26/12/2024

Ditëlindjet e mëdha të kombit: Noli

0
u1_Fan-Noli

Nga Blerim Latifi

Përkthente në shqip veprat më të mëdha të letërsisë botërore, në kohën kur populli i tij nuk dinte shkrim dhe lexim. Studionte në Harvard, në kohën kur populli i tij përpiqej të hapte aty këtu ndonjë shkollë të abetares. Bënte studime shkencore e filozofike mbi Bethovenin dhe Revolucionin francez, në kohën populli i tij ende argëtohej me tingujt muzikor të veglave arkaike. Ai besonte se iluminimi i popullit të tij duhej filluar nga majat më të larta të iluminizmit europian. Nuk la vend të botës pa shkelur që të siguronte miq për atdheun e tij, në kohën kur armiqësitë e brendshme shqiptare bënin kërdi nga jugu në veri. Ishte kryeministri më nivelin më të lartë intelektual në klubin europian të kryeministrave, por drejtonte një shtet që përpëlitej nën kthetrat e feudalizmit e analfabetizmit shekullor. E humbi betejën politike me armikun e tij, Ahmet Zogun, sepse nuk arriti që kulturën e lartë intelektuale që kishte ta përkthente në shkathtësi të intrigrave politike. Kështu ai shënoi edhe një shembull në historinë e dështimeve politike të intelektualëve në betejën e tyre të vjetër me banditët politikë. Shkruante ese mbi Makiavelin, por nuk bëhej dot makiavelist. Një ditë dramaturgu i madh George Bernard Shaw, i mahnitur nga dituritë enciklopedike të Nolit, i tha se e ka gabuar profesionin duke u bërë prift, pa e kuptuar se ai ishte ishte bërë prift për një qëllim krejtësisht jofetar : t’ia siguronte kombit të tij pavarësinë fetare nga kisha greke, e cila kishte më shumë se dy shekuj që punonte e vepronte për llogari të nacionalizmit grek. Ai ishte dhe mbeti nga fillimi në fund një luftëtar i papërlyer i lirisë dhe pavarësisë së kombit të tij. Një hero i përpjekjeve të një kombi të vogël për të rifituar vendin e tij të vjetër në Civilizimin perëndimor, përpjekje të cilat, për fatin tonë të mbrapshtë, ende nuk e kanë arritur qëllimin e tyre. Në vitet ’90, kur po vuanim nën terrorin serb të Milosheviqit, thirrjen e tij të famshme, “Mbahu nënë e mos ke frikë, se ke djem në Amerikë”, e patëm shndërruar në thirrje të shpresës. Dhe si të ishte një profeci, kjo thirrje u përmbush : ishin djemtë e Amerikës, të cilët në vitin 1999 na shpëtuan nga gjenocidi serb dhe më pas na ndihmuan që sot të kemi shtetin tonë të pavarur, Republikën e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok