21/11/2024

Brutaliteti i Edi Ramës përballë Vjosa Osmanit drejtohet kundër Kosovës!

0

Nga Enver Bytyçi

Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë në parlament Vjosa Osmanin. Nuk pranoi as të komentojë takimin midis tyre apo të bëjë një konferencë shtypi të përbashkët. Nuk shkroi asnjë fjalë në fb apo Tëiter. Servilët pranë tij e shpjegojnë këtë sjellje të kryeministrit të Shqipërisë përballë presidentes në detyrë dhe kryetares së Parlamentit të Kosovës si hakmarrje, apo si shënjë e hatërmbetjes që ai ka për deklaratat e zonjës Osmani gjatë kësaj vizite në Shqipëri e sidmos në fjalimin që mbajti në sallën e pseudoparlamentit të Shqipërisë.

Kryeministri Rama u soll me presidenten Osmani me arrogancën e sprovuar të tij, siç sillet rëndomë ndaj atyre që ai i quan “halabakë”, pra protestuesve ose kundërshtarëve të tij. Deri më sot nuk ka ndodhur që Edi Rama të sillet me korrektësi me liderët e Kosovës përjashtuar Hashim Thaçit. Të gjithë i ka atakuar. Të gjithëve u ka vënë nga një nofkë. Ndoshta më pas u ka shkuar në shtëpi dhe mikpritjen e vëllezërve të mij (por jo të Ramës – Rama nuk ka as vëllezër, as motra në Kosovë) e ka shit si “pajtim”, duke krijuar përshtypjen se ai “nuk është i rrezikshëm, është thjesht një njeri hatërmbetur”!

Në fakt nuk është kjo. Edi Rama sillet keq me lidershipin e Kosovës, sepse ai ka marrë një rol, është pozicionuar tashmë! Roli dhe pozicioni i tij shkojnë përtej asaj çfarë thonë mbrojtësit e kryeministrit dhe lidhet me shërbimet e kreut të ekzekutivit shqiptar ndaj Serbisë dhe mikut të tij president i këtij vendi, Aleksandër Vuçiç! Askush nuk duhet të dyshojë tashmë se Edi Rama është i kapur prej Aleksandër Vuçiç! Ndryshe ai do të kishte reflektuar sado pak dhe nuk do të përsëriste për të njëmijtën herë sjelljen e tij prej arroganti e pro-serbe ndaj lidershipit të Kosovës.

Profesori amerikan, Edëard Joseph, një njohës i shkëlqyer i zhvillimeve në rajonin tonë dhe në Kosovë plot para një viti pati shtruar pyetjen logjike:- Pse e lejoni Ramën të izolojë Kosovën për Vuçiç?! Kjo ka ndodhur në një intervistë që ai i kishte dhënë më 21 dhjetor 2019 një amerikani tjetër të mirënjohur, në emisionin “Bugajski Hours”! Shpesh herë e kam bërë këtë pyetje, se si është e mundur që ne shqiptarët të lejojmë një njeri, sado i fuqishëm të jetë ai, të izolojë Kosovën, ta dëmmtojë atë dhe të punojë për interesat e Serbisë?!

Edhe sjellja e sotme ndaj Vjosa Osmanit ishte mjet për izolimin e Kosovës. Zonja Osmani i kërkoi parlamentit tonë që Shqipëria t’i japë zë Kosovës! Ndërsa Rama i jep zë Serbisë. Në ditën që dolën komandantët e luftës para Gjykatës Speciale në Hagë, Rama mbajti videokonferencën e radhës më presidentin e Serbisë, Vuçiç. Ndërsa sot, kur Vjosa Osmani fliste në parlament, Edi Rama u lidh përsëri online me Beogradin në ceremoninë  në ceremoninë e nënshkrimit të “marrëveshjes” për lëvizjen e lirë në Serbi, me karta identiteti. Sikur shqiptarët vuajnë nga ajo nëse udhëtojnë e pasaporta apo me karta identiteti! E shet këtë sikur të kishte liberalizuar vizat me Amerikën!

Të gjitha këto janë karshillëk ndaj Kosovës. Nëse dikush në Kosovë ankohet për minishengenin Rama-Vuçiç, kryeministri i vendit tim, vendit tënd, vendit tonë, do të lidhet me mikun e tij në Beograd, me qëllim që të atakojë mendimin ndryshe të përfaqësuesve të Kosovës. Nëse dikush i përmend faktin se Rama ka kontribuar për rehabilitimin e Serbisë prej krimeve makabre që ajo ka bërë në Kosovë, atëherë kryeministri i vendit tim dhe tëndit do të lëshojë deklarata miqësie e “dashururie” për ata që dhunuan dhe masakruan shqiptarët në Kosovë! Nëse dikush në Kosovë do të marrë një vendim anti-serb, atëherë Rama do të flasë shqip dhe anglisht kundër këtij personi! Dhe nëse lidershipi i Kosovës do t’i kërkojë Ramës heqjen e barrierave të lëvizjes Kosovë-Shqipëri, ai do të na reklamojë kartat e identitetit për të kaluar kufirin për në Serbi!

Edi Rama u deklarua si sot para një viti, këtu në Tiranë, në prezencë të kreut të shtetit të Serbisë, se “Nëse Kosova nuk bëhet pjesë e minishegenit ballkanik, atëherë ajo do të vetëizolohet me dëshirën e saj”! Me këtë rast ai zbuloi për faqe botës se izolimi i Kosovës është misioni i tij. Dhe se këtë mjet anti-kombëtar e anti-njerëzor si e përdor për të imponuar realizimin e interesave serbe në Kosovë.

Por izolimi i Kosovës nuk është qëllimi, është mjeti për të shkuar te qëllimi final i Ramës. Ai ka dëshmuar se mjete të tilla i përdor me mençurinë e djallit dhe se ka objektiv të tij ta zhbëjë shtetin e Kosovës, t’i rrënojë institucionet e saj dhe madje ta copëtojë edhe territorin e saj. Prandaj duhet të jemi të shqetësuar seriozisht e më shumë se kurrë në historinë tonë, që kryeministri i vendit tonë sillet kësisoj me politikën shqiptare në Kosovë. Dhe që ta izolojë Kosovën, ai përdor metodën e denigrimit të politikanëve të saj. Këtë metodë djallëzore e përdori fillimisht kundër Isa Mustafës, kur ai si kryeministër kishte për ministër të Jashtëm Hashim Thaçin. Më pas e përdori kundër Haradinajt, madje me një brutalitet të pashëbullt në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Rama ishte dhe është i gatshëm të dërgojë në gjykatë kryeministrat e Kosovës, por jo edhe të dënojë krimet serbe kundër shqiptarëve në këtë vend. Edi Rama është i gatshëm të përqafohet e të bëjë mundësisht dhjetë konferenca shtypi me presidentin e Serbisë Brenda një ditë, por jo edhe me presidenten e Kosovës! Edi Rama lufton që të hapë kufijtë me Serbinë e ta sjellë madje atë në Durrës, ndërkohë që krijon barriera të tilla si trau i Kalimashit me Kosovën. Ai tra nuk është ngritur për të sjellë të ardhura në arkën e shtetit, sepse shteti çdo vit i jep para kompanisë që administron trarin e Kalimashit, para me të cilat do të mirëmbante Rrugën e Kombit. Ai tra u ngrit për të krijuar një pengesë në marrëdhëniet tona me Kosovën. U ngrit si mesazh dhe paralajmërim se “Koha e mjaltit të marrëdhënieve të mira Prishtinë-Tiranë kishte përfunduar”, për ta zevendësuar këtë kohë me një epokë të re, epokën e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok