05/02/2025

DËSHMI PËR KRIMET ÇNJERËZORE SERBE

0
Tahiri-Beqiri-Femra

Përurimi i librit “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për atdhe” i autores Ymrije Beqiri

Nga Bedri Tahiri

Ymrije Beqiri tashmë ka ber emër në botën e letrave shqipe. E ka nisur me shkrimet për fëmijë, e ka vazhduar  me shkrimet për të rritur, pastaj me tema nga historia jonë kombëtare, deri në nivelin e monografive për luftëtarë dëshmorë.

Mirëpo, së fundmi, iu ka rrekur edhe temave të “rënda” për trajtim, atyre të luftës sonë çlirimtare 1998-1999, dhe ia ka dalë mban me sukses. Vitin që shkoi na solli librin monografik “77 LULËKUQE LIRIE”, një Lapidar përjetësie për 77 fëmijët e vrarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë 1997-1999, në Vushtrri me rrethinë. Ndërkaq, sot na vjen me një vepër të veçantë, një libër specifik, në formë e në përmbajtje, me librin “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për atdhe”, kushtuar 99 femrave shqiptare të komunës së Vushtrrisë, të vrara e të masakruara nga barbaria serbe.

Historia jonë është përplot data dhe ngjarje, në të cilat, krahas burrave, morën pjesë edhe femrat shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura, por dilnin maleve, përkrah vëllait, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Pjesëmarrja e tyre në beteja tregon se luftërat tona ishin të drejta dhe çlirimtare. Këtë e vërteton edhe thënia e Sami Frashërit: “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme”.

Në historinë tonë më të re, në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, ky fenomen shumëfishohet.  Këtu, femrën tonë e gjejmë me armë në dorë, në fronte e në beteja, e gjejmë në përballje me sfidat e jetës hileqare, duke gatuar e mbajtur gjallë familjen dhe çlirimtarët, e gjejmë sypatrembur mes jetës dhe vdekjes, mes sakrificës dhe mbijetesës. Forcat serbe, në pamundësi të zhdukjes së çlirimtarëve tanë, mllefin e tyre e shfrenin mbi të pambrojturit, veçan mbi femrat shqiptare. Kështu sot kemi shumë heroina, por kemi edhe shumë viktima, shumë të zhdukura, shumë të dhunuara (mbi 20 mijë), shumë të vrara (1.721).

Kjo dramë e pafund e femrës sonë ka cytur mendjet e shumë krijuesve dhe njerëzve të dijes. Këtë tragjikë më shumë se kushdo e përjeton shpirti i një nëne, zemra e ndjeshme e një femre, që vetë i ka përjetuar e  parë nga afër, siç është autorja e librit “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për atdhe”, z. Ymrije Beqiri.

Dhe, kur një femër merret me fatin e këtyre femrave, që me gjakun e tyre ujitën rrënjët e Lirisë së shumëpritur, është për tu admiruar. Një lëndë e vështirë dhe shumë e rëndë për trajtim. Madje, dorën në zemër, e mundimshme dhe e sikletshme edhe për komentim e për lexim. 99 femra (foshnjë, fëmijë, vajza, nuse, gra, plaka) si 99 flakadanë të pashuar lirie, që për jetë e mot do të shndrisin në qiellin e Kosovës dhe do të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhmërisë.

Këto bija, motra, nëna e gjyshe, janë të moshave të ndryshme, që nga foshnja njëmuajsh (Fikrije B. Klinaku) deri të plaka 86 vjeçare (Zymrite Saraçi) dhe vijnë nga vende të ndryshme.

Edhe vrasjet e tyre janë të ndryshme: me plumb, me therje, me mbytje të dhunshme, me hedhje në puset e vdekjes, me tortura. Shfrimi i egërsisë serbe ua kalon edhe egërsive shtazarake.

Këto 99 femra të vrara, edhe pse i përkasin komunës së Vushtrrisë, në fakt vijnë edhe nga vendbanime jashtë Vushtrrisë. Gjeografia e vendbanimeve të tyre shtrihet gjithandej ku ka pasur luftime e persekutime…Këtë e vërtetojnë listat që autorja i ka marrë nga Shoqata “Martirët e lirisë” në Vushtrri, ku, përjashto ndonjë lajthitje e paqëllimtë pasaktësie, japin një pasqyrë të plotë statistikore, me datën dhe vendin e lindjes, me datën e vendin e rënies etj.

Megjithatë, shpërfaqja e kësaj  dhimbjeje të madhe kombëtare, është një domosdoshmëri e kohës, një obligim moral e kombëtar, një amanet brezash për një dëshmi të kohës zezonë. Të mos harrojmë se roli i femrës shqiptare, në të gjitha luftërat, veçan në këtë të fundit, qe i pazëvendësueshëm, andaj, babai i Elaboratit shkombëtarizues e shfarosës ndaj shqiptarëve- Vaso Çubrilloviqi, pak para vdekjes, pati thënë: “megjithatë luftën në Kosovë e fitoi nëna shqiptare” .

Një argument i vlefshëm edhe për Hagë, ku padrejtësisht po mbahen ata më meritorët për lirinë që sot po e gëzojmë, prijatarët të luftës sonë të drejtë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nismëtar i së cilës qe i madhi komandanti legjendar, Adem Jashari!

Një punë e madhe dhe shumë e vlefshme e Ymrije Beqirit, që duhet përkrahur e falënderuar! Fatkeqësisht, shpeshherë, atë që nuk po e bëjnë institucionet tona përkatëse shtetërore, po e bëjnë individët, por e bëjnë krijuesit me vullnetin e tyre të pathyeshëm.

Në të përfunduar, librit “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për atdhe”, i dëshirojmë pritje të mirë nga lexuesit, ndërkaq autores Ymrije Beqiri suksese të reja në fushën e krijimtarisë!

Vushtrri, më 5 shkurt 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok