30/12/2024

ÇETA E PROFETËVE E BOGDANIT

0
Mark-Palnikaj1

Nga Mark Palnikaj

Kjo është vepra kryesore në botimet e Bogdanit dhe u botua vetëm mbas dhjetë vitesh, në vitin 1685 në Padova me emër të ndryshuar. U botua e përkthyer në gjuhët italiane dhe shqipe. Përkthimi në italisht është realizuar nga Bogdani. Sipas asaj që ai na ka lënë të shkruar, nga fakti që duhej shkruar në dy kolona në të njëjtën faqe, edhe italisht edhe shqip, ai u detyrua shumë herë të bënte ndryshime në tekstin shqip, në mënyrë që faqet të përputheshin. Ai e konsideronte këtë vepëredhe një lloj fjalori, që do t’u shërbente shqiptarëve dhe italianëve për të mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Kjo vepër i ka kushtuar Bogdanit më shumë se dhjetë vjet për ta shkruar dhe përkthyer. Ai në shkrimet e tij nuk e thotë qartë, por ne e marrim vesh se ai për hartimin e kësaj vepre në gjuhën shqipe ka përdorur botimet shqip të Gjon Buzukut, të Pjetër Budit, fjalorin latinisht shqip të Frang Bardhit dhe gramatikën latinisht shqip të xhaxhait të tij Ndre Bogdani. Në librin e tij ai shkruan se e humbi gramatikën e xhaxhait të tij, pa thënë se sa i ka shërbyer atij për të shkruar veprën e vet. Siç del krejtësisht e qartë nga dokumentet e Propagandës Fide, ai këtë vepër e shkroi tërësisht gjatë kohës që ishte Ipeshkëv i Dioqezës së Shkodrës. Gjuha shqipenë atë kohë nuk ishte e kodifikuar dhe nuk kishte një gramatikë të publikuar zyrtarisht. Prandaj barra që i kishte ngarkuar vetes Bogdani ishte e dyfishtë: letrare dhe gjuhësore. Si vepër letrare, Çeta e Profetëve është e para vepër në prozë në gjuhën shqipe. Veprat e tjera të shkruara më parë nga ai dhe të tjerët, ose ishin në gjuhë latine, ose ishin disa poezi, por veprat e tjera ishin thjeshtë përkthime të veprave të ndryshme me karakter fetar. Problemi i gjuhës për hartimin e kësaj vepre ka qenë një problem shumë i komplikuar dhe vetëm njerëz si Bogdani, me përgatitje akademike, me dy shkolla të larta të mbaruara dhe me doktoraturë të mbrojtur, mund ta realizonin. Gjuha shqipe nuk i kishte të gjitha fjalët e nevojshme për hartimin e një vepre të tillë, që midis të tjerash, është edhe shkencore. Termat e fjalëve shkencore kur nuk ekzistonin, ato duheshin krijuar duke bërë bashkime fjalësh, dhe ky ka qenë problemi kryesor, por edhe kontributi më i madh i tij. Për të shkruar veprën e tij, Bogdanit nuk i mjaftonin germat e gjuhës latine prandaj ai u detyrua të huazonte disa germa nga gjuhë të tjera. Shtypshkronja kishte germa të gdhendura në plumb nga gjuhët e tjera, por gjuha shqipe nuk ishte e formalizuar dhe nuk kishte një alfabet të sajin. Prandaj libri i Bogdanit duhet të shtypej me germat që ishin në magazinën e shtypshkronjës, duke i huazuar dhe përshtatur. Në mungesë të një gjuhe normative arbërore, ai siç edhe e ka deklaruar vetë, ka përdorur gjuhën e nënës së tij, pra dialektin e Hasit (në gjuhë fshati ose sermo rusticus), dhe dialektin shkodran (gjuhë qytetare ose sermo urbanus).

(Marrënga libri KLERIKË ATDHETARË të shkruar nga unë në vitin 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok