21/12/2024

Dialog aktiv apo pasiv me Serbinë?

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Prej 14 shkurtit e deri më sot janë zhvilluar vetëm dy takime midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Gjatë kësaj periudhe shpesh herë ka qenë zoti Kurti, ai që ka refuzuar këtë dialog. Fillimisht kryeministri i Kosovës përdori formulën se “duheshin bërë përgatitje për dialog”! Dhe logjikisht ky arsyetim duhej mbështetur. Takimi i parë shkoi mjaft mirë. Palët në dialog u konfliktuan, por delegacioni i Kosovës mori pozicionin aktiv të tij në bisedimet me Serbinë, ndryshe sa kishte ndodhur më parë.

Në takimin e dytë dialogu pësoi një lloj zbehje. Presidenti serb, Vuçiq, u duk se krijoi përparësi, ndërsa delegacioni i Kosovës gati sa nuk u kthye në pozicionin pasiv, difensiv, pra në mbrojtje. E vetmja temë që i dha karakter aktiv dialogut ishte disukutimi për modalitetin e njohjes së targave të automjeteve të të dy vendeve. Kanë mbetur disa javë që të përfundojë afati i zgjidhjes së kësaj çeshtjeje dhe ende nuk dihet se cila do të jetë marrëveshja midis palëve. Por ky ishte një sukses. Nëse zoti Kurti do të pranojë një moratorium të dytë për targat, sigurisht nën presionin europian, atëherë do ta shtojë mundësinë e kthimit në pikën zero në këto bisedime. Beogradi ta synojë këtë objektiv: Zhagitjen dhe shtyerjen e zgjidhjeve në raport me Kosovën.

Ndërkaq e gjithë pjesa pjetër e diskursit dhe e reagimeve rreth dialogut më duket e pasuksesshme për Kosovën. Eshtë krijuar përshtypja se kryeministri Kurti refuzon të bisedojë në tryezën e Brukselit. Ky pozicion e kthen Kosovën në pozicionin pasiv përballë pozicionit serb, i cili tenton të rikthehet në dimensionet e ballafaqimit me Hashim Thaçin apo Isa Mustafën. Në vend që qeveria e Kosovës të insistojë për vazhdimin e dialogut, ajo le përshtypjen se nuk është e interesar për të. Sigurisht që është më komode për një qeveri ose grup dialogimi t’i ikin bisedimeve. Por nuk mund të fshihesh përballë asaj që tashmë ka nis para 11 vitesh me rekomandimin e OKB-së.

Delegacioni i Kosovës duhet të ndryshojë taktikë. Duhet të jetë aktiv dhe ta kërkojë me ngulm jo vetëm dialogun, por edhe zgjidhjen. Kjo do të thotë se ai duhet të shkojë me projekt konkret dhe jo me propozime në tym. Ndërkaq një deklaratë e zotit Kurti se “Nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Serbinë sa kohë nuk gjenden kufomat e të zhdukurve të luftës”, e kthen Kosovën në pozicion mbrojtjeje. Në betejat diplomatike ndodh e njëjta si në betejat ushtarake. Kush qëndron në mbrojtje, pra pasiv e në pritje të gjuajtjeve të kundërshtarit, ai është i disavantazhuar. Kosova ka mundësinë dhe moralin që ta ndryshojë pozicionin e saj. Të shndërrohet në një një aktor në ofensivë dhe madje të bëhet imponuese në zgjidhjen përfundimtare.

Kjo zgjidhje nuk mund të jetë ajo që rekomandon Isa Mustafa, i cili ndodhet ngushtë dhe kërkon që të shfajësojë veten me nënshkrimin e një marrëveshjeje të Asosacionit të Komunave Serbë në Kosovë. Kërksa e Isa Mustafës është jo vetëm hileqare, por edhe anti-kombëtare dhe anti-shtetërore. Sipas ish-kreut të LDK-së, “Kurti ose duhet të nënshkruajë Asosacionin, ose duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”! Kjo do të thotë që në të dy rastet ta rritësh autoritetin serb në bisedimet dypalëshe.

Ky kurth duhet mënjanuar. Kthimi i Kosovës në pikën që ishte Isa dhe Hashimi do të rikthente jo vetëm opsionin e Asosacionit, por edhe diskutimin për kufijtë. Nëse Albin Kurti dëshiron të evitojë këtë fatkeqësi, atëherë duhet të mendojë që ta shndërrojë veten në një aktor aktiv e në ofensivë sa i takon pjesmarrjes dhe propozimeve që ai parashtron në dialog me Serbinë. Nga ana tjetër duhet të bëjë presion për kohën. Eshtë e ditur se Vuçiq nuk do të nënshkruante asnjë marrëveshje para zgjedhjeve të marsit a prillit të vitit që po vjen. Pikërisht për këtë qeveria e Kosovës duhet të bëjë trysni që palët të takohen, të flasin, të përplasen me argumente dhe kundërargumente dhe të këmbngulë për zgjidhje përfundimtare të shpejtë. Kjo e ve nën trysni Beogradin dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. E bën palën serbe të rikthehet në difensivë dhe në pozicion pasiv.

Ndërkaq një aksion politik e diplomatik i tillë largon përceptimin se “Kosova dhe qeveria e saj janë pengesë në dialog”! Duke larguar këtë përceptim autoritetet e vendit krijojnë kushte lehtësuese të aleatëve amerikanë dhe europianë në mbështetje të këtij dialogu. Por nëse nuk ndodh kjo, atëherë këta aleatë e kanë të vështirë të gjejnë pika mbështetëse për Kosovën. Krijimi i përceptimit, qoftë dhe të gabuar, sipas të cilit “Kosova pengon dialogun dhe nuk dëshiron zgjidhje” është i rrezikshëm për pozicionin e delegacionit të saj në bisedimet me Serbinë. Kurti duhet ta detyrojë Beogradin që ta refuzojë dialogun dhe kjo ndodh kur ai është aktiv në këto bisedime!

Dialogu i qeverisë së sotme të Kosovës me Serbinë është “patataja e nxehtë”, të cilën e lanë në dorë të zotit Kurti dialoguesit e mëparshëm, Thaçi, Mustafa dhe Hoti. Por në ndryshim nga ata zoti Kurti i ka mundësitë dhe aftësitë e mbi të gjitha vullnetin politik e diplomatik për t’u angazhuar aktivisht dhe me argumente në këtë dialog. Tërheqja e opozitës për këtë është një obligim i detyrueshëm. Nuk them se zoti Kurti duhet të marrë në ekipin e tij politikanë opozitarë të formatit apo ideve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, por ai duhet të krijojë një ekip të përbashkët konsultimi dhe diskutimi me opozitën.

Kur është fjala për dialogun Kosovë-Serbi nuk mund të injorohet asnjë mundësi dhe resurs politik, diplomatik, akademik e në ekspertizë. Është beteja finale me Serbinë, një betejë të cilën e vështirësojnë jo vetëm qëndrimet e gabuara të ekipeve të qeverive të shkuara, por edhe “harmonia” dhe “bashkim-vëllazërimi” Rama-Vuçiq!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok