30/12/2024

DARKËN E SHITA PËR NJË BIRRË

0
Kalosh-Celiku

NGA KALOSH ҪELIKU

Vite më parë gjatë Manifestimit kulturor tradicional me karakter ndërkombtar Mbrëmjet e Poezisë Strugane, në një intervistë dhënë një gazetareje të huaj në mes të tjerave thashë: Mbrëmjet e Poezisë Strugane janë të politizuara deri në palcë, më shumë ka politikanë dhe spiunë sesa poetë. Vërtetë edhe ashtu ishte në atë kohë, në Mbrëmjet e Poezisë Strugane merrrnin pjesë poetë nga të gjitha vendet e botës, po aq më shumë edhe spiunë të të gjitha shërbimeve sekrete botërore. Nuk do të thotë kjo se sot nuk marrin pjesë, edhe sot marrin porjo aq shumë si dikur në “kohën e artë” komuniste. Edhe shpenzoheshin shuma të mëdha parash për këtë manifestim kulturor ndërkombëtar të pozisë.Dorën në zemër, Maqedoninë në botë e njihnin në bazë të këtij manifestimi, me poezi sesa me politikë. Edhe ashtu duhet të ishte për një vend “demokratik” të vogël me një moshë pesëdhjetë vjeçare si vepër e Jugosllavisë titiste dhe njëzet vjeçare si shtet i pavarur që ecte drejtë zgjidhjes së çështjes së emrit si shtet i ri pa përvojë politike. Manifestimi si vepër dhe ide e qëlluar komuniste vazhdonte të marrë frymë nga viti në vit. Dihet, edhe me plot vështirësi e probleme.

Herë pas here në breg të Drinit Zi në Strugë griseshte flamuri shqiptar. Poetët shqiptar, edhe pse ishin themelues të këtij manifestimi kulturor, anashkaloheshin si pjesmarrës bashkë me gjuhën shqipe. Nuk ftoheshin në manifestim, ose i ftonin sa për sy e faqe. E për shpërbilme as që duheshte të shihnin ndonjë ëndërr me përjashtim të Adem Gajtanit që mezi e mori një çmim letrar “Vëllezërit Milladinovci” (1983), edhe atë pas vdekjes. Dyzetetetë (48) vjet më vonë me plot intervenime politike partiake edhe Fatos Arapi “Kurorën e artë” (2008). Mehmedali Hoxha (njëri nga themeluesit e këtij manifestimi), Murat Isaku dhe Abdylazis Islami hynë në varr pa këto çmime letrare, edhe pse kolegët e tyre maqedonas këto çmime letrare i rrëmbyen për herë të dytë e tretë gjatë këtyre viteve të “vëllazërim-bashkimit”.Poetët tjerë servil shqiptar dhe “kritiku i tabanit kombëtar” gjatë gjithë kohës bënin jetën e argatit në dëm të letërsisë shqipe.Ashtu e donte politika dhe koha, thonë sot rrufjanët.Shqiptarët duhet të ishin si numra zbukurimi të Mbrëmjeve të Poezisë Strugane. “Vëllezërit” i kishin poetët shqiptar kukulla, që kur të donin dhe si të donin ua tërhiqnin penjtë: ua ngrenin duart, këmbët, bythët… I emëronin si anëtarë nëpër komisione, në juri të shpërblimeve sa për sy e faqe. Mashat shqiptare, para kamerave televizive vetëm hidheshin dhe përdridheshin me vallet dhe këngët folklorike sllave. Dhe, në fund e merrnin shpërblimin: i torturonin nofullat me mish derri. Ndonjëherë i jepnin kosës edhe më shumë sesa kanë fuqi gjoja si patriotë shqiptar, dilnin edhe në Kosovë dhe Shqipëri.I ftonin miqtë e tyre poetë, po rrallëherë rastësisht ftonin ndojë Mbret të poezisë shqipe.“Vëllezërit” si gjithmonë u bienin duarve, ua rrahnin krahët.Vërtetë poezi të “arrira artistike”.Ju jeni mbretërit e poezisë shqiptare. Ndonjëri nga këta kalorës të arratisur edhe bënte pazar në emër të poezisë shqipe: shiste dhe blente çmime letrare nëpër manifestime kulturore. Shembull më i freskët është Fatos Arapi. Jo, se Arapi nuk e meriton “kurorën e artë”, po jo para Frederik Rreshpjes, Dritëro Agollit, Teki Dervishit, Xhevahir Spahiut, Musa Ramadanit, Azem Shkrelit, Hida Halimit, Ali Podrimjes, Ymer Shkrelit, Mehmedali Hoxhës, Abdylazis Islamit dhe Murat Isakut.

Përçudi, këta kalorës të arratisur të letërsisë shqipe, përveç ndarjeve të çmimeve letrare edhe ta caktonin vendin si shkrimtar në letërsi me “Antologjitë” e tyre të famshme. Kur të donin të shtinin dhe hiqnin nga planprogramet shkollore, lektyrat shkollore, librat e leximit… Komisionet e tyre teknefese dhe “juritë profesionale”, përditë e më shumë i ngushtonin radhët e tyre neokomuniste.Emronin njëri – tjetrin nëpër komisione letrare të manifestimeve kulturore, Enciklopedisë maqedonase, botimeve luksoze të “Makedonska knizhevnost” (letërsisë maqedonase).Edhe i botonin “kryeveprat” e Klanit trusakat të tyre me paratë e shqiptarëve në emër të Shtetit të “përbashkët” si libra të rrallë publicistik.Vetë i vlerësonin, vetë i nderonin me çmime letrare “veprat” e tyre të arrira artistike. Të nesërmen, pasi i rrëmbenin honoraret marramendse për “flijimet artistike-patriotike”, sharra kur u haste në gozhdë dilnin para popullit shqiptar me reagime në mjetet e informacionit: nuk na kanë pyetur “vëllezërit”, dhe ne si “intelektualë shqiptar” do të japim dorëheqje. Një ditë më vonë, harronin horrat neokomunist se ç’kanë thënë, përsëri emroheshin në komisione të tjera kulturore.Fatkeqsisht, vazhdonin t’i ndanin plaçkat e “luftës kulturore” në emër të popullit shqiptar dhe letërsisë shqipe.Përpilonin lloj-lloj listash nëpër manifestime kulturore. Punemadhe, që “poetët” e tyre nuk i njihte jo vetëm katundi, po as nëna e vet, e ku më populli shqiptar, dhe dumdumëve vite me radhë në vend të krundeve “vëllezërit” u jepnin të hanë kashtë në grazhd.

Kulminacioni i “artit të tyre gjenial” e arriti famën botërore vitet e fundit, kur filloi edhe t’ju tërhiqet freri.Goja t’u mbushet me shkumë dhe gjak.E në anëtë tjetër, “vëllezërit” edhe ua ndalën taxhinë.Përditë e më shumë u bienin me thupër bythëve si pela shqiptare.I shalonin me të katra livadheve të kositura me kosë.Tashti, e shoh gabimin.Me rrallimin e mosardhjes të politikanëve dhe spiunëve në këto manifestime kulturore, u rrallua edhe shtrurja e sofrave të begatshme poetike.Në manifestimin e fundit (pesëdhjetë vjetorin e Mbrëmjeve të Poezisë Strugane), poetëve u shtroheshte përpara nga një bokall me ujë. Fantastike: uji shkon me poezinë. Në sofër mungonte për çdo poet përkrahu ta shtronin vetëm edhe nga një xhadi. Edhe, sikur na thonin: lexoni poezi sa të doni, gjithë ditën deri në agim. Veprimi i këtillë ma kujtoi Niko Nikollën një satirist shqiptar nga Tirana, që gjatë një Akademie përkujtimore për Mehmedali Hoxhën para disa viteve në Strugë pasi na e shtruan sofrën me pije joalkoolike tha: poetët nëse do t’i bësh terbie përpara mbi tavolinë nxirru “fanta”, “coca cola” dhe “gazoza”… Edhe do të shohësh se si ju bien kokat mbi tavolinë. Niko Nikolla në atë Akademi përkujtimore në një nga restorantet e Strugës ku edhe na helmuan e tha edhe një realitet: nuk ka popull shqiptar, po ka popull shkrimtar.

Organizatorët e manifestimit poetët i kishin shpërndarë nëpër të gjitha hotelet e Strugës dhe të katundeve si Kashta e Kumbarës.Autorin e këtij shkrimi e kishin hudhur në një hotel privat në periferi të qytetit si Robinson Kruso. Që, të jetë sa më larg ecurisë dhe rrjedhave të manifestimit. Shkaku, se: ai është i pamëshirshëm në shkrime. Falë gjeturisë së tij prej shkrimtari kaloi edhe më mirë se Robinson Kruso, në mesin e miqëve poetë të paktë në numër në atë hotel. U muar vesh me pronarin e hotelit t’ia shesë darkën për një birrë. Bombat, dy “kashikara” me raki rrushi i kishte marrë me veti në çantë, ishte armatosur me kohë që nga shtëpia. Herë pas here dilte edhe në plazh, hynte para diellit në Liqe dhe dilte pas tij në breg. Poetët e tjerë nuk e kishin këtë fat, ndonjëri u kthye i dëshpruar pa lexuar edhe një poezi.Punemadhe, që i kishin ftuar dhe ardhë me aeroplan nga larg me qindra kilometra vetëm për këtë punë, të lexojnë poezi.Ndonjëri i nervozuar nga sjellja e organizatorëve iku edhe para kohe, nuk e priti fundin e manifastimit, ndarjen e çmimeve letrare mbi Urën e Drinit Zi.Përmëkeq, vitet e fundit nuk paguhen honoraret e poetëve pjesmarrës, nuk paguhet rruga.Edhe pse, këtë vit manifestimi mbaheshte nën patronatin e UNESCO.U shpërndanë edhe shumë libra të autorëve botëror e sllav, e asnjë të shkrimtarëve shqiptar. Në mungesë të përkthyesve, organizatorët aty-këtu të shumtën e herave nuk i përkthenin poezitë e disa autorëve me “arsyetim” se, donin ta dëgjonin se si tingëllon poezia edhe gjuhen e tyre në këtë manifestim kulturor?! E sidomos, nuk u përkthyen poezitë e poetëve shqiptar. Shkaku, se: “vëllezërit” vërtetë nuk e dinin se si tingëllon gjuha shqipe nëpër këto manifestime kulturore letrare në “shtetin e përbashkët”.

Poetët këta mbretër të pozisë, dita-ditës po shndërrohen në palaço të partive politike.I argëtojnë nëpër oborret e tyre politikanët teknefes me poezi patriotike – patetike. Megjithatë, manifestimi kulturor këtë vit pati edhe anën pozitive: Ramiz Merko, kryetari i komunës së Strugës për herë të parë poetët dhe të pranishmimit i përshëndeti vetëm në gjuhën shqipe. Edhe pse, para këmbëve të urës mbi Drinin e Zi, u brohoritë dhe fishkëllua nga “vëllezërit”. Nuk e dëgjova sekretarin e Ministrisë së Kulturës, z. Muzafer Bislimi gjatë koktelit në Kalishtë se në cilën gjuhë e hapi orën letrare, shkaku mungesës të zërimit (mikrofonave) në verandë të hotelit “Biser” para syve të Liqenit. E di, ju do të ma përmendni edhe atë thënjen e urtë popullore, te ne në Katund i thonë: ta han bukën dhe ta përmbysë kupën. Jo. Tradita e shqiptarit është: mysafirin kur ta thirrësh në dasëm, prite siç duhet me të gjitha nderimet, ose mos e thirrë fare. Bukë dhe shtrat ka në shtëpi, nuk ka nevojë të udhëtojë me qindra kilometra të lexojë poezi për një bokall me ujë dhe gjumë në periferi të qytetit mes gërmadhave të ndërtimeve të egra. Urime! Edhe unë në Mbrëmjet e Poezisë Strugane e fitova një çmim: Darkën e shita për një birrë.

Vërtet, edhe sot në “demokraci” sa bukur jua tërheqin penjtë!…

(Nga libri: RRUFJANI (Shkup, 2013).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok