08/10/2024

Burrë i Hotit, si dikur motit

0

Gjeto Kolë Uci Camaj (1931- 2020)

Nga Gjekë Gjonaj

Më  11 mars  2020  në moshën  89 vjeçare, vdiq Gjeto Kolë Uci Camaj. Në ceremoninë e veçantë të lamtumirës së  tij ,  në  Qendrën Funerale “ Malësia” në Tuz, ishin të pranishëm  qindra  shqiptarë nga  Malësia e më gjerë. Trupi i tij i pajetë u përcoll  me nderime të mëdha. Tashmë ai prehet i qetë në gjirin e tokës mëmë, i rrethuar nga kujtimet e përmbledhura në një shprehje të vetme: Ai vdiq për të lënë një emër të mirë.

Njohja ime me këtë  burrë   me mision fisnik

Për Gjeto Kolën kisha dëgjuar   në moshën  e fëmijërisë nga prindërit e mi, Gjon Marku e Noc Dokja.   Ata  gjithmonë flisnin fjalë të mira për  këtë  burrë nga Hoti dhe i gëzoheshin çdo takimi me të.  Ai vinte shpesh në Triesh, në fshatin Muzheçk, jo larg  katundit  tim të lindjes, Rudinë, sepse  vizitonte miqtë e tij, familjen e  njohur  të Kolë Dedë Prëlit Nikollaj.  Qysh atëherë   e mbaj mend këtë  njeri  të ndershëm  dhe të mirë.  Më vonë  kjo njohje   vazhdoi me kontakte  të herëpashershme dhe përfundoi me një shoqërim  shumë të përafërt e vëllazëror.  Nga  intervistat  e mia  që i  zhvillova  në shtëpinë e tij familjare në fshatin Sukruq, afër Tuzit  për Emisonin “ Kronika e Javës”  ,  gjatë kohës kur punoja si gazetar i Televizionit të Malit të Zi,  u binda plotësisht se  Gjeto Camaj është një njeri me mision fisnik, i ndershëm, mikpritës  dhe i arsyeshëm.

Njeri me vlera të larta njerëzore dhe kombëtare

Nga ata që e njohën dhe patën rastin të punojnë me të, Gjeto Camaj njihej si njeri me virtyte të larta njerëzore e kombëtare. E thonë të gjithë, e them edhe unë që e di shumë mirë se ky  bir i fisit të njohur  Camaj  dhe burrë i Hotit, si dikur motit   ishte  atdhetar, njeri  i besës, i fjalës dhe i punës.  Përveç kësaj   ishte  prind i mirë. Mik i çmuar dhe i dashur.  adhurues i traditës, flamurit e gjuhës shqipe.

Familja e Gjeto Camajt ,  e frymëzuar nga  veprat patriotike   të paraardhësve    të tij, Uc Gjoni, Lucë Gjoni dhe Dedë Gjoni,  është  e  njohur për  shqiptarizëm dhe  për rezistencë  kundër turqve, serbo-malazezëve në të gjitha etapat historike. Ajo   gjithmonë  priste dhe përcillte miq e mysafirë  me përzemërsi e  derëhapur. Ishte një familje me taban kombëtar,  e pritur , atdhetare kontribuese për çështjen kombëtare. Me mikpritjen e familjes  së Gjeto Kolë Ucit   ne u ndjemë  si në shtëpinë tonë dhe vumë re cilësitë e virtytet tona  trashëguar brez pas brezi, duke na bërë me dije se ka pasur traditë  kulture e respekt në brezat e shkuar dhe ne duhet te jemi ata që ta vazhdojmë dhe t’i çojmë para këto vlera  tona  të mira.  Për këto dhe vlera të tjera  të shqiptarëve që përbashkojnë idealen në vetëdijen e një kombi  ishte  i respektuar  nga populli i Malësisë.

Adhurues e trashëgues i  traditës shqiptare

Gjeto Kola  në të gjitha tubimet  publike  angazhohej  për të drejtat dhe liritë e popullit  shqiptarë  në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni t; Veriut ,  Preshevë e Medvegjë  dhe Çamëri.  E thoshte  me shpirtin e një  atdhetari të sinqertë : “kam dëshirë që popullin  shqiptar ta shohë të bashkuar deri atje  në tokën tonë etnike , ku i thonë bukës bukë e ujit ujë”.  Ishte adhurues i trashëgimisë sonë kulturore. Ai kudo shfaqej me  një shami të kuqe në kokë, të cilën e mbajti me krenari tërë jetën , siç thoshte ai,  me dashuri për vendin, për njerëzit e ndershëm, për një jetë të gëzuar e të dinjitetshme, për energji për të punuar më shumë dhe për shëndet të mirë dhe mirëqenie për secilin.    Kjo facoletë ( rubë e kuqe )   i jepte  atij  një pamje më të hijshme  dhe e dallonte nga të tjerët .

Ky burrë zakoni  ishte edhe  humanist. Ai   dha kontribut të jashtëzakonshëm në formën e donacioneve të ndryshme   në Malësi. Me të njëjtën frymë i ka edukuar dhe rritur edhe fëmijët e familjes  së tij, shtatë djemtë ( Dedën, Palokë, Nikë, Nikollën, Viktorin, Lindonin e Pjetrin) dhe tri vajzat( Agen, Marinë dhe Djellushën)  duke theksuar se mes gjithë vështirësitë  dhe sakrificat  për mbijetesë, kultura, gjuha dhe zakonet shqiptare kanë qenë baza e formimit të fëmijëve të tij.

Familjarët e  tij në Amerikë i bashkon  atdhedashuria

Edhe djemtë dhe vajzat e  Gjeto Kolës në Amerikë i edukojnë fëmijët e tyre në frymën e traditës së   trashëguar nga prindërit e vet,  me qëllim që në kohët e sotme moderne të mos e kenë  të vështirë të ndajnë se cila traditë është e jona dhe cila e mbjellë nga vendi ku ata e kanë  zgjedhur të jetojnë. Emrat e mbesave dhe të nipërve janë shqiptarë dhe   prindërit e tyre me ta flasin shqip,  sepse çështja kombëtare për ta   vazhdon të jetë  parësore. Veprimtaria e djemve të tij  do të jetë shembull për brezat që lindën dhe po rriten në Amerikën e lirë e demokratike, se si duhet me e dashtë atdheun dhe kombin.

Populli Gjeto Camajn   e cilësonte si  një burrë të dheut i cili shërbeu si shembull  për gjeneratat e reja.  Ishte i nderuar për principet e veta shembullore  dhe respektues i normave  kanunore   të të  parëve  të tij,  adhurues i traditës, flamurit e gjuhës shqipe, gjuhën mëmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok