19/04/2024

Dikush duhet t’ ia shpjegojë Kurtit se Serbia e ka nënshkruar një marrëveshje mos-sulmimi për Kosovën

0

Dikush duhet t’ ia shpjegojë Albin Kurtit se Serbia e ka nënshkruar një marrëveshje mos-sulmimi për Kosovën, me Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999

Nga Kastriot Myftaraj

Kryeministri i Kosovës Kurti bëri të ditur sot se në takimin që ka patur me Presidentin e Serbisë Vuçiç, ndër të tjera i ka kërkuar që mes Serbisë dhe Kosovës të arrihet një marrëveshje mos-sulmimi, kërkesë të cilën Presidenti Vuçiç e ka kundërshtuar.

Në të vërtetë Serbia ka nënshkruar një marrëveshje mos-sulmimi për Kosovën me KFOR-in, e mandatuar nga OKB në Kumanovë në 9 qershor 1999, një ditë para hyrjes së forcave ndërkombëtare Kosovë. Marrëveshja e Kumanovës i përmban të gjithë elementët e një pakti mos-sulmimi. (Marrëveshja e Komanovës ka plot 2048 fjalë, për ata që nuk e dijnë.) Në këtë marrëveshje Kosova përfaqësohet nga KFOR-i i cili kishte dhe ka ende mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB për sigurinë e Kosovës.

Që të nënshkruhet një pakt mos-sulmimi mes Serbisë dhe Kosovës duhet që të shfuqizohet në tërësi Marrëveshja e Kumanovës dhe madje duhet të anulohet mandati i KFOR-it në Kosovë.

Unë jam i sigurt se ideja e marrëveshjes së mos-sulmimit Kosovë-Serbi ka dalë nga mendja e këshilltarit të Kurtit Hysamedin Feraj, ish-profesor marksizëm-lenizimit në Shqipërinë komuniste ku kishte ardhur si i arratisur nga Jugosllavia. E njoh mirë mënyrën e të menduarit të Ferajt dhe di të them madje edhe mënyrën sesi ia ka arsyetuar idenë Kurtit si një kurth për Vuçiçin. Feraj i ka thënë kështu:

Vuçiçi do ta kundërshtojë ofertën por kështu ti nesër fiton të drejtën të thuash se Serbia ka ndërmend që ta sulmojë Kosovën në të ardhmen. Meqënëse Feraj i njeh marrëdhëniet ndërkombëtare ashtu siç përthyhen nën prizmin marksist-leninist atij nuk i shkon në mendje se një shtetar mund ta refuzojë një ide për një marrëveshje sepse ajo prek detyrimet që ka shteti i tij me një marrëveshje më madhore.

Feraj dhe Kurti bashkë me të, nuk kanë njohuritë e nevojshme për të kuptuar se ajo që ata i kërkuan Vuçiç quhet në fjalorin e marrëdhënieve ndërkombëtare “marrëveshje risigurimi” dhe mund të arrihet, përveç rasti kur largohet KFOR-i vetëm nëse Kosova ve në dyshim mjaftueshmërinë e rolit të  KFOR-it për sigurinë e Kosovës.

Albin Kurti bën gabime të tillë qesharakë sepse ai nuk di ta bëjë dallimin mes politikës të llojit të asaj që bëhet në marrëdhëniet ndërkombëtare, nga njëra anë dhe politikës zgjedhore (popullaritetit të tij te zgjedhësit) brenda vendit, nga ana tjetër. Më e keqja është se Kurti e shikon politikën në marrëdhëniet ndërkombëtare si të indeksuar dhe në shërbim të politikës zgjedhore brenda Kosovës.

Nëse Vuçiç do të kishte pasur pak më tepër ndjenjë ironie do t’ i kishte thënë Kurtit se a po kërkonte largimin e KFOR-it nga Kosova, apo së paku ta pyeste nëse nuk ka besim te KFOR-i I cili ka dhe një marrëveshje me Serbinë për Kosovën. Dhe nëse largohet KFOR-i, a thua e mbron Pakti i Mos-sulmimit “Kurti-Vuçiç” Kosovën nga Serbia?

Vështirë që Vuçiçit të mos i jetë ndezur një llampë në tru kur dëgjoi ofertën e Kurtit për marrëveshje mos-sulmimi dhe të mos e ketë kuptuar se çfarë përfitimi kishte nëse luante me këtë ide. Merret vesh, Vuçiçi e ka mbrojtur Kurtin në këtë rast dhe shkakun pse e kurseu do ta zbulojë koha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok