15/11/2024

DINASTIA E DUKAGJINËVE – PJESA III

0

Aleksandër – Leka III Dukagjini

ALEKSANDËR – LEKA III DUKAGJINI (1410 – 1481)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Aleksandër – Leka III Dukagjini u lind në vitin 1410 në Ulpiana, kryqendra e dytë e Principatës të Dukagjinëve. Shkollimin dhe formimin kulturor Leka III i mori në qendrat më të zhvilluara të kohës si Ulpiana, Shkodra, Raguza, Roma, Napoli, Venecia dhe Ankona, i bujtun në kushërinjtë e tij që kishin emigruar në vitet e para të shekullit XV. Në Venecia Dukagjinët kishin mbiemërin Docaigni (Dokainji), mbiemër i shprehur në italisht, ashtu si u modifikuan shumë mbiemëra arbërorësh, kur erdhën në Mbretërinë e Napolit.

Në moshën rinore, Leka III qëndronte krah të atit Pali II Dukagjini, nga i cili mësoi artin e administrimit dhe të drejtimit të Principatës së madhe të Dukagjinëve, që përfshinte trojet nga Lezha, në të dy anët e lumit Drin dhe Kosovën perëndimore. Pas vdekjes të atit Pali II Dukagjini (1384 – 1446), Leka III mori drejtimin e Principatës të Dukagjinëve. Rrëfehet se Leka III dëshironte të martohej me Jerina Dushmanin, por ajo e kishte refuzuar sepse ishte lidhur me Lek Zaharia, Zoti i Danjës. Si tregojnë Gjon Muzaka dhe Biemmi, në vitin 1445, në martesën e Mamica Kastriotit me Karl Muzakë Topia, mori pjesë dhe Leka III, i cili debatoi ashpër me Lek Zakaria dhe grindja përfundoi me duel, por u ndërpre pa pasoja, me ndërhyrjen e Gjergj Kastriotit. [Giovanni Musachio, La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, p. 298]

Dështimi i martesës me Jerinën dhe dueli me Lek Zaharia, në vitin 1447 e nxitën Lekën III të organizoi vrasjen e dy kundërshtarëve Leka Zakaria dhe Bozhdar Cernoviçi.

Në vitin 1447 Leka III Dukagjini u martua me Teodorën, motra e vogël e Gjon Muzakës të Beratit. Nga kjo martesë nuk patën femijë. Pasardhësit e familjes Dukagjini in Itali dhe ato që u vunë në shërbim te Perandorisë Turke në fakt janë fëmijët e adaptuar nga Pali II dhe sidomos nga vetë Leka III dhe ishin fëmijë të mbetur jetimë pas vdekjes të prindërve në luftimet kundër pushtuesve turqë. Pas pushtimit të trojeve arbërore nga Perandoria Osmane, disa nga fëmijët e adaptuar të Lekës emigruan në Venecia dhe në Mbretërinë e Napolit, ndërsa disa të tjerë u konvertuan në fenë islame dhe hynë në shërbim të Perandorisë Osmane.

Në vitin 1448, Skënderbeu dhe Nikolla II Dukagjini sulmuan Danjën dhe Shkodrën, që ishin në zotërim të Venedikut. Në takimin e Skenderbeut dhe Nikolla II Dukagjinit me përfaqësuesit e Venedikut dhe firmosjen e paktit të paqes, nuk mori pjesë Leka III, madje i vazhdoi qëndrimet kundër Venedikut, konflikte që u theksuan në vitin 1456, lidhur me pretendimet e të dy palëve për zotërimet e trojeve rreth Shkodrës. [Marin Barleti: Rrrethimi i Shkodrës, Përkthyes H. Lacaj, Tiranë 1982, faqe 47 – 68]

Në komplotin e Krrabës të vitit 1452, por që dështoi kundër Gjergj Kastriotit, përflitet se ishte i organizuar nga Leka III. Po atë vit, në një takim në Durrës, Leka III pajtohet me Skenderbeun, pas kontradikatëve lidhur me pushtimin e Danjës dhe konflikteve me Vendikun, që pretendonte trojet e Dukagjinëve.

Breksamus, mik i ngushtë dhe diplomati i Leka III Dukagjini, në vitin 1454 e përfaqëson Lekën III në oborrin e mbretit Alfonso V i Napolit. Në vitin 1458, në marrëvshjen e miqësisë të mbretit Alfonsi V me Dukagjinët, të nënshkruar nga Breksamus me 21 tetor 1458, Alfonsi i akordon Lekës III një pension vjetor me 300 dukate.

Në vitin 1458, Leka III pushtoi kështjellën e Shatit, që kishte kaluar në zotrim të Venedikut, por Skënderbeu nuk e miratoi këtë veprim, ndërhyri me forcat e Lidhjes dhe ia riktheu Venedikut. Këto rrethana ndikuan në paknaqësinë dhe ftohjen e mardhënieve të Lekës III me Gjergj Kastriotin.

Në vitin 1458, turqit pushtuan Prizrenin, qendra tregetare dhe kulturore e Principatës të Dukagjinasve dhe në vitin 1459 pushtuan dhe shkatërruan Ulpianën, që ishte kryeqendra e Dukagjinasve në Kosovë. Në nëntor 1462, turqit pushtuan trojet verilindore të Principatës të Dukagjinëve dhe krijuan Sanxhakun e Dukagjinit.

Në këto rrethana Leka III u strehua në trojet malore të Principatës, ku ndërtoi kështjella të reja dhe forcoi ato ekzistuese, për të përballuar sulmet e ushtrisë turke.

Në vitin 1463 Papa Pio II e pajton Skenderbeun me Lekën III dhe nga kjo kohë Leka u lidh me Skenderbeun dhe bëhet pjestar aktiv i aleancës kundër turqëve të formuar nga Skenderbeu, Dozha i Venedikut dhe Cernoviçi i Malit te Zi.

Nё dhjetor 1463, princi Leka III, dërgoi Fratin Eugenio Summa OFM, Nunci dhe Ministri Proovincial i Françeskanëve në Arbëri, pёr t’iu prezantuar venecianёve, kërkesёn e Lekës III, pёr strehimin nё Venecia tё familjes tё Dukagjinёve, nё rast se do tё rrezikohesh jeta e tyre prej sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë turke.

Në vitin 1464 Papa Pali II, me nje ferendae sententiae, e çkishëron Leka III Dukagjini, duke e akuzuar se ishte pak i frymezuar nga feja kristiane. Autorë të huaj mendojne se çkisherimi ishte i lidhur me Kanunin, që kishte kodifikuar dhe shpallur Leka III.

Në vitin 1465, gjate betejës të Sfetigradit, Leka Dukagjini, me një ndërhyrje të guximëshme me luftëtarët e tij, i shpëtoi jetën Skenderbeut, që ishte i rrethuar nga një grup i madh ushtarësh turq. Pas kësaj ngjarje Leka III fitoi besimin e Gjergj Kastriotit, i cili e ngarkoi me detyrë të rëndësishme në repartet arbërore, kështu në vitin 1466, e ngarkoi Lekën III dhe Nikel Moneta, në komandën e 13.000 ushtarëve arbërorë dhe të ushtarëve napolitanë kundër ushtrisë të Ballaban Pashë Badera. Në betejën e zhvilluar kundër hordhive të Baallaban Pashës, forcat e komanduara nga Leka III dhe Nikel Moneta dolën fitimtarë.

Në janarin e vitit 1468 Gjergj Kastrioti u prek nga malarja dhe nga gjendja shëndetësore e rëndë nuk mori pjesë në betejën kundër forcave në Shkodër, andaj këtë detyrë ië besoi Lekës III, i cili komandoi ushtrine arbërore në betejën e madhe e të egër kundër turqëve në Shkoder. Leka e fiton betejen, duke i shkaktuar dëme të mëdha pushtuesve turqë.

17 Janar 1468 vdiq Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Arbëria vajtoi humbjen e strategut ushtarak dhe Zotit të Arbërit (Dominus Albaniae). Në vitet 1468 – 1469, Leka i III tentoi t’i mbante të bashkuar princat e Arbërisë, madje u vu në krye të rezistencës kundër pushtuesve turqë, që ato vite kishin vënë në zotërim trojet e Arbërisë qendrore dhe jugore. Për të ruajtur zotërimet e Dukagjinëve nga pushtimi turk, Leka III filloi traktativat me osmanët për një pakt armpushimi, por ky veprim u kundërshtua nga Venedikun, që i kërkoi Lekës të ndërpriste bisedimet, madje i bëri presion duke ia bllokuar pasuritë e tij në Shkodër. Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Venediku kërkoi të merrte në zotërim trojet e Arbërisë. Në fakt në ato vite Venediku kishte marrë Durrësin, Lezhën, Shkodrën, Danjën dhe disa nga kështjellat rreth tyre në trojet qendrore dhe veriore të Arbërisë, që ende nuk ishin pushtuar nga Perandoria Osmane, por ata pretendonin të merrnin në zotërim të gjitha Arbërinë. Leka III u pozicionua një ndër kundërshtarët më aktivë ndaj kërkesave të Venedikut.

Nё janar të vitit 1471, Progoni IV Dukagjini dhe i vëllai Gjergji IV Dukagjini sё bashku me 200 malёsorё u bashkua me turqit dhe u konvertuan nё fenё islame. Ky veprim e revoltoi Lekën III, i cili ngarkoi Fra Eugenio Summa, të shkoi dhe t’i bindi tё ktheheshin në familjen e tyre. Fra Eugenio e kreu me sukses këtë mision, shkoi i takoi dhe i bindi të rikthehen në trojet e tyre dhe në fenë katolike. Ky mision u vlerësua nga Papa Pali II, i cili e përgëzon Fra Eugen Suma me një letër të gjatë, të botuar nga historiani arbëresh I. Parrino në Acta Albaniae Vaticana. Një fragment të kësaj letre po e prezantoj në vazhdim:

PAULI PAPAE II BREVIA

  1. I. 23
  2. 90 (89)v. Fra. Eugenio de Albania.

Progonus Dukagjini et alii, qui catholicam fidem olim turpiter abdicaverant, fr. Eugenii cura, ad eam una cum pluribus sociis redierunt; a Pontifice reconciliationem petunt.

  1. 90 (89)v. * Dilecto filio Eugenio de Albania ordinis minorum de observantia nuncupatorum professo.

Dilecte fili salutem etc. Jntelleximus progenum, domicellum ducahi (x) olim in XVI uel circa sue etatis anno

constitutum, animi quadam Lieuitate ductum Jnimico humani generis suadente vna cum nonnullis vasallis suis subditis: ac alijs stipendiarijs suis: usque ad numerum ducentorum uel circa ad Turchorum Tirannum confugisse, ac eundem progenunt cum Triginta ex illis fidem catholicam, quam in suo regenerationis lauacro [f. 91 (90)r] deuouerat a se adbicando Maumeticam sectam astantibus Turchis quampluribus et sibi congratulantibus turpiter suscepisse, et tam illos abnegatos, qui tamen una cum illis auxilium consilium: uel fauorem contra christianos prestiterunt interfueruntque quod multi christiani interficerentur tua sollicitudine, cura ac inductione ad cor reuersos fuisse de premissis ex intimis cordis penitentes et cupere ad vnitatem: ac gremium sancte matris ecclesie redire….. Datum Rome apud Sanctum Petrum ad XXIII Januari 1471, Anno 7.

[Ignatius Parrino, Acta Albaniae Vaticana Res Albaniae Saeculorum XIV et XV Atque Cruciatam Spectantia. Tomus I Acta Ex Libris Brevium Excerpta Colligens Citta Deu Vaticano Biblioteca Apostolica Vaticana 1971, dokumenti 541, faqe 138]

 

Në maj të vitit 1474, forca të mëdha turke, të komanduar nga Sulejman Pasha rrethuan kështjellën e Rozafës në Shkodër. Si shkruan humanisti venecian Giorgio Merula, banorët dhe luftëtarët shkodranë, së bashku me forcat veneciane të komanduar nga Antonio Loredan, i rezistuan heroikisht sulmeve të barbarëve osmanë. Në ndihmë të mbrojëtësve të kështjellës shkoi Leka III dhe prijësi Gjon Gjurashi Cernoviçi, të cilët i sulmonin pa ndërprerje trupat osmane dhe karvanet e furnizimit të tyre, duke iu shkaktuar dëme të mëdha. Pas tre muaj rrethimi e pasi pësoi humbje të mëdha, turqit u detyruan të heqin rrethimin e të largohen nga Shkodra. [Giorgio Merula, Beellum Scodrensis, Venice, settembre 1474]

Në vitin 1477 Leka III komandoi forcat e Arberit në mbrojtjen e Krujës, i rrjeshtuar në vijën e parë të luftimeve, ku mbeti i plagosur rëndë, për çka u tërhoq dhe u strehua në bjeshkët e principatës. Në vitin 1478, pas një rezistence të gjatë dhe heroike, ra Kruja. Turqit i masakruan në masë robërit dhe banorët e Krujës. [Coriliano Cepione. Delle cose fatte da M. Mocenico, Venezia 1570, p. 43]

Në korrik të vitit 1479 në rrethimin e dytë të Shkodrës erdhi vetë sulltan Mehmeti II. Pas sulmesh të egra të forcave masive turke, megjithë rezistencën heroike të shkodranëve dhe reparteve venedikase të komanduar nga Antonio Da Leçe, si pasojë dhe e vdekjeve të shumta të banorëve dhe ushtarëve të rrethuar të shkaktuara nga murtaja, më së fundi më 28 korrik 1479 Shkodra ra në duart e pushtuesve turqë. Rreth 1600 banorë dhe luftëtarë arbërorë e venedikas që shpëtuan, u falën nga turqit dhe u lane të lirë të largohen me varka nëpërmjet Bunes, të cilët zbarkuan në Venecia, ku u vendosën përgjithmonë. [Marin Barleti: Rrrethimi i Shkodrës, Përkthyes Henrik Lacaj, Tiranë 1982, faqe 47 – 68]

Viti 1479 është viti i fatkeqësive të madhe për Arbërinë heroike. Pasi ranë Kruja dhe Shkodra, dy bastionet e fundit të rezistencës, Arbëria u pushtua dhe u vu nën diktatin e pushtetit të Pernadorisë Osmane.  Më 24 janar 1479, ambasadori i Venedikut në Stamboll Tomaso Malpiero dhe Sulltan Mehmeti II firmosën pushtimin e Arbërisë nga Perandoria Osmane, më 24 prill 1469 marrëveshje u ratifikua nga Dozha i Venedikut. [Topkapi Sarayi Arşivinde Fatih II – Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten, 53, 1950, pp 49 – 56, dokumenti E9695].

Leka III, i braktisur dhe i tradhëtuar nga venedikasit, u tërhoq në malet e pjesës veriore të Principatës së Dukagjinit, ku bashkë me malësorët besnikë, vazhdoi rezistencën kundër pushtuesve.

Deri në vitin 1481, Leka III ndërtoi disa keshtjella të reja, rindërtoi dhe rifortifikoi kështjellat ekzistuese në thellësi të zonave malore të prinicipatës. Gjithashtu ndërhyri energjikisht për forcimin pushtetit lokal dhe të unitetit të malesoreve, që jetonin të lirë në këto zona të larta e të thella të principatës. Në ato vite, Leka III kodifikoi dhe institucialinizoi sistemin politiko – juridik popullor, që në vazhdim, u konsolidua e u transmetua brez pas brezi si Kanuni i Leka Dukagjinit.

Në vitin 1481 dokumentohet shfaqia e fundit publike e Leka III Dukagjini, kur u kthye nga një udhëtim në Raguza, ku shkoi për të krijuar një aleancë të re kundër pushtuesve osmanë. Sipas gojëdhënave të malësisë, Leka III Dukagjini, para këtij udhëtimi mblodhi një kuvend, ku bekoi lirinë e popullit dhe luftën për çlirimin e Arbërisë dhe mallkoi pushtuesit turqë.

Në vitin 1481 vdes Leka III Dukagjini, sundimtari i fundit i Principatës së madhe e të vjetër të Dukagjinasve. Gojedhënat thonë se Lekën III e varrosën në një kishë të Malësisë së veriut, por ende nuk është gjetur asnjë dokument, që të tregoi me preçizion vendin e varrimit.

Leka III Dukagjini është figurë historike tepër komplekse. Shumë kronista e historianë të mesjetës kanë shkruar pa rezerva, duke e cilësuar komandant trim dhe i mençur (saggio condottiero), madje pa rezerva mund të themi se renditet si figura e dytë pas Skenderbeut. Paralel me këto vleresime të dokumentuara, janë edhe gojëdhënat e popullit tonë, që e kanë ngritur në legjendë jetën dhe veprën e Lekë Dukagjinit.

Leka III ishte prijës i shkolluar, luftëtar e komandant trim, por dhe legjislatori i Kanunit të Maleve dhe kjo është arsyeja bindëse, përse populli i dha emërin e tij, madje dhe pasi kanë kaluar 5 shekuj, askush nuk i a mohoj këtë të drejtë, por e transmetoi besnikërisht brez pas brezi, deri në ditët tona si Kanuni i Lek Dukagjinit. Natyrisht Kanuni nuk është vepër vetëm e Lek Dukagjinit, por ai ka meritën se mblodhi dhe sistemoi përvojën juridike të popullit tonë të shprehur me ligje, norma dhe rregulla të trashëguara nga e drejta ilire, nga e drejta romake, e drejta helene, e drejta bizantine, e drejta sllave etj, të cilat ishin përshtatur me kushtet ekonomike, politike dhe social – kulturore të popullit tonë. Kanuni i Lek Dukagjinit, si pjesë përbërëse e të drejtës arberore, hyri në skenën historike në një moment shumë kritik të krijuar me pushtimin dhe shtypjes nga Pernadoria Osmane, madje ligjet e Lekës ishin kundërvënie ndaj ligjeve Perandorake dhe të Sheriatit, ishin elemente juridike dhe etiko-morale, që garantonin unitetin dhe vazhdimësinë e kombit arbëror.

Historianët shqiptarë dhe të huaj i kanë kushtuar vemendje figurës të Leka III Dukagjini.

  1. G von Hahn shkruan: “Leka Dukagjini është Zoti i këtij vendi dhe njëkohësisht dhe legjislatori i tij. Ai ka kodifikuar Kanunin, pra ka shkruar dispozitat ligjore, rregullat e normat, mbi bazën e të cilave, ky popull jeton edhe sot, jo vetëm në zonën e Dukagjinit, por në të gjithë malësorët në veri të lumit Drin, madje ky popull quhet Lekë, në nderim të vepres së Lek Dukagjinit, që e kanë hero kombëtar”.

Edith Durham shkruan: “…. Leka Dukagjini duket se eshte një personalitet imponent, që ka influencuar shumë në popull, aq sa shprehja “keshtu ka thene Leka”, ka një force detyruese, më shumë se dhjetë komandamentet e Biblës, më shumë se mësimet e Islamit dhe të Krishtërimit, më shumë se ligji i Sheriatit dhe i Kishës, sepse të gjithë këto që përmendëm, ishin të detyruar t’i nënshtroheshin Kanunit të Leka Dukagjini. Fama e Lekës në fiset malësore, që e ruajnë me krenari dhe nder emrin e tij në këto territore, e ka kapërcyer dhe famën e Skenderbeut”.

historiani Athanas Gegaj, në veprën “L’Albanie et l’invasion turque au XV Siècle”, Paris – 1937, shkruan: “Nuk ka dyshime, se Leka ishte një ndër pjestarët më të njohur të familjes Dukagjini. Ai ishte shumë energjik dhe i fortë fizikisht. Kishte luftuar kundër turkut. Leka Dukagjini kishte aftësi organizative dhe ndofta ishte eksperti i legjislacionit të asaj kohe. Të gjithe princat e Arbërit, e kane njohur dhe pranuar Kanunin”.

Historiani turk Sülejman Külçe, në librin “Osmanli tarahinde Arnavutluk” (Izmir 1944) shkruan: “Ligjet zakonore, normat morale e sociale te Kanunit te maleve Shqiptare, jane kodifikuar nga Leka Dukagjini dhe jane ligje drakoniane”.

Whitaker shkruan “Leka ishte personazh historik, madje mund të konsiderohet një gjysëm hero i traditës albaneze. Herë tregohej i ashpër, herë mik i Skenderbeut. Leka kontribuoi të rilindin ndjenjat kombëtare albaneze dhe ishte pjestar aktiv i luftës kundër turqëve, duke u shndërruar në simbol të krenarisë popullore. Leka mbetet në kujtesën popullore për veprën e tij dhe si legjislator i kanunit”.

Aleksander (Leka) III Dukagjini (1410-1481) ishte bashkëkohës i Gjergj Kastriotit-Skenderbeu (1405-1468). Historia i njeh të dy princa trashëgimtar, që morën drejtimin e principatave respektive: Në vitin 1446, pas vdekjes të atit Pali II, Leka ishte sundimtari i Principatës të Dukagjinit, po ashtu dhe Gjergj Kastrioti, e drejtoi Principatën e Albanisë nga viti 1443 pas vdekjes të atit Gjon Kastrioti, i cili në vitin 1407 njihej nga Venediku me titullin “Dominus Satis Potens in Partibus Albaniae”.

Principata e Dukagjinasve përfshinte Shkodrën, Mëlesinë e Madhe, Kelmendin, Pultin, Shalën, Pukën, Kukësin, Tropojen, Gjakovën, Pejën, Prizrenin, Prishtinën, Ulpianën. Principata kishte dy kryeqendra, Ulpiana për trevat  verilindore dhe Lezha per pjesen jug-lindore. Principata e Dukagjinit nëpërmjet portit të Shen Gjinit, mbante lidhje tregëtare me Vendikun, Mbretërinë e Napolit dhe Raguzën.

Principata e Kastrioteve, kishte kryeqendër Krujën dhe përfshinte Dibrën, Matin, Krujën dhe kështjellën e Rodonit në breg të Adriatikut. Porti i Rodonit ishte pika e komunikimit dhe e mardhënieve tregëtare me Mbreterinë e Napolit, me Vatikanin, me Venedikun dhe Raguzen. Durresi ishte në zotërim të Venedikut.

Lek Dukagjini, ishte shkolluar, i formuar me kulturën humaniste të Rilindjes Europiane, pasi kishte studiuar në Venecia, Napoli, Roma, Raguza, në Ulpiana dhe në Shkodër.

Gjergj Kastrioti kishte studiuar artin ushtarak në Stamboll dhe kish bërë një karrierë të shpejtë e të shkëlqyer si ushtarak, në oborrin e Sulltan Muratit.

Kur u themelua Besëlidhja e Arbërit në Lezhë në vitin 1444, morën pjese aktivisht dhe princat e Dukagjinit, fillimisht Pali II dhe Nikolla II Dukagjini e me pas i biri Leka III Dukagjini, që luftoj përkrah Gjergj Kastriotit.

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit (1468), Leka III Dukagjini, mori komandën e ushtrisë së Arbërit, pikërisht në përiudhën me të veshtire të rezistencës antiosmane dhe vazhdoi të luftojë deri në vitin 1481.

Kronistët dhe historianët Dhimiter Frangu, Marin Barleci, Marin Beçikemi, Gjon Muzaka, qe ishin bashkëkohës të Gjergjit dhe të Lekës, më pas G. Biemmi, Margherita Sarroki, Simonetta de Muratori etj si dhe historianë e shkrimtarë të vonshëm si Athanas Gegaj, Fan Noli, Naim Frasheri, Aleks Buda, Kristo Frasheri, Sabri Godo  etj, e prezantojnë Leka Dukagjini, si nje kapedan trim, bashkëluftetarë dhe mik i Gjergj Kastriotit.

Megjithatë, mund të them se humanistët dhe kronistët e shekullit XV, ashtu si dhe shkrimtaret e vjetër e të rinj, kanë qenë pak dorështërnguar në përshkrimet e figurës të Lekës III, duke e lënë pak sa në hije, pasi të gjithë ishin përqëndruar dhe magjepsur nga figura e madhe e heroit kombëtar Gjergj Kastroti.

Vlen të theksohet se disa historianë të huaj dhe më rrallë ndonjë shqiptar, ashtu si dhe ndonjë shkrimtar, e kanë përfolur dhe deri diku dhe e kanë denigruar figurën e Lekës, duke e prezantuar si kundërshtarë i Gjergjit.

Atë që nuk e bënë kronistët, historianët dhe shkrimtarët, e ka bërë populli ynë, mentorët anonimë popullor, që e kanë ngritur në piedestal dhe e kanë mitizuar, si figurë e shquar e historisë të mesjetës arbërore.

Populli e don dhe e nderon Gjergjin si princin trim, si strateg i shquar, si Zoti i Arbërsë, madje e identifikojnë me Shen Gjergjin, ndërsa Lekën III, populli ynë e trajton princ engjëllor, mentor, personifikim i drejtësisë, legjislator i të drejtës Arbërore, që e la trashëgim në Kanunin – kodin legjislativ, që i shërbeu popullit tonë për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar. Për këto merita, populli ynë prej 6 shekujsh, e njeh Kanunin me emrin e Leka Dukagjinit.

E drejta arbërore, apo Jus Albaniense, kishte forcë vepruese, jo vetëm në Principatën e madhe të Dukagjinit me kanunin e Lekës, por dhe në Nëntë Malet e Gegënisë, në Dibër, në Toskëri, në Laberi e në Çamëri, pra në të gjitha trojet e banuara nga arbërorët. Kanunet e trevavë arbërore janë ruajtur me dashuri e besnikëri, pikërisht ligjet, rregullat e normat e tij, janë zbatuar me korrektesë nga populli ynë, duke i shërbyer organizimit të jetës shoqërore, ekonomike, ushtarake, kulturore, shpirtërore dhe në vetëqeverisjen e jetës në trojet arbërore.

Në shekullin XV u shquan shumë fisnikë arbëror, madje Gjergj Kastrioti dhe Leka III, ishin shembull frymëzimi jo vetëm për popullin tonë, por dhe për popujt europianë. Gjergj Kastrioti, Lek III Dukagjini dhe princat e tjerë arbërorë, i kishin propozuar Vatikanit dhe mbretërive europiane, të krijonin një aleancë kristiane kundër armikut të përbashkët Perandorisë Osmane. Në letrat derguar Papa Pio i II, Gjergj Kastrioti shkruan: “Insieme dobbiamo difendere le radici cristiane dell’Europa – së bashku duhet të mbrojmë rrënjët kristiane të Europës”. Këto thirrje e propozime të Gjergjit, ranë në veshë te shurdhët, pasi Europa u tregua egoiste, mendoj vetëm për interesat e saj. Populli ynë mbeti  vetëm duke, luftuar heroikisht për 35 vjet në mbrojtje të lirisë dhe të integritetit, por mbrojti dhe Europën nga pushtimi Otoman, madje rezistenca e arbërorëve ndaj sulmeve të Perandorisë Osmane, ka frymezuar lëvizjet patriotike dhe çlirimtare të shumë vendeve të Europës.

Poeti dhe shkrimtari francez Teodor Agrippa d’Aubingé, në vepren “Les tragiques” (1616), i propozon popujve europiane t’i kapërcejne e t’i lënë mënjanë ndarjet mes tyre dhe të bashkohen dhe të bëjnë pajtim të përgjithshëm, duke zbatuar si shembull modelin Albania në vitet 1444 – 1479, kohe kur mbizotëroi mençuria dhe trimëria e Skenderbeut, kësisoj ai hodhi parullën: “Imitez Skenderbeg – imitoni Skendrbeun”.

Në shekujt XVI – XIX, shumica e shkrimtareve si Barleci, Beçikemi, Frangu, Xhiove, Biemmi,  Longfellow, Ronsard, Montaigne, N Frasheri, Fan Noli, A. Gegaj etj, që shkruan historinë e Skenderbeut, apo Christofer Marlow me veprën “The true History of George Scanderbeg”, Margherita Sarroki me poemen “Scanderbeida” 1623; De Rada me “Skenderbeu i pafat” (1872-74), L. De Vega me “El principe Escanderbegh (1627);  A. Salvi me libretin e operas “Scanderbeg (1718) te Vivaldit , ashtu si A. Houdar de la Motte me libretin e operas  “Scanderbeg tragédie ilirique”, të kompozitorëve Françoi Rebel dhe François Francoeur, evokojnë rezistencën e arbërorëve kundër turqëve, si inspirim, si thirrje popujve europianë në luftën për liri e pavarësi.

Kronistët dhe historianët e mesjetes, i jane dedikuar me pasion vepres te Skenderbeut, Lek Dukagjinit, Muzakeve, Araniteve, Mojsi Golemit, tradhetise te Hamzait etj, duke evidencuar vlerat e gabimet e tyre, por asnjeri nuk ka guxuar të kritikoi Republikën e Vendikut (Serenenissima), e cila nuk u bë aleate e vendosur e arbërorëve, por përkundrazi e tradhëtoi shume here. Venediku perfitoi nga Beselidhja e Lezhës dhe nga resistenza antiturke e ushtrisë të Arbërit e komanduar nga Gjergj Kastrioti dhe më pas nga Leka III, por nga ana tjetër ndërhynte me prapaskena dhe intriga, duke i shtyrë njeri kundër tjetri princat e Arberit. Venediku i kundërvihej arbërorëve, sa herë i prekeshin interesat tregetare dhe politiko-ekspansioniste, si veproi me Drishtin, me Danjën, me Shatin, të cilat i shkëputi nga zotërimet e Lek Dukagjinit dhe nga aleanca me Gjergj Kastriotin. Kur Vnediku nuk arrrinte të bente për vehte princat arbëror, atëhere i shpallte armiq të krishtërimit, si vepruan kundër Leka III Dukagjini, që disa herë u bë preja e politikës përçarëse të Venedikut.

Kur Venediku e ndjeu nga afër rrezikun turk dhe pasi dorëzoi disa keshtjella në detin Egje dhe në bregun e detit Jon, atëhere u afrua me Beslidhjen e Arbërit dhe i shpalli luftë Perandorisë Osmane, por kjo ndodhi vonë, vetëm ne vitin 1463. Për kohë të gjatë, Venediku bëri lojë të dyfshtë, nga një anë deklarohej aleate e Arbërisë, here te tjera dilte kundër lidhjes së Arberit, si në rastin kur Dukagjinet çliruan qytetin e Danias nga pushtuesit turqë. Venediku e kundërshtoj këtë veprim të Lekës III, sepse kishte bërë marrëveshje të fshehtë me Pashain turk të Shkodrës, për t’i sulmuar dhe pushtuar trojet e Dukagjinasve.

Pas viti 1463, Vendiku u rradhit me koalicionin me Skenderbeun, me Lekën III dhe me Cernoviqin e Malit te Zi e më pas dergoj disa ndihma në armatime dhe repartete ushtarësh (mercenare), që u kaluan nën komandën e Leka III Dukagjini. Në këtë kohë, vendikasit nuk i kursyen komplimentat dhe levdatat per Lek Dukagjinin, per trimerine e tij dhe aktet heroike (gesta eroiche), qe kishte kryer duke luftuar per krah Gjergj Kastriotit.

Aleanca me Venedikun zgjati deri në mars të vitit 1479, kur Serenissima firmosi me Sulltanin armepushimin dhe i a dorëzoi Arbërinë pushtuesve turq. Nga ky vit, kronistët dhe historjanët nuk shkruajnë më për Leka III Dukagjini, Vatikani dhe Venediku e harruan Lekën III dhe i braktisën arbërorët, por Leka III vazhdoi të luftojë deri në fund të vitit 1481, viti kur vdiq, pasi u kthye nga Raguza.

Miti i Leka Dukagjinit jetoi shumë shekuj, duke inspiruar ndjenja patriotike ndërmjet malësorëve, që nuk e ndërprenë kurrë rezistencën ndaj Perandorisë Osmane, që për të shuar rebelimin e malësorëve, kreu fushata të egra raprezaljesh me vrasje në masë të banorëve. Leka III mbeti përherë në kujtesën e popullit si kavalieri trim e bashkëluftëtari i Skenderbeut, si legjislatori i të drejtës arbërore, që i u a la trashëgim bashkatdhetarëve, të cilët e ruajtën me besnikëri deri në ditet tona si Kanuni i Lek Dukagjinit. Populli ynë e ka shndërruat veprën e princit LekaIII Dukagjini, në një në legjendë, në një mit të vertetë, duke e bërë të pavdekshëm.

Faik Konica shkruan: “… At Shtjefem Gjeçovi punoj per Kanunin e Lek Dukagjinit, ose vjetersitë greko-romake, pra me institutet e vjetra të Shqypnisë. Askush nuk mund ta konkurojë At Shtjefen Gjeçovin, për zgjuarësinë dhe kompetencën shkencore për Kanunin. Na tregójë një dorëshkrìm nj’a dymij faqesh, studím i palodhur dhe i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme”.

Hiresia e tij Imzot Fan Noli shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit, i mbledhur dhe i kodifikuar nga At Shtjefen Gjeçovi, në realitet përfaqëson monumentin më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, i lindur gjatë Rilindjes Europiane dhe që ka mbijetuar ndër shekuj, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në jetën e popullit tonë, me gjuhën e të cilit është krijuar dhe është shkruar”.

Eqerem Çabej, në vitin 1935, në veprën “Elemente të letërsisë dhe të gjuhes shqipe”, ndër shkrimet e shumta të përfshira në antologjinë e vlerave letrare të zgjedhura për nevojat e shkollës shqiptare, renditi dhe punime të At Gjeçovit, mes tyre dhe disa njohuri themelore për Kanunin e Lek Dukagjinit.

Claudius Schewering (1939), profesor i Fakultetit të Drejtësisë në Universitin e Münich – Gjermani, shpreh publikisht opinionet e tij për Kanunin e Lek Dukagjinit të mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi: “Kanuni i At Gjeçovit është një kontribut me vlera të mëdha, një thesar i kulturës botërore. Kanuni i Lek Dukagjinit është përmbledhje e të drejtës zakonore dhe e shumë ideve interesante, ndofta më të vjetrit në Europë, andaj duhet ta njohim se ç’ vlera të mëedha kulturore ruan kombi i vogël shqiptar”. Me këto deklarime për Kanunin e Lek Dukagjinit, Schewering ka vlerësuar dhe nderuar kombin shqiptar dhe në veçanti autorin e tij – legislatorin e dytë At Shtjefen Gjeçovi.

At Xhiusepe Valentini, ndër studiuesit e njohur të albanologjisë, mbledhësi i shumë elementeve të Kanunit, në veprën: “Il diritto delle comunità nella tradizione giuridica albanese” (botuar në Firence në vitin 1956 nga shtëpia botuese Vallecchi), shkruan: “At Shtjefen Gjeçovi na dha vlerat e padiskutueshme të drejtes zakonore shqiptare dhe kësisoj na ndihmoi të kuptojmë mentalitetin shqiptar. Pa At Gjeçovin, sot do të ishte e vështirë të imagjinojmë, si ka mundur Kanuni i Lek Dukagjinit të rregullojë të gjitha aspektet e jetës shqiptare“.

Ndoc Kamsi shkruan: “At Gjeçovi është shrimtari patriot dhe me vlera, intelektuali i parë shqiptar, që i dhuroi popullit tonë një vepër të çmuar si Kanuni i Lek Dukagjinit, vepër e të drejtës zakonore të popullit shqiptar”.

At Fulvio Kordinjano shkruan: “… At Sh Gjeçovi, me veprën e tij madhore Kanuni i Lek Dukagjinit, tregoi për vlerat historike dhe kulturore të popullit të lashtë shqiptar”.

Giuseppe Castelletti shkruan: “Me Kanunin e Lek Dukagjinit, At Shtjefën Gjeçovi na dhuroi një monument të kulturës shqiptare”.

Ernesto Cozzi shkruan: “Pa veprën e At Shtjefën Gjeçovit, do të kishim një boshllëk të madh në historinë e popullit shqiptar”.

Salvatore Villari, ne librin “Le consuetudini giuridiche dell’Albania nel Kanun di Lek Dukagjini” (Roma 1940) shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit është përmbledhje e të drejtës zakonore nga më të vjetrit në Europë, i cili deshmon per vlera te medha kulturore te kombit shqiptar”

Ms. Hasluck, Giuseppe Schirò dhe Witaker, shprehin opinione të njëjta për kanunin e Lek Dukagjinit: “Pas nje trashëgimie të gjatë gojore, që fillon para dhe vazhdon pas pushtimit turk, me kodifikimin që i bëri kanunit At Shtjefën Gjeçovi, u njohëm me vlerat e modelit të normave dhe me tekstin historik, që përfshinë bazat morale të shoqërisë shqiptare“.

Federiko Patetta, autori i hyrjes i botimit të parë në gjuhë italiane të Kanunit në Romë në vitin 1941: “Codice di Lek Dukagjini – ossia Diritto consuetudinario delle Montagne d’Albania”, thekson: “Kodi i Lek Dukagjinit, ose e drejta zakonore e Maleve Shqiptare, i mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi, përmbledh zakonet dhe ligjet e hartuara nga populli shqiptar si norma”.

Ndrek Pjetri, duke vlerësuar punen e kujdesshme të At Gjeçovit shkruan: “… Kanuni u mblodh si kokërrat e grurit, në një mjedis me varfëri të madhe. Kanuni ka shërbyer si ligj, si mënyrë e jetesës e popullit shqiptar, ka qene tradita e jone juridike, qe na pasqyron ne shqiptaret dhe fisnikerine tone si komb”.

Pandi Frasheri në librin e tij “Famiglia albanese, fonte della civiltà Europea” shkruan: “… Kur lexojmë Kanunin e Lek Dukagjinit, të mbledhur e të kodifikuar nga At Sh. Gjeçovi, gjejmë institucione, ligje, rregulla e zakone themeloree, që të mrekullojnë për ngjashmërinë perfekte dhe koincidencën me ato të Greqise dhe të Romës antike dhe me traktatet ndërkombëtare të çdo kohe, madje dhe me këto aktuale”.

Patrizia Resta, autore e parathënies të botimit në gjuhën italiane: “Il Kanun, le basi morali e giuridiche della società albanese”, Shtepia Botuese BESA, Lecce – 1997, shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit, është përmbledhje e ligjeve të drejtës zakonore, të transmetuara gojarisht ndër shekuj, por që u be kod, vetëm kur u shkrua nga At Sh. Gjeçovi, i cili është legjistlatori i vërtetë i traditës jurdike të maleve shqiptare”.

Ismail Kadarè, në një esse e përkufizon Kanunin e Lek Dukagjinit “Ius Albaniense”, konkluzion që e bazon në lashtësinë, originalitetin, strukturën, specificitetin dhe ne vazhdimesine historike të ekzistencës të kodit tonë të drejtës zakonore.

Shaban Sinani, në një studim të dedikuar princit të perfolur Lek Dukagjini, shkruan: “… Kanuni i kodifikuar nga At Shtjefen Gjeçovi, eshte një monument i kultures dhe i historise te drejtes tradicionale te shqiptareve”.

Tonin Çobani, duke analizuar Kanunin dhe per legjislatorin e pare Lek Dukagjini, shkruan: “Ne vitet 1458-1481,kur Lek Dukagjini drejtonte kuvendet dhe këshillat e pleqeve ndër male, u kodifikua dhe Kanuni, që ishte trashëguar brez pas brezi, si një praktikë gjyqësore. Sentencat e transmetuara gojarisht si shprehje mentorësh, janë të formuluara e të shprehura nga Princi Lek Dukagjini në formën e sentencave juridike. Dhe pse Kanuni nuk ka qenë i shkruar, ka vepruar ndër shekuj ne formen e një Common law anglez, deri sa u mblodh dhe u kodifikua nga At Shtjefën Gjeçovi, në kapërcyell të shekullit XIX në shekullin XX“.

Japonezi Kazuhiko Yamamoto, në librin “The Ethical Structur of Homeric Society” (2002 Fukuoka), e ka studiuar Kanunin e Lek Dukagjinit me një dedikim të admirueshem dhe gjatë analizës të koncepteve etike dhe morale si besa, nderi, buka, mikpritja, gjaku, gjakmarrja, hakmarrja etj, konstaton se ato “Kane ngjashmëri të çuditëshme me të drejtën zakonore antike japoneze e në veçanti me filosofinë antike greke, me veprat e Platonit dhe të Aristotelit, pra me konceptet etike të shoqerise greke pa autoritet shtetëror. Jo vetëm kaq, por rezultojnë ngjashmëri me ngjarje të përshkruara nga Homeri në vepren e tij madhore Iliada dhe Odisea., ashtu si dhe me ngjarje të tragjedive të Eskilit dhe të Sofokliut”.

Prof Fabio Berti shkruan: “Kanuni mbetet ende një mit, që evokon diçka misterjoze e të panjohur, pasi në Kanun janë ngulitur mënçuria e moçme dhe irracionalizmi, aktualisht në shume aspekte të çdukura, por nga ky libër na bëjnë t’i shikojmë shqiptarët me një optikë tjeter, jo si nje popull i humbur dhe pa dinjitet, por nje popull krenar, me hsitorinë e tij të gjate, me një bashkësi traditash me vlera dhe jo ashtu si e prezanton padrejtësisht Gianni Amelio në filmin e tij “Amerika”. Pra Kanuni i Lek Dukagjinit, i mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi, është vepër monumentale, është pasuri e kulturës dhe e të drejtes zakonore shqiptare, që pasqyron si është ndërtuar në shekuj tradita shqiptare”.

Prof Franko Belli shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit i transmetuar gojarisht gjatë shekujve, si burim i vetëm i të drejtës shqiptare, që ka rregulluar jetën shoqërore të një populli tëe martirizuar dhe pa ligje të tjera, u mblodh dhe u kodifikua në fillimet e shekullit XX nga Ati Shtjefën Gjeçovi, madje ende mbetet i dukshëm në jetën e shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë parimet etiko-morale, që përbëjnë thelbin e Kanunit si besa, fjala e nderit, miku, vllazërimi, burrënia etj.”.

Studiuesi Donato Martucci thekson: “Me Kanunin e  Lek Dukagjinit, të mbledhur nga At Shtjefen Gjeçovi, Shqipëria ishte vënë përballë jo vetëm kodifikimit të zakoneve, që e rregullonin jetën shoqërore, por më shumë kishte kodifikuar strukturën etike dhe morale. Kanuni prezantonte një sistem interpretimi dhe vlerash të një universi simbolik, që i respektonin të gjithë, duke filluar nga individët, të cilët me këto vlera integroheshin në shoqëri, ku bënin pjesë si anëtar të saj dhe seicili i prezantuar me identitetin e vet”.

Anton Nikë Berisha në studimin mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, në bazë të një analize të thelluar të kodit zakonor shqiptar, sjell disa përfundime studimore të rëndësishme, duke theksuar: “Kanuni i Lek dukagjinit ka qenë më shumë se një kod i thjeshtë zakonor nga se është një thesar i pasur i vlerave etnike, kulturore dhe shpirtërore që ka ndikuar në forcimin e identitetit dhe zakonet e shqiptarëve përgjatë shekujve; dëshmon për vlera thelbësore etnike dhe kulturore që përcaktohen në Kanun si: mikpritja, besa, nderi, burrëria e të tjera, të cilat janë përcaktuese në marrëdhëniet shoqërore dhe përfaqësojnë trashëgiminë e qenësishme kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve”.

Studiuesi Timo Mërkuri, në analizën që i ka bërë “Parathënie” të At Gjergj Fishta në veprën  “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i Shtjefën Gjeçovit botuar në vitin 1933, thekson: “Meditimet e Fishtës kanë vlerë të dyfishtë, si një vepër e përsosur letrare më vete dhe si një studim për një pasuri etnokulturore të kombit tonë që të bën ta shohim Kanunin e Maleve me një sy tjetër pozitiv për kohën kur funksionoi në ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe t’i shohim shqiptarët si një popull që dhe në kushtet më të vështira të egzistencës së tij ruante një shoqëri bazuar dhe të drejtuar me legjislacion dhe na mëson që të vlerësojmë se : “Më mirë një ligj jo i përsosur, por që ruan identitetin kombëtar se sa një shoqëri pa ligje”.

Nga ky vështrim i përgjithshëm, rezulton se Kanun i Lek Dukagjinit eshte një vepër monumentale, me frymëmarrje të gjere jurdike, etnokulturore dhe humanistike.Kanuni i Maleve, apo e Drejta Arbërore-Shqiptare është vepër unikale dhe pse nuk ka qenë e shkruar, fatmirësisht është transmetuar ndër shekuj i pa ndryshuar dhe gjithmonë aktiv. Kjo kryeveper juridike dhe etiko-morale e të drejtës shqiptare, tregon qartë mënçurinë dhe aftësitë e popullit tonë për ta vetadministruar, vetorganizuar dhe vetqeverisur jetën e tij dhe për këtë qëllim madhor, ka përdorur përvojën e tij juridike, kulturën, normat e veta etiko – morale, që kanë mbijetuar me të gjitha vlerat deri në ditët e sotme, duke i treguar botës se jemi një popull me kulturë të lartë e cilesore.

Sa me shume kthehemi në historinë e vjeter iliro – arbërore – shqiptare, si në vitet e pushtimit romak, gjatë sundimit bizantin, në vitet e pushtimit serb, në vitet e errëta të pushtimit shumë shekullor turk, kuptohet qartë rendësia e të Drejtës Arbërore-Shqiptare, forca vepruese, për të përballuar dhe konkuruar ligjet drakoniane dhe shfrytëzuese të pushtuesve, sidomos ato të perandorisë osmane, që synonin në nështrimin dhe shkatërrimin e identitetit tonë kombëtar.

Malesorët shqiptarë ndër shekuj janë vetë-organizuar dhe kanë vetadministruar jeten e tyre sipas ligjeve të drejtes zakonore, kësisoj kanë autokonservuar e mbrojtur autonominë, pavarësinë dhe identitetin e tyre etnik e kulturor, gjuhën e bukur e të lashtë shqipe, duke garantuar mbijetesën dhe identitetin tonë kombëtar.

E drejta arbërore – shqiptare me Kanunin e Lek Dukagjinit dhe kanunet e trevavë të tjera, janë të vetmet kode legjislative dhe etiko-morale, që funksionuan si e drejtë paralele, madje dhe mbizoteruese mbi ligjet e Pernadorise Otomane, mbi Sheriatin dhe mbi ligjet dhe te pushtuesve te tjere të mevonshëm, në ndryshim me vendet e tjera ballkanike.

Kanuni i Lek Dukagjinit, ka arrijt deri në ditet e sotme, sigurisht me modifikime të rralla dhe shtresëzime të pakta, që i ka diktuar koha, por kryesisht ka mbetur i pandryshuar, i trasmetuar besnikërisht nga tradita gojore, si thote Nietzsche, i ruajtur si “tabelat e vlerave”. Kesisoj e mblodhi dhe e sistemoj At Shtjefen Gjeçovi, duke na e prezantuar si pjesë integrale dhe monumentale e historisë dhe e kulturës së lashtë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok