21/12/2024
u1_Vilhelme-Vrana-Haxhiraj

Novelë nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Udhëtoja për Itali me traget …Kur je në një mjedis të panjohur dhe udhëtimi është paksa i gjatë si kohë, çfarë nuk hamendëson…Pas gati nëntëmbëdhjetë orësh zbrita në portin e Ankonës. Prita sa i erdhi radha makinës sime. Mbarova punë me doganën dhe u nisa fillikat. U largova dhe mendjen e kisha te familja. Kisha lënë prindërit të moshuar, bashkëshorten dhe dy fëmijët. Isha i qetë sepse prindërit do të kujdeseshin që atyre të mos u mungonte asgjë. Duke kujtuar të shtrenjtit e mi, jeta nisi të më shfaqet parasysh me të gjitha ngjyrat.  E kujtoj me nostalgji kohën e shkuar, e cila nuk njeh kthim pas.  Në rrugëtimin kohor që e ka emrin “jetë”, njeriu ka disa pika kulminante që nuk shlyhen nga kujtesa. Fëmijërinë e kalova në varfëri të skajshme, megjitatë më mbushen sytë me lotë kur e kthehem pas në vite. Nuk kisha mbushur ende 19 vjeç, kur emigrova mes dallgëve të Adriatikut me një anije të vjetër. Nuk di si ngelëm gjallë atë natë të errët, pa hënë dhe pa yje…

Para emigrimit isha njohur me një vajzë me të cilën u dashurova dhe ajo më priti. Komunikonim shpesh herë dhe kur u ktheva nga kurbeti, u martuam… Sa herë largohem nga atdheu për punë, më merr malli për gjithçka, për të gjithë, por më duket sikur i bëj një padrejtësi asaj që dua baraz me jetën…dashurisë sime.

Papritur Jonidi u zhyt në mendime…

Çudi si është e ndërtuar kjo botë?! Jeta në tërësi, e gjallë apo inerte, frymore apo jofrymore, e dukshme apo e padukshme, gjendet aty, brenda asaj guaske, që ne e quajmë botë. Kjo fjalë gjithëpërfshirëse, si nocion, në shpjegimin universal, ka sa e sa kuptime: bota njerëzore, bota shtazore, bota bimore, bota ujore, tokësore dhe nëntokësore, bota reale dhe ireale. Veç këtyre është dhe nocioni i botës studimore, ku hynë degët e ndryshme të shkencës, drejtësisë, kulturës, apo arsimit dhe sa e sa botë të tjera përfshihen…në pafundësi. Veçse secila prej tyre krijon një botë më vete, me kahje ndryshe nga të tjerat. Universi përfshin gjithçka që shohim e nuk e shohim, zëra që ndiejmë e nuk i ndiejmë, trupa që prekim e nuk i prekim, produkte apo bukuri magjepsëse që i shijojmë ose nuk i rastisim kurrë. Në të përfshihen të gjitha speciet e qenieve të gjalla, qofshin këto humane, shtazore apo bimore, të dukshme dhe të padukshme që krijojnë një vazhdimësi të natyrshme, e cila sjellë përjetësinë. Për t’u përjetësuar çdo ndodhi apo më gjërë, përjetësimi i çdo bote më vete, kërkohet diçka sublime. Mendoj se përjetësia është subjektive. Kujtimi, vraga që ngelet nga një fenomen i rrallë apo nga një ndodhi e jashtëzakonshme jeton shumë gjatë në botën njerëzore. Përmes gojëdhënave, nga brezi në brezë vijnë bëmat qysh nga lashtësia. Në këtë mënyrë ndodhitë apo mënyra e jetesës janë përjetësuar. Po ndjenja të përjetshme a ka vallë?!A gjendet ndonjë çift ndokund që të jenë përjetësisht të dashuruar… ?!”- vrisja mendjen, i rehatuar në ndenjësen e automjetit “BMV”

Udhëtimi me makinë është paksa i lodhshëm, por ka bukurinë e vet. Kisha fjetur në traget, ndaj doja ta shijoja freskinë dhe bukurinë vezulluese që më falte ajo natë e bukur që dukej sikur më shoqëronte në rrugëtimin tim vetmitar. Aq më tepër në ato rrugë, ku makina duket sikur fluturon ose sikur rrëshqet mbi pistë akulli që ta bëjnë shpirtin pranverë.

Në qytetin Pavia, mbërrita në mëngjez. Shkova drejt e në hotel, ku lashë çantën e udhëtimit, bëra një dush dhe pas një udhëtimi të gjatë, pushimi disa orësh ishte i domosdoshëm. Më pas dola nëpër qytet.

Kisha shkuar në fqinjën tonë perëndimore për biznes.

Gjuhën italiane e njihja se kisha jetuar në Itali disa vite kur emigrova qysh në fillim të viteve nëntëdhjetë. Sa herë kapërceja detin Adriatik, më dilnin parasysh ato skena arratisjeje masive, ku të gjithë iknin nga sytë këmbët. Largoheshin pa kthyer kokën pas. Kapërcenin detin me se të mundnin, me anije peshkimi, gomone rimorkiator apo dhe me fuçi. Vraponin si të marrë, si të sëmurët nga Amoku, me të vetmin pikësynim, të gjenin parajsën e premtuar për gati gjysmë shekulli…Askush prej tyre nuk e kishte parë se si ishte. Vetëm secili donte të largohej nga ferri ku e kishin zhytur. Nuk pyesnin nëse jetët e tyre të brishta mund t’i përpinte deti zulmëmadh, errësira e natës, apo udhëkryqet pa fund e krye, ku i kishte përplasur vullkani jetë. Kur e kujtoj tani arratisjen e madhe nga atdheu, them: “O Zot, ajo ishte një çmenduri. Që të nisësh një rrugë pa krye, pa e njohur, madje pa menduar e imagjinuar se ku do të përfundosh, më rrëqethet mishi dhe më ngrihen flokët përpjetë si të iriqit. Sa njerëz u mbytën, sa të tjerë humbën si sopata pa bisht, sa e sa u bënë preh e mafjes dhe e drogës, atëherë falënderoj Zotin që ishim me fat dhe na priu e mbara.”

Bashkë me dy vëllezërit punova disa vjet në Itali. Kur krijuam një bazë të mirë ekonomike, vendosëm të ktheheshim në atdhe e të nisnim një biznes. Fillimisht hymë në bisedë me me një biznesmen italian, për të tregtuar pajisje elektro-shtëpiake. Na ishte dukur një punë me leverdi, ndaj e nisëm pa nguruar. Tregtia na kishte ecur mirë. Në përgjithësi shisnim me shumicë. Tashmë e kishim shtrirë aktivitetin tonë edhe në Bullgari, në Mal të Zi dhe kishim pikësynim tregëtinë me Kinën. Donin të fusnim në tregun vendas prodhimet e fundit të elektronikës perëndimore. Ndaj ndodhesha në Pavia për një kontratë të re.

Pa dalë nga hoteli lajmërova mikun tim italian, se kisha mbërritur. Pasi piva një kafe, mora makinën dhe dola. Kisha ende kohë për takimin me mikun tim, Pino, i cili ndërkohë ndodhej jashtë qytetit. Ndaj vendosa të dilja nëpër qytet. Po ecja pa ndonjë synim. Parkova makinën dhe nisa të shëtisja në këmbë. Që nga larg më tërhoqi vëmendjen një reklamë, mbi të cilën binte në sy fotografia e një çifti. Ishte një foto artistike shumë e bukur që bënte kureshtar apo tërhiqte vëmendjen e kujtdo. Ishte larg e megjithatë m’u dukën fytyra të njohura. Nga kureshtja shkova drejt reklamës dhe s’kisha gabuar. Vajza ishte nga qyteti im, të cilën e kam pasur në shkollën e mesme. U gëzova që mësova se të dy artistët bashkëshortë, Linda dhe Aleksandri ndodhen në atë qytet. Pasi lexova lajmërimin, mësova se ata do të jepnin një koncert diku aty afër. Papritur një zë pas shpine më shkëputi prej reklamës. U ktheva dhe vura re se para meje ndodhej z. Pino, për të cilin ndodhesha aty. Ai s’ishte vetëm. Me të ishte edhe një ortak i tij, i cili quhej Domeniko.

-E kishim lënë për në orën shtatë, ndaj po kaloja kohën, – sqarova.

-Jonid, po sodit reklamën? -pyeti Pino.

-Çift i bukur, shumë simpatik, -aprovoi ortaku i tij.

-Nuk ke ç’u thua?! I njoh, janë nga qyteti im…

-Çudi, janë shqiptar?! -pyeti tejet i habitur tjetri.

-Po, ajo ka qenë në të njëjtën shkollë me mua. Kurse me burrin jam njohur pasi u martuan.  Nuk i kam parë qysh kur emigrova. Besoj se duhet të kenë vite që jetojnë e punojnë këtu.

– Janë të njohurit e tu?!- pyeti Domeniko i befasuar.

– Po, po… madje kam dëshirë t’i takoj.

-I njeh apo vetëm të tërhoqi pamja e tyre. E kuptoj…Reklama e dy të huajve të habiti, ë?!

-Jo, jo… z. Pino. I njoh nga afër dhe nuk më habisin njerëz si ata. Ne të dy jemi takuar dhjetëra herë bashkë dhe kurrë s’të kam pyetur për ta se nuk dija se ku ishin vendosur.

-Jetojmë me ata në një godinë. Veçse janë për t’u admiruar. Jo vetëm janë muzikant shumë të talentuar, por janë të dashuruar sikur janë njohur dje, – ia priti z. Pino.

-Është e vërtetë…Ata të dy kanë qenë shumë të dashuruar. Si gjithë të tjerët edhe ne të rinjtë i kishim zili se ata përherë shëtisnin të kapur përdore, apo të përqafuar. Visheshin bukur të dy. Ajo vishej me minifunde apo pantallona të shkurtra dhe ai vishej sipas kohës. Më vjen mirë që vazhdojnë si atëherë që u njohën për të parën herë.  Si të gjithë ne dhe aq më tepër këta të dy që ishin artistë, donin një jetë më të mirë. Përherë kanë kërkuar më shumë nga vetja dhe profesioni. Donin të ishin “Dikushi”. Atje, në vendin tonë edhe pse ishin shumë të talentuar, një gjë të tillë ua kishte mohuar politika e egër dhe niveli i ultë ekonomik. Me pagat që merrnin nuk përballonin dot as qiranë e apartamentit. Ata punonin në orkestrën e radio-televizionit shqiptar, e megjithatë, me pagat e ulëta, u ishte mohuar e drejta e një jete normale, aq më tepër se ishin bërë prindër me një djalë.  Ndaj janë larguar dhe janë vendosur këtu.

-Po më befasoni! Si ka mundësi? Sa shumë kemi dëgjuar për shqiptarët?! – pyeti me mosbesim Domeniko që ndiqte bisedën e tyre.

-Po, po… Janë shqiptar. Jemi fqinj me ta. Kur erdhën në fillim, ata gjetën mbështetje tek gruaja dhe vajza ime. Tani jemi miq të mirë. Jemi në mosha të ndryshme, por kjo s’na pengon që të jemi të afërt, si familjarë. Janë një çift ideal dhe kanë dy fëmijë të mrekullueshëm, – u përgjigj ai dhe në sytë e tij  vura re dashamirësi dhe një krenari prej prindi.

-Më vjen mirë që paskan gjetur përkrahjen e familjes suaj, – e përgëzova i kënaqur. Të dy e kanë fituar konkursin që nga klasa eparë e deri në Institutin e Lartë të Arteve vetëm falë talentit, vullnetit dhe aftësive të tyre.

-E meritojnë. Ata nuk erdhën në Itali si klandestinë. Morën pjesë në një koknurs që u zhvillua në Firence dhe fituan, fal talentit të tyre. Madje ia vlen që shumë të rinj të marrin përvojë prej tyre. Kanë hasur shumë vështirësi, e megjithatë ata s’kthehen pas, as ndalen por ecin…vetëm ecin. Jonid, mund t’i takosh nëse dëshiron dhe po qe se je i lirë…

-Sot ne nuk mbarojmë dot punë. Këto dy ditë ju keni pushim. Besoj se të hënën do nisim…apo? – pyeta.

-Kam një ftesë për aty. Kunati im banon në periferi të qytetit dhe ka

organizuar festën e grurit, ku familja ime është e ftuar. Po ke dëshirë eja. Është mundësia më e mirë për t’u takuar me ta. Ne do marrim me vete edhe fëmijët e tyre si dhe prindërit e Lindës, të cilët tashmë ndodhen aty. S’ besoj se do të mungojnë në një koncert të fëmijëve. Cili prind nuk ka dëshirë të shijojë arritjet e fëmijëve të tij.

-Ç’është ajo fjalë?! Nuk ka prind në botë që të mos krenohet kur sheh se fëmijët madhohen. Aq më tepër i ati i Lindës ka bër një sakrificë sublime që ajo të fitonte.  Për 11 vite çdo të shtunë e ka çuar të marrë mësime private në Violonçelë te shefi i katedrës së Institutit të Arteve. Kam dëshirë t’ i takoj dhetë shoh koncertine tyre. Po si mund të vij?! Jam i huaj dhe nuk njoh askënd.

-Më njeh mua …Do të shkojmë bashkë.

-Kam dëshirë të vij edhe unë me zonjën, – iu drejtua Pinos shoku i tij, Domeniko.

Lamë orën e takimit dhe u ndamë. Festa niste në orën nëntë, ndaj u nisëm një gjysmë ore përpara. Ishte shumë afër. Vetëm pesëmbëdhjetë- njëzetë minuta larg. Ajo që më bëri përshtypje, ishin reklamat gjatë rrugës. Herë-herë z. Pino që udhëhiqte, me një bori të lehtë makine më kujtonte kudo ku ishte vendosur reklama e tyre. Një ndjenjë krenarie provonte ai sa herë shihte gjatë rrugës portretet e tyre ku shkruhej: “Orchestra Alessandro & Linda.”

-Besoj se mbërritëm…-hamendësova.

-Nga e di që festa zhvillohet pikërisht këtu? Këtu s’të zë syri as njerëz, madje as zhurma apo tinguj festiv. Ëëë? – pyeti Pino i befasuar.

-Makina ku reklamohet orkestra, duhet të jetë e tyre?

-Ashtu është. Ka dalë nga fabrika me porosi, enkas për punën e tyre.

-Qënka makinë e bukur dhe mbi të gjitha, e re.

-Është e përdorshme dhe u shërben më së miri. Është rreth shtatë metra e gjatë dhe është ndarë në dy pjesë. Përpara ka gjashtë vende të rehatshme për muzikantët, ndërsa pas është për veglat muzikore dhe garderobën, – u përgjigj ai.

Vendi ku bëhej mbrëmja ishte shumë pitoresk. Një skenë e improvizuar në anëfushë, mes gjelbërimit, barit të sapokositur, aroma e të cilit të ngacmonte nuhatjen. Në anën tjetër, përballë me skenën, gjendej një pyll i dendur me drurë të lartë. Parcela pyjore të tilla gjeje kudo në brigjet e lumit Po.  Menjëherë të bie në sy te mendja dhe dora e njeriut që e shndërron natyrën në dobi të jetës. Forma e drejtëkëndshit, sipërfaqja e kufizuar dhe rregullsia e kuadratit të parcelës, tregonin se ishin pyje të kultivuara.

“Po tek ne pse i prenë vallë? Përse e dhunuan dhe e masakruan pa mëshirë pasurinë kombëtare? Atë vend të begatë, të bukur, gjithë gjelbërim e të virgjër, e shndërruan në tokë djerrë, të zhuritur dhe në vend të saj kanë hedhur beton pa fund? Përse vallë është bërë një krim i vërtetë? A nuk është padrejtësi të shkatërrosh natyrën me pasuritë e saj?” -pyesja veten tejet i dëshpëruar.

Pas pak mbërritëm dhe si parkuan makinat, hymë në parkun natyror. Parasysh na doli një park lojërash për fëmijë me të gjitha pajisjet e duhura, ku në secilën prej tyre gjeje fëmijë që luanin.

Nonno Pino, voglio scivolare! Ti prego! -dëgjoi ai zërin e Biankës së vogël, e cila kërkonte të rrëshqiste. Ai burrë, edhe pse në moshë të thyer, e shoqëroi vogëlushen pa hezitim tek rrëshqitsja dhe i qëndroi pranë, se mos rrëzohej.

U takova me prindërit e Lindës, me djalin e tyre, Ivo. Kurse z. Pino më njohu me gruan e tij. Zonja Lina, kështu quhej, ishte një mesogrua, e cila me shumë dëshirë më ftoi të ulesha në tavolinën e tyre, që e kishin porositur për ta. Zonja më la përshtypjen e një femre të rregullt, shumë sqimatare, por mbi të gjitha ishte shumë e sjellshme. Mosha bën punën e vet, gjithsesi dukej se në të ri kishte qenë e ëmbël dhe tërheqëse. Sytë e kaltër, ende e ruanin bukurinë, veçse kishte diçka të trisht në atë shikim. Sapo vëreje që ishin të qeshur dhe kur ndryshonin e ngjasonin me qiellin e trazuar nga re të bardha e të rralla që gëlojnë me shpejtësi. Ky ndryshim i beftë më bëri të mendoje se brenda qënies së saj kishte një farë ndrydhjeje. Më pas m’u krijua përshtypja se shpirtin e saj të dëlirë si prej engjëlli, e mundonte një brengë. Kjo ishte vetëm përshtypje, se ndoshta ishte natyra e saj e mbyllur. Nisëm të bisedojmë me prindërit e Lindës dhe me të zotët e shtëpisë me të cilët komunikonim pa vështirësi. Ndërkohë i hodha një shikim zhbirues gjithë vendit përreth.

Pak më tej ishte kuzhina dhe restoranti. Para tendës, ku ishte sajuar skena, ishte pista e vallëzimit, në të dy anët e së cilës, gjithë fusha ishte mbushur me tavolina dhe karrike të bardha. Në çdo tavolinë ishte një copë karton, ku ishte shkruar emri i familjes. Sapo u ulëm në tavolinë, erdhën motra e Pinos, Silvana me të shoqin për t’iu uruar mirëseardhjen të ftuarëve. Prindërit e Lindës merreshin vesh mirë me ata. Kurse të dy zonjat mirëkuptoheshin për bukuri, edhe pse ishin me kombësi të ndryshme dhe mysafirja nuk e fliste si duhej italishten. Si duket ato i bashkonte të qënit femra. Më erdhi mirë që ato kuptoheshin me njëra-tjetrën. Të përhumbur në bisedë, papritur më kapi syri Lindën dhe Aleksandrin që ishin drejtuar për te tavolina jonë. Të dy u befasuan dhe u gëzuan shumë kur më panë. Këmbyem përshëndetjete e rastit dhe ata kërkuan falje se pas pak fillonte koncerti…

Në orën njëzetë e një nisi festa. U ndezën dritat, prej të cilave skena mori një ngjyrë të purpurtë mes reve të tymit. Më pas reflektuan rrezatime shumëngjyrëshe nëpërmjet llampave të tjera, që jepnin një pamje festive, gjë që u pasua nga tinguj orkestral, ku nën drejtimin e Aleksandrit nisi një melodi e lehtë. Pas pak mes tingujve muzikor, u dëgjua zëri i Lindës që çeli festën dhe u uroi mirëseardhjen gjithë pjesëmarrësve me një italishte të rrjedhshme dhe të kulluar. Më pas ajo paraqiti orkestrën dhe emrat e secilit instrumentist. Kurse Aleksandri u paraqiti të pranishmëve Lindën.

Po ju njoh me prezantuesen, këngëtaren dhe violonçelisten e talentuar, zonjën Linda!

Ndërkohë ajo nuk harroi të falënderonte organizatorët dhe ftoi në skenë kunatin e Pinos, Xhovanin, i cili ishte përgjegjës për festën e grurit. Ai s’reshti së falënderuari të ftuarit dhe çiftin e mrekullueshëm, muzikantët e talentuar Alessandro & Linda dhe të tjerët.

Aleksandri në fizarmonikë, i shoqëruar nga të tjerët, nisën një tango magjike. Shumë çifte nisën të kërcejnë. Secili mundohej të paraqitej sa më mirë para vëzhguesve. Më pas ai nisi t’i bjerë trompës në mënyrë virtuoze dhe pastaj mori kitarën eklektrike.

– Ju lumtë këtyre njerëzve të mrekullueshëm dhe punëtor që dinë ta organizojnë jetën sa më mirë, – shpreva unë kënaqësinë.

-Ne jemi në tokën tonë, mes njerëzve tanë, veç punës që kryejmë, kemi trashëguar diçka nga prindërit. Askush këtu, në perëndim, nuk e nis jetën nga zero, jo. Ndërsa ky çift e ka nisur nga hiçi. E kishin ndërtuar në mendjet e tyre biznesin, sepse përvoja si muzikantë nuk u mungonte, gjë që e kishin bërë për dhjetë vjet, por…u duhej një shtysë. Kur mësova prejtyre se punonin ata dhe autorsinë e merrte tjetri…, nuk m’u durua më. A s’është mëkat?! U dhashë mendimin se ata do t’ia dilnin po të ngrinin orkestrën e tyre, – m’u drejtua Pino.

Pino ishte vendas, kishte një ekonomi, por duke qenë dashamirës, i ndihmoi financiarisht që ngritën orkestrën e tyre. Kurse këta kishin talentin dhe aftësinë profesionale, ndaj…nisën një bashkëpunim të sinqertë me të. Aty mësova se Pino kurrë nuk i ndihmoi ata të dy për interes ashtu siç i kishte zhvatur dhe përdorur një hajdut i pangopur.

-Ne në vendin tonë kemi një shprehje që thotë:  “Shteti apo pronari ka në dorë edhe gurin edhe arrën!” Ata kishin nevojë të jetonin, ndaj kurrë nuk mund të dilnin mbi punëdhënësin e tyre.

-Jonid, ti s’e di sa përfitonte ai punëdhënsi nga Alessandro, vetëm se ishte muzikant i huaj dhe shumë i talentuar, – ia priti Pino.

-Më vjen keq, por si të mos e di? Vite të tëra jetova këtu dhe tashmë që biznesin e bëj me Italinë, e shoh se si veprohet me emigrantët e huaj.

-Jo, jo…nuk e ke të qartë. Unë që jam italian, po.

– E di, se Askush nuk lejon që të dalësh mbi të. Ndaj ne me vend themi: “ Kurrë nuk mund të bëhet më i madh bishti nga sqepari”. Sado i zoti të jesh, kur ke nevojë, je i detyruar të bësh të paditurin. Shpesh herë bën sikur s’sheh, sikur s’dëgjon asgjë…Herë- herë para gënjeshtrës apo të papëlqyeshmes, cilitdo që është në vendin e tij, i duhet të bëjë të verbrin, shurdhin dhe memecin, – nuk isha i bindur në sa deklaroja. Por nuk më linte të qetë ndërgjegja që më nënzërinte papushim: “Mos vallë ke harruar veten që nuk kundërshtoje për asgjë, derisa arrite një marrëveshje tregtare me punëdhënësin tënd ?!”

-E ke gabim, miku im. Me këta është ndryshe. Nuk ua ha qeni shkopin. Nëse do të kishin përkulur shpinën, nuk do të ishin këta që janë sot. Jam i bindur për sa them. Në sytë e këtij çift të ri dhe të adhurueshëm kisha vënë re dritën e shpresës për të ardhmen. Ata kishin nevojë për një fjalë të mirë që t’u rriste besimin për atë që ishin dhe për çfarë ishin në gjendje të bënin. Miku im i mirë, nuk mjafton vetëm talenti, profesionalizmi dhe dëshira për të bërë diçka. Bashkë me të janë aftësia dhe vullneti për të bërë gjënë e duhur në kohën dhe vendin e duhur, por mbi të gjitha përkrahja morale. Duke parë se këto nuk u mungonin, unë i nxita që ata ta mbajnë ndezur atë dritë që shkrepëtinte në mendjen e tyre. Duke ua rritur besimin në forcat dhe talentin e tyre, unë, gruaja dhe vajza, u dhamë mbështetjen tonë në realizimin e planeve të tyre për të qenë “Dikushi”. Fillimi është i vështirë, por tashmë jam i bindur se ata po ecin me këmbë mbi tokë, -përfundoi Pino.

Bisedën e tyre e ndërpreu zëri i Lindës që nisi të këndonte këngën “Besa me muço!”, gjë që më befasoi. Kur dëgjova edhe të shoqin që e shoqëroi atë, ktheva kokën dhe me mosbesim u ngrita në këmbë të kundroja sa më mirë.

-Që janë muzikantë të talentuar, ai, trompist i mrekullueshëm që luan me disa instrumenta muzikor dhe kompozon, kurse ajo violonçeliste virtuoze, e dija, por që të këndonin?!…Jo, nuk më shkonte kurrë ndër mend.

-Nuk ta merrte mendja, ëëë?! Nëse s’do të ishin kaq të aftë, nuk kishte si ngrinin një orkestër në vend të huaj, ku të tjerët rropaten në ndërtim apo shërbyes të rëndomtë te ndonjë i moshuar ose në bujqësi. Ndaj ajo që i bënë të jenë ndryshe, është se ata kanë punësuar katër muzikantë italianë dhe një shqiptar, -sqaroi Pino.

Pas pak u bë një pushim Linda dhe Aleksandri u bashkuan me ata. Pas pak u afrua Bianka së cilës i rrëshqisnin faqeve të buta lotët e kristaltë.

-Ç’ka kështu bukuroshja e nënës? Eja me mua mbesa ime e ëmbël! Eja të shkojmë tek shilarsi, – kërkoi ta qetësonte gjyshja.

Ajo që më habiti mua si Jonid, ishte shqetësimi i çiftit italian. Dukej hapur se ishin përgjegjës moral ndaj fëmijëve, sepse ata të dy ishin në punë tani dhe duhej të mendonin vetëm që koncerti të dilte sa më i përkryer. E vogla kundërshtonte prindërit dhe këmbëngulte që ata të rinisnin muzikën.

-Shpirt, pas pak do të fillojmë. Duhet të pimë diçka dhe të shlodhemi pak, – e përkëdheli e ëma.

-Baba, të lutem…! -i kalavarej vajza.

-Edhe pak zemra ime, se muzikantët janë shumë të lodhur.

-Unë dua të kërcej…

Vogëlushja që donte dhe tre muaj të mbushte katër vjeç, i kishte lënë të gjithë me gojë hapur, si në lëvizjet ritmike dhe në saktësinë gjatë imitimit të lëvizjeve të gjymtyrëve. Gjatë vallëzimit ishte aq gazmore, sa mund ta krahasoje vetëm me një flutur. Mezi e bindën vogëlushen dhe e çuan tek shilarsi. Mjaftuan disa lëkundjeve dhe ajo e entusiazmuar e harroi fare muzikën. Pas pak ndjeu akordimin e veglave muzikore dhe zbriti menjëherë. U sul drejt pistës, ku u bashkua me kërcimtarët e tjerë.

-Sa bukur kërcejnë? Duken sikur janë një trup baleti. A s’është për t’u çuditur? – pyeti mysafiri nga përtej detit.

-Ke të drejtë, zotëri. Rreth dhjetë çifte kanë shkuar javë të tëra për të marrë mësime baleti enkas për këtë festë. Ndaj paraqiten të tillë, -sqaroi Pino.

Papritur hodha sytë nga orkestra dhe u shtanga për disa çaste. Linda luante në bateri aq bukur, sa jo vetëm më befasoi, por dukej sikur ajo kishte studiuar gjithë jetën pikërisht për Jaz (xhez).

-Përse u zgurdullove kështu? -pyeti Pino mes një buzëqeshjeje.

-Luan shumë bukur. Nuk e kuptoj se si…

-Me punë. Ka mësuar vetë se i premtuan të luante bateri aty ku punonte Alessandro, por vetëm muri është i palëvizshëm, kurse burri dredhon. Pas një studimi të gjatë ajo u testua në një katedër dhe u afirmua për të luajtur në bateri në Firence, -tregoi ai me krenari e prindit.

-Arritjet e tyre më bëjnë të ndihem krenar, se janë shqiptar dhe nderojnë vendin e tyre, Shipërinë, – e mbështeta mendimin e tij.

-Ti i shikon këtu, por nuk i ke parë duke luajtur në Kroçera (kryqëzor) në një udhëtim fantastik nëpër Oqeanin Atllantik. Për një muaj rresht ata kanë luajtur me orkestrën e tyre të muzikës së lehtë, duke ndaluar në sa e sa porte të Atllantikut.

-Vërtet? Megjithse nuk ka asgjë për t’u habitur…

-Ata punojnë, e shijojnë jetën, kanë dy fëmijë të mrekullueshëm që na e kanë mbushur jetën edhe mua e zonjës sime me variacion dhe me gëzim.  Ajo që më pëlqen tek ata është modestia. Kurrë nuk lëvdohen apo të shprehen për atë që bëjnë. Miku im, Joinid, ti nuke di por Alessandro ishte kompozitor, aranxhues, dirigjent orkestre, luante në disa vegla muzikore dhe kurrë nuk ankohej për keqtrajtimin e pronarit të orkestrësPunëdhënësi që kishte orkestrën nuk ishte muzikant dhe reklamonte veten, duke vënë emrin e tij nëpër reklama, në vend të muzikantit të vërtetë, Alessandros. Ai ishte një hajdut i deklaruar, i cili ka përvetësuar identitetin e një muzikanti të afirmuar.

Gjithashtu Linda kurrë nuk e ka shprehur se ka punuar në orkestrën simfonike të Piaçencës, për tre vjet. Është e para shqiptare që ka marrë pjesë në Orkestrën e San Remos, me Pipo Baudo prezantues. Ka marrë pjesë jo vetëm njëherë në festivalin “Viva Napoli” dhe “Festival Bar”. Ajo për nëntë vite rresht ka punuar në orkestrën e tenorit Andrea Boçeli. Iu rrit djali, u shkoi gati dhjetë vjeç dhe donin të kishin dhe një fëmijë të dytë. Por Boçeli nuk pranonte në orkestër as gra shtatëzëna dhe as nëna me fëmijë të vegjël. Ajo pasi luajti me orkestrën e tij në Itali, në Lindjen e Mesme, në shtetet e Evropës qëndrore, në New York  etj, kërkoi të largohej pasi ishte shtatëzënë. Vetëm pesë vite ka që është shkëputur nga Boçeli dhe punojnë në orkestrën e tyre. Koncertet jepen përherë natën. Është sakrificë e madhe, madje sublime se janë prindër të dy fëmijëve, por puna u jep edhe kënaqësi, – rrëfente me kënaqësi z.  Pino kur fliste përfamiljen shqiptare.

Kunata e z. Pino, gruaja e vëllait të vdekur një vit më parë, na foli për organizimin e festave: “Jeta e përditshme është e lodhshme. Të stresuar nga hallet dhe përpjekjet për të përballur vështirësitë, gjejmë mënyrën që të shkëputemi pak nga rutina që përsëritet nga mëngjesi në mbrëmje dhe ditë pas dite. Gjejmë mënyra për t’u shlodhur, për të harruar dhe pse jo edhe për të gëzuar. Në festa të tilla takohemi me njëri-tjetrin, këmbejmë mendime dhe kujtojmë ditët që s’kthehen më. Nëse nuk bëjmë një gjë të tillë, atëhere jeta jonë do mpaket dhe ne do plakemi para kohe”, – e dëgjoja atë zonjë dhe në kokë më gëlonin mendimet për vete, për prindërit e mi, për gratë shqiptare që nuk panë një ditë të bardhë.

-Ju përgëzoj me gjithë shpirt, sepse ju dini t’i jepni kuptim jetës, -e mbështeta mendimin e saj.

Festës i erdhi fundi. Unë u ndava prej tyre i kënaqur me shpresë se do të rastisja përsëri në ndonjë festë të tillë.  “Këta punojnë që ta shijojnë jetën, kurse ne ropatemi vetëm për të jetuar. Nuk di dhe sa kohë duhet që ta jetojmë jetën në kuptimin e vërtetë të fjalës?!”- pyeta veten duke hyr në makinë.

Të nesërmen nënshkrova kontratën dhe u largova ndryshe nga herët e tjera. Ndihesha i kënaqur se më eci mbarë marrëveshja tregtare. Isha i lumtur që takova dy bashkatdhetarët e mi, me të cilët njihesha. Më erdhi mirë, madje u ndjeva krenarë që dëgjova fjalë të mira për ata të dy. Kur erdhën të më pëshëndesnin dhe të mëurtoni rrugë të mbarë, ishin të përqafuar si atëherë kur ishin studentë që duheshin. Dashuria e tyre ishte përgjigja e pyetjeve që më mundonin për ekzistencën e një dashurie të përjetshme. Nuk më ngelej që tjetër veç t’iu uroja jetë të gjatë dhe lumturi. Ata të dy kishin të drejtë kur shpreheshin:

Dashuroni si ne”!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok