16/11/2024

BURRELI, NJËQIND VJET QYTET

0

NGA NDUE DEDAJ

U ndodhëm në Burrel, në fillim të majit, në kremtimin e njëqindvjetorit të tij si qytet. Në vitin 1922 qendra e Nënprefekturës së Matit nuk do të ishte më Lisi, por do të zhvendosej në Burrel, asokohe një fshat me 61 shtëpi, që hap pas hapi do të merrte pamje urbane. Shekullin e tij administrativ, Bashkia e Matit do ta festonte me banorë të ardhur nga i gjithë rrethi dhe plot miq të ftuar, akademikë nga Tirana, kryebashkiakë fqinje, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta etj. Kryetari i Bashkisë Agron Malaj, krahas mirëseardhjes, u foli të pranishmëve rreth hapave të ndërmarrë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të fshatrave dhe zhvillimin e turizmit me përparësi, çka e tregonte më së miri vetë qyteti i shndërruar atë ditë në një panair agroturizmi dhe agrobiznesi, me produkte të shumta ushqimore e artizane, sjellë nga Ulëza, Bazi, Derjani, Rukaj, Macukulli, Komsia, Lisi, Klosi, Xibri, Gurra, Kurdaria, Suçi etj. “Mirë se vini në Mat!” ishte jo vetëm ftesa e një dite, por e të gjitha ditëve e stinëve drejtuar turistëve, mbasi Mati është një rezervat vlerash muzeore të kulturës materiale dhe shpirtërore, në të gjithë arealin e tij.

Festa ishte organizuar bukur, me të gjitha të mirat, si i thonë, ku të ftuarit u sajdisën me giuda të ndryshme shqip e anglisht dhe me një medalion ku shkruhej: “Burreli, 100 vjet”. Qyteti ka ndërruar pamje vitet e fundit, ashtu si të gjitha qytetet dhe qendrat e tjera urbane të Shqipërisë. Rikonstruksioni i sheshit “Kastriotët”, para godinës së Bashkisë, me pllaka mermeri dhe gurë vendi, me shëtitore dhe stola, në harmoni me parkun e gjelbëruar dimër-verë, i ka dhënë qendrës së Burrelit një pamje moderne, ku veç banorëve, frekuentohet dhe nga turistët që shkrepin aparatet dhe bëjnë video.

Dje për të ardhur në Burrel e Dibër ishte vetëm “Rruga e Dritës”, që nisi të hapej nga Shkopeti, në vitin 1952, duke zëvendësuar rrugën e vjetër që kalonte nga Uraka e Perlati (që u rindërtua e asfaltua me 2009) e tash do të jetë dhe Rruga e Arbërit. Matit po i rikthehen rrugët e vjetra, nëpër të cilat “lëvizi” historia e tij qindra e mijëravjeçare. Akademik Neritan Ceka, njëri nga kumtuesit në konferencën shkencore kushtuar njëqindvjetshit të Burrelit qytet, foli për lashtësinë e Matit, që nis me shpellat e famshme të Blazit, Nezirit, Këputës, tumat e Bazit, Bushkashit, Karicës, Klosit etj. Sipas tij, Mirdita dhe Mati kanë dëshmuar një kulturë të zhvilluar ilire që nga shekulli VIII para Krishtit, çka lidhet me shfrytëzimin e mineralit të bakrit, ku me rëndësi duhet të ketë qenë sipas arkeologëve edhe qarkullimi i udhëtarëve e mallrave nëpër luginën e Matit dhe Fandit. Duke u njohur me dëshmi të tilla, kupton se ky rajon malor dhe ato fqinj me të, si Dibra, Mirdita, Martaneshi etj. nuk ishin të izoluar, por ndërlidheshin me Durrësin, Tiranën, Shkupin etj.

Kemi pasur rastin ta shëtisim Matin në disa zona dhe kemi parë se ai mbart një pasuri të rrallë monumentale, me vizatime të lashta shkëmbore në “shpella të shkrueme”, enë qeramike antike, përkrenare ilire, stoli grash, vegla pune, kalanë ilire të Xibrit dhe ato mesjetare të Stelushit, Gurit të Bardhë, Bruçit etj., të lidhura ngushtë me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, sot objekte të lakmuara nga turistët. Tregues të kulturës tregtare kanë qenë dhe pazaret e vjetra të Klosit, Derjanit etj. Më Rrugën e Arbërit po iu dalin dhe më shumë në pah vlerat historike urave të vjetra, si Ura e Vashës që tash mbi “supet” e saj është ndërtuar një e re. Në Mat do të ishte e udhës të vije qoftë dhe për “Formulën e Pagëzimit” (1462), që la gjurmën e parë të shqipes në këto kreshta diellore, apo për poetin e parë shqiptar, ipeshkvin Pjetër Budi. Çdo pëllëmbë toke matjane është e mbarsur me histori – Shtjefni, Dukagjini, Burgajeti, Ceruja, Darsi etj., sa ç’janë rrënoja historike të shuara, aq janë dhe atraksione turistike. Edhe një varr i vjetër në oborrin e kishës së Suçit është dëshmi e kësaj pasurie.

Mati vjen e shpaloset përmes folkut të tij të spikatur, veshjeve popullore të zonave, valleve dhe këngëve matjane, zërit të papërsëritshëm të Feride Kurtit dhe magjisë melodike të Ymer Nelit, lirikave të Basir Bushkashit, pikturave të Tahir Tahirajt, kërkimit shkencor të pareshtur të Dilaver Kurtit, që “zgjaton” deri tek i biri, Artani, i cili së fundi ka publikuar librin etnografik “Matja në gur e në dru”, kushtuar kullave matjane, simbolikave, dekorimeve, traditave dhe ritualeve të tyre. Burreli, qyteti i mollëve, ka shenjat e veta, ndër të cilët sheshin “Kastriotët”, parkun e Nënës Mbretëreshë, gjimnazin, muzeun historik, bibliotekën publike që mori emrin “Pjetër Budi”, gazetën “Mati”, revistën “Emathia”, Mat Televizion etj. Një nga shenjat e djeshme të Burrelit ka qenë dhe uzina e ferrokromit, qendra kryesore industriale e rrethit, njëherësh ndërlidhëse me traditën e lashtë nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve në këtë trevë. Nuk mund të mos përmendet dhe “Burgu i Burrelit”, ku gjatë regjimit komunist u ngujua ajka e disidencës shqiptare, kujtesa e ndritur e së cilës ende pikon dhimbje.

Natyra e ka begatuar këtë territor me luginën e Matit, nga Ulëza e deri në Kryemat (Klosi i Epërm), nga luginat më të bukurat shqiptare, me vargmale që e qarkojnë si kurorë Matjen, nga “Mali i Skënderbeut” tek ai i Dejës, liqene si të Balgjajt, gurra si ato të Gurit të Bardhë apo e Shutrrisë etj. Një visar ekologjik e turistik shpresëdhënës. Fillime të mbara ka. Sot duhet ta porosisësh një drekë peshku në Ulëz në fundjavë, apo një darkë me gatime tradicionale në Burrel etj.

Mati shtrihet dhe përtej territorit të vet gjeografik, përmes lumit – shndërruar në liqen i dy prej hidrocentraleve të para të vendit, që i ka dhënë emrin dhe fushës së Bregut të Matës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok