22/12/2024

David Agolli: Mos u shtirni si dikush që nuk jeni

0
David-Agolli

Intervistë me David Agolli, gjimnazi “Sami Frashëri”

David Agolli është fitues i Vendit të Dytë, për nivelin 3 (klasa X) në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” /2020

ShënimFondacioni “Henrietta Leavitt”Ka shumë përkufizime në lidhje me “çfarë do të thotë të jesh ekselent në shkollë”, por sado të ndryshme të jenë, të gjitha konvergjojnë në një pikë të përbashkët: nuk janë vetëm notat e larta! Ose thënë ndryshe, notat e larta janë kusht i mjaftueshëm për të qenë ekselent, por jo i domosdoshëm! Synimi është të ndryshojmë këtë lloj mendësie.

Notat kanë treguar që janë relative, sepse masin punën dhe jo pasionin. Praktika ka treguar se me mesatare të mirë bëhesh një burokrat i shkëlqyer, por rrallë nxitës i ndryshimit dhe akoma më rrallë shembull për t’u ndjekur. Zakonisht bullohen dhe fajin përsëri e ka shkolla – nëse duam të promovojmë ekselencën, na duhet t’u kërkojmë shkollave jo vetëm nxënësit me mesataren më të lartë. Na duhet t’u kërkojmë shkollave të na evidentojnë edhe nxënësit që mendojnë ndryshe, që përfshihen në aktivitete dhe kauza, që kanë synime e objektiva të qarta. Për këta lloj ekselentësh kemi më shumë nevojë!

David Agolli është njëri nga pjesëmarrësët dhe fituesit e Konkursit të Fizikës që Fondacioni “Henrietta Leavitt” organizon për të dytin vit rresht. Daivd Agolli është ekselent!

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Më përshkruaj, të lutem, veten!

David Agolli:  Personalisht do e përshkruaja veten si dikë pa paragjykime. Nuk kam të tilla! Veçanërisht ato bazuar në rolet gjinore nuk janë pjesë e perceptimeve të mia. Përpiqem të udhëhiqem nga morali. Besoj te barazia në shoqëri, pavarësisht racës, seksualitetit, fesë, gjinisë, shtresës sociale dhe ekonomike etj.

Jam realist, besoj në ç’ka ka logjikë! Jam mendje-hapur dhe nuk kam frikë nga ndryshimi.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Pse vendosët të merrni pjesë në konkurs?

David Agolli: Nuk dija asnjë gjë për këtë konkurs deri afër fillimit të viti shkollor të pazakontë 2020-2021. Kishim pak që kishim filluar shkollën, kur mesuesja e lendës së fizikës, për të cilën kam shumë respekt, më  informoi për konkursin dhe më sugjeroi të marr pjesë. Ndoqa këshillën dhe ja ku jemi!

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fizika është lëndë që mësohet se duhet mesatare e mirë, apo është pjesë e pasionit a hobit tuaj?

David Agolli: Për mua janë të dyja bashkë! Por fakti që është pasion, e bën më të lehtë arritjen e asaj note mesatare që duhet për t’u pranuar në degë të caktuara.

Fizika është një lëndë me të cilën u dashurova herën e parë që fillova ta mësoj dhe kuptoj, në klasë të 6-të. Nga ajo kohë, kam dashur gjithnjë të di më shumë se sa përfshin programi mësimor, se sa mund të gjendet në tekstin shkollor. Mendoj që sot, e mësoj edhe me më shumë pason se në atë kohë dhe moshë. Duke zgjeruar rrethin e njohurive, kam zgjeruar edhe atë të interesave.

Por qëndrojmë te interesat: duke qenë se jam në vit të 2-të gjimnaz dhe, sigurisht, duhet të mendohem për degën që do të ndjek në universitet, si fillim kam zgjedhur Arkitekturën. Mendoj që është dega që lidh më mirë fizikën me vizatimin, ky i fundit është shtuar në pasionet e mia këto vitet e gjimnazit, si një mënyrë të shprehuri me anën e disa vizave të thjeshta. Megjithatë, kam përsëri kohë të mendohem. Ndoshta edhe pedagog fizike do ishte përsëri shumë mirë.

Gjithsesi, e sigurt është që çfarëdo profili të shkoj, fizika do jetë pjesë e studimeve të larta.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në studimin e fizikës, mjaftoheni vetëm me tekstin e shkollës, apo përdorni edhe tekste e libra të tjerë? Nëse po, mund të referoni ndonjë autor, librat e të cilit i keni përdorur më shumë?

David Agolli:  Në lëndën e fizikës nuk mjaftohem asnjëherë vetëm me librin. Kureshtja ime nuk shuhet kurrë! Kam parë shumë video informative dhe shpjeguese në YouTube: Crash Course/ Khan Academy / SciShow etj. Ndërsa për sa i përket librave, gjeta një libër të vjetër të vitit të 4-të gjimnaz, i cili kishte njohuri shumë më të thelluara se këto që na jepen sot. Edhe nga ai libër kam mësuar shumë, sidomos për termodinamikën dhe teorinë e relativitetit. Por më humbi në vit të parë dhe, momentalisht, e kam zëvendësuar me librin e Fizikës 12, me zgjedhje, nga i cili mësoj gjëra të tjera, gjithnjë më shumë se sa libri i shkollës.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në çfarë dege mendoni të vazhdoni studimet?

David Agolli:  Arkitekturë mendoj, por kam shumë degë të tjera të cilat i kam me qejf si: Artet e Bukura, Aktrim, Psikologji, Mësuesi (Fizikë/Matematikë)

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fitimi i një çmimi në një konkurs kombëtar fizike është një arritje e madhe. Cili është hapi i radhës për të certifikuar arritjet tuaja? Ndonjë projekt i ri, angazhim, ese…

David Agolli:  Për momentin nuk kam asnjë hap pas këtij.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Kë dëshironi të falënderoni për arritjet e juaja?

David Agolli:  Kuptohet që mesuesen e fizikës, e cila më sugjeroi ketë konkurs, por edhe që më ka qartësuar shumë koncepte nga viti i 1-rë.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Çfarë do u këshillonit moshatarëve tuaj që ndoshta dëshirojnë të realizojnë të njëjtën ëndërr?

David Agolli:  Të mësojnë atë lëndë që kanë pasion, të jenë vetvetja, sido që të jenë, sepse fatmirësisht jetojmë në një shoqëri më të mirë dhe më bashkëkohore. Por më e rëndësishmja: mos u shtirni si dikush që nuk jeni, vetëm për të qenë pjesë e një “shoqërie” apo “grupi” të caktuar, sepse shoqëri ose grup i/e vërtetë janë ata që të pranojnë ashtu siç je, që të mbështesin në pasionet dhe ëndrrat që ke.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Konkursi u zhvillua në situatën e pandemisë COVID-19. Ju, ndërkohë, keni filluar shkollën sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha (për orientim: ngjarje të veçanta, vlerësime për shkollën dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit, marrëdhëniet që keni pasur në periudhën e izolimit me bashkëmoshatarët dhe pjesëtarët e familjes, vështirësitë që keni hasur ose mund të keni tani etj.)

David Agolli: Si mësimi on-line, ashtu edhe mësimi me turne tani njëlloj i japin vlerësim shkollës! Vlerësim maksimal!!! Të tëra mesueset që më japin mësim janë munduar shumë të  ruajnë dhe mbajnë protokollet shëndetësore dhe, në të njëjtën kohë, edhe të kryejnë mësimin në mënyrë sa më funksionale.

Jam krenar që jam pjesë e një shkolle kaq funksionale si Sami Frashëri.

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok