladoni per të gjitha akuzat!
Kenja klerik katolik i nderuem e perfshinë dhe këte në Dosjen 1302/I- 1948.
Po persëris se: Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna dhe publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë atëherë, kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne. E tue lexue disa pjesë të asaj Dosje, edhe sot mbas 80 vjetësh nuk gjej asnjë arsye as shkak bindës,“pse u dënue me këte grup edhe Don Nikolli?!”
Shkaku i vertetë sigurisht që dihet, po faktet e mavonshme tregojnë saktë se, me sa djallzi vepronte Sigurimi i shtetit kriminal shqiptar nder kushtet e asaj kohë, “per me zhdukë nga faqja e dheut Klerikët katolik të Pafajshem”.
Në Dosje shenohet kjo thanje në gjyqin e mbyllun të Tij në mensë në kuvend të fretenve: “I pandehuri Dom Nikoll Shelqeti tha: Para Përendis’ e robit nuk jam per një dënim të tillë se s’kam ba gja, por përkundrazi njerëzve të Lëvizjes N.Çl., i kam udhëheq e ndihmue dhe u kam predikue në favor të qeverisë.” Dhe, në mbyllje të gjyqit shenohet edhe vendimi i dhanun:
8.Dom Nikoll Shelqeti, i biri Hlës dhe i Dilës, vjec 55, i pa martuar, i pa dënuar, i varfer, ka mbaruar Theologjinë dhe fillosofinë në Austri, me profesjon prift e famullitar, lindur në Shelqet, i reshtuar me dt. 20/XII/46.
Per të pandehurit: Dom Nikoll Shelqeti, dënohet me 3 vjet privim lirie e punë të detyruar. Të dënumëve u ngarkohen 162 lek shpenzime gjyqi. Ky vendim i referohet Gjykates Naltë Ushtarake per aprovim persa u perket të dënumve me vdekje, kurse per të tjerët mundet të bëhet ankim po në Gjykatën e Naltë Ushtarake brenda tetë ditve nga data 8/I/1948, që u shpall vendim. Shkoder, me 8/I/1948.” Gjithshka shumë e kjartë.
Gjykata e naltë e Tiranës nuk bani asnjë ndryshim në vendimin e dhanun nga Gjykata ushtarake e Shkodres. Mbas pak ditësh Don Nikolli, u dergue me vazhdue dënimin në kampin e shfarosjes së Bedenit të Kavajës.
Atje Don Nikolli ju bashkue grupit të burgosunve Klerikë katolik, që ishin në atë kamp per të cilin asht shkrue dhe do të shkruhet edhe ma vonë, por e verteta e saktë e vujtjeve, torturave, urisë dhe mënyrave të shfarosjes që ju janë ba të burgosunve në kampin e shfarosjes së Bedenit, jo vetem nuk asht shkrue plotsisht, po asht e vështirë me pranue se do të shkruhet ma vonë.
Jemi para një fakti: Don Nikoll Shelqeti doli në punë me të gjithë të tjerët dhe pa asnjë ankesë shëndeti, mori lopaten dhe vazhdoi me punue normen.
Nga llomi dhe balta e ngjitun per këpucë, Don Nikollit i rrëshqiti kamba dhe u rrëzue në kanalin që po hapej nga të burgosunit. Nuk kje askush aty afer per me e ndimue me u ngritë nga balta e ngjeshun me lopata. U gjetën aty vetem policët e kampit të cillët jo vetem nuk e ndihmuene, po e zhyten edhe ma keq në baltë, tue i marrë edhe jeten Priftit të pafajshem…
Don Nikoll Shelqeti, që u dënue “3 vjet burg heqje lirije”, e nuk doli kurrma nga hekrat rrethues të burgut. Po, sa u ba numri i të burgosunve të zhdukun të “Pafajshem” që përfunduen n’ Gropa paemen, e nuk dihet as ku kalben Ata Shqiptar fatzezë? As s’ ka me u dijtë asnjëherë as vendi vorrosjes Tyne!
Moti i mirë shifet në mengjes! Janë bijtë e tyne ata që drejtojnë Shqipninë.
Na vetem kujtojmë Zamakët e Flamurit Kastriotit Skenderbeut!
Melbourne, 30-Maji-2022.