Burrë i Hotit, si dikur motit
Gjeto Kolë Uci Camaj (1931- 2020)
Nga Gjekë Gjonaj
Më 11 mars 2020 në moshën 89 vjeçare, vdiq Gjeto Kolë Uci Camaj. Në ceremoninë e veçantë të lamtumirës së tij , në Qendrën Funerale “ Malësia” në Tuz, ishin të pranishëm qindra shqiptarë nga Malësia e më gjerë. Trupi i tij i pajetë u përcoll me nderime të mëdha. Tashmë ai prehet i qetë në gjirin e tokës mëmë, i rrethuar nga kujtimet e përmbledhura në një shprehje të vetme: Ai vdiq për të lënë një emër të mirë.
Njohja ime me këtë burrë me mision fisnik
Për Gjeto Kolën kisha dëgjuar në moshën e fëmijërisë nga prindërit e mi, Gjon Marku e Noc Dokja. Ata gjithmonë flisnin fjalë të mira për këtë burrë nga Hoti dhe i gëzoheshin çdo takimi me të. Ai vinte shpesh në Triesh, në fshatin Muzheçk, jo larg katundit tim të lindjes, Rudinë, sepse vizitonte miqtë e tij, familjen e njohur të Kolë Dedë Prëlit Nikollaj. Qysh atëherë e mbaj mend këtë njeri të ndershëm dhe të mirë. Më vonë kjo njohje vazhdoi me kontakte të herëpashershme dhe përfundoi me një shoqërim shumë të përafërt e vëllazëror. Nga intervistat e mia që i zhvillova në shtëpinë e tij familjare në fshatin Sukruq, afër Tuzit për Emisonin “ Kronika e Javës” , gjatë kohës kur punoja si gazetar i Televizionit të Malit të Zi, u binda plotësisht se Gjeto Camaj është një njeri me mision fisnik, i ndershëm, mikpritës dhe i arsyeshëm.
Njeri me vlera të larta njerëzore dhe kombëtare
Nga ata që e njohën dhe patën rastin të punojnë me të, Gjeto Camaj njihej si njeri me virtyte të larta njerëzore e kombëtare. E thonë të gjithë, e them edhe unë që e di shumë mirë se ky bir i fisit të njohur Camaj dhe burrë i Hotit, si dikur motit ishte atdhetar, njeri i besës, i fjalës dhe i punës. Përveç kësaj ishte prind i mirë. Mik i çmuar dhe i dashur. adhurues i traditës, flamurit e gjuhës shqipe.
Familja e Gjeto Camajt , e frymëzuar nga veprat patriotike të paraardhësve të tij, Uc Gjoni, Lucë Gjoni dhe Dedë Gjoni, është e njohur për shqiptarizëm dhe për rezistencë kundër turqve, serbo-malazezëve në të gjitha etapat historike. Ajo gjithmonë priste dhe përcillte miq e mysafirë me përzemërsi e derëhapur. Ishte një familje me taban kombëtar, e pritur , atdhetare kontribuese për çështjen kombëtare. Me mikpritjen e familjes së Gjeto Kolë Ucit ne u ndjemë si në shtëpinë tonë dhe vumë re cilësitë e virtytet tona trashëguar brez pas brezi, duke na bërë me dije se ka pasur traditë kulture e respekt në brezat e shkuar dhe ne duhet te jemi ata që ta vazhdojmë dhe t’i çojmë para këto vlera tona të mira. Për këto dhe vlera të tjera të shqiptarëve që përbashkojnë idealen në vetëdijen e një kombi ishte i respektuar nga populli i Malësisë.
Adhurues e trashëgues i traditës shqiptare
Gjeto Kola në të gjitha tubimet publike angazhohej për të drejtat dhe liritë e popullit shqiptarë në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni t; Veriut , Preshevë e Medvegjë dhe Çamëri. E thoshte me shpirtin e një atdhetari të sinqertë : “kam dëshirë që popullin shqiptar ta shohë të bashkuar deri atje në tokën tonë etnike , ku i thonë bukës bukë e ujit ujë”. Ishte adhurues i trashëgimisë sonë kulturore. Ai kudo shfaqej me një shami të kuqe në kokë, të cilën e mbajti me krenari tërë jetën , siç thoshte ai, me dashuri për vendin, për njerëzit e ndershëm, për një jetë të gëzuar e të dinjitetshme, për energji për të punuar më shumë dhe për shëndet të mirë dhe mirëqenie për secilin. Kjo facoletë ( rubë e kuqe ) i jepte atij një pamje më të hijshme dhe e dallonte nga të tjerët .
Ky burrë zakoni ishte edhe humanist. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në formën e donacioneve të ndryshme në Malësi. Me të njëjtën frymë i ka edukuar dhe rritur edhe fëmijët e familjes së tij, shtatë djemtë ( Dedën, Palokë, Nikë, Nikollën, Viktorin, Lindonin e Pjetrin) dhe tri vajzat( Agen, Marinë dhe Djellushën) duke theksuar se mes gjithë vështirësitë dhe sakrificat për mbijetesë, kultura, gjuha dhe zakonet shqiptare kanë qenë baza e formimit të fëmijëve të tij.
Familjarët e tij në Amerikë i bashkon atdhedashuria
Edhe djemtë dhe vajzat e Gjeto Kolës në Amerikë i edukojnë fëmijët e tyre në frymën e traditës së trashëguar nga prindërit e vet, me qëllim që në kohët e sotme moderne të mos e kenë të vështirë të ndajnë se cila traditë është e jona dhe cila e mbjellë nga vendi ku ata e kanë zgjedhur të jetojnë. Emrat e mbesave dhe të nipërve janë shqiptarë dhe prindërit e tyre me ta flasin shqip, sepse çështja kombëtare për ta vazhdon të jetë parësore. Veprimtaria e djemve të tij do të jetë shembull për brezat që lindën dhe po rriten në Amerikën e lirë e demokratike, se si duhet me e dashtë atdheun dhe kombin.
Populli Gjeto Camajn e cilësonte si një burrë të dheut i cili shërbeu si shembull për gjeneratat e reja. Ishte i nderuar për principet e veta shembullore dhe respektues i normave kanunore të të parëve të tij, adhurues i traditës, flamurit e gjuhës shqipe, gjuhën mëmë.