14/11/2024

Çfarë po ndodhë në Kosovë?

0

Nga Gani Qarri

Në aksionin e sotëm të  Inspektoratit të Policor të Kosovës, qysh në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan hiq më pak se tetë zyrtar të policisë dhe krejt këta vetëm në stacionin jugor në Prishtinë.

Madje, të gjithë këta të ashtuquajtur zyrtar policor, të dyshuar për vepra shumë të rënda penale, si; keqpërdorimi i pozitës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, ushtrimi i ndikimit, e madje edhe  posedim, shitblerje dhe shpërndarja të substancave narkotike.

A ndodhë në ndonjë vend tjetër në botë, të grumbullohen vetëm në një stacion policorë,pa dijen e personave dhe organeve më të larta shtetërore, kaq shumë polic të inkriminuar, si në Kosovë?!

Në Kosovë, vetëm para pak më tepër se një viti kanë filluar serish edhe vrasjet enigmatike, si dhe vdekjet e dyshimta, të cilat vazhdojnë.

Përderisa me 27 shkurt të vitit të kaluar, u gjet i vdekur në veturën e tij, ish ushtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi dhe sot e atëherë nuk dihet asgjë për autorët dhe shkaqet e vrasjes së tij, me 15 janar të këtij viti vdiq në rrethana të pa sqaruara edhe ish polici Fadil Syleviq, për të cilin, njëjtë si për Kelmendin,përflitej se ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale.

Madje, pak orë pas arrestimit të ish eprorit të UÇK-së, nga fshati Matiçan Salih Mustafa dhe dërgimit të tij në objektet e Gjykatës Speciale ku aktualisht po gjykohet, qe publikuar një fotografi e Mustafës me ish-hetuesin policor, Fadil Syleviqin, i cili çuditërisht, vetëm pak muaj më vonë do të vdiste “ për shkaqe shëndetësore” mu pranë fshatit të lindjes së z. Mustafa.

Në anën tjetër, lidhjet e krimit të organizuar,duket të jenë jo vetëm të shumëfishta, por edhe aktive në shumë kahje.

Në fillim të muajit shkurt, kishte filluar procesi gjyqësor në Prishtinë, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa në fund, po të muajt shkurt, në mënyrë krejtësisht misterioze Prokuroria Speciale e Kosovës, pa pritë e pa kujtuar, tërhoqi fletarrestin ndaj të dyshuarit kryesor për përgatitjen e vrasjes së Ivanoviqit dhe njërit nga kriminelët më të mëdhenj serb të bandave në veriun e Kosovës, Milan Radoiçiqi.

Fakti se Radoiçiqi bashkë me kryekriminelin Zvonko Veselinoviq, jo vetëm që janë udhëheqësit kryesor të grupit kriminal në veri të Kosovës, por edhe të dyshuarit kryesor të përgatitjes dhe organizimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Prokurorisë së ashtuquajtur “Speciale” të Kosovës, shihet publikisht se as që i intereson fare.

Po ashtu, po kjo “Prokurori”, qysh në fillim të procesit gjyqësor tërhoqi edhe flet arrestin për të dyshuarin Radoiçiq, gjë që nuk ndodhë askund tjetër në botë, përveç Kosovës.

Ndërsa me 3 mars të këtij viti, në vazhdën e ndodhive misterioze, u shpërnda lajmi se në rrethana të ngjashme me ato të vdekjes së ish policit Fadil Syleviqi, vdiq edhe prokurori i Prokurorisë Speciale Enver Krasniqi.

Prokurori Krasniqi, ishte duke hetuar tri, nga rastet më të bujshme në Kosovë, si ai i 2.1 milionëshit të vjedhur nga Thesari i shtetit, pothuajse në fund të qeverisjes kundër-kushtetuese të Avdullah Hotit, pastaj hetonte rastin e tentimit të thyerjes së Kasafortës së Presidentit dhe atë të Listës së veteranëve, shkak për të cilin prokurori Elez Blakaj, qysh në gusht të vitit 2018, u detyrua të arratisej në SHBA dhe kërkonte strehim për vete dhe familjen e tij, në këtë vend mik të Kosovës.

Për tu bërë gjendja edhe më konfuze, njëjtë si për Suleviqin edhe për prokurorin e Prokurorisë Speciale Enver Krasniqi u tha se vdiq nën dyshimet e goditjes nga infarkti.

Të gjitha këto zhvillime të habitshme, që ndodhën si me porosi, njëra pas tjetrës,vetëm brenda një viti, shkaktojnë jo vetëm precedent të padëgjuar, por krijojnë edhe dyshime të bazuara dhe mbjellin frikë e pasiguri të pafund në opinion

Për aq më tepër,në Kosovë edhe për vdekjet në rrethana të ngjashme apo të njejta, bëhen kualifikime të ndryshme, p.sh. vdekja e Fadil Syleviqit, u cilësua si vdekje “e dyshimtë”, dhe nga prokuroria themelore në Prishtinë, u njoftua se kanë nisur hetimet për sqarimin e vdekjes së tij, ndërsa lidhur me vdekjen e prokurorit Krasniqi nuk flet askush.

E heshtja e habitshme e organeve zyrtare të prokurorisë dhe gjyqësisë së kapur të Kosovës për vdekjen e anëtarit dhe kolegut të tyre të punës dhe profesionit prokurorit Enver Krasniqit e bën edhe më misterioze dhe shumë të dyshimtë vdekjen e tij.

Enver Krasniqi ishte personi kyq që kishte më së shumti njohuri mbi rastet që ishte duke hetuar, apo ndoshta ishte edhe afër zbulimit të ndonjërit prej tyre, ndaj dhe duhej të eliminohej në qetësi, pa zhurmë të madhe dhe pa jehonë publik, duke u kujdesur maksimalisht nga profesionistët e akteve makabre, që jo vetëm vendi i shuarjes të jetë hiq më pak se tërësisht “sportiv”, dhe sa më larg objekteve të mbyllura-zyrtare të punës por edhe vdekjes së tij, ti jepet pamje krejt “jo-shqetësuese” dhe me përmbaresa tërësisht “natyrore”.

Madje për vet faktin se prokurori Enver Krasniqi ishte duke hetuar rastet speciale të krimit të organizuar si aferën e vjedhjes famoze të 2.1 milion eurove të zhvatura “për sefa” dhe pa therë në këmbë, nga Arkivi i shtetit, listën e veteranëve dhe vjedhjen e kasafortës, vdekja e tij e papritur, bëhet edhe më e dyshimtë, për të gjitha institucionet dhe qytetarët e vendit, ndaj dhe urgjentisht, rasti i tij, duhet hetuar deri në detaje.

Për aq më tepër, për vdekjen e papritur të prokurorit Enver Krasniqi, pikësëpari duhet të hetohet ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili është shumë i lidhur me SHIK-un dhe ish partitë e PAN-it, si dhe kryeministri në detyrë nga kjo parti, i qeverisë antikushtetuese Avdullah Hoti.

Të dy këta, veçanërisht për rastin e vjedhjes së 2.1 milion eurove nga Arkivi i shtetit, gjatë kohës së qeverisjes nga LDK, mund të kenë rënë në konflikt të hapur me prokurorin e Prokurorisë Speciale Enver Krasniqi, dhe siç mund të jenë të infiltruar në aferën e vjedhjes së 2.1 milion eurove, hetimet duhet të dëshmojnë se Mustafa dhe Hoti, nuk janë të involvuar edhe në parapërgatitjen e shuarjes së prokurorit, aferë e mistershme, që duket të ketë detyruar të jepte dorëheqje të parakohshme nga pozita e ministres së financave edhe vet Hikmete Bajramin.

Dhe si rrjedhojë e të gjitha këtyre “çudive”, kur lexon çdo ditë e më tepër, se edhe sa shumë polic, zyrtar adminstrativ e institucional, gjyqtar e prokuror të dyshuar dhe të inkriminuar, shpallen të dyshimtë dhe arrestohen pareshtur, sidomos tani, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosvë, çdo ngjarje dhe vdekje e pasqaruar ligjërisht bëhet edhe më shqetësuese, nëse nga profesionistët e vendit dhe ata ndërkombëtar nuk sqarohen saktësisht dhe sa e si duhet, deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok