„DIJA”, NJË UDHËTIM NJËZETNUMËRSH NË SHËRBIM TË KULTURËS SHQIPTARE

0
Neki-Lulaj-Ulqin2

Ulqini kremtoi fjalën e shkruar në prag të 28 Nëntorit

Nga Neki Lulaj

Ka ngjarje kulturore që përfundojnë me mbylljen e një salle, por ka edhe të tilla që vazhdojnë të jetojnë gjatë në kujtesën e njerëzve. Një ngjarje e tillë ishte përurimi i numrit jubilar të njëzetë të revistës shkencore, kulturore dhe artistike „Dija”,  botuar dhe shtypur në IVPE Cetinë, 2026 organizuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, me seli në Ulqin. Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, qyteti i lashtë i Ulqinit hapi dyert e Bibliotekës Publike „Mirko Srzentiq” për një takim të njerëzve të librit, të artit dhe të kulturës. Ishte një ditë kur fjala shqipe, e shkruar me përkushtim e dashuri, mblodhi rreth vetes krijues, studiues, gazetarë dhe dashamirës të kulturës, duke dëshmuar edhe një herë se libri mbetet një nga urat më të qëndrueshme që lidhin njerëzit, brezat dhe hapësirat shqiptare.Salla e bibliotekës ishte e mbushur plot. Mysafirë nga vise të ndryshme të Malit të Zi, nga Kosova dhe nga mërgata shqiptare në Gjermani kishin ardhur për të ndarë gëzimin e një botimi që, me kalimin e viteve, ka ndërtuar identitetin e vet në jetën kulturore shqiptare. Në këtë atmosferë të ngrohtë, ku takoheshin fjala, mendimi dhe malli për gjuhën e përbashkët, numri i njëzetë i revistës „Dija” u paraqit si dëshmi e një pune të vazhdueshme, e një përkushtimi që nuk është shuar me kalimin e kohës.

Një tribunë e hapur për dijen dhe krijimtarinë

Manifestimin e drejtoi znj. Arditë Rama, drejtoreshë e Bibliotekës Publike „Mirko Srzentiq” në Ulqin. Me fjalën e saj hyrëse, ajo bëri një përmbledhje të rëndësishme për rrugëtimin e revistës, duke vënë në pah rolin e saj edukues, studimor dhe kulturor që nga numri i parë e deri te ky botim jubilar.Fjalët e saj rikthyen në vëmendje jo vetëm historinë e një reviste, por edhe përpjekjet e njerëzve që, për vite me radhë, i kanë shërbyer fjalës së shkruar shqipe. Sepse pas çdo botimi qëndron një punë e heshtur, një përkushtim që shpesh nuk duket, por pa të cilin asnjë faqe nuk do të merrte jetë.Në panelin e përurimit morën pjesë Kryetar:prim. dr. Gani Karamanaga, kryeredaktori i revistës, z. Gazmend Çitaku, si dhe z. Sami Flamuri. Dr. Karamanaga foli  për rëndësinë e këtij botimi shumëdimensional, për përmbajtjen e tij dhe për rrugën që „Dija” ka përshkuar që nga viti 2003 e deri në ditët tona.Gjatë këtij rrugëtimi, revista është përpjekur të krijojë një hapësirë të hapur për krijimtarinë letrare, studimet shkencore, historinë, traditën dhe mendimin kulturor shqiptar. Në faqet e saj janë takuar zëra të ndryshëm, përvoja të pasura dhe këndvështrime që e shohin kulturën si një pasuri që duhet ruajtur, zhvilluar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Pas çdo reviste qëndron puna e shumë njerëzve

Kryeredaktori, z. Gazmend Çitaku, foli për punën e bërë ndër vite, duke theksuar se kjo veprimtari nuk është rezultat i përpjekjeve të një personi të vetëm, por fryt i bashkëpunimit me krijues dhe studiues të shumtë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova ,Mërgata dhe Ilirida.Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët, me punën e tyre vullnetare, kanë ndihmuar në jetëgjatësinë e revistës dhe në pasurimin e përmbajtjes së saj.Këtu qëndron edhe një nga vlerat më të bukura të „Dijes”: bashkimi i njerëzve rreth një ideali kulturor. Në një kohë kur angazhimi për botime serioze kërkon vullnet, sakrificë dhe këmbëngulje, bashkëpunimi i krijuesve dëshmon se dashuria për gjuhën dhe kulturën mund të jetë një forcë që i kapërcen vështirësitë. Çdo numër i botuar është një dëshmi e re e kësaj pune. Çdo faqe ruan një mendim, një kujtim, një varg, një studim apo një copëz historie që, përmes fjalës së shkruar, i shpëton harresës.

Nga poezia te historia, nga tradita te bota

Në vazhdim, fjalën e mori z. Sami Flamuri, i cili u ndal te përmbajtja e numrit jubilar dhe te larmia e temave që revista sjell për lexuesit. Ai theksoi se në këtë numër janë përfshirë poezi, prozë, ese, studime, shkrime historike dhe trajtesa që lidhen me traditën e lashtë të Ulqinit dhe të rrethinës së tij. Faqet e revistës përfshijnë krijimtari poetike shqiptare, ballkanike dhe botërore, si dhe shkrime për historinë, gjeografinë, trashëgiminë kulturore dhe udhë përshkrimet. Kjo larmi e bën „Dijen” një botim ku lexuesi mund të gjejë jo vetëm kënaqësinë e fjalës artistike, por edhe njohuri të reja për të kaluarën dhe të tashmen. Një vend të veçantë në këtë përurim zuri edhe falënderimi për kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, i cili kishte financuar botimin e numrit jubilar. Mbështetja për revistat kulturore është një investim në kujtesën dhe zhvillimin shpirtëror të shoqërisë. Një botim që u jep hapësirë krijuesve dhe studiuesve nuk i shërben vetëm një rrethi të ngushtë lexuesish, por ndihmon në ruajtjen e pasurisë kulturore dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave.

Fjala shqipe nuk njeh kufij

Një çast i veçantë i manifestimit ishte edhe përshëndetja e mysafirit nga Gjermania, shkrimtarit Neki Lulaj, të cilin drejtuesja e veprimtarisë, znj. Arditë Rama, e ftoi t’u drejtohej të pranishmëve.Në fjalën e tij, ai përshëndeti organizatorët, krijuesit dhe dashamirësit e kulturës, ndërsa kryeredaktorit dhe bashkëpunëtorëve të revistës u uroi punë të mbarë e suksese të mëtejshme në fushën e kulturës.Ai vlerësoi organizimin e këtij manifestimi dhe vuri në pah rëndësinë e takimeve të tilla, të cilat krijojnë mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe për afrimin e krijuesve shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë e veprojnë.Duke qenë se veprimtaria mbahej në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ai e konsideroi këtë përkim domethënës. Festa kombëtare nuk është vetëm kujtesë e historisë sonë, por edhe një thirrje për të vazhduar punën në shërbim të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar. Gjuha është atdheu që udhëton me njeriun, ndërsa libri është një nga mënyrat më të bukura për ta mbajtur atë të gjallë.

Mes krijuesve, gazetarëve dhe veprimtarëve të kulturës

Në përurimin e revistës ishin të pranishëm edhe z. Ismet  Kallaba, redaktor përgjegjës i së përjavshmes kulturore „Koha Javore”, përfaqësues të Radiotelevizionit të Ulqinit, shkrimtarët Neki Lulaj, Ali Gjeçbritaj dhe Mustafa Cankaj, si dhe z. Mehmet Bardhi, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Ulqinit, i cili vazhdon të jetë i pranishëm në veprimtari të ndryshme kulturore. Prania e tyre i dha këtij takimi një frymë të veçantë bashkëpunimi. Në një sallë ku libri ishte arsyeja e mbledhjes, njerëzit patën mundësi të ndanin mendime, të rikujtonin përvoja dhe të shprehnin respektin për ata që i shërbejnë kulturës me punën e tyre të përditshme. Pas përfundimit të pjesës zyrtare, Mustafa  Canka kishte përgatitur një koktej tradicional ulqinak, ku të pranishmit vazhduan bisedat në një atmosferë miqësore. Ishte një vazhdim i natyrshëm i manifestimit, sepse kultura nuk jeton vetëm në fjalimet e përgatitura dhe në faqet e librave, por edhe në bisedat e lira, në njohjet e reja dhe në miqësitë që lindin rreth saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok