23/12/2024

DIASPORA, NJË SHQIPËRI NDRYSHE (!)

0
Ardian-Lagji9

Intervistë e shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro me Kryetarin e Shoqatës “Eagle’s land” (British Columbia) z. Ardian Lagji

Pyetje: Z. Ardian, lexuesit do t’i interesonte së pari njëlloj pasqyre e ‘pjesës shqiptare’ në këtë provincë. Sa janë, ku jetojnë së shumti emigrantët shqiptarë?

Përgjigje: Shqiptarët e parë janë vendosur në Vankuver diku nga fundi i viteve ‘50 dhe fillimi i vitit 1960. Takoheshin kryesisht në fundjave nëpër kafene, ndërsa më vonë takimet u bënë të karakterit shoqëror dhe familjar, në shtëpitë e njeri-tjetrit, duke shfrytëzuar festat familjare apo ato tradicionale shqiptare.

Mbledhja e parë për themelimin e shoqatës “Shoqëria Vëllazërore Shqiptare e Vankuverit” u mbajt në 25 Qershor 1977 me pjesëmarrjen e 23 personave me të drejtë vote; u zgjodh Kryesia me 7 aëntarë. Gjergj Dobreci u zgjodh Kryetar, Zuber Xhaferi Sekretar. Kjo shoqatë numëronte mbi 62 familje me 139 anëtarë dhe e zhvilloi veprimtarinë e saj deri në vitin 1998.

Mendohet se ne BC jetojne rreth 3.000 apo diçka më shumë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Numrin më të madh e përbëjnë shqiptarët nga Kosova; ndoshta pasi ata erdhën me “Resettlment Program” të qeverisë Kanadeze pas konfliktit në Kosovë (Airlift Program). Anëtari i Kryesisë dhe për një mandate edhe Kryetar i Shoqates, z. Edison Heba, ishte i angazhuar me settlement program në Vankuver gjatë vitve 1999-2000.

Shqiptarët jetojnë kryesisht në Lower Mainland (përqendrimi më i madh) por edhe në Vancouver Island, Kelowna, Kamloops.

Shoqëria Shqiptare “Eaglesland” e BC është themeluar më 24 shtator 2006 në Burnaby, pas një seri takimesh dhe konsultash të grupit nismëtar ndërsa inkorporimi është bërë në datën 20 tetor 2006. Kryetari i saj i parë u zgjodh z. Estref Resuli, për dy mandate rresht; ai edhe sot vazhdon të jetë shumë aktiv në Kryesinë e Shoqatës; një djalë inteligjent, shumë atdhetar, lider apasionant. Duke patur parasysh shumë të ardhur nga viset shqiptare në Kosovë, dëshira për të krijuar një shoqatë te këtyre trevave nuk ka rezultuar efektive; gjithsesi, në “Eaglesland”, ka anëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, ata vijnë rregullisht në aktivitetet e zhvilluara nga Shoqata jonë.

Në gjirin tonë ka individë të spikatur e personaliteteme shumë integritet; do të veçoja z. Bujar Llapaj, dirigjent shumë i suksesshëm, pa ju harruar edhe juve, z. Saro. Për të ruajtur integritetin e personave që jetojnë këtu, nuk do të ishte me vend t’i përmendim pa marrë aprovimin e tyre. Por do të thosha se ndërmjet tyre ka avokate, mjekë, mësues e profesorë, ekonomistë, inxhinierë, sportistë, trajnerë, si dhe biznesmene te suksesshëm.

Materiali i organizimit të shoqatës është online, të interesuarit mund të na ndjekin në adresen: www.eaglesland.org.

Pyetje: Cili është roli i Shoqatës në njohjen e këtij komuniteti me realitetin e këtushëm dhe në përballjen me jetën në Kanada? Me sa dimë, ju kini edhe një blog në internet…

Përgjigje: Shoqata ka një rol modest, por gjithsesi aktiv, në këtë aspekt. Fakti që kemi një website dhe një faqe në Fb, ka lehtësuar komunikimin virtual në mungesë të takimeve tona të rregullta, që janë programuar vazhdimisht në bazë të Kalendarit Vjetor që harton Kryesia e Shoqatës.

Kontakti me e-mail dhe duke përdorur teknologjinë virtuale, është shpeshtuar, duke iu përshtatur situatës pandemike dhe për dy qëllime: e para, për t’u njohur me problemet që kemi ne si komunitet apo edhe për të përcjellë sa më shumë informacion tek anëtarët; dhe e dyta për të mbajtur gjallë frymën e bashkëpunimit Kryesi – Komunitet, njohjen me çka është e domosdoshme dhe e dobishme në këtë periudhë.

Nga blogu në Fb e rrjete të tjerë, përveç njohjes e propagandimit të aktiviteteve tona, kemi kërkesa të vazhdueshme nga jo-anëtarë për të marrë më shumë informacion përpara se të emigrojnë në Vankuver, por edhe shkëmbim informacionesh për të porsaardhur ketu, se ku mund të gjejnë shtëpi, ku dhe kë mund të kontaktojnë, etj. Natyrisht, ndihma jonë është më tepër informativ, pasi realiteti është ky që është, përballimi i jetes në Kanada s’është i lehtë për të ardhurit rishtas. Në jo pak raste, edhe për ata që kanë vite këtej, mund dhe ndodh që përballen me vështirësi të ndryshme, si humbje e vendit të punes, ndryshime sociale në familje, lindje, vdekje, bashkime familjare apo raste kur ka shtetas me leje pune ose leje studimi dhe duan të qëndrojnë e të ingranohen me jetën në Kanada.

Pyetje: Mund të bëjmë një bilanc të përmbledhur të veprimtarive kryesore në vitet e fundit? Si mbahen kontaktet me komunitetin dhe çfarë e dallon ekipin tuaj, ndërsa, në mënyrë vullnetare dhe me ndërgjegje atdhetare, kontribuohet për mbarëvajtjen e Shoqatës?

Përgjigje: Në Kalendarin e Aktiviteteve, që Kryesia e harton në muajin e parë të vitit, parashikohen një seri aktivitetesh; me kryesoret nëse do t’i përmbaheshim radhës, janë:

Kremtimi i Pavarësisë së Kosoves, aktivitet për të cilin kemi bashkëpunuar me individë të veçantë, në mungesë të një shoqate të komunitetit nga Kosova; edhe pse nuk e kemi parë si domosdoshmeri, për faktin që në shoqatën tonë janë të angazhuar një mase e madhe e shqiptarëve nga vise te tjera. Janë organizuar mbrëmje festive e përkujtimore, janë dërguar mesazhe përshëndetjeje dhe ne jo vetem kemi qenë të pranishëm, por edhe aktivë në organizim e drejtim.

Përkujtimi i 8 Marsit, është kthyer në një traditë të bukur; znj. Ardita Fishta, Suzana Vukaj, Eglantina Ferro, në bashkëpunim me gra vullnetare e aktive, janë bërë nismëtare të aktivitetit vjetor, jo thjesht kulturor, por edhe argëtues dhe edukativ.

Pjesëmarrja aktive, së fundi, e Shoqatës në Festivalin Vjetor Multikultural, që mbahet në Surrey – BC, ku jemi nderuar edhe me çmim në vitin 2018, por dhe atë Europian, që mbahet në Burnaby.

Përshëndetjet me rastin e festave me karakter fetar e kulturor.

Promovimi i anëtarëve të shoqatës që kanë ecuri bashkëkohore në CV-të e tyre dhe arritje profesionale, si dirigjenti Bujar Llapaj; çifti Besnik e Tatjana Meçe, si avangardë e sportistëve të njohur ne Shqipëri, edhe këtu me sukseset e tyre si trajnerë atletike, të nderuar edhe me çmime; shkrimtari Vangjush Saro, si dhe bisnesmenë të përkushtuar e të suksesshëm në aktivitetet e tyre.

Pikniku veror, një tjetër aktivitet, që gjithnjë ka tërhequr masivisht familjet e komunitetit dhe zgjerohen njohjet me njëri-tjetrin, kontaktohet per hallet dhe problemet e përbashketa dhe organizohen, gjithashtu, lojëra të ndryshme për fëmijë e të rritur.

Dhe i fundit, por më i madhi për nga rëndësia e pjesëmarrja: Festimi i Ditës së Pavarësisë, çka është kthyer në traditë karakter çlodhës, edukativ e patriotik. Ftesat që u janë bërë disa këngëtarëve nga Shqipëria e Kosova janë mirëpritur dhe pjesëmarrja ka pasur rritje të konsiderueshme.

Është për t’u vleresuar puna e palodhur e Kryesisë së Shoqates, por edhe vullnetarëve, pa të cilët është i vështirë planifikimi, organizimi e mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve tona. Lista e vullnetarëve, të cilëve u jemi mirënjohës, është e gjatë; ndoshta në një rast tjetër do të kemi mundësi t’i përmendim të gjithë, por do të veçoja Dritan Mukën, Vëllezërit Cenolli, Baftjar Ymeri, Lazër Kulla etj.

Nga veprimtaritë në kohë, do të veçoja: Aktivitetin mbi veprimtarinë e Nënë Terezës në bashkëpunim me Autoritetet e Kishes Katolike në Vankuver, si dhe Mbrëmjen Kulturore të organizuar me Orkestren Simfonike “West Coast Symphony” nën drejtimin e dirigjentit shqiptar Bujar Llapaj, një fat për komunitetin tonë. Aktiviteti i quajtur “Besa” organizuar në bashkëpunim me Shoqaten Izraelite në Kanada/SHBA si dhe “Simon Fraser University” në BC, në lidhje me kujdesin për hebrenjtë e shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga familjet shqiptare. Krahas kumtesave të paraqitura, u promovua edhe një ekspozitë me fotografi nga familjet izraelite dhe shqiptare gjatë luftës, por edhe nga takimi i brezave më vonë.

Dua të përmend gjithashtu pritjen që komuniteti ynë dha për përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Shqiptar dhe delegacionin që mori pjesë në Lojrat Olimpike Dimërore në Vankuver, shkurt 2010. Po ashtu, Festivalin Europian qe zhvillohet ne Burnaby ku u promovua Shqipëria, traditat dhe kultura, turizmi dhe ekonomia, etj.

Në shkurt 2018, Ambasadori i Shqipërisë ne Kanada, z. Ermal Muça ishte në Vankuver; nga ana e Kryesisë së Shoqatës u mbajt një Kumtesë në Universitetin Amerikano/Kanadez “Fairleigh Dickinson University”, në kuadrin e iniciativës “Diplomatic Circles”. Z. Ambasador bëri një ekspoze të punës për njohjen e Shqipërisë në botë, interesin për ekonominë shqiptare, si dhe inspirimi i Investimeve të Huaja në kuadrin e ndryshimeve ligjore që janë bërë së fundmi. Në aktivitet morën pjesë studentë dhe stafi i Universitetit, si dhe shumë shqiptarë të vendosur në Vankuver.

Qysh në krijimin e saj, Shoqata ka synuar aktivitete që kanë pasur në fokus traditat dhe kulturën tonë, transmetimin e këtyre vlerave te brezi më i ri, i lindur këtu ose ardhur në moshë të vogël. Në këtë kuadër, ngritja e Shkollës Shqipe dhe Klubi i Fëmijëve (i angazhuar në aktivitetet lokale, por edhe ato të organizuara nga shoqata) shërbejnë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat tona.

Pjesëmarrja në aktivitetin multikulturor që organizohet çdo vit në Vankuver, atë rast në korrikun e vitit 2019, na ka angazhuar të paraqitemi me një pavion të Shqiperise turistike dhe promovimin e figurës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu (në ndjekje te iniciatives së Qeverisë Shqiptare për ta quajtur 2018-ën si “Vitin e Skënderbeut). Gjithë në atë veprimtari, një grup nga komuniteti, për 30 minuta, dha shfaqje me këngë e valle nga krahinat tona.

Pyetje: Do të na interesonte mendimi juaj në një temë delikate. Siç dihet, një nga problemet e rëndësishme sot, është loja me çmimet e banesave dhe qirave, në rritje të vazhdueshme, të frikshme mund të thuhet. Si e gjykoni ju dhe a mund të bëjnë ndonjë “demarsh” shoqatat, sindikatat, individët, për ta zbutur këta situatë?

Përgjigje: Një temë tepër delikate; ashtu si ju, edhe une jam në brendësi dhe e ndjek me vëmendje trendin e frikshëm të çmimit të banesave. Në Kanada, çdo gjë rregullohet me ligj, por në këtë aspekt vendos ligji i kerkesë-ofertës dhe fatkeqesisht nuk është shteti që komandon por është tregu që influencon.

Në këtë aspekt, unë doja të shtoja që në situatat në të cilat ndodhemi, ulja e normës së interesit banker, ka nxjerrë në pah kërkesën e madhe për të blerë prona të paluajtshme çka e bën tregun të orientohet drejt çmimeve të larta, për shkak të kërkesës së madhe.

Gjithsesi, ne kemi në gjirin e komunitetit njerëz të licensuar në këtë fushë dhe do të mundohemi të organizojmë një takim virtual, për t’u njohur me disa karakteristika e prirje që duhen patur parasysh, si dhe parashikimin e këtij marketi marramendës, ku s’po gjendet balanca e realitetit të kostos së ndërtimit me ofertën që ofron tregu si dhe kërkesën në rritje.

Një faktor tjetër – që e mësuam së fundmi nga shtypi gjatë vitit të kaluar – lënda drusore, materiali kryesor në ndërtim, është trefishuar, çka sjell edhe rritje të çmimit dhe ‘anomali’ në tregun e banesave. Për t’u përmendur, nga komuniteti ynë, shumë familje i jani larguar banesave me qera dhe kanë investuar në apartamente e shtëpi; por gjithsesi, zhvillimi demografik në rritje, bën që te jemi vazhdimisht në kërkim. Shumë shqiptarë, të angazhuar individualisht ose me partner, janë tepër aktivë në ndërtim e sipërmarrje të kësaj natyre. Iniciativa e fundit e Kryesise për të krijuar një “Business Directory” po përqafohet nga komuniteti dhe të interesuarit, çka do ta bëjë më frytdhënës bashkëpunimin tonë. Këta sipërmarres do të ftohen në takimin virtual, për t’u bërë të njohur e për të dhënë mendimin e tyre mbi këtë situatë problematike, duke patur parasysh çmimet e larta dhe kurbën në rritje.

Pyetje: Një nga pikësynimet kryesore, ju e përmendët edhe më lart, është përcjellja te fëmijët e gjuhës shqipe dhe e traditave të vendit tonë. Cila është përvoja e shkollës suaj këtu, po vështirësitë dhe perspektiva e këtij institucioni?

Përgjigje: Kjo është temë që na ‘dhemb’ shumë, kemi harxhuar mjaft fonde dhe energji dhe nuk kemi arritur atë çka duhet dhe çka dëshironim. Aktualisht, nuk kemi shkollë për mësimin e gjuhës shqipe, u mbyll para dy vitesh; gjithsesi, dy herë që u tentua me sukses, kjo iniciativë është përkrahur, funksionoi (kuptohet ‘part time’). Ndër faktorët frenues, kryesori është shtrirja gjeografike, si dhe pamundësia e prindërve, me gjithë dëshirën për t’i ndjekur fëmijët në ato orare që janë mundësuar. Për t’i ardhur në ndihme studentëve e fëmijeve të moshave 5 -18 vjeç, Shoqata me fondet e saj ka blerë libra në Shqiperi, i ka shpërndarë ato falas te fëmijët që janë regjistruar në shkolle. Nga ana e vet, Ambasada Shqiptare në Kanada na ka dërguar vazhdimisht tekste mësimore; shoqata ka sponsorizuar edhe pagesën e mësuesit, qeranë e klasës, printimin e materialeve dhe siguracionin e ushtrimit të këtij aktiviteti. (Edhe ju, gjithashtu, na kini dhuruar disa kopje të botimeve tuaja për shkollën.)

Gjithsesi, s’bëhet fjalë për të hequr dorë. Shkolla mbetet në projektet tona.  Jemi në kërkim të rrugëve të reja për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të komunitetit, për të ruajtur e përcjellë tek ata jo vetëm gjuhën, por edhe traditat e zakonet shqiptare.

Pyetje: Në kushtet e pandemisë që ka mbërthyer krejt botën, me sa dimë, Shoqata nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e saj. Mund të thoni për lexuesit disa nga qasjet e kësaj periudhe?

Përgjigje: Patëm nje si tulatje, por më vonë u ‘rizgjuam’… dhe iu përshtatëm kushteve në të cilat jetojmë aktualisht. Kemi patur vazhdimësi komunikimi me e-mail, njoftime në Fb, janë njohur anetarët për çka ndodh mes nesh (fatkeqesisht, edhe komunitetit ynë eshte prekur nga kjo e keqe) dhe dua të shtoj se përgjigjia ka qenë e admirueshme e kontributi për familjet në nevojë gjithashtu.

Në kushtet e zgjatjes së këtij izolimi, ne kemi riparë kalendarin e aktiviteteve online dhe është kënaqësi që kemi patur shume ndjekës. Për këtë vit, kalendari është pak më i ngjeshur se viti i kaluar, tashmë kemi realizuar tre aktivitete të programuara për periudhën Janar – Mars dhe jemi në rrugë e sipër për të realizuar atë çka kemi planifikuar me komunitetin për vitin 2021.

Si të gjithë, mezi po e presim hapjen, që është shumë e ngadaltë, por e sigurtë, për të vërshuar edhe njëherë në takimet tona fizike me shumë nga anëtarët e komunitetit që na kane munguar dhe u kemi munguar.

Pyetje: Si paraqiten marrëdhëniet me institucionet shqiptare, pra me Ministrinë e Diasporës dhe, këtu, me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kanada?

Përgjigje: Natyrisht, lidhjet me shtetin amë janë një domosdoshmeri dhe fokusi i aktiviteteve tona, por edhe opinion i përgjithshëm është që shteti duhet të bëjë më shumë për Diasporën. Duke pasur parasysh tensionet politike në Shqipëri, agresivitetin e disa mediave, atmosferën e lodhshme në prag të Zgjedhjeve, ku për fat të keq Diaspora u përjashtua, duke pasur parasysh sjelljen korrekte të emigrantëve dhe sakrificat e tyre, mund të themi se pikërisht Diaspora është një shëmbëlltyrë (e përmirësuar) e vendit; sjellja ndaj saj do kuruar në mënyrë më të siqertë, me programe dhe vendime serioze.

Por bashkëpunimi dhe kujdesi nuk kanë munguar. Me Ministrinë e Diasporës kemi komunikim, por më shumë përmes Komunikatave të Shtypit që na vijnë, si dhe për çka na njofton Komiteti i Diasporës, ku fatmiresisht janë 2 anëtarë nga Kanadaja. Pjesëmarrja në Samitin e Diasporës, mbajtur në Tiranë (Nëntor, 2016) u bë e mundur falë kontakteve me shoqatat e tjera simotra në Europë e Kanada; ndër më të spikatuarat është ajo e Torontos, qe drejtohej nga znj. Ruki Kondi.

Kontakte te vazhdueshme, komunikime dhe aktivitete të perbashkëta kemi tentuar edhe me shoqatën Shqiptare në Seattle (SHBA) si dhe Shoqaten Shqiptare në Kalgary. Gjithashtu, me Ambasadën Shqiptare në Ottawa kemi marrëdhenie të vazhdueshme, mjaft të mira dhe efektive. Kemi ftuar Ambasadorin Shqiptar këtu, kemi pritur (disa vite më parë) Delegacionin e Olimpikut, personalitetet qeveritare, aktivitete keto që janë organizuar në menyrë private dhe mbi baza vullnetare, pa angazhimin e shtetit amë.

Për t’u permenduar, është kontributi dhe mbështetja e komunitetetit tonë nga Ambasadori z. Ermal Muça, i cili ka ardhur shumë shpesh në gjirin tonë, që kur filloi aktivitetin si Ambasador, ka patur takime me komunitetitin, ka marrë pjesë në aktivitetet tona dhe është sërish i mirëpritur porsa të ‘hapet’ rruga.

Ne i pritëm me admirim iniciativat e fundit të qeverisë, si dhe ngritjen e Ministrisë së Diasporës. Ndoshta me krijimin e Shoqatës për Këshillin e Diasporës, ku ne përfaqësohemi (jo si shoqatë, por si Kanada) njohuritë tona do të jene më të plota dhe do të bëjmë çmos për t’ia përcjellë edhe komunitetit ketu ndryshime e shpresa, për ta ngritur në një nivel më dinjitoz punën me Diasporën. Po në këtë aspekt, mirëpresim ratifikimin e marrëveshjes për njohjen reciproke nga ana e Parlamentit Kanadez të vjetërsisë në punë në Atdhe dhe këtu në Kanada; shpresojmë që shumë nga ne të gezojnë pension të plotë dhe të ndihen krenarë për jetesën dhe kontributin në Atdheun e dytë, Kanadanë.

Pyetje: Le të fokusohemi tani në disa nga planet e Kryesisë për më tej. Si e mendoni të ardhmen e Komunitetit dhe të Shoqatës?

Përgjigje: Në fakt edhe ky është një shqetësim me vete… dhe për ne; kemi një plan aftagjatë për të afruar sa më shumë të rinj në aktivitetet tona, për t’i përgatitur ata që të jenë zërat dhe liderët e ardhshëm të Komunitetit e Shoqatës. Disa vite më parë, kemi krijuar Kolegjin e Rinise, kemi organizuar aktivitete me ta, kemi ide dhe dëshirapër më tej, janë piketuar (sa mund të thuhet kështu) figura të spikatura rinore, pjesmarrës aktivë të veprimtarive e planeve tona, asi që kanë dëshirën dhe vullnetin për të punuar me rininë e Komunitetit dhë që, ndërkaq, kanë dhënë një ndihmë të vyer, bie fjala, në pjesmarrjen tonë në Festivalet Multietnike të organizuara në BC.

Zgjedhje e reja për Kryesinë e Shoqatës po afrohen dhe disa të rinj – kemi mendimin dhe dëshirën – t’i përfshijmë në Kryesinë e Shoqatës, çka, besojmë do t’i japë një dimension rinor dhe freski jo vetem Kryesisë por edhe aktiviteteve tona.

Pyetje: Kush është Ardian Lagji? Me sa dimë, jeni një njeri i realizuar, nëse mund të shprehemi kështu, në pikëpamje profesionale, të jetës familjare dhe të përkushtimit për detyrat shoqërore e kombëtare. Por a mund të kemi një portret më të plotë të Kryetarit të kësaj Shoqate me emër?

Përgjigje: Tani, miku im, më bëre të skuqem… por për respekt të bisedës dhe për kureshtarët do të them diçka: Jam lindur në Durrës dhe kam punuar po aty deri në vitin 1999, kur emigrova në Kanada, së bashku me familjen, gruan dhe 2 djemtë. Integrimi këtu ka qenë, ashtu si për të gjithë, me probleme e vështirësi, sakrificat të vazhdueshme, suksesi personal e profesional është arritur me shumë mundime. Me apo pa shkëputje nga puna, kam qenë i angazhuar në shkollë për të arritur ekuivalencen e “bekgroundit professional” – Diplomuar si “Busines Administrator”, titull i marrë nga Studimet ne Fakultetin e Ekonomik në Tranë – ishte dhe mbetet degë e vështirë këtu në Kanada.

Si fillim, mbarova studimet ne BCIT për “Financial Management Diploma”, më vonë vazhdova me kursin 1-vjeçar në “International Trading Certification” e, më pas, iu përkushtova shkollimit të mëtejshëm dhe u diplomova si “Certified Payroll Manager”. Si të gjithë, edhe unë kam provuar disa punëra: që nga viti 2008, kam qenë në pozicione drejtuese, së fundmi si “Payroll & HR Manager” në një organizatë serioze në South Surrey. Djemtë janë rritur dhe të dy janë në punë, plotësisht të çertifikuar e të shkolluar dhe me perspektivë për karrierë. Ime shoqe po ashtu ështw ingranuar më shpejt se unë si pedagoge muzike në “British Columbia Conservatory of Music” dhe shumë aktive në jetën muzikore si soliste, por edhe celliste me Orchestra Simfonike lokale në koncerte të ndryshme në Lower Mainland me grupe të vogla artistesh, si trio, duet, etj.

Përtej modestisë, vullnetarizmi dhe atdhedashuria janë tipare që nuk më ka munguar; jam aktiv në elitën e grupit më të hershëm në Shoqatë, jam i angazhuar edhe si Financier Vullnetar në Shoqatën e “North West Piano Ensemble Society” qysh nga viti 2008, një organizatë jo-fitimprurëse me orientim bashkëkohor për të promovuar talente e reja muzikore jo vetëm në Kanada.

Pyetje: Një opinion për kolegët tuaj, paraardhësit të themi, në këtë detyrë të rëndësishme: z. Estref Resuli dhe z. Edison Heba.

Përgjigje: Estrefi dhe Edisoni janë shtylla te Komunitetit tonë në BC për më shumë se 20 vjet; të dy tepër të përkushtuar, me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe Atdhetare. Siç e përmenda edhe më sipër, Shoqeria shqiptare Eaglesland e BC është themeluar më 24 shtator 2006 dhe inisiatori i kësaj nisme është Estref Resuli; së, bashku me Edison Hebën, Petrit Anamalin, etj., përgatitën Statutin e Shoqatës, në bashkëveprim edhe me përfaqesuesit e Shoqatës se vjetër.

Pozitive ishte se Shoqata e re nuk mohoi eksperienën dhe inisiativat që kishin filluar nga më të vjetrit, ata u bashkuan me Shoqaten e re, si një e tërë. Ne aplikojmë një nga modelet më të avancuara të votimit; kalohet nëpërmjet zgjedhjeve nga Kryesia ne Kryesi dhe ka sistem të gjerë përfaqësimi. E rëndësishme është, gjithashtu, me status, që prania e përfaqësimit të femrave, është e detyrueshme, të jetë mbi 30 perqind.

Unë kam patur “detyrën e vështirë të ecja në gjurmët e Estrefit dhe të Edisonit, të cilët e ngritën shumë lart stekën e arritjeve; e them me kënaqësi sot se bashkëpunimi, përvoja dhe eksperienca dhe përgjegjshmëria – jo vetëm e Estrefit dhe Edisonit – por edhe e shumë të tjerëve ma kanë bërë më të lehtë drejtimin e Shoqates qysh nga viti 2016.

Mbase këtu është rasti të bëj me dije publikisht edhe një arritje sa personale, aq edhe krenari për Shoqatën dhe Kryesine tonë: Z. Edison Heba është emëruar “Konsull Nderi i Shqipërisë” në Vankuver. Është i pari Konsull në Kanada dhe e them me shumë gezim se jemi krenarë për këtë përzgjedhje më se të merituar, pasi Edisoni është një nga figurat më të kompletuara ndër ne, si nga ana profesionale, ashtu edhe ajo njerezore.

Së bashku me Edsionin, por edhe si Kryesi, jemi duke u angazhuar për aktivitete të tjera, për ta rritur përfaqësimin tonë në elitën politike në Vankuver e më gjerë.

Pyetje: Duke ju falenderuar për punën tuaj të çmuar, si dhe për këtë bisedë të sinqertë e të dobishme, a kini për të shtuar diçka?

Përgjigje: Besoj se thashë shumë, por i bindur se kemi edhe më shumë për të thënë për një Shoqatë që sapo festoi 15-Vjetorin e Krijimit, janë vite eksperience e pune, pra e vështirë t’i përmbledhësh vetëm në një intervistë.

Gjithsesi, ju falenderoj, z. Vangjush, që jeni ndër ‘promotorët’ e aktiviteteve tona. Së bashku, le të bëjmë më të mirën për komunitetin dhe Shoqatën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok