20/01/2025

Disa mësime elementare të Ibrahim Rugovës përballë qeverisjes më antigroviste në histori të Kosovës

0
Ibrahim_Rugova

Nga Ndue Ukaj

“Unë kam një filozofi, më pëlqen shume që të krijoj lidhje, miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në Ballkan, që vetëm akuzojnë”, thoshte Ibrahim Rugova.

Imagjinojeni njerëz, këtë filozofi kaq sublime politike e këtë forcë krijuese, me forcën rrënimtare e destruktive të pushtetit të sotëm, që për katër vite, ka hedhë gurë e dru mbi çdo kënd,  Kosovën e ka futë nën sanksione dhe e ka ndotë krejt mjedisin politik e shoqëror, aq sa njerëzit ndihen të ngufatur nga politika primitive, më shumë se nga smogu.

Ibrahim Rugova, në planin e ideve, kurrë nuk ka bërë demagogji me popullin dhe thoshte:

“Ne me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe të angazhohet konkretisht për të.”

Imagjinojeni njerëz, mendimi e Rugovës, me mendimin e shkretë të këtij pushteti që krejt gjuhën politike e ka reduktuar te do ide, variacione skajshmërisht të varfra të mendësisë ekstremiste majtiste, prej të cilës populli ynë ka trashëguar veç mjerim.

Rugova i ripërtëriu aleancat tona me perëndimin dhe çështjen e Kosovës e bëri çështje të botës demokratike, kurse pushteti i sotëm, këto raporte, vetëdijshëm, i ka degraduar aq shumë, duke urinuar në pragun klubit perëndimor, të cilit Rugova i blatohej palëkundshëm.

Sepse, Rugova ishte europianist i madh dhe antikomunist i përbetuar, sepse e dinte se komunizmi ishte një ide e keqe.

Shkolla e Rugovës është shkollë e dijes, e dijes së strukturuar në libra dhe jo i mendimeve prej bejtësh që ulërijnë e gërvallën, dhe që, përgjatë krejt vepritmarisë publike, nuk mund t’iu gjesh një mendim të shëndoshë politik, pos disa turfullima, britma e urrejtje, që shpejt do t’i merr me vete harresa.

Rugova ishte europian e oksidental, dhe postulat themelor politik e kulturor kishte oksidentalizmin, ndaj ai nuk rropatej e as nuk tundej nga erëra të lehta. Ai thoshte:

“Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë…”

Shkolla e Rugovës, është trashëgimi e Skënderbeut dhe e Pjetër Bogdanit, e Parisit, Romës, Londrës e Uashingtonit, dhe ky pushtet që po ik nën ulërima e britma, nuk ka dije e kapacitete as ta imitojë këtë shkollë, sepse, pa ta imitonte, do të zbutej pak, do të bëhej pak më europian e më integrues, do të bëhej më solidarë dhe nuk do shfaqte përditë epshe sunduese, tipike joperëndimore.

Po, ky pushtet dhe udhëheqësi i saj, përfaqësojnë frymën më antirugoviane në historinë e këtij vendi.

Të tjerat janë broçkulla.

Pra, hapi i matur i Rugovës, nuk ka lidhje me ecjen e trullosur të pushtetit të sotëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok