22/12/2024

Budallallëk i llojit të vet

0
Blerim-Latifi

Nga Prof. Blerim Latifi:

Kurti i ka hyrë një pune që me gjasat më të mëdha do t’i dalë huq: nxjerrjen e serbëve të Kosovës nga kontrolli i Beogradit.

Në funksion të këtij qëllimi ai ditë më parë futi në qeveri dy serbë të pabindur të Beogradit: Nenad Rashiqin dhe Rada Trajkoviçin.

Dje bëri një hap tjetër simbolik: doli dhe e vlerësoi figurën e Oliver Ivanoviçit, i cili vite më parë u vra, sipas të gjitha gjasave me urdhër të vetë qeverisë në Beograd.

Përmes këtij vlerësimi Kurti deshti që serbëve të Kosovës t’u japë mesazhin se e keqja dhe rreziku u vjen nga Beogradi.

Kurti nuk u ndal me kaq. Ai e quajti Ivanoviçin, në njëfarë mënyre, pishtar të shoqërisë multietnike në Kosovë, për të mos thënë edhe dëshmor të saj.

Kjo ishte një huqje e madhe e Kurtit.

Për dy arsye.

E para:  Ivanoviçi nuk u vra pse donte një shoqëri multietnike në Kosovë, por thjesht dhe vetëm për arsye të luftës së egër për pushtet brenda organizimit politik të serbëve të Kosovës.

E dyta: Ivanoviçi, sipas dhjetëra dëshmive, del të ketë qenë pjesë e strukturave që kanë kryer krime mbi shqiptarët e Mitrovicës, gjatë dhe pasluftës.

Ai mund të konsiderohet shumëçka, veç si hero i shoqërisë multietnike në asnjë mënyrë.

Është budallallëk i llojit të vet që vrasjen e Ivanoviçit nga Beogradi ta dëshmojmë duke i ngritur elozhe atij. Ai ishte dhe do të mbetet një kriminel që u hoq qafesh nga të vetët në një moment kur menduan se po u prishte punë. Çdo histori tjetër është gënjeshtër.

___________

Pa dashur ta paragjykoj rastin e atij që dje u quajt “planifikim atentatesh ndaj kreut dhe zyrtarëve të LDK-së”, më duhet ta rikujtojë një fakt të mirënjohur nga i madh e i vogël në Kosovë: lehtësia me të cilën shqiptarët nxjerrin nga goja e tyre të shame nga më morbidet dhe kërcënime të hapura ndaj atyre me të cilët kanë mospajtime të natyrave të ndryshme.

Por kjo nuk është e tëra.

I mllefosur për kush e di çfarë dreq arsyeje, derisa rri në kafe, në rrjete sociale, apo është duke biseduar me dikë në telefon, shqiptari nuk ngurron fare të hartojë listash njerëzish të cilët ai do të donte t’i shihte të vdekur.

Zakonisht në lista të tilla përfshihen politikanë dhe figura të tjera të jetës publike.

Këtë lloj çmendurie komunikative alla shqiptarçe, në shtetet perëndimore nuk e kuptojnë dot, prandaj kur ndodhë që përgjuesit e shërbimeve të tyre inteligjente kapin biseda të tilla shqiptarësh të marrë, natyrshëm ato alarmohen. Sepse në një shoqëri normale secili alarmohet kur dëgjon njerëz që flasin se duhet vrarë ky apo ai njeri. Në shoqëritë abnormale ky lloj të foluri është normal.

A ka ilaç për këtë çmenduri shqiptare?

Nuk e di.

___________

555 vjet kujtesë. 555 vjet lavdi. 555 vjet frymëzim për secilin që do të jetojë i lirë në atdheun e tij. I pamposhtur në të gjallë nga ushtritë armike. I pamposhtur pas vdekjes nga koha dhe ata që donin t’ia zhduknin emrin. Përjetësia ka emër. Emrin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok