DISA NGJARJE DHE NDODHI QË LIDHEN ME DIOQEZËN E PULTIT

0
Mark-Palnikaj

Nga Mark Palnikaj

877 – Gjatë papatit të Papa Gjonit (872 – 882), u mbajt në Delmitanum (Duvno) koncili i parë kishtar. Bregdeti u nda në dy metropoli. Mitropolia e Dioklesë përfshiu dioqezat e Kotorrit, Budvës, Tivarit, Ulqinit, Shasit, Shkodrës, Drishtit, Pultit, Serbisë, Bosnjës, Travinisë (Tribunium) dhe Zahumles (Zachlumium).*D. Farlati, Vol 7, faqe 10.BotII, Prishtinë 2004

Këtu nuk flietet për krijimin e këtyre dioqezave por për ndarjen e tyre, çka nënkupton se këto ishin të krijuar kohë më parë. Pra, pa e përcaktuar datën zyrtare të miratimit të kësaj dioqeze, llogjikisht pranohet se dioqeza e Pultit ka ekzistuar si e tillë para vitit 877.

877 – Shënohet ipeshkvi i parë i dioqezës së Pultit.

998 – Car Samueli i Bullgarisë, pushton dhe shkatërron zonat shqiptare të Ballkanit si Thrakinë, Maqedoninë, Selanikun, Thesalinë, Heladën dhe Peloponezin.

1018 – Perandoria Bizantine nën sundimin e Vasilit II (976 – 1025) i mundi dhe i largoi Bullgarët nga vendet shqiptare të pushtuara.

901 – Në kohën e qeverisjes së papa Leonit VI (901 – 907) Durrësi bëhet qendër kishtare ku përfshihet edhe Prevalitania me 15 ipeshkvitë periferike (sufragane) të sajë (përfshirë edhe Pultin)

1067 – Papati ngre në nivelin e Kryedioqzës Metropolitane Tivarin dhe i bashkangjit dioqezat veriore (përfshirë edhe Pultin). Kemi një dëshmi të fortë se në vitin 1067, edhe pse ishin prezent pushtuesit sllavë në zonat veriore të trevave shqiptare, nga ana politike ishin të përfshira në Perandorinë Bizantine të Lindjes por nga ana fetare i bindeshin autoritetit të papës së Romës dhe në Romë merreshin vendime për ndarjen kishtare të këtyre zonave.

1089 – Me 8 janar, Papa Klementi III, me dekret papnor, themelon metropolinë Diokleato Tivarase. Pulti ishte dioqezë periferike e kësajë metropolie. Me datën 24 janar të vitit 1124, papa Kalisti II, rikonfirmon edhe njëherë dekretin e Papa Klementit II për metropolinë  Diokleato Tivarase duke shtuar edhe Budvën.

1199 – Me miratimin e papa Inocentit III, u mbajt në qytetin e Tivarit Koncili Kishtar ku u morën vendime shumë të rëndësishme për jetën kishtare. Në këtë Koncil mori pjesë si delegat i dioqezës së Pultit ipeshkvi i sajë Gjoni.

1183 – 1186 Stefan Nemanja pushton Dioklenë. Deri në vitin 1331 vazhdon riti latin në dioqezat e Dioklesë.

1219 – Sava Nemanjiq (Shën Sava) ka themeluar Kishën Autoqefale Serbe. Në këtë kohë serbët kanë filluar përvehtësimin e pronave të kishave të vjetra të Ilirisë që ata kishin pushtuar. Në Pult ata nuk arritën asnjëherë të kenë kisha serbe.

1331 – Vjen në fuqi Stefan Dushani i cili pushtoi pothuajse tërësisht trojet shqiptare. Nën qeverisjen e tij mardhëniet me kishën katolike të Romës përkeqësohen. Ai nxori ligje shumë rënduese kundra katolikëve të përfshira në “Kodin e Dushanit”.

1332 – Kryeipeshkvi i Tivarit Gulielm Andrea ka shkruajtur se “Shqiptarët janë katolikë dhe kanë gjuhën dhe librat e veta”.

1349 – Me datën 21 maj të këtij viti, në qytetin e Shkupit u miratue “Kodi i Dushanit”. Në vitin 1354 në qytetin Sir të Greqisë këtij kodi ju bënë edhe disa shtesa të cilat e përkeqësonin shumë gjendjen e popullsive katolike që vareshin nga Roma.

1353 – Papa Inocenti VI, ka dërguar në mbretërinë e Rashkës, të Shqipërisë dhe të Serbisë legatët e tij në mbrojtje të fesë katolike.*  Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup Prizren nëpër Shekuj, faqe 97

1355 – Vdes Stefan Dushani. Erdhi në pushtet djali i tij Stefan Uroshi IV dhe qeverisi vendin së bashku me nënën e tij Jelena Bullgare të cilët e përkeqësuan gjendjen e katolikëve roman pa arritur ti kthejnë në ortodoks sllav.

1360 – Në mbretërinë e Zetës erdhën në pushtet Balshajt deri në vitin 1421. Pra viti 1421, banorët e zonave nga Shkodra deri në Prizren por edhe zona të tjera për rreth tyre nga Selaniku deri në Bosnje, i gjeti të besimit katolik. Në këtë zonë përfshiheshin edhe të dy Pultet, i Madhi dhe i Vogli që në atë kohë rezulton të ishin dy njësi kishtare.

1447 – Shtatë vjet para marrjes së Kostandinopojës, Murati i II urdhëroi të ktheheshin në xhami të gjitha kishat e Shqipërisë.

1453 – Shteti turk pranon zyrtarisht Patriarkanën e Stambollit si subjekt fetar në Perandori. Këtë veprim nuk e bëri për Kishën Katolike të Romës. Kjo e vështirësonte funksionimin normal të veprimtarisë fetare për katolikët e ritit Roman.

1462 – Me datën 8 nëntor, kryeipeshkëvi i Durrësit dhe këshilltari i Skëndërbeut, Pal Ëngjëlli, në një sinod me pjesëmarrjen e disa meshtarëve nga e gjithë Shqipëria, shkruajti një Qarkore që kishte fuqinë e një Kushtetute (Constitute) baritore që u drejtohej meshtarëve të fshehur nëpër male dhe shpella të Malësive, mbi aktivitetin baritor që nevojitej të ndërmerrnin, dhe mbi doktrinën e krishterë të sakramenteve bazë, themelore.

1448 – Turqit pushtuan Kosovën

1479 – Turqit pushtuan Shkodrën

1480  –  5 tetor, gjenerali turk Ahmet Gjedik Pasha me ushtarët e tij masakroi 800 shqiptarë brenda një dite.

1585 – Pushtuesi turk i Shqipërisë bëri regjistrimin e parë të banorëve dhe bëri inventarizimin e pasurisë së zonave të pushtuara. Fshatarët e lirë, që i paguanin pushtuesit turk 50 akçe të argjendta në vit ishin edhe fiset shqiptare të Piprit, Hotit, Palabardhit, tokat e Pjetër Spanit (Petrispan-ili) dhe disa fshatra të Shestanit.*Selami Pulaha,”Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485”, Tiranë 1974, faqe 24. Por dihet në tokat e Pjetër Spanit përfshihej komplet popullsia e dioqezës së Pultit dhe kjo është një e dhënë që konfirmon se në vitin 1485 kjo dioqezë ishte akoma tërësisht e besimit katolik. Prania e emrave me origjinë sllave që hasim në këtë regjistër (defter) nuk është tregues se këtu ishte popullsi sllave ashtu sikurse edhe sot nuk mund të merret për bazë emri i personave të një vendi për të përcaktuar përkatësinë etnike. Në dioqezën e Pultit në shekullin e XIX ka patur një numër shumë të madh të banorëve që mbanin emra të popullsive muslimane megjithse popullsia ishte 99,9% e besimit të krishterë. Emrat mysliman i gjejmë të shënuar me shumicë në librat e pagëzimit të kishave katolike të Pultit.

1615 – 1699 – 1739 – 1878 – Në marrëveshjet e arritura në Salvatorok në vitin 1615, në Karlovac me 1699, në Beograd me 1739 dhe në Kongresin e Berlinit me 1878, gjithnjë në kuadrin e Kultursprotectorat nga Austrohungaria për katolikët e Shqipërisë, është kërkuar tu jepen liri dhe të drejta popullsisë katolike të viseve në veri të sajë.

1574 – Emërohet ipeshkv i Pultit Dom Pjetër Sumbulla. Mbas këtij për 80 vite nuk u mor askush me dioqezën e Pultit.

1610 – Paraqitet në Pult relatori Marin Bici i cili përshkruan gjendjen e mjeruar të kësajë dioqeze.

1622 – Me datë 6 janar të këtij viti është themeluar në Romë Kongregata për Përhapjen e Fesë (Propoganda Fide). Me krijimin e këtij institucioni janë krijuar kushte për të rifilluar dhe rishikuar jetën kishtare edhe në të gjitha trevat shqiptare pra edhe në dioqezën e Pultit.

1628 – Paraqitet Benedict Orsini i cili përshkruan me imtësi gjendjen e mjeruar të kësajë dioqeze.

1634 – Paraqitet Frang Bardhi dhe përshkruan imtësisht gjendjen e mjeruar të Pultit.

1656 – Emërohet ipeshkv i Pultit Vinçensi Joanella por ai nuk u paraqit asnjëherë në detyrë nga frika e persekutimit turk.

1671 – Ipeshkvi i Sapës Shtjefën Gaspri (Stefano Gaspari) në mënyrë të vazhdueshme ka dërguar informacione në Romë për gjendjen e mjeruar të dioqezës së Pultit.

1675 – Pjetër Bogdani interesohet në mënyrë të vazhdueshme për mbarëvajtjen e jetës kishtare edhe në dioqezën e Pultit. Ka dërguar në Romë një numër të madh informacionesh dhe propozimesh me qëllim rregullimin e gjendjes kishtare në këtë dioqezë.

1698 – Ipeshkvi i parë që u paraqit në detyrë mbas 126 vitesh, Pjetër Kagjiqi (Petër Caragich). Qendrën e ipeshkvisë e largoi nga Gashi dhe e vendosi në fshatin Gurrë në Ndreaj të Shoshit, që në atë kohë ka qënë vendi më i sigurtë për të drejtuar jetën kishtare të dioqezës së Pultit, tashmë i reduktuar nga dy dioqeza në një dhe i reduktuar edhe si teritor në një numër më të vogël famullishë. Disa famulli ju kishin kaluar dioqezave të Shkupit, Sapës dhe Shkodrës.

1703 – Me datat 14 dhe 15 janar është mbajtur në Mërqinjë të Lezhës Kongresi i Arbërit. Aty janë marrë vendime me rëndësi për përmirësimin e jetës kishtare në të gjitha dioqezat.

1837 – Selia Papale në Romë ka lëshuar një dekret me të cilin Mbretëria e Austro Hungarisë ngarkohej zyrtarisht si ndërmjetësuese midis Romës dhe Kishës katolike në trevat shqiptare. Monarkia austrohungareze duhet të kujdesej për ndërtimin dhe riparimin e kishave, për ndihmat financiare, shkollimin e fretërve, botimin e librave fetare dhe kulturore. Ajo do të kujdesej edhe për emërimin e personelit fetar në dioqezat e zonave shqipfolëse.

1886 – Me datën 8 gusht, Dioqeza e Pultit ka kaluar në administrim të Arqipeshkvisë së Shkodrës.

1895 – Është mbajtur në Shkodër Koncili i tretë Kombëtar Mbarëshqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok