22/12/2024

Dhe rrimë e vështrojmë si grabisin piratët e shtetit!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Një pastruese nxori në shesh vjedhjet e administratës së lartë të shtetit në Shqipëri. Mbi 500 mijë euro në kasafortën e shefes së kabinetit të zëvendës-kryeministrit, Arben Ahmetaj, janë dëshmia e kapjes së shtetit nga krimi mafioz në Shqipëri. Ndërsa të nesërmen e këtij skandali famoz, prokuroria e policia arrestuan tre zyrtarë të tjerë të lartë të ministrisë së Financave të kabinetit qeveritar të Edi Ramës. Çdo ditë një skandal shtesë! Çdo ditë një vjedhje e re.

Vjedhja e dytë tejkalon të parën. Në rastin e fundit kapi shumën e 1.2 milion eurove nga buxheti i shtetit. Ai që ankohet u kërkon diçka më shumë se 300 mijë euro. Por, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave sërishmi të Arben Ahmetajt, i thotë “Jo, ty të takojnë 1.2 milion euro”! Megjithatë drejtësia e trajton këtë si “shpërdorim detyre”! Piratët na kthehen që në akuzë në “shpërdorues”!

Një tjetër sekretar i përgjithshëm i një tjetër ministrie, është në burg për shkak të vjedhjes me inceneratorët. Ministri përkatës po ashtu. Zinxhiri i piratëve të shtetit të akuzuar e të arrestuar shtohet çdo ditë. Ende pa u shuar jehona e një grabitjeje, zbulohet tjetra. Dhe në këtë zinxhir shpeshherë vepron “rastësia”. Nuk thonë kot se rastësia është mbreti i botës. Në rastin konkret është „mbreti i botës së piratëve në qeverinë e Tiranës“! Të qenit debitor me 20 mijë dollarë amerikanë në bankë, zbuloi 1.2 milionë euro të grabitura, nga ata që janë vënë në atë post për ruajtur dhe administruar paranë publike. Një pastruese që u denoncua pa menduar gjatë, zbuloi skandalin e vjedhjes nga ana e shefes së kabinetit në kryeministri.

Nëse rastësitë nuk do ndalnin, atëherë aferat financiare të grabitjes së taksave tona do të shfaqeshin çdo orë e çdo ditë. Rastësia nuk ka mëshirë. Do të çonte deri në Surrel. Do të zbulonte investimet jashtë vendit, në Nju Jork, Barcelonë e bashkëpjesëmarrjen në aksione të politikanëve të lartë në sipërmarrje të fuqishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shqipëria është me fat! Shqiptarët po ashtu! Me ndihmën e Zotit, ata po mësojnë se çfarë batërdie ka ndodhur e ndodh çdo ditë në zyrat e shtetit shqiptar. Por, edhe rastësitë e tilla nuk janë të rastësishme. Është mbushur thesi i madh i vjedhjeve e grabitjeve e nuk mban më!

Megjithatë shqiptarët janë ende në narkozë. Nuk janë pickuar sa duhet nga gjithë kjo batërdi vjedhjesh e grabitjesh në ditën për diell. Nëse diku tjetër do të ndodhnin këto që ndodhin në Tiranën zyrtare, vendi do të ishte tronditur dhe flakët e zjarrit të fuqishëm do ta digjnin çdo lloj qeverie si kjo e vendit tonë. Por Shqipëri, ne shqiptarët nuk lëvizim. Se jemi individualistë e egoist. Pra, se shohim vetëm b.thën tonë! Nuk luajmë vendit se vetë shoqëria civile është një skandal më vete. Se mediat në vend që të dënojnë piraterinë e pasurive kombëtare, hanë me ujkun! Se shoqëria shqiptare akoma vijon të thotë se “Atje lart uji kullon i pastër, por turbullohet rrugës”! Se jo pak prej nesh themi se, “Po të ishte Rama pjesë e grabitjes së pasurive e taksave tona, nuk do t’i dënonte këta që kapen”! E ndërkohë askush nuk e lodh trurin të kuptojë se gjithçka që ndodhë në këtë shtet e në këtë vend është projekt i paramenduar i Kryeministrit!

Kur mungon protesta nga brenda shpirtit, atëherë vdes edhe vetë shpirti i kombit. Sepse kombi bëhet viktimë e piratëve grabitqarë. Piratët e shtetit në këtë rast i kanë duart e lira të bëjnë çfarë të duan. Vetë drejtësia varet nga rastësia. Rastësisht ndodhi që prokurori i parave të pashlyera në bankë qëlloi kurajoz! Rastësia shpesh herë bën mrekulli, por kjo mrekulli shuhet në apatinë tonë.

Një komb e një popull i qytetëruar bëhet barrikadë kundër grabitjes së pasurive të tij. Një vend i civilizuar është kurajoz dhe kryengritës kundër piraterisë, sidomos kundër grabitqarëve të shtetit. Nuk ka të ardhme në një vend që fle, edhe kur piratët e shtetit e shpartallojnë shtëpinë e përbashkët tonën! Nuk ka të ardhme në një vend ku njerëzit magjepsen nga intriga mashtruese e kryepiratit, kur thotë se “Përgjegjësia është individuale”!

Edhe në diktaturë po të ndodhnin këto që po ndodhin sot në Shqipëri, njerëzit do ishin ngritur. Ndërsa, ne jemi në narkozë! Nuk na bën përshtypje se pasuritë tona bëhen bizhuteri e kartëmonedha në valutë prej 500 apo 200 eurosh secila në duart e Kryeministrit, ministrave, shefave të kabinetit dhe piratëve të tjerë të llojeve e kategorive të ndryshme. Dhe rrimë e vështrojmë se si na vjedhin çdo ditë piratët e shtetit. Ndërkohë që nuk vëmë re se si na pakësohen, po ashtu çdo ditë, të ardhurat e pasuritë tona, mirëqenia jonë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok