Disa orë me Kadarenë
Nga Rudolf Marku
Është e pamundur që në vetëdijen e një shkrimtari shqiptar (dhe jo vetëm shqiptar), sapo të ndodhesh në Tiranë, të mos ndjesh, brenda kurreshtjes dhe gëzimit, mendimin se je në një qytet ku jeton shkrimtari Ismail Kadare. Kjo përbën dhe zakonin e pandryshueshëm gjatë shekujsh të peligrinazhit të mëvonshëm të lexuesve dhe admiruesve për të parë shtëpinë ku lindi, jetoi a krijoi shkrimtari a artisti i pelqyer prej tyre. Praga është qyteti që lidhet me Franz Kafkën, Vienna qyteti i August Klimt, Sen Petersburgu qyteti i Dostojevskit, Londra- qyteti i Teatrit Globus dhe i mjeshtrit të këtij Teatri.
Disa orë me Kadarenë te kafé Juvenilja. Biseda e paharrueshme me shkrimtarin e mençur, përpjekja për të mos harruar asnjë fjalë nga biseda jonë. Tek flasim për të kaluarën, tek sjellim ndërmend shumë gjëra të së kaluarës, papritur, me tonin e një profeti të lashtë, më thotë : Sa të vështirë duket se e ka patur njerëzimi të krijojë balancën e duhur mes asaj që duhet të kujtojmë dhe asaj që duhet të harrojmë, aq sa dhe sot e kësaj dite kjo balancë të mos jetë gjetur…
Biseda vazhdon me kujtimet e shumë viteve më parë. I përmend se si, në vitin 1974,ka qënë i vetmi shkrimtar që më pat dal zot kundër një shkrimi decibao-ist botuar kundër librit tim të parë poetik, botuar aso kohe! Edhe pse vetë shkrimtari qe nën trysninë e tmerrshme të sulmeve agresive të vigjilentëve të partishëm . E kujton dhe ai vetë. Por nuk impresionohet. Thjesht më thotë : dëgjo, Rudolf, ajo kohë kanë qënë vitet kur njeriu mund të bënte lehtësisht një te keqe kundër tjetrit. Sepse e keqja lavdërohej, stimulohej, dhe madje shpërblehej. Po mos harro dhe anën tjetër: edhe të bëje një të mirë nuk ishte tmerrësisht e vështirë! Natyrisht, po të doje ta bëje këtë të mirë!.Sepse e keqja, ligësia njerëzore çdo kohë kërkon të justifikojë vetëveten, me diçka a me një tjetër…
Po sjell një poezi të Poetit tonë të madh. Është poezia e Odisesë tragjik dhe modern, që kërkon jo të mbërrijë në Itakë, por ta filloj udhëtimin duke u larguar prej saj! Duke bërë një shenj (të pakuptueshëm?) për të gjithë! Një poezi aq e afërm me biseden e bërë në kafè Juvenilja të Tiranës, në ditët e para të Prillit 2022.
KOHË E PAMJAFTUESHME
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja t’i nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak,
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
https://www.facebook.com/rudolf.marku.585