Diaspora dhe zgjedhjet
Nga Ndue Ukaj
Viti 2025, për Kosovën, në kuptimin e gjithmbarshëm, ishte vit i mbrapshtë, vit, në të cilin, triumfoi fytyra e shëmtuar e arrogancës, duke e shkatërruar dialogun, motorin e vetëm që e mban gjallë demokracinë.
Një demokraci e brishtë, dritën e së cilës e kishte ndezë, Ibrahim Rugova, së bashku me një elitë mendjehapur, pas shumë shekujve jetese përkundrejt idesë europiane, këtë vit, gati u asfikësua, dhe për pasojë, triumfoi mendësia e frikshme joeuropiane. Triumfoi një mendësi, që ka mospërkim të thellë me këto vlera, në përmbajtje, e për çka, Kosova është dënuar dhe po i vuan pasojat, tash e sa vite, me izolim, varfërim, stagnim, largim nga dialogu strategjik me Amerikën, etj.
Kështu, ky fundvit i mbrapshtë i Kosovës, si i tillë, do të futet në mbamendjen tonë, si vit i mjerimit dhe i shëmtisë politike.
Pse kanë ikë dhe vazhdojnë të ikin shqiptarët drejt Europës?
Përgjigja në këtë pyetje, është shumë e thjeshtë.
Shqiptarët, kanë ikë dhe ikin drejt Europës, sepse, në atdhuen e tyre, nuk ka pasë e nuk ka vlera të mjaftueshme europiane.
Këtë fakt veç budallenjët e keqdashësit nuk e pranojnë.
Dhe pikërisht në këtë fundvit të mbrapshtë, të njëjtit shqiptarë, që kanë ikë vetë nga Kosova, për mungesë të vlerave europiane, të mirëqenies, lirisë, janë kthyer, plot mllef e arrogancë, për t’i dhënë shtytje drejt triumfit, një personi e një organizimi politik, që i ka cenuar për pesë vite rresht, vlerat thelbësore perëndimore.
Ky tragjizëm, e di se nuk mund të kuptohet, sepse, të dehurit nga ideologjia, nuk e kuptojnë dëmin që bëjnë e as nuk dinë të bëjnë dallimin mes dritës dhe errësirës.
Duhet ta përsërisim shpesh se mjerimi i gjithmbarashëm i shqiptarëve, lidhet me faktin, se ata, me shekuj, kanë jetuar, përkundër Europës, njëherë nën dergjën osmane e pastaj nën atë komuniste, në varfëri të gjithmbarëshme, pa shkolla, pa art e pa kulturë.
Pra, thënë thjesht, në tokat shqiptare, sa herë nuk ka pasë ide europiane, ka pasë ferr.
