06/10/2024

Disa ngjarje të lënë të shastisur për nga egërsia dhe monstruoziteti. Instikti i parë të çon tek revolta, shpërthimi, mallkimi

0

Nga Sonila Meço

Pasi e zbraz një shkulm t’parë reagimi nis e vepron logjika, sepse ti nuk mund t’ja lejosh vetes të udhëhiqesh në veprime vetëm nga instiktet, cilatdo qofshin, sepse megjithëse të yshtura nga ligësia ishin ato që pushtuan aktet e kriminelëve dhe monstrave që shkatërruan një fëmijëri.

Ata duhen ndëshkuar fort, duhen demaskuar, treguar shoqërisë me fytyra dhe emra, të përballen gjithë jetën me pasojat e zgjedhjes së të keqes, së ndyrës, përçudnueses. Dhe kjo duhet të arrijë në çdo mendje, të ftohtë a të nxehtë, të fortë a të brishtë, të pjekur a të njomë.

Por (dhe këtu nis procesi ynë i përballjes me ngjarjen), pasi shfrymë e dënuam pasojën, tani na takon ne të përballemi me shkakun. Nëse pasoja na arriti gjer në reagimet instiktive më të forta e preku përjetësisht një njomzake e pesë kriminelë, shkaku na prek të gjithëve dhe përjetësisht. Ndaj këtu duhet jo vetëm logjikë, arsyetim i pagabueshëm, analizë cep m’cep, por edhe vijueshmëri, si ajo pika që gërryen gurin pa numëruar orët, por me durim, këmbëngulje, përpikmëri.

Dhe këtu ndodh “krimi” i dytë, sepse ne si shoqëri me shkaqet merremi tre ditë. Dhe u rikthehemi kur pasojat bëjnë të tretat e radhës.

Ky është patjetër dështim shumpërmasor, një debat që shoqëria duhet ta bëjë patjetër, tani, fort me një reflektim sa të përbashkët aq edhe individual. Si prind, si motër, si vëlla, si gjyshër, si të afërm, si edukator, si gjykatës, si prokuror, si pushtetar, si politikan, si ligjzbatues, si mik a mikeshë, si nxënës, si student, si gazetar, si drejtues mediash, si mjek, si psikolog, si sociolog, si përdorues rrjeti, si yll instagrami, si adresë fallco, si idhull, si divë botërore a thjesht më popullorja e shkollës, si person publik, si artist, si shkrimtar, si fetar, si profesionist i lirë, si protestues, si qytetar, si audiencë, pa përjashtuar asnjë, sepse kjo gjëmë e këto gjëma nuk përjashtojnë askënd kur shoqëria është E DËMTUAR. Viktima potenciale jemi të gjithë, autori mund të jetë brenda shtëpisë, pas një fytyre të dashur, në klasë, pas një imazhi të butë në park a bulevard, në zyrë, pas një bluze të bardhë e uniforme blu…pra është nga ato raste ku askush nuk mund të thotë: “po ç’lidhje kam unë xhanëm me 5 të çartur”?

Ke dhe shumë, që me çfarë zgjedh të promovosh, mbrosh, evokosh, shohësh, adhurosh, luftosh, mbështesësh e kultivosh mes vlerave, virtyteve, veseve. Sepse jemi ekspozuar kaq shumë prej ndërlidhjes, sa ideja e një të marri në një cep të globit shkakton viktima brenda pak sekondash në cepin tjetër. Jemi të ekspozuar. Çdo zgjedhje individuale paradoksalisht ndikon shumë, por edhe ngjan e papërfillshme. Ama nëse nis e i apelon instikteve kjo zgjedhje (dhe instiktet stimulohen shumë lehtë e shpejt), do duhet shumfishi i energjisë për ta zhbërë me edukim, kultivim, kulturim atë dëm aq të vockël, qoftë edhe 3 sekonda tik toku, një rënie çekiçi në gjykatë a mosvëmendje shoqërore.

Dhe do them edhe të fundit, teksa uroj shumë në vetreflektim të gjatë, shterues personal e shoqëror: një nga faktorët madhorë të shkaqeve të degradimit shoqëror në vende si yni është pushtet-shteti. Dhe po jua shpjegoj pse:

Sepse afria me pu-shtetin po përcakton statusin social dhe shkallën e suksesit në jetë; po përcakton gjendjen financiare dhe famën; po buron lehtësirat, mundësitë dhe shanset për të realizuar veten. Pu-shteti është punëdhënësi më i madh, nëpërmjet tij alokohen fonde që bëjnë disa njerëz të pasur duke varfëruar të tjerët; pu-shteti ndikon në çdo kriter garash, konkursesh, zhvillimi brenda vendit; pu-shteti ushqen median me fonde, propagandë e privilegje; pu-shteti dikton fatet e mësuesve, prindërve, mediave, gjyqtarëve e prokurorëve; pu-shteti ka ngritur industri të fuqishme të manipulimit të votës; pu-shteti vendos çfarë do hash, me sa hormone, çfarë ajri do thithësh, çfarë ndotjeje uji do gëlltisësh, në ç’spital do kurohesh, nga cili mjek, apo nallban, me ç’temperaturë do lash rrobat, sa do të të kushtojë karburanti, cilat emisione do promovohen, sa energji do harxhosh, ku do jetosh, sa beton do të të asfiksojë jetën, cilët kriminelë do marrin status shoqëror, apo investitori strategjik; cilët artistë do bëhen të famshëm, cilat vlera do promovohen në shkolla, media; cila trashëgimi kulturore do shembet, cila do shitet; kush do drejtojë AMA-n; do ketë a jo sindikata, do ketë a jo referendume, sa miliona do kushtojë një km rrugë; cilët shkrimtarë do promovohen në COD, cilët gazetarë do lihen pa punë, cila është opozita dhe shoqëria civile; sa borxhe do t’u lëmë fëmijëve; kush hyn në burg, kush del; pra shkurt pu-shteti nuk thotë dot “ç’faj kam unë” kur na ka hyrë gjer në qelizë. Duke modifikuar gjithçka vjen me kultivimin e njeriut dhe duke harbuar instiktet shoqërore.

Ama pasi e kemi lënë vetë. Ndaj është njëri nga faktorët, megjithëse kontrollon shumçka, sepse e kemi lënë vetë. Ja faktori tjetër madhor, NE.

facebook.com/sonilamecoA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok