23/12/2024
u6_Poradeci

Nga Edison Ypi

Të mos më spiunonte katundari, të mos më gjakoste teli me gjëmba, të mos më kafshonte qeni, të mos më sharronte kalashnikovi, arratisesha natën “jashtë shtetit” me anë të radios.

Në një nga këto netë me kufje në vesh dëgjova ca fjalë të mbytura si pëshpërima. Shqip ! S’mund të  ishte Radio Tirana. Radio Tirana nuk pëshpëriste. Radio Tirana buçiste. Ato ishin fjalë të buta, të bukura, shoqëruar me muzikë sfondi. Ishte këngë. Ishte “Trioleta”. Ishte Radio Prishtina.

Nga fjalët që sapo dëgjova më ngeci mendja te;

“Varg e varg o me kujtime parasysh më venë e vinë”.

Ato dy vargje Murgu i ka gdhendur ndryshe;

“Varg e varg me përgjërata, parasysh më venë e vinë”.

Ndotja e diamantit të Murgut ma bëri atë natë të bardhë.

Të nesërmen paradite në punë, në ndërmarrje, pranë kolektivit, pranë klasës puntore, për të tejkaluar planin, për të çarë bllokadën.

Në mbrëmje, drejt e te Lasgushi.

Rrugës për tek Murgu; Zoti Lasgush, mbrëmë, duke dëgjuar radio me kufje kineze të cilat një mik i vodhi për mua në një repart ushtarak, dëgjova një kosovar që po këndonte Trioletën. Mirë që e këndonte, halli se duke i ndryshuar 1 fjalë, e kishte ftohur, e kishte plevitosur, e kishte tharë, e kishte mpirë, e kishte ngrirë, diamantin e kishte bërë baltë, perlën e kishte bërë bajgë. “Përgjëratat” e thella, të gjalla, të nxehta, i kishte bërë “kujtime” të cekta, të thata, të ftohta. Tani e gjeti kosovari të na e bëjë këtë gjëmë. Tani kur kurvi ende s’ka ngordhur, pluralizmi nuk është shpallur, mediat e lira nuk kanë shpërthyer, Interneti nuk është shpikur. Duhet menduar çfarë dënimi t’i japim kosovarit që na preku shenjtërinë e fjalës kaq herët. Si mendoni ju Zoti Lasgush, a do ishte e mjaftueshme t’i themi kosovarit të bëjë para kolektivit punonjës të Prishtinës një bisdë konstruktive në formën e një autokritike sa të ndjerë dhe të thellë, të kërkojë një ndjesë të sinqertë, të rrëfejë shkaqet e vërteta pse e bëri proçkën, kush e shtyu në atë batak, kush e nxiti për atë përdhosje, dhe në fund të japi fjalën se atë gabim e atë krim nuk do ta përsërisi më kurrën e kurrës. Po nuk u bind për autokritikë, atë armik të pandreqshëm ta sjellim të zerë ment këtu në Shqipëri, diku në bazë, diku në gjirin e popullit, diku ku njerëzit punojnë, proletarët bëjnë shpikje dhe racionalizime, fshatarët mbjellin e korrin, pionierët mbledhin kallëza, poetët vargëzojnë, daullexhinjtë shurdhojnë, rapsodët përdridhen, kufitarët kapin shkelësat, traktorat buçasin, ushtria mbron, sigurimi vigjëlon. Ta sjellim këtu për ta bërë shembull për rëndësinë fatale të një fjale të vetme kur ndryshohet kuturu, pa etikë politike dhe klasore, pa përgjegjësi proletare, pa gjëprejgjëje. Ta bëjmë të reflektojë mbi mënyrat e pabesa dhe dinake që përdorin armiqtë e betuar të popujve, për të depërtuar mes nesh kulturën mikroborgjeze. Po nuk u bind ta internojmë mes baltrave në një barrake të fëlliqët andej nga Karavastaja. Ku bashkë me goca të internuara të cilat i kemi degdisur atje pasi i kemi cilësuar kurva vetëm sepse janë të bukura, dhe të tjerë kosovarë të syrgjynosur në ato moçalishte, të gjithë së bashku, të zenë ment edhe ata. Me këtë rast e bëjmë dhe spiun të Sigurimit. E hedhim në Kosovë, në Prishtinë, të na shërbejë për shtimin e dashurisë së kosovarëve për bac kurvin. Edhe e burgosim. Burgu për poetë është. I hedhim hekurat e kalbim nja dhjetë vjet në Spaç të riedukohet duke shtyrë vagona nëpër zgafella. Nëse nuk do pranojë të spiunojë bashkëvuajtësit, i shtojmë edhe nja dhjetë të tjera. Më tepër se kaq nuk mundemi.  Se andej nga ’90-a vjen demokracia dhe atentati ndaj fjalës do çvlerësohet, do inflacionohet. Në lumin e fjalëve të halabakëve, 1 fjalë e vetme sado e hatashme nuk do ketë më rëndësi, nuk do bëjë më sens.

Ik e ik, arrita të shtëpia e Lasgushit. I rashë portës. Hyra brenda. Lasgushi si Faraon këmbëmbikëmbë mbi një minder me dy jastëkë te shpina. Me konsensusin e plotë të Murgut, “Letërkëmbim” dhe “Lamtumirë” i klitha e ulurita sa su shemb tavani. Sapo i thashë se mbrëmë një kosovar i kishte ndryshar Trioletës 1 fjalë, nuk më la të vazhdoj. Më ndali dhe buçiti; Kush më prek 1 fjalë, ja çaj barkun me thikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok