21/12/2024

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI DHE FAKTORI NDËRKOMBËTAR

0
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Ka pasur të tillë që kanë thënë: “Maqedonia do të ndahet…” Me fjalë të tjera, Maqedonia do të ndaka më dysh: pjesa veriperëndimore – Shqipërisë, ndërkaq, ajo juglindore – Bullgarisë.  Duhet ditur se Maqedonia është e përkëdhelura e faktorit ndërkombëtar. Uashingtoni nuk do ta kishte lejuar ndarjen e Maqedonisë.

Faktori ndërkombëtar nuk i mbështet pikëpamjet, qëndrimet dhe veprimet politike që cilësohen si radikale dhe destabilizuese. Por, shtrohet pyetja: “Ç’është ajo që quhet radikalizëm”? Shqiptarët duhet t’ia bëjnë me dije faktorit të huaj se asnjë kërkesë e shqiptarëve nuk është radikale, derisa nuk e vë në dyshim tërësinë tokësore të Maqedonisë, apo kufijtë ndërkombëtarë të saj.

Nga kjo del se

– Kërkesa e shqiptarëve që t’u njihet statusi i popullit shtetformues nuk është kërkesë radikale.

– Kërkesa e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë – nuk është radikalizëm.

– As kërkesa e shqiptarëve për të krijuar një Maqedoni me dy entitete, nuk është radikale, por reale.

*   *   *

Bosnja dhe Hercegovina është shtet me dy entitete:

– entiteti i Federatës Myslimano-Kroate, me 51 % të territorit, dhe

– entiteti i Republikës Serbe, me 49% të territorit.

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej tre popujve konstitutivë (shtetformues):

– prej myslimanëve, të cilët para luftës së vitit 1991 përbënin 44% të popullsisë;

– prej serbëve, të cilët para luftës së sipërthënë përbënin 34% të popullsisë dhe

– prej kroatëve, të cilët para luftës përbënin 15% të popullsisë;

– prej bashkësive etnike të tjera (7%).

Në Bosnjë dhe Hercegovinë fliten tri gjuhë zyrtare: serbishtja, kroatishtja dhe boshnjakishtja (siç e quajnë myslimanët të folmen e vet)

*   *   *

T’u njihet shqiptarëve statusi i popullit shtetformues, federalizimi i Maqedonisë apo krijimi i dy entiteteve në të, nuk e vë në dyshim sovranitetin e Maqedonisë, tërësinë tokësore, apo kufijtë ndërkombëtarë të saj.

Faktori ndërkombëtar nuk parapëlqen parti politike të mëdha dhe të fuqishme. Përse! Për arsye se partitë e mëdha dhe të fuqishme mund të ndjekin politikë nacionaliste, mund të imponojnë kërkesa radikale, më vështirë vihen nën kontroll, shpejt mund të korruptohen, shndërrohen në forcë jodemokratike. Kur një parti politike forcohet shumë, me atë rast të huajt presin prej saj të reformohet dhe të demokratizohet. Po qe se partia politike nuk reformohet dhe nuk demokratizohet, ajo privohet nga mbështetja e të huajve. Faktori i huaj nuk i parapëlqen nëpër parti politike individët që hiqen si radikalë, militantë, ekstremistë, nacionalistë, ksenofobë, autokratë, despotë…Në të vërtetë, në partitë shqiptare s’ka ekstremistë, radikalë dhe militantë. Përkundrazi, ka oportunistë, konformistë, karrieristë, demagogë, poltronë, diletantë dhe kuaj Troje.

Faktori ndërkombëtar do t’i kishte mirëpritur fraksionet që do të lindnin në partitë e mëdha. Të huajt nuk do të kishin parapëlqyer që e njëjta parti apo e njëjta bashkëlidhje qeverisëse të qeverisë shtetin dy mandate radhazi, e të mos flasim për një qeverisje tremandatëshe të pandërprerë.

Po qe se një parti e madhe nuk reformohet, nuk demokratizohet, korruptohet, i shkel parimet etike dhe parimet e demokracisë, është e mundur që ajo një ditë të ballafaqohet me skandale – të njëmendta apo edhe të sajuara nga shërbime sekrete të ndryshme. Në raste të tilla, rëndom vihet në shënjestër kreu i partisë së caktuar. Ajo që kurrë s’e falin amerikanët është abuzimi i votës së lirë të qytetarit.

Të huajt parapëlqejnë baraspeshën e raportit të forcave, si në hapësirën politike maqedonase, ashtu edhe në atë shqiptare. Të huajt nuk parapëlqejnë që partitë politike të cilat përbëjnë mazhorancën – të jenë të forta, ndërkaq opozita – të jetë e dobët. Proceset demokratike mund të zhvillohen më lehtë, vetëm kur kemi baraspeshë të forcave politike.

Forcimi i VMRO-së është rast specifik. VMRO-ja proklamohet si faktor që synon të përkufizojë (të definojë) dhe të ndërtojë identitetin kombëtar maqedonas, d.m.th. të zgjidhë krizën e identitetit. Rrjedhimisht, politika e saj është nacionaliste, si ndaj shqiptarëve brenda, ashtu edhe ndaj fqinjëve serbë, bullgarë dhe grekë në rajon. Në këtë “mision” të saj, VMRO-ja has në mirëkuptimin e faktorit të huaj, sidomos të SHBA-së. Me fjalë të tjera, para nacionalizmit të VMRO-së, të huajt e mbyllin njërin sy. Në kontestin rreth emrit me Greqinë, BE-ja, sidomos njëra prej lokomotivave të saj – Franca – është me Greqinë. SHBA-ja ndërkaq, hiqet si asnjanëse, për të mos thënë se, në rastin konkret, nuk e mbështet Athinën.

Sot në Maqedoni kemi tri çështje të pazgjidhura:

– e para, çështja shqiptare;

– e dyta, krijimi i identitetit maqedonas (kriza e identitetit);

-e treta, kontesti me Greqinë.

Dy çështjet e fundit: krijimi i identitetit maqedonas, në një anë dhe kontesti me Greqinë, në anën tjetër, janë të lidhura ngushtësisht. Po të krijohet identiteti maqedonas – humbka Greqia; dhe vice versa: po ta fitojnë kontestin grekët –  maqedonasit mbetkan pa identitet.

Kështu sepse, sipas qarqeve ultranacionaliste maqedonase, pa ndërlidhje me lashtësinë, nuk mund të ketë komb maqedonas. Me atë rast, mbi sllavo-maqedonasit do të ngadhënjyeka teoria bullgare. Maqedonia është term gjeografik – antik. Nuk ka komb maqedonas apo sllavo-maqedonas. Sllavo-maqedonasit që jetojnë në Maqedoninë e Vardarit – nuk janë veçse bullgarë. Gjuha që flasin ata, s’është veçse bullgarishte.

Në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të qindvjeçarit XX, në gadishullin grindavec shpërtheu bellum omnium in omnes. Ballkani ishte fuçi baruti. Në vitet 1912-13, d.m.th., gjatë luftërave ballkanike, këto vise u pushtuan nga Serbia. Në Konferencën e Paqes në Bukuresht (1913) Maqedonia u nda ndërmjet: Greqisë, e cila e mori bregun e Egjeut të Maqedonisë, me qendër Selanikun (mbi 50% të këtij territori); Serbisë, e cila e mori rajonin e gjerë rreth rrjedhës së sipërme të Vardarit, të cilit, pas disfatës së Bullgarisë në Luftën I Botërore, iu shtua edhe qarku i Strumicës; dhe Bullgarisë, së cilës i takoi pjesa më e vogël Maqedonia e Pirinit (diç më tepër se një e dhjeta e këtij territori). Me fjalë të tjera, që nga viti 1912 e deri në shpërbërjen e amalgamës jugosllave (1991) sllavo-maqedonasit, të cilët, siç u tha më sipër, s’janë veçse bullgarë, bashkëjetojnë me Serbinë, me serbët dhe me serbosllavinë. Si rrjedhojë, kjo bashkësi sllavo-folëse, nuk është: as bullgare dhe serbe, por është një përzierje bullgaro-serbe.

Në kontestin midis Shkupit dhe Athinës, faktori ndërkombëtar dëshiron një zgjidhje të llojit: Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet.

Por, preokupimi i VMRO-së rreth identitetit maqedonas është artificial dhe i pabazë. Rrjedhimisht del se në Maqedoni ekziston vetëm një problem real – çështja shqiptare dhe rregullimi i marrëdhënieve ndëretnike – shqiptaro-maqedonase. Me stabilitet ndëretnik të brendshëm Maqedonia do t’u bënte ballë synimeve ekspansioniste të fqinjëve.

Në agjendën e faktorit ndërkombëtar, nuk janë kërkesat e shqiptarëve, por çështja e identitetit maqedonas si dhe kontesti me Athinën. Para ndërkombëtarëve, kërkesat e shqiptarëve janë në plan të dytë. Kërkesat e shqiptarëve janë viktimë e dy çështjeve të sipërthëna: e krizës së identitetit maqedonas dhe e problemit me Greqinë.

Por, zgjidhja e kërkesave të shqiptarëve nuk është në kolizion me synimet e VMRO-së për të krijuar identitetin maqedonas. Me fjalë të tjera, zgjidhja e kërkesave të shqiptarëve nuk i rrezikon synimet e VMRO-së për të krijuar kombin maqedonas. VMRO-ja ndërkaq, kombin maqedonas synon ta krijojë në dëm të shqiptarëve, duke ua mohuar atyre statusin e popullit shtetformues. VMRO-ja duket sikur thotë: “Nuk mund t’ua njohim shqiptarëve statusin e popullit shtetformues, kur maqedonasit janë pa identitet, janë në rrugë të kërkimit të identitetit, kanë krizë identiteti”. D.m.th. prej qorrit, mos kërkoni sy.

Në këtë mes, VMRO-ja lufton në dy fronte:

– e para, kundër shqiptarëve brenda;

– e dyta, kundër Athinës – rreth identitetit.

Shtrohet pyetja: Nga e merr forcën VMRO-ja, për të luftuar në dy fronte?! Mbase, nuk është pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Është naive të besohet se një Gruevski mund t’u bëjë ballë:

– shqiptarëve;

– vendeve të rajonit; dhe

– faktorit ndërkombëtar – SHBA-së, NATO-s dhe BE-së.

Rrjedhimisht del se nacionalizmi i VMRO-s nuk është pa mbështetjen e të huajve. Por, derisa të huajt tregojnë mirëkuptim për politikën nacionale të VMRO-së, në asnjë mënyrë ata nuk e mbështesin ideologjinë nacionaliste të saj. Pra, ndërmjet politikës nacionale të një shteti në krijim, dhe ideologjisë nacionaliste të tipit të shekullit XIX (shekull i krijimit të kombeve), të huajt mund të kenë mirëkuptim vetëm për politikën nacionale, por jo edhe për ideologjinë nacionaliste. Kjo nënkupton që në kontestin me grekët, Gruevski duhet të pranojë kompromis. Refuzimi i kompromisit nga Gruevski, nënkupton se VMRO-ja ka pretendime territoriale në rajon.

Për të mos rënë në sy se çështja shqiptare është në plan të dytë, të huajt dhe Gruevski zbatojnë strategjinë e kompensimit. E kjo do të thotë:

– e para, të njihet pavarësia e Kosovës; të vendosen marrëdhënie diplomatike me të;

– e dyta, shqiptarëve t’u zgjidhen – edhe atë në mënyrë paliative apo gjysmake – vetëm ca kërkesa kulturore, si: themelimi i galerisë së arteve, i teatrit, i Muzeut të Kongresit të Manastirit… Asnjë nga këto kërkesa nuk janë politike.

Mirëpo, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi, nuk mund të jetë kompensim për refuzimin e çfarëdo kërkese politike të shqiptarëve. Kështu sepse, raportet e Maqedonisë me Kosovën, janë raporte ndërmjet dy shteteve të rajonit. Me fjalë të tjera, Shkupi duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, jo vetëm për hir të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për shkak të interesave të përgjithshme të të dy vendeve dhe paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

Duket qartë se të huajt e marrin me të mirë Gruevskin dhe i tolerojnë politikat  antishqiptare të tij, vetëm e vetëm që të pranojë kompromis me grekët. Duket sikur i thonë: “Ti ke rejting të madh. Kjo të mundëson që më lehtë ta zgjidhësh kontestin me Athinën”.

Por, rejtingu i VMRO-së dhe i Gruevskit është rritur pikërisht për tri arsye:

– për antishqiptarizmin e tyre;

– për synimin e krijimit të identitetit maqedonas; dhe

– për qëndrimin e fortë ndaj grekëve.

Në Samitin e NATO-s në Bukuresht u tha: “Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për të qenë anëtare e Aleancës. I duhet vetëm ta zgjidh kontestin rreth emrit”.

Nga kjo rezultoi se, për shefat e vendeve – anëtare të NATO-s, kërkesat e shqiptarëve për barazi, ishin inekzistente.

E vërteta ishte dhe është se, për të qenë anëtare e NATO-s dhe e BE-së, Maqedonia nuk e plotëson kërkesën kryesore: shqiptarëve, që përbërjnë një të tretën e popullsisë së Maqedonisë, t’ua njohë statusin e popullit shtetformues.

Shqiptarët në Maqedoni janë faktor që në çdo çast mund të vënë në veprim – planin B. Me këtë nënkuptohet: Të bashkohen, të mos hyjnë në qeveri dhe t’ia shtrojnë palës maqedonase programin kombëtar. Refuzimi eventual i tij, do të rezultonte me krijimin e sistemit paralel.

Të huajt nuk e parapëlqejnë bashkimin e faktorit politik shqiptar. Sipas tyre, kjo shpie në homogjenizim etnik, krijon njëmendësi ideologjike dhe politike, shpie në radikalizëm, i ngadalëson proceset demokratike, destabilizon rajonin dhe determinon edhe homogjenizimin etnik të palës maqedonase. Por, të huajt duhet ta dinë se homogjenizimi politik i shqiptarëve imponohet si imperativ, ngase ata luftojnë për të drejta themelore, historikisht të justifikueshme, ndërkaq pala maqedonase nuk ka përse të homogjenizohet, përderisa e ka në dispozicion shtetin.

Partitë politike shqiptare, çdo dështim të vet e arsyetojnë: “Kështu na sugjerojnë të huajt. A mund t’i refuzojmë të huajt, aleatët tanë, miqtë tanë…”

Por, edhe miqve perëndimorë duhet t’u thuhet: “Është një vijë e kuqe të cilën shqiptarët në asnjë mënyrë nuk mund ta tejkalojnë”. Tekembramja, çdo familje shqiptare, e ballafaquar me probleme ekonomiko-sociale është një histori në vete.

Kërkesat politike të shqiptarëve ndërlidhen ngushtësisht edhe me problemet ekonomiko-sociale të tyre.

BE-ja, sipas standardeve të veta, popujt pa status shtetformues, i trajton pakicë apo minoritet. S’është e rastit që BE-ja, për shumë kërkesa të shqiptarëve, angazhon emisarë për pakica si: ambasadori i OSBE-së, gjermani Gert Arens (Geert-Hinrich Arhens, 1934-); politikani dhe diplomati holandez Maks van der Shtul [Maximilanus (Max) van der Stoel, 1924-2011]; Komisari i lartë i OSBE-së, diplomati norvegjez Knut Volebek (Knut Vollebaek, 1946-).

Rrjedhimisht, këta emisarë, për kërkesat e shqiptarëve, gjithmonë ofrojnë zgjidhje gjysmake, minoritare.

Problemi qëndron në faktin se vetë shqiptarët nuk e kanë të përkufizuar statusin e vet. E konsiderojnë veten popull shtetformues, apo minoritet?! Po qe se e konsiderojnë veten popull shtetformues, atëherë duhet të kërkojnë nga BE-ja emisarë, jo për pakica, por për popuj shtetformues. Zhan-Pol Sartri thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet.” Shqiptarët nuk duhet të fajësojnë VMRO-në dhe Gruevskin. Ata janë të mirë për popullin e vet. Shqiptarët duhet ta kërkojnë fajin në vetvete. Nuk mund ta kritikosh qeverinë, duke qenë njëherazi pjesë e saj. Kjo është hipokrizi, demagogji dhe mashtrim i popullit..

Pavarësisht nga kushtetuta dhe nga ligjet, si në shkallë shteti, ashtu edhe në nivel vendor, shqiptarët duhet të mendojnë dhe të veprojnë si popull shtetformues. Çështja shqiptare nuk është çështje ligjesh, por është çështje politike.

Jo çdo qëndrim i të huajve është në përputhje me interesat e shqiptarëve. P.sh., miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, faktori ndërkombëtar në Maqedoni e përshëndeti njëzëri. Por, doli se ky ligj është në kundërshti me vullnetin e popullit shqiptar.

Boshti sllavo-bizantin i Ballkanit, i mbështetur nga Rusia, që nga Kongresi i Berlinit, nga Konferenca e Londrës dhe ajo e Parisit (1919) e deri më sot, në kancelaritë evropiane i paraqet shqiptarët si përçues të interesit turk, arab, persian dhe islamik në Evropë. Pikërisht për këtë arsye shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë popull perëndimor dhe se funksionojnë me vlerat e këtij qytetërimi.

Ndryshe, me vetëdije apo pa të, do ta çonin ujin në mullinjtë e Beogradit, të Athinës dhe të Moskës.

Daljen e faktorit politik shqiptar nga qeveria, të huajt do ta konsideronin si akt destabilizues. Akt destabilizues do ta konsideronin edhe mos-hyrjen e tij në qeveri. Por, mos-hyrja e shqiptarëve në qeveri, mund të rezultojë me zgjidhjen e statusit politik të tyre. Përndryshe, mos-hyrja e shqiptarëve në qeveri dhe moszgjidhja e kërkesave të tyre do të gjeneronte në krijimin e sistemit paralel. Sipas të huajve, kjo do të destabilizonte Maqedoninë dhe rajonin. Destabilizimi, sipas tyre, nuk është në favor të shqiptarëve në Ballkan.

Shqiptarët ndërkaq, janë të vetëdijshëm se asnjë hap nuk mund të bëjnë në rajonin sllavo-bizantin, pa mbështetjen e SHBA-së.

Të huajt prore flasin për demokraci multietnike. Por, politika e VMRO-së është në kundërshti me përbërjen dyetnike të këtij vendi. Veprimet nacionaliste të saj u refuzuan njëzëri prej shoqërisë shqiptare. Duke i përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike, VMRO-ja rrezikon stabilitetin dhe perspektivën e Maqedonisë. S’e vëren këtë faktor ndërkombëtar?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok