25/05/2024

Ditari i Kosovës: Albin Kurti e vodhi bukën e popullit më të varfër në Evropë…dhe, e kam parë një Romeo në Prishtinë!

0

Nga Kimete Berisha

I.

Kushdo që ka fat e po e lexon këtë shkrim, e njoftoj se në qeveri nuk mund të ‘vidhet’ asnjë copë letër pa thënë ministri ‘po’.

Prandaj, Albin Kurti, në bashkëpunim me Rozeta Hajdarin, me bukëpjekësin e bukatores ‘Bukë e zemër’ (e me të tjerë), është i dyshuar për vjedhjen e 3 për qind të grurit të rezervave shtetërore.

– Tre për qind e 10 milionëve, sa janë?

Thotë veç 3 për qind e grurit mungon, që juve t’u duken pak, por edhe zemra peshon veç rreth 300 gram, nëse e matë, por buka e zemra nuk matën me peshore por me nder dhe me gjak.

Kryeministri u dogj në zjarrin e Rozeta Hajdarit.

E mori në mbrojtje, hyri garant për të dhe fajtorë që është vjedhur gruri, sipas tij, janë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar.

Nuk është e domosdoshme që prokurori të jetë i shenjtë që ta konstatojë hajninë e grurit.

Albin Kurti i shfrytëzon hajnitë e huaja për t’i mbuluar me to hajnitë  e veta!

Një vepër e huaja e keqe nuk e mbulon veprën tënde të keqe, siç po e sheh që asnjë krim nga e kaluara nuk peshon më rëndë se vjedhja e grurit.

Sepse, bash-bash kaq ulët e pamëshirshëm sa Albin Kurti, në rezerva të bukës nuk ka prekur kush.

Albin Kurti e ka shfrytëzuar ‘sekretin’ që i mbron rezervat shtetërore, për të vjedhur lirshëm.

Ide origjjnale, por ja që, buka është ‘Zot’ i shqiptarëve, kur të gjithë heshtin, buka flet vet dhe ashtu siç dalin kallinjtë e grurit nga grunaja e dheu, ashtu u zbulua vjedhja e madhe e Albin Kurtit!

Sipas kryeministrit, përveç prokurorët, edhe politikanët e vjetër dhe gazetarët janë fajtorë që gruri është vjedhur.

– Por, as politikanët e vjetër e as gazetarët nuk ka nevojë të jenë të ndershëm për të zbuluar se është vjedhur gruri.

– Albin Kurti u turpërua për tërë jetën.

Turpi nuk lahet me turp: turpi i tij nuk lahet me turpet e të tjerëve.

Është  politikani i parë në histori që vodhi bukë.

Hajt, dukat, toka, diamante, pallto me

jaka gëzofi, vjedhje nga teprica e milonerëve, e xhigla-mingla luksi…por çohet kryeministri e vjedh bukën e popullit më të varfër në Evropë….

mjer ai i mjeri!

II.

Presidentja e di çfarë ndodh në Rusi, por nuk e sheh elefanten në dhomë.

Di të jap mendime për karakterin e burrave të botës dhe di të parashikojë ngjarje e luftëra, por thotë se nuk mund ta dijë se çka do të thotë kur ‘gruri i vjedhur është vjedhur’.

Presidentja i di të gjitha, por nuk e di a është hajn ai që ka vjedhur!

Presidentja nuk i frikësohet Putinit – se larg Rusia, por i frikësohet Albinit.

Nuk njoh njeri që dridhet si thupra në ujë kur përmendet Albini.

– A e ke shok a e ke ‘Zot’?

Për t’u çliruar Kosova nga hajnat e grurit, Presidentja duhet të shërohet nga frika prej Albin  Kurtit, e për frikën s’di që ka  ilaç!

III.

Mediat mashkullore e hetuan një polic të pashëm gjatë arrestimit të hajnave të grurit.

Por ky ‘fenomen’, zbulimi i një ‘bukuroshi’, u vlerësua në media si zbulim i femrave, për të cilat gazeta po thotë se shumë ‘u gëzuan’ femrat që e panë një polic të bukur.

Është fat i madh të arrestohesh nga një mashkull i pashëm!

– Në fakt, kur shohin djem të bukur gëzohen edhe meshkujt, baras me femra, në mos më shumë…!

IV.

Populli shqiptar u gëzua shumë edhe me rastin e qethjes së kryeministrit Edi Rama nga një berber i ri.

Gjithmonë i zgjedh berberët nën moshën 18 vjeç.

Mori aq shumë pëlqime për fotografinë me qime të egra, të shkurtëra dhe të zbardhura,  të shkapërderdhura në maicë të zezë, që dukeshin si gjilpëra pa penjë.

S’besoj që ka popull që gëzohet kaq kollaj kur sheh qime.

Paramendoje sikur t’ish zhveshur krejt kryeministri, çfarë gëzimi do ta kaplonte popullin.

Që Edi Rama, krah për krah me hajna, po e ndërton kullën më të gjatë në Tiranë, kjo nuk shkaktoi asnjë ndjenjë tek popullata.

– Njeriu më i gjatë në Shqipëri po e bën kullën më të gjatë: por, s’ka asgjë për t’u emocionuar këtu.

Hajnia nuk është lajm për shqiptarët, lajm është kur qethet kryeministri.

V.

Një gëzim i madh e ka përshkruar popullin shqiptar edhe me rastin kur Dua Lipa u pa duke vallëzuar ‘qyçek’.

Në vend se të gëzohen romët për vallen e tyre.

Kështu gëzohej Ardit Gjebrea kur e ka pas zbuluar Monika Kryemadhin: wow, e pabesueshme – po këndon Monika; wow, e pabesueshme po kërcen Monika…

derisa e bindi edhe Ilir Metën për aftësitë e gruas së tij!

VI.

Ka pasur edhe raste të tjera të gëzimeve popullore, por nuk po më kujtohen.

VII.

Por, unë e kam parë një Romeo në Prishtinë!

Në dyqan m’u afrua një plak, ndoshta mbi 80 vjeç.

Mbante kapuç të zi, i kërrusur dhe elegant, me njërën dorë mbëshetej në bastun, në dorën tjetër e mbante një pako të zbrazur të ngjyrës së flokëve Palette.

Më kërkoi ndihmë t’ia gjeja numrin e ngjyrës së flokëve, se tha ‘unë nuk di’.

M’u trazua shpirti, u gëzova, u mërzita, m’u bë zemra mal.

– A është i vërtetë ky njeri që në këmbë e në duar, zhag, shkon pas dashurisë.

M’u falenderua.

M’i çeli sytë.

Më në fund një dritë, një gjest i bukur i dashurisë së heshtur, të panjohur, të padëgjuar, të pashkruar..që zgjat dhe i mbijeton ‘tregut të dashurisë.

Është dashuri e vërtetë, sepse nuk del në vitrinë, nuk reklamohet në rrjetin e çmendinës, nuk beson në blerjen e bukurisë, nuk krahasohet me askënd, nuk i frikësohet plakjes – por thinjat i mbulon.

Një dashuri që e ruan shpirtin nga kamerat, siç ruhet fytyra nga dielli…dhe bukuria nga syri i keq.

Me këtë rast shfuqizohen të gjitha botëkuptimet e mia të mëparshme mbi dashurinë.

P.S. Autorja, gjatë pauzave të shkrimit, ka gatuar petulla.

E ka zanat, e merr me të mirë brumin – si lulet e dimrit, që duan lutje për t’u rritur!

https://www.facebook.com/kimete.berisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok