21/12/2024

Dita që ndau fatet e shqiptarëve

0
Jan-Palach-Nena-Pashke

Nga Prof. Blerim Latifi

Si sot, 110 vjet më parë, Shqipëria do të njihej de jure si shtet i pavarur nga fuqitë e mëdha. Jo në kufijtë e shpallur nga Kuvendi i Vlorës, por në kufijtë që linin jashtë gjysmën e kombit shqiptar.

Në 110 vjet të ekzistencës së tij ky shtet do të përjetojë gjithçka nga sistemet politike që ka saju mendja njerëzore: anarkinë e kaosin në vitet e para, betejat e armatosura për pushtet ( 1919- 1925), Stabilokracinë zogiste( 1925- 1939), dy variantet e fashizmit, italian e gjerman ( 1939- 1944), dy luftëra civile, e para midis nacionalistëve proeuropianë dhe islamistëve prootomanë( 1914- 1915), e dyta midis nacionalistëve dhe komunistëve( 1943- 1944), pastaj totalitarizmin stalinisto-maoist për 45 vjet me radhë, e pas tij, për më shumë se 30 vjet, partitokracinë e tranzicionit postkomunist. Kjo partitokraci, nën mbulesën e një potemkin-demokracie, vazhdon të vonojë integrimin e Shqipërisë në familjen e demokracive perëndimore.

Kjo histori 110 vjeçare është konfirmim i mendimit të Eqrem bej Vlorës se një nga gjërat më tragjike në historinë e shqiptarëve, është se asnjëherë nuk kanë fat me liderët e tyre.

Kosova, ndërkaq, pas 29 korrikut 1913 do të detyrohej në një rrjedhë tjetër ngjarjesh edhe më dramatike.

Në këtë rrjedhë ajo do të njihte gjenocidin e viteve 1912- 1914, një frymëmarrje të lehtë nën sundimin austro- hungarez gjatë Luftës së Parë Botërore, sundimin fashist serb 1918- 1941, një frymëmarrje të dytë të lehtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj sundimin policor të Rankoviqit 1945- 1966, pas tij frymëmarrjen zhvillimore 1967- 1981, e nga viti 1981 epokën e gjendjeve të jashtëzakonshme, me dy momentet e saj kryesore, heqjen e autonomisë dhe vendosjen e regjimit të aparteidit (1989) dhe shpërthimin e kryengritjes së UÇK- së( 1998), e cila, për herën e parë në historinë e Kosovës, ia doli të ketë sukses.

Ideja themelore politike në Kosovë pas korrikut 1913 ka qenë ideja e bashkimit me Shqipërinë. Falë kësaj ideje, çështja kombëtare e Kosovës do t’i shpëtonte zhdukjes.

Në kohën e monarkisë serbe kjo ide luftohej jo vetëm përmes dhunës, por edhe përmes ideologjisë xhemijetiste, e cila synonte që nga shqiptarët e Kosovës të sajonte një komunitet fetar pa identitet kombetar.

Ndërkaq, gjatë Jugosllavisë socialiste, ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë luftohej nga persepektiva e internacionalizmit socialist e multietnicizmit jugosllav.

Zëvendësimi i kësaj ideje me idenë e shtetit të pavarur të Kosovës, ishte një zgjidhje konjukturale, e diktuar nga vendimi i fuqive perëndimore për të mos lejuar ndryshimin e kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë, të vendosur në Jaltë.

Sot, në funksion të zbehjes dhe heqjes dorë nga ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, janë dy variante reja të formave të kaluara të luftës kundër kësaj ideje, islami politik, pasardhës i Xhemijetit të dikurshëm, që synon një boshnjakizim kulturor të shqiptarëve të Kosovës, dhe formalizmi multietnicist i institucioneve aktuale të Republikës së Kosovës, i cili duket se ka afinitete të konsiderueshme me multietnicitetin jugosllav. Thënia e dikurshme e Hasan Prishtinës “Do ta hajë dreqi kët’ Shqipini, nëse nuk bashkohet me Kosovën”, sot, mbase, duhet thënë për Kosovën.

________

Revista shkencore amerikane Science e ka publiku një studim të ri të një grupi specialistësh të gjuhësisë historike mbi gjuhët indo-europiane.

Nga studimi rezulton se pesë gjuhët më të vjetëra në familjen gjuhësore indo-europiane janë gjuha tokariane, gjuha anatoliane (hitite), gjuha armene, gjuha shqipe dhe gjuha greke.

E para është zhdukur rreth shekullit 9 pas Krishtit, e dyta rreth shekujve 3 dhe 4 pas Krishtit, ndërsa tri të tjerat ende vazhdojnë të fliten.

Vjetërsia e këtyre gjuhëve shkon deri në 8 mijë vjet, ndërsa ajo e shqipes së paku në 6 mijë vjet.

Sikur kjo të thuhej nga vetë ne, do të plasnin menjëherë sarkazmat e snobëve tanë që u është bërë obsesion përbuzja e nënçmimi i çdo gjëje shqiptare.

Por ja që kjo po thuhet nga të tjerët.

Po thuhet nga studiues kompetentë dhe objektivë.

Kjo asht pra Gjuha Shqipe, Lokja e moçme e gjuhëve, Identiteti dhe Nderi ynë, që u ka mbijetuar poshtnimeve e vetëposhtnimeve të panumërta.

________

Jan Palach ishte një student çek i cili në janar të vitit 1969 e dogji veten në njërin nga sheshet e Pragës në shenjë të protestës ndaj pushtimit të atdheut të tij nga Bashkimi Sovjetik. Sot vendi i vetëflijimit të tij përbën një nga vendet më të shenjta për çekët dhe një nga vendet të cilin e vizitojnë miliona njerëz nga e gjithë bota. Sepse ai vend e paraqet thelbin e gjithë dramës së një kombi të shtypur që aspironte lirinë.

Ne, ndërkaq, vende të tilla i zhdukim dhe shenjat e tyre i hedhim në mbeturina, siç vepruam me gurin e Nënë Pashkes. Ky është një nga dallimet midis popujve të civilizuar dhe popujve të mbetur në moçalin e ndotur të prapambetjes mesjetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok