DODË NDRECAJ, PROFESORI I LUFTËS DHE I PAQES NË KOSOVË
NGA NDUE DEDAJ
Me Dodë Ndrecën na lidh një miqësi e vllazni e shumë viteve më parë. Takohemi herë pas here në promovime librash dhe kulturore në Klinë, Gjakovë, Prishtinë, Mirditë, Lezhë, Tiranë etj. Ishim para pak ditësh në shtëpinë e tij në Klinë (Lugu i Drinit), bashkë me të mirënjohurin Gjon Krasniqi, që kishte ardhë nga Luzerna. E para dhuratë që më bëri Doda ishte një plis i bardhë që ma vuri në krye, duke më krijuar emocion, një stilopas të zgjedhur dhe një tufë librash, botime të hershme të shtëpisë botuese “Rilindja” në Prishtinë. Më tregoi dhe një dedikim që i kishin bërë kur kishte qenë nxënës, në faqen e parë të romanit “Pse” të Sterjo Spases. Pamja si sillej në “vorbullën” e librave të bibliotekës vetjake ishte aq mbresëlënëse, pasi ai është njeriu në harmoni me shkronjat dhe fjalët e shqipes dhe anglishtes. Aty mes librave të tij të shumtë ishin dhe disa botime të Akademik Zef Mirditës dhe kushtuar tij, të cilat Doda i ka përzemër dhe për faktin që me profesorin e shquar të Historisë janë të së njëjtës origjinë familjare.
Shoh fotot e larmishme nëpër muret e studios dhe sytë më mbeten tek portreti i të atit të Dodës, bacës Mark, profili i një shqiptari autentik, që koha moderne po i shuan pak nga pak, duke na lënë vetëm fotografinë e një kohe që nuk kthehet më.
Dodë Ndrecaj ka shumë miq e shokë, kudo në botën shqiptare. Ai është një “personazh” i çuditshëm, profesor par excellence i Anglishtes, përkthyes, bashkëhartues fjalorësh anglisht – shqip, botues dhe sponsorizues librash, por dhe bujk në fermën e tij në fshatin Përlinë, ku në kohen e lirë merret me kultivimin e drithërave dhe rritjen e bagëtive të imta. Shtatlartë, me pamje aktori, përherë miqësor dhe më fjalën e peshuar, si të parët e tij. I përvutë, i fisëm, modest, i njëjti si kur ia donte puna të fliste me ambasadorët amërikanë, dipolmatët e lartë, politikanët, si me njerëzit e thjeshtë te dheut të tij. Kujtoj një rast, kur ai më përcolli pesëdhjetë kilometra rrugë nëpër Kosovë me “kerrin” e tij, deri në Morinë, vetëm e vetëm që të flisnim bashkë, pasi unë kisha interes ta dëgjoja një njeri me përvojë si ai për zhvillinet e Kosovës.
Doda është i martuar me Hanën, bijë e familjes Jakaj dhe kanë pesë fëmijë: Antigonën, Antonin, Petritin, Donikën dhe Markun e lindur në luftë.
Këto janë vetëm pak radhë kushtuar Tij, në vend të një urimi për Krishtlindje.
*
Për lexuesin po sjellim pak radhë nga jetëshkrimi tij.
Dodë Ndrecaj u lind më 30 maj 1955 në Dresnik të Klinës, Lugu i Drinit, Kosovë nga babai Marku, i njohur edhe si Malë dhe nëna Dila, e vajzërisë Lulgjuraj nga Tuzi. Shkollën tetëvjeçare dhe gjimnazin i kreu në në Klinë. Është diplomuar në vitin 1980, në degën gjuhë dhe letërsi anglo-amerikane në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku mori titullin profesor i anglistikës. Në vitin shkollor 1981 është punësuar si profesor i Gjuhës dhe letërsisë angleze në shkollën tetëvjeçare të Klinës, ku ka punuar deri në shtator të vitit 1987 e pastaj në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë deri në mars të vitit 1999.
Në vitin 1990 regjimi okupues serb dëboi nxënësit dhe mësimdhënësit nga objektet shkollore, për shkak te mospranimit të shtetit të Serbisë dhe kurrikules se tyre mësimore, menjëherë pas suprimimit edhe të asaj autonomie të paktë të Kosovës. Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me në krye Dr. Ibrahim Rugovën në Kosovë ishte pjesëmarrës i rezistencës paqësore në protestat gjithë popullore përfshi mësimdhënësit, nxënësit, studentët, minatorët dhe gjithë shtresat tjera sociale. Gjatë kësaj periudhe Dod Ndrecaj ishte anëtar i Drejtorisë se Arsimit në nivel te komunës se Klinës, ku njëra nga kompetencat e kësaj drejtorie ishte emërimi i drejtorëve të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme që vepronin në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH). Krahas kësaj si njohës i gjuhës angleze vazhdimisht ishte i angazhuar si lehtësues gjuhësor në takimet e kohëpaskohshme që mbaheshin nga strukturat politike shqiptare të kohës me diplomatë dhe organizata tjera të huaja për të drejtat e njeriut dhe ato humanitare si dhe me klerin shqiptar.
Me fillimin e Luftës në Kosovë, konkretisht më vendosjen e Misionit Verifikues të OSBE-së me ne krye Ambasadorin William Walker në Kosovë, përkatësisht në Zyrën në qytetin e Klinës, ishte caktuar si koordinator për gjetjen e dhjetë përkthyesve të denjë për punësim si staf vendor, përkthyes -interpret nga gjuha shqipe në anglishte dhe anasjelltas në terrenet plot rreziqe të luftës dhe zyrat e kësaj organizate monitoruese.
Nga viti 1995 e deri në vitin 1999 ishte mësimdhënës dhe drejtor i shkollës private të gjuhëve të huaja me seli në Klinë, ku mbahej mësimi intensiv i gjuhës angleze nga niveli bazik deri të ai i avancuari i frekuentuar nga moshat e vogla, nxënësit, studentët dhe aktivistet tjerë të çështjes kombëtare gjithnjë me qëllim të përgatitjes se një elite politike anglishtfolëse, pse jo edhe diplomatë pas mbarimit të luftës.
Si ndihmesë për ketë mision kontribuoi në leksikografi në bashkautorësi me profesor Bajram Becin nga Mitrovica duke hartuar një fjalor anglisht-shqip, promovimi i të cilit sipas shtypit të kohës ishte realizuar me një pjesëmarrje të gjerë të intelektualëve të nivelit akademik.
Pasluftës, fillimisht është punësuar në Organizatën humanitare “World Vision” me seli në Prishtinë në cilësinë e Ndihmës Administratorit për strehim. Nga shtatori 1999 filloi punë në Zyrën e atëhershme Amerikane, ku pas pavarësisë së Kosovës niveli diplomatik i kësaj Zyre u ngrit në shkallë Ambasade. Në vitin 2000, po në bashkautorësi me profesor Becin doli nga shtypi fjalori anglisht shqip në trajtë doracaku dedikuar organizmave ndërkombëtar si ndihmesë për komunikim të përditshëm në raste të ndryshme. Përkundër udhëtimit të tij të mundimshëm në relacionin Klinë – Prishtinë dhe mbrapa nëpër rrugët e dëmtuara gjatë luftës, gjente kohë që të jepte kontributin e tij si mësimdhënës i anglishtes për vijuesit, djem e vajza, gra e burra te traumatizuar nga barbaria serbe, kurse këto që organizoheshin nga OJQ-et e ndryshme.
Nga viti 2001 është i licencuar si përkthyes –interpret gjyqësor nga Gjykata e Pejës dhe është drejtor i Zyrës se përkthimeve Shën Jeronimi / Hieronymus me seli në Përlinë, Klinë, si dhe Editor i Shtëpisë botuese me të njëjtin emër. Ka sponsorizuar botimin e disa librave të autorëve nga trojet shqiptare. Ka përkthyer disa tekste letrare në prozë e poezi. Është i angazhuar si nënkryetar i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë; laureuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare etj.
