Cili do të jetë çmimi i lirimit të tre policëve?!
Shkruan: Florim Zeqa
Këtë shkrim po e fillojë me lajmin e mirë të lirimit të tre policëve të kidnapuar nga xhandarmëria Serbe. Përderisa presidendja dhe opozita i falenderuan SHBA-të për lirimin e policëve, pushtetarët asnjë fjalë falenderuese për askë, thuajse lirimi i tyre erdhi rastësisht apo nga zemërgjerësia e shtetit serb!”
Nën ankthin e pritjes
Sikurse kidnapimi i tre policëve që nuk ishte i rastësishëm, ashtu edhe lirimi i tyre nuk ishte i rastësishëm dhe spontan siq po paraqitet prej pushtetarëve. Më shumë sesa presioni ndërkombëtar, në lirimin e tyre mund të ketë ndikuar marrëveshja dhe dakordimi paraprak mes dy palëve në “konflikt”!
Zhvillimet e fundit në veriun e vendit të mbushura me skena dhe prapaskena, me pak të njohura e më shumë të panjohura për opinionin e gjërë, janë kthyer në ankth të madh për qytetarët e vendit, ngase askush nuk e di se çfarë do t’na sjellë e nesërmja.
Ajo që tashmë dihet, është kthimi ynë prapa. Shkuarja në një proces të ri zgjedhor nuk do të paraqet zgjidhje, por vetëm prolongim dhe përseritje të situatave të njëjta, për shkak se serbët përseri do t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale në komunat veriore.
Ruajtja e partneritetit me SHBA-të, jetike për Kosovën
BE dhe SHBA nuk është qe duan Serbinë, por e kanë qëllim futjen e saj nën kontrollin e tyre dhe mbajtjen sa më largë Rusisë. Sikurse intervenimi ushtarak i NATO-s në pranverën e vitit 1999 që nuk kishte ndodhur vetëm për qëllime humanitare por për interesa strategjike ushtarake, edhe tani ledhatimi i Serbisë po ndodhë pikërisht për interesa strategjike të Aleancës Verio-Atlantike, por, për fatin tonë të keq, tani gjithçka po ndodhë në dëm të interesave të Kosovës!
Në politikë nuk ka sinqeritet dhe simpati, por ka interes dhe partneritet. E meqë është pikërisht kështu, në këtë fazë të zhvillimeve politike, Kosova duhet të tregohet tepër e kujdesshme në veprime, duke mbajtur paralelisht dy kurse veprimi; në njërën anë partneritetin me SHBA-të dhe në tjetrën interesin e shtetit të Kosovës.
Asnjëherë deri më sot Serbia nuk i ka dhënë gjë Kosovës pa marrë diçka në këmbim!
Hë për hë, enigmë mbetet çmimi i lirimit të tre pjestarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia!
Por, do të jenë zhvillimet e ditëve të ardhshme, ato që do t’na tregojnë të vërtetën dhe koston që do ta paguajë Kosova për lirimin e tyre!