DËLLINJAT E SHËNGJERGJIT
(dhe lulja e fjollës)
NGA NDUE DEDAJ
Kahdo shkoj nëpër malet shqiptare, nuk rri dot pa “koleksionue” dëllinjat, edhe pse diku ma ban me sy boshtra imcake, endemike, me ca lule të verdha si stoli të florinjta, që pati magjepsur dhe botanistë të huaj. Kurse lulen ngjyrë qumështi të fjollës, me pushin e imët si të një puple shpendi, nuk e krahasoj me asnji tjetër, ajo ngjet me flokët e mëndafshët të vashave të Eposit të Kreshnikëve, ku, po ta kisha të mundun, do të mbillja me të nji ngastër mu te Kopshti Botanik në Tiranë, për mos me thanë se do të kisha mveshë krejt Kodrën e Diellit. Asht lulja e krepave që e lidhun tufë, sido që ta hedhësh lart, bie në “kambë”…
Sa herë vinte Motmoti i Ri, në vitet 70, hynim në pyll dhe prisnim me sëpatë nji dëllinjë që pasi e vendosnim në çardak e zbukuronim me pak pambuk vorfnie. Bota e drunjëve me siguri nuk na e falte kët’ mëkat, por nuk kishte gojë me na qortue. Kurse tash pemën e Krishtlindjeve e kemi zëvendësue me nji bredh artificial, që personalisht nuk më thotë asgja, sado xhngla – mingla t’i vënë përsipër. Nuk duhej të ishte rastësisht dëllinja e zgjedhuna jonë, porse qe druni i shenjuar i buzmit bujar qysh nga kohët pagane.
Shëngjergji asht nji pllajë në lartësinë 600 metra, që dikur kishte kishën dhe qelën, sot shndërrue në murana gurësh, me pak lisa të vjetër në to. Prej shekujsh e kanë vizitue e përshkrue si nji vend të bukur udhëtarë italianë, francezë, anglezë etj. Në vitin 1865 prifti i Shengjergjit Dom Nikollë Bardhi, i thotë mikut anglez, shkrimtarit Fanshawe Tozer, që kishte udhëtue që nga Shkodra, se ai bante nji venë shumë të mirë në vneshtën e tij, të cilën e kishte lëvdue fort vetë Princi i krahinës, ndërsa ujin e burimit e quente ma të lehtin dhe ma të mirin në Mirditë…
Me gjithë shpyllëzimin e hapjen e tokave të reja dekada ma parë, bukuria e peizazhit prapë ka mbetun, ujëmbledhësi i ndërtuem para gjysmë shekulli për ujitje veç në ia pastë shtue hijeshinë, por mungon gjallnia njerëzore, vijojnë me banue pak familje, kryesisht të moshuem. Duket se gjithçka asht në ikje, në shuemje, përpos nji ferme lopësh në bjeshkë, dhetë kilometra nga fshati. Nuk del ma tym nga shtëpitë, s’krijohet histori në kulla e ndër njerëz, ndaj ma së shumti flasim me krojet, që kanë nji gjuhë të pandërrueme idilike. Trishtohesh kur mendon se vendlindja ka mbetun në kohën e shkueme, si një përrallë dimni “Na ishte nji Dhé”…
Çdo gja këtu ka “frymue” shqip me shekuj, çka e dëshmon dhe toponimia autoktone, nji pasuni që do të humbasë pa kthim: Gjunala, Katunthi, Marrshej, Fusha e Lisit, Prrezi, Shtera e Epër, Qershiza, Molajt, Shtufi, Shkalla e Gjadrit, Boka e Shilorit (e Gjazujve), Fushë – Rrasi, Qafë Bena, Laja etj. Lujt (Lugjet) e Bokës, ku pinte uji bagëtia e staneve verore, të kujtojnë lugjet e shumta nëpër bjeshkë, që një pllaje në Orosh i kanë dhanë emnin e tyne, Fushë – Lugje. Nëpër bokat e Kaçinarit vëren vargje apo pirgje gurësh të mbledhun nga kooperativa bujqësore për me lirue kullotat. Kujtoj me mall motrën e tim eti, Mrikën, që e çoi jetën në këtë vend, me të cilën i merrnim ndonjiherë këto tërthore, kur ajo vinte në votrën ku kishte dalë nuse.
Sot që çdo gja e shohim me sytë e së bukurës, turizmit, ekologjisë na duket si nji zbulim që në pllajat e sipërme të Shëngjergjit gjejmë jo dëllinja të rralla, por “pyll” dëllinjash, krahas atij të lisit e pishës, kjo e fundit e mbjellme nga pyjorja. Dëllinjat, me kunora të vogla, sikur i ka vu ashtu dora e njeriut për me e dekorue natyrën jo alpine. Ato ngjajnë si pemë të buta parqesh, aspak të vrazhda. Do të ishte për t’u gëzue nëse ato do të “mbarteshin” në qytetet malore nga lulishtarët e gjelbërimit.
Teksa sodis me kurreshtje në Fushë të Lisit çdo bimë të thame, dy arra, manin e zi, bojlitë e kuqe, një gështenjë të vjetër, baj dhe ndonji shkrepje fotografike enkas për Doktor Zefin, nga trojet e tij, si një kartolinë e festave. Jemi nga i njajti katund, ai me shtëpinë në krye të Shëngjergjit rrazë bjeshkës e unë në fund, jo larg Zallit të Dibrrit. Doktori më ka thënë se dy bokat e mëdha, e Kaçinarit dhe Gjazujve ishin plot me lule fjolle, kurse pak ma sipër në bjeshkë bari ishte me humb njeriu brenda. Nuk kam shumë dijeni nga bota e bimëve, por më vjen të besoj se fjolla asht ndonji lule e krijueme për boka me pak bimësi, ku ajo ndihet si një princeshë. Po e fute në ujë, të thonë, merr ngjyrë të verdhë, si me qenë “bijë” e Lugjeve të Verdha. Emnin e fjollës e kanë marrë vende e njerëz.
Këshnellet janë ditë motmoti fort të çmueme dhe ndjesia e kujtesës në Dheun e Lindjes asht si askund, pasi në vorret e vjetra te kisha e ato të reja ndër pisha prehen të parët tanë, shpirti i të cilëve ban dritë.