14/10/2024

DHEMBJA ËSHTË NJERËZORE

0

Hasan Qyqalla & Mustafë Krasniqi, ”LEGJENDA E DHEMBJES SË HESHTUR”, monografi, botoi “SHOQATA E TË BURGOSURVE POLITIK E KOSOVËS”, Prishtinë 2017, ISBN: 978-9951-497-74-9.(Familja Salihaj: Evokime, përjetime, burgosje, gjakime – rrëfejnë motër e vëlla…)

Nga Shefqet DIBRANI

PROLOG

Avdyl Dura: I njohur si luftëtar kundër pushtuesve serbë e bullgarë. Ai u vra më 28 qershor, në fshatin Rakaj, në luftimet disaorëshe me forcat serbe. Ishte komandant i çetave kaçake të kësaj ane. Po ashtu Avdyl Dura, nga viti 1926-1937 ishte kryetar i komunës së Sllatinës, kjo komunë përfshinte 20 fshatra, në mesin e tyre edhe fshatin Duraj. Për ata që kanë lexuar libra të historisë, sigurisht e kanë hasur edhe emrin e Avdyl Durajt, nga fshati Duraj në Kaçanik.

Të jesh poet e të mos shkruash një varg për heronjtë nuk e ke kryer misionin që ka poezia! Disa nga heronjtë e këtij libri i kam të njohur nga aktivitetet në Zvicër, në demonstrata e sakrifica të shumta.

Pastaj erdhi lufta dhe ata shkuan për ta çliruar atdheun. U bënë ushtar të UÇK-së, luftëtar dhe Heronjtë e lirisë sonë. E sot në paqe nëse hezitojmë e heqim dorë nga ideali i tyre nuk do t’i shërbejmë të sotmes e as të nesërmes. Ata kanë shkuar në luftë, na sollën lirinë, por vet u flijuan për lirinë që ne e gëzojmë! Parë nga ky prizëm: Sa hyjnore, sa fisnike dhe sa stoike ishte qëndresa e Vëllezërve Salihaj. Për mua si autor librash dhe kritik letrar, është gjëja më e paktë që mund të bëja për sakrificën e kësaj familje, të përkujtojmë dhembjen dhe tërë tragjedinë e ndodhur në Familjen Salihaj, me të cilën u njoha, kryesisht përmes kësaj monografie.

MOTRA…

Xhevë Salihajn, e kam njohur më 6 gusht 2018, në Kosovë, aty afër vendlindjes sime, në Orllan të Podujevës, në një orë letrare me krijuesit e shumtë nga diaspora. Zonjë, plot gaz, plot hare, me një entuziazëm për t’ia pasur zilinë. Në dorë mbante një libër, dhe diçka tragjike fshihej nën atë ngazëllim?! Sikur dridhej, trishtohej nga ato ngjarje të cilat tashmë ndrydheshin në atë libër. As që më ka vajtur mendja se brenda librit mund të ishte gjithë ajo tragjedi familjare, gjithë ajo sakrificë, gjithë ai flijim.

Kur Xheves, ia kërkova atë libër, mu duk sikur iu përzien ndjenjat, sikur iu shfaq një dashuri e mbytur në tragjedi. Në sytë, në mimikën, dhe tërë nuri i saj, u mbulua me refleksion të një trishtimi të cilin aty për aty nuk arrita për ta kuptuar, gjithësesi reagimi i saj ishte mbresëlënës. Asnjëherë nuk kisha menduar se një grua mund të shfaqej aq e hareshme, kurse në duar mbante tërë tragjedinë familjare, në zemër, po ashtu kishte dhembje të cilën nuk e shprehte. Ajo kishte trishtim sa nuk përshkruhet me fjalë.Xhevushja, emri i saj përkëdhelës, mu përfytyrua si ato Heroinat e Legjendave që kishin sfiduar tragjeditë e mëdha. Njashtu edhe tragjedia e familjes së saj, shpaloset në brendësinë e kësaj monografie monumentale.

MONOGRAFIA

Vetëm me pak kujdes të shtuar është dashur me dal edhe më në nivel, nëse dëshirojmë për t’ua respektuar sakrificën atyre që bënë e dhanë shumë për Kosovën. Ne librin po e trajtojmë si dhembje artistike, si art i flijimit, sakrificë kjo për Atdheun e cila sublimohet me Lirinë e Kosovës. Familja Salihaj, është flijuar për Liri, ajo e ka kryer misionin e saj. Të rënët gjithësesi. Rrëfimet në monografi janë përjetime reale dhe racionale që pasqyrojnë dramën e familjes ku do të dëshmohet tmerri që ka përjetuar Familja Salihaj, dhe duket si një tabelë rrëfyese për në ferr, atje në fshatin Duraj të Kaçanikut.

Lexuesi ndoshta do të hamendet pse Familja Salihaj, mban edhe mbiemrin Zenuni?! Këtë gjë autorët e kanë shtjelluar me kujdesë, madje edhe arsyet, dëshmi kjo për një formë tjetër të dhunës mbi këtë familje. Këtë e thonë, fotografitë dhe dokumentet e prezantuara, ato janë dëshmi, fakte dhe dhembje trishtuese njëkohësisht. Pa asnjë dyshim, Familja Salihaj, ka përjetuar tragjedi, ndër të rrallat në Kaçanik dhe rrethinë. Edhe monografia e vërteton këtë, libri i kushtohet këtyre masakrave, tragjedisë së përjetuar, dhunës sistematike dhe shkatërrimit në masë të qenies njerëzore dhe të shkatërrimeve edhe të anës materiale, madje në përmasa të pa para, të paparashikueshme, të padëgjuara. Rrëfimi si i tillë t’i ngath mishrat të fut tmerrin, por edhe të bënë krenar kjo rezistencë dhe sakrificë, në anën tjetër edhe përpjekja për të jetuar e gjallëruar është sfidë, është përpjekje e rrallë, sidomos kur dihet se në shtëpinë e tyre kanë mbetur aq shumë jetima!

Protagonisti i monografisë është Reshat Salihaj, veprimtar i LPK-së dhe aktivist i Fondit “Vendlindja Thërret”, kryesisht në Kantonin Vaud, përkatësisht në pjesën e Zvicrës frankofone. Një jetë e tërë në shërbim të kauzës kombëtare, që si sakrificë dhe si tragjedi shkon disa dekada përtej kohës që flitet në këtë monografi. Duke lexuar me kujdes këtë libër, na shfaqet edhe enigma për vrasjen e komandantit Agron Bajrami – Zefi, e cila mbetet mister, bashkë me vargun e gjatë të vrasjeve enigmatike?!

Si tërësi, monografia sjell rrëfime rrëqethëse, dëshmi për jetën dhe përpjekjen e Familjes Salihaj, për sakrificat, qofshin ato sociale apo në rrafshin politik. Me interes është shpjegimi për arrestime politike që kanë ndodhur gjatë vitit 1991 dhe 1994, në Ferizaj dhe Kaçanik, rrëfim që do të mbetet i bukur dhe i realizuar mirë.

Pa mëdyshje sakrifica e gjithmbarshme e Familjes Salihaj, është shembull flijimi dhe sakrifikimi, e cila, si familje, ka kaluar nëpër purgatorin e dhunës serbe, për më shumë se një shekull. Kjo familje vazhdimisht ka rezistuar duke u bërë e njohur në tërë zonën, prandaj, një studim e trajtim edhe më i thellë, edhe më përfshirës është domosdoshmëri, është kulturë dhe është obligim profesional.

HISTORIKU

PJESA E PARË, në këtë kapitull të monografisë, autorët kanë bërë përshkrim historik për fshatin Duraj, i cili shtrihet rreth 15 km në veriperëndim të Kaçanikut. Pastaj kanë folur për shtrirjen gjeostrategjike të fshatit, për trungun familjarë të kësaj familje e cila më parë ishte e njohur me emrin Duraj, ashtu siç emërtohej fshati i tyre. Në vazhdim autorët i kanë përshkruar përndjekjet politike, kanë folur për dhunën sistematike që ushtronte pushteti serb mbi këtë familje, pasi kjo familje ekonomikisht qëndronte mirë. Kurse në paragrafin e tretë të këtij shkrimi flitet edhevpër përfshirjen e djemve të saj në Luftën e Kosovës gjatë vitit 1998-1998, dhe për kontributin e tyre në radhët e UÇK-së.

Në shkrimin “Kush ishte Avdyl Duraj, (1893-28.06.1948)”, përshkruhet tërë sakrifica e Avdyl Zenunit, i njohur në popull si Avdyl Duraj. “Mirëpo, përndjekja e kësaj familjeje vazhdon edhe më vonë. Kështu, në vitin 1981 burgoset dhe dënohet me 15 vjet burg veprimtari Adem Salihaj”, (po aty faqe 14).

Mjaftë me interes, (parë nga aspekti historik), është një “Deklaratë akuzuese për Avdyl Durën”, e dhënë më 20 qershor 1945, por bashkë me dokumente të tjera arikvore nga kjo periudhë, qartë dëshmohet roli dhe rëndësia politike e atdhetare e Avdyl Durës, të cilin rapsodet popullor e kanë vënë në këngë.

Për liri luftën s’e ndalën-

Bashkë me shokë e gjithë mahallën

Me Ramë Bekën e Avdyl Durën,

Trojet tona do të mburrën!

Faqe 16.

RRËFIME TRONDITËSE

PJESA E DYTË, e monografisë i kushtohet veprimtarit Reshat Ilaz Salihaj, duke përshkruar hollësisht jetën dhe kalvarin e tërë veprimtarisë së tij patriotike në shërbim të kauzës kombëtare, shpjegohen një vistër perpjekjesh dhe sfida të pa imagjinuara. Arratisje, dhembje e lot… dhe ngadhnjim. Reshat Salihaj ishte bashkëthemelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ), për bashkësinë lokale Elezaj e Doganaj, ku për një kohë të gjatë ishte veprimtar i këtij këshilli dhe njihej si aktivist i mirë dhe kishte bashkëvepruar me figurat e njohura të kësaj ane si: “Bajrush Xhamajli, Elmi Reçica, Ekrem Jashari, Milaim Jashari, të gjithë nga Ferizaj, pastaj Berat Luzha, Hysen Shurdhani, Ismail Raka, Agim Bajrami, Remzi Elezi, etj., nga komuna e Kaçanikut”, (faqe 23). Vlen të theksohet se Reshat Salihaj, ishte anëtarë i grupit letrar “Fazli Grajçevci” në Elezaj, pastaj veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, veprimtar i Fondit “Vendlindja Therret”, dhe më vonë edhe bashkorganizator dhe ushtar i UÇK-së.

Në fillim të vitit 1999, Reshat Salihaj, kthehet në Zvicër, kuptohet me lejen e komandantit të UÇK-së, dhe përsëri në muajin Prill 1999, rikthehet në frontin e luftës bashkë me shumë rekrut të rinjë. Gjatë kësaj kohe ai do të përballojë vrasjen e katër familjarëve të tij. Pas luftës, falë tij dhe familjarëve të tjerë që kishin mbetur gjallë, ai do të kujdeset për jetimat e mbetur dhe do të bëjë edhe meremetimin e shtëpive dhe ngritjen e të rejave mbi gërmadhat e djegura gjatë luftës. Edhe ky kapitull plotësohet me dokumente, faksimile dhe shumë fotografi të tjera që përbëjnë një dosje të tërë faktografike e dokumentuese.

PJESA E TRETË, e monografisë përfshinë biografi, kujtime, rrëfime nga lufta, dhe nis me kujtime për fshatin heroik, Duraj! Këto kujtime janë mbresa emocionale, përjetime që rrëfehen me ndjeshmëri për fatin e tij dhe të të gjithë atyre që kanë bashkëvepruar me Reshatin. Ndër më përjetuese më duket se janë rrëfimet për Babain e tij Ilaz Salihun dhe ai për Nënën, Azemine Topojani Salihaj. Po ashtu rrëfime emocionale dhe tejet përjetuese janë rrëfimet e Reshatit për të vëllain Sabri Salihaj, të cilin e kishte bashkudhëtarin më të mirë dhe bashkëluftëtar në Luftën e Kosovës. Sabriu u vra nga forcat serbe, më 13 prill 1999, në lagjen e Cakëve të fshatit Vatë, (faqe 104).

Kujtimet e Reshatit për vëllain, Kemajlin, janë hallkë tjetër e kalvarit familjar, e vuajtjeve dhe sakrificave që ka pësuar kjo familje. Edhe Kemajli është vrarë më 13 Prill 1999. Rrëfimet dhe kujtimet e Reshatit për kunatën e tij, Lumnijen, janë aq përjetuese sa nuk bëhet më, “ajo është vrarë më 28 mars 1999, kur forcat serbe e mitraluan fshatin Duraj dhe shtëpinë tonë. Në sallonin e shtëpisë bie një predhë e kalibrit 12.55 mm, e cila e qëllon Lumën”, (faqe 110). Pa dyshim, kujtimet e Reshatit për vëllain, Bekimin, janë shumë të dhimbshme. Ai është gjetur i vrarë në vendin e punës më 25 shkurt 1998. Edhe kujtimet e Reshatit për vëllain tjetër, Izahirin, janë përjetuese, rrëfime këto që të ngathin mishrat, sidomos për vrasjet që ka përjetuar kjo familje. “Më 13 prill të vitit 1999, në fshatin Vatë, te lagjja e Cakëve, së bashku me dy vëllezërit, Sabriun e Kemajlin e dhjetëra shqiptarë të tjerë, nga forcat serbe është vrarë Izahir Salihaj”, (faqe 114).

Dy fjalë për vëllain, Samiun, i cili është krah i fortë i Familjes Salihaj, ai jeton në Zvicër, dhe kujtime të tjera të Reshat Ilaz Salihajt, janë një histori e dhembshme, është një kalvar i papërshkruar nëpër të cilin ka kaluar vet Ai dhe kjo familje, prandaj ai ka të drejt kur shtron pyetjen: “A thua, deri ku do të arrijë fatkeqësia e familjes dhe e popullit tim”, (faqe 122). Pastaj autorët i kanë përfshirë edhe kujtimet e Nexharisë, bashkëshortja e Sabriut dhe kujtimet e motrave Kimete Salihaj, (1976), dhe “Kujtimet e motrës Xhevushe për vëllezërit për luftën” (1977), janë rrëfimet më tronditëse dhe më të përjetuarat.

RRËFIMI I XHEVUSHËS

Ja si e përshkruar Xhevushja momentin kur do të shtrëngohet t’ia jap lajmin nënës së vet. “U afrova afër nënës me kujdes të veçantë që disi t’i tregoja e ta ngushëlloja për djemtë e vrarë. Posa iu afrova, parandjenja e kobshme thuajse e kishte munduar, nxori ofshamën me gjysmë shpirti dhe më tha: – Oj bijë, më trego drejt se çka ka ndodhë me djemtë, ku ishin ata? Pyetje që të fuste në dhe për së gjalli. Si mund t’i ikësh e të mos i tregosh një nëne për fatin e djemve të saj?! – Nënë! Mbahu e fortë! Nënë! Dy djemtë tuaj dhe vëllezërit e mi kanë shkuar nga kjo jetë, ata i gjetëm të vrarë; Sabriun dhe Kemajlin. Pas këtij kobi kishim edhe një shpresë, se Izahiri ka shpëtuar”, (faqe 147-148). Në rrëfimin e saj, Xhevushja shpjegon se “Kjo shpresë u tretë shpejt. I pash katër persona, të cilët bartnin me batanije, tre të plagosur dhe njëri ishte i vrarë! I vrari ishte vëllai im i vogël, Izahiri, 17-vjeçar. Atëherë nuk u përmbajta dhe bërtita: – Oh, edhe Izahirin! Ah, e mjera unë për vëllezërit e mi!”, (faqe 148), dhe ofshamë më të rënd e përjetuar vështirë se mund të lexohet diku, e pa tu mbushur sytë me lot.

Siç pohon Xhevushja, në rrëfimin e saj “Atë ditë të kobshme në mesin e 15 të vrarëve ishin edhe Sabriu, Kemajli dhe Izahir Salihaj, Jakup dhe Ilir Caka, Shiqeri Halili, Elezi dhe dy të tjerë të fshatit Lamaj, të cilëve nuk ua mësova emrat. Vëllezërit e mi plumbat i kishin marrë në gjoks, kurse Izahirin pas shpine. Të nesërmen. Në ora 13:30, u organizua varrimi i të vrarëve në fshatin Vatë, pikërisht në lagjen e Cakëve”, (faqe 149). Me rrëfimin “Zaimi – në radhët e UÇK-së”, përmbyllet pjesa e tretë e kësaj monografie, e cila është më tronditësja brenda monografisë, për ngjarjen në Familjen Salihaj në Duraj të Kaçanikut.

PJESA E KATËRT, përbëhet nga materiale publike “Shtypi i kohës për përndjekjet e familjës Salihaj”, ku në njëzet faqet vijuese ka vetëm faksimile të prezantuara, artikuj të gazetave që kanë shkruar rreth Familjes Salihaj, artikuj që pasqyrojnë rrëfime të trishtëta për përndjekjet e shumta, vrasjet dhe pasojat e dhunës.

PJESA E PESTË, përbëhet nga “Shkrime autoriale për familjen Salihaj”. Kjo pjesë nis me rrëfimin e Adem Salihajt, intelektual dhe funksionar i lartë politik në nivel Kosove dhe për disa mandate edhe Kryetar i Komunës në Ferizaj. Ademi, është familjar i afërt me Ilaz Salihaj dhe me të bijtë e Ilazit të përfshirë në këtë monografi. Pastaj ka shkrime nga Berat Luzha, Ramadan Pllana, Zarije Zenuni – Bajrami, Kjani Sallahu, Ismajl Prushi, Afrim Mustafa, Imer Tifeku, Fehmi Ajvazi, ku bashkë me fotografi të shumta që lidhen me historikun e Familjes Salihaj përbëjnë një dokumentar të tërë faktografik. Këto shënime e dokumente nga aktakuza e ngritur kundër një grupi veprimtarësh nga Kaçaniku, në mesin e tyre edhe kundër Reshat Salihajt, kanë kompletuar edhe më tej monografinë në fjalë. Me rubrikën “Shtojcë e librit”, dhe me shënimin e Reshatit, përmbyllet kalvari i rrëfimeve për tragjedinë në Familjen Salihaj të cilën autorët Hasan Qyqalla dhe Mustafë Krasniqi, me të drejt e kanë pagëzuar “LEGJENDA E DHEMBJES SË HESHTUR”, por kjo tragjedi nuk heshtet(?!), pasi rrëfimet e përfshira lëshojnë britma, klithma dhe ulërima shurdhëruese.

EPILOG:

Monografia kushtuar Familjes Salihaj, është një vepër që i kushtohet sakrificës së një krahine të tërë dhe flijimit dhe vetëmohimit të brezave dhe gjeneratave të tëra. Monografia është dokument origjinal, dhe është i shkruar në zhanrin e rrëfimit, ku familjarët e gjallë kanë rrëfyer për sfidat e tyre jetësore. Përveç Reshatit, duket se meritë e madhe i takon Xhevushes (Xhevë Salihaj), se mbase veç motra mund të rrëfej dhembjen kështu me kaq zell për vëllezërit e vet, duke mos e mohuar kontributin e askujt, monografia është strukturuar si enciklopedi më vete, në të cilën janë përfshirë tërë anëtarët e tjerë të familjes, farefisi i gjerë, me një fjalë një krahinë e tërë, të cilët ose përmes të cilëve janë ndërtuar rrëfimet në mënyrën më origjinale. Rrëfime e rrëfim në vete, përjetime dhe sfida të shumta, thjesht dhe qartë, pa i kërkuar askujt ndihmë dhe llogari. Gjithësesi plotësohet maksima e njohur: Ata që kanë dhënë nuk dinë të kërkojnë lëmoshë dhe nuk janë NJERËZ të prirur për tu ankuar.

LAVDI, Familjes Salihaj nga fshati DURAJ në Kaçanik!

St. Gallen, 15.12.2021.

Shefqet DIBRANI

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok