BRENGA E NËNËS DHE RRUDHAT E POETIT
Java e Sylë Mujajt:
Sylë Mujaj, “Uomini Numeri – NJERËZIT NUMERA”, poezi shqip – italisht, botoi “EuroRILINDJA”, Tiranë 1998. Libri ka 126 faqe, brenda të të cilit janë përfshirë edhe 31 fotografi të autorit me motive nga burgu. Përkthimin e poezive nga shqipja në italisht e ka bërë Demetrio Patitucci.
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Kur e lexova librin të cili sot, (E shtunë, 28 prill 2007), ma dhuroi miku dhe poeti Sylë Mujaj, si rrallë libra të tjerë, kjo poezi më përpiu, a e përpiva unë si gotën e verës këtë dhembje dhe përjetim të tij nuk e di?! Por e marrë me mend se sa shumë djemëve e vajzave kosovare, rinia e tyre u është shkatërruar nëpër burgjet famëkëqia të Jugosllavisë. Tërë natën nuk arrita me fjetur pa e lexuar të tërin dhe menjëherë pa i bërë skicat e këtij shënimi, sepse gjërat që lihen për ma vonë edhe harrohen, andaj frikësohesha se do t’më zbehen magjitë, gjegjësiht ndjenjat që mi pushtoi leximi i këtyre poezive kaq tronditëse e përjetuese të shkruara në rrethana të cilat veç autori mund t’i thoshte e rrëfente kësi soji, siç paska thënë në këtë libër, hë për hë monumental për autorin dhe për “letërsinë e burgut”, e cila në rrethana ma të mira do të botohet edhe në Kosovë.
Sylë Mujaja është poet, piktor dhe veprimtar i njohur, së këndejmi edhe i burgosur politik, andaj një pjesë të jetës e kaloi nëpër burgjet serbo – jugosllave, e pastaj e bëri edhe Mërgimin si burg më vete. Nga vitet e nëntëdhjeta poeti jeton dhe vepron në Koantonin Ticino, në Zvicër.
PORTRETI I NËNËS
(akrostik / Portret Nënës sime)
Për brengat e nënës, rrudhat në ballë,
Ofshamjet e saja për bijtë në kurbet,
Renkimet e mbushura plot me mallë,
T‘i kthehen bijët në prehrin e vetë.
Rikujtoj këto skena më akull të kresë,
E zemra n’qeli humb turrin e vetë,
Tulin e bukës e ndaj me kujdes,
Nënës duhet t’i bëj një portret,
Është tuli i bukës n’qeli gjëja më e mirë,
Në të do ta gëdhënd fytyrën e nënës trime,
Është punë e dashur por shumë e vështirë,
Së n’rrudhat e ballit t’nënës, pjesë e jetës time.
Së pa mund të madh u arritë pamja e nënës,
Ishte pamja e saj; goja, balli e hunda,
Më shikim të largët, si në lindje të hënës,
E që portreti i dashur nga tuli i bukës.
Burgu i Nishit, 1984. Faqe 16.
Libri me poezi “Uomini Numeri – NJERËZIT NUMERA”, është botuar nga “EuroRILINDJA”, në Tiranë, duke e shfaqur portretin e artistit më të kompletuar, sepse Sylë Mujaj ka qenë mjaftë i njohur. Mozaiku i motiveve qoftë në poezi a vizatime sjell ngjyrat e një krijuesi të burgosur i cili në asnjë rrethanë nuk është thyer dhe dorëzuar. Krahaso poezitë: “Tej grilash”, “Lulja”, “Skicë e të burgosurit”, si dhe vizatimet: “Grilat”, “Numri i amzës”, “Numërimi në burg”, etj. Pra sa ishte në burg, Sylë Mujaj, ka bërë skica vizatimesh dhe ka shkruar dromca lirike të cilat tash në një trajtë më të kompletuar, i prezantohen lexuesit, me këtë libër “Uomini Numeri – NJERËZIT NUMERA”, duke përmbushur mozaikun e poetit – piktor dhe duke dëshmuar se Liria e Artistit nuk mund të burgoset, siç shprehet edhe në poezitë: “Tomi”, “Kreatori i ri”, “Loti i qyqes” ose për motivin dallues nga BurgMërgimi, poezitë “Enjti” dhe “Premti”, pastaj vizatimet: “Kokat tullace”, “Leximi në burg”, “Shtypi i vonuar”, “Në qelinë e Nishit”, etj.
Sipas këtij mozaiku lirik dhe figurativ del se Sylë Mujaj, gjithnjë e ka ëndërruar lirinë e popujve, por mbi të gjitha lirin e popullit të vet, prandaj poezia dhe krijimtaria e tij lidhen ngushtë me këto vlera, për të cilat ai është sakrifikuar. Për ndryshe tërë Kosova, në njëfarë mënyre ka qenë në burgun famëkeq të komunizmit jugosllav. “Nata e cemtë/ erëra të rrepta solli.// U fanit stuhija,/ mjegulla mbeti varë.// Agimi i hershëm/ maska të vjetra çori.”, (Burgu i Nishit, 1986; poezia PA EMËR, faqe 64.)
Në anën tjetër janë sfidat jetësore që i determinojnë proceset, sidomos burgu, ia ka zhvilluar e zgjeruar poetit motivin e dhembjes, i cili edhe nëpër këto poezi është përjetim i thellë, poezi origjinale dhe shpesh të papërseritshme. Prandaj detyra e artistit është që përvojen e vet cilado që të jetë, e gëzueshme ose e dhimbshme, ta përkthejnë në shërbim të njërëzimit. Sylë Mujaj, vërtetë ka arritur të thotë shumë, qoftë nëpërmes poezive, qoftë nëpër tabllot e shumta artistike me motivi nga jeta në burg, por edhe në realitetin jetësor, në mërgim e kudo, ai është i tillë, duke u shndërruar në një simbol të artistit rebel, i cili nuk pushon kurrë, ashtu siç ishte edhe nëpër burgje një rebel i papërmirësuar dhe i pamposhtur karshi diktaturës së dhunëshme ose karshi dhunës psikologjike e cila me bollëk ushtrohej mbi të burgosurit politik të asaj kohe, këtë avaz, por nga prizmi poezitiv e shndërroi në aktivitet kulturor prej se ka emigruar në Zvicër. Këtë e shpreh në poezitë: “Simboli – përkushtim, piktorit Ibrahim Kodra”, “Ëndrra mërgimtare”, “Natyrë – kushtuarë fëmijve të vet: Fjollë, Vesë e Bli”etj. si dhe në vizatimet: “Lugano ‘94”, “Shtegu i Ashtit”, “Parku i Bellizonës”, “Nëpër lulet e ankthit – Lugano, 1996”, etj.
KROATI I RI
Pushkën nuk e donte,
kështu thoshte akuza e tij.
Tri vjet i lirë në burg,
tri vjet i robëruar në liri.
Sërish po ajo akuzë,
pushkën nuk e donte.
Kështu disi e bënte jetën
Kroati i ri.
Burgu i Nishit, 1987. Faqe 72.
(Vizatimi: “Zvonko nga Kroacia”, Burgu i Nishit, 1987, faqe 69.)
Poezia “KROATI I RI”, dhe libri si tërësi, është ardhje e mire lirike, është shpirt fisnik dhe njëkohësisht është edhe art. Unë i shtjellva kryesisht poezitë me motiv burgu, sepse Burgu, për Sylë Mujajn është realiteti i jetuar dhe është besimi në vetvete, në të drejtën e tij për liri dhe pavarësi, e cila në pamje duket e thjesht, por në përmbajtje janë motive të thelluara në realitetin e përjetuar, i cili si realitet nëpër burgje nuk ka qenë fushë e bleruar dhe as livadh me lule. E nëse ka shenja të lulës, sidomos asaj nga “Lulkuqja e Kosovës“, të cilën piktori e transformon në “Lulja e betonit”, ato pamje të trishtëta nuk janë as petale të lulës, por janë simbolikë për pikat e gjakut të Sylë Mujajat dhe të shokëve të tij nëpër birucat dhe dhomat e errëta të vetmisë.
NUMRI 712
Lojë me njeriun
lojë me emrin.
712.
Një vit, dy vite…
dhjetë.
Emëri kthyer në numër
në “maticni broj”*
712.
* Serb. Numri i Amzës.
Burgu i Nishit, 13.08.1984. Faqe 24.
Këta Numra Njerëz apo Njerëz Numra, figurativisht shprehin njeriun e kthyer në qenje pa ndjenjë, kurse koha shënon vetëm numra pa patur mundësi të numrojmë ndonjë vlerë që duhet radhitur si e arrirë artistike. Ndërsa sukseset e Sylë Mujajat, sidomos për poezitë e burgut dhe tabllot e shumta me motive nga burgu, janë arritje artistike që duhet vlerësuar. Dihet se dhuna, dhuna psikologjike dhe përgjimi mbi të burgosurit, shpeshherë ka pasur sukses për t‘i tjetërsuar ata, madje duke i shpronsuar nga e drejta e të qenit njerëz, prandaj duke mos qenë më qenie njerëzore, ata ishin të privuar edhe nga e drejta e lirisë. Sëkëndejmi, kjo metaforë për Njerëzit Numra, edhe kur ata janë Njerëz, përseri ata mbesin Numra, është e rrallë, të paktën unë nuk e kam lexuar më parë, kur Njerëzit e tillë që mund të zënë vend diku, por si vlerë njerëzore kanë qenë të privuar nga kjo e drejtë, është arritje e lartë artistike!
Vargjet; “Ky emër tingëllonte/ pas barrikadës ato ditë.// Ky që dhunë nuk duronte/ hakmerrej me paqe.// Tomi ishte i madh/ n’barrikadim paqësor/ në një burg n’Serbi.// Konserva e drejtorë/ hynë në kampin e zi.// Barrikadë shqiptare/ me kostum të ri.“, (Burgu i Nishit, 15.01.1990. Poezia TOMI, faqe 68). Gjithashtu si vlerë artistike shoqëria kulturore, në këtë aspekt Kosova ka trashëgimi të paktë e të mangët me këtë motiv sepse gjithçka që krijohej nëpër burgje, siç thamë, nuk iu takonte autorëve, sepse këta njerëz, qofshin edhe artist, të gjithë pa përjashtim kanë qenë të shpronsuar nga çdo liri njerëzore, artistike dhe krijuese. Andaj, siç pohon edhe vet poeti, vetëm të burgosurit janë Njerëz Numra, dhe asgjë më shumë. Një motiv i trishtët, mjaftë shqetësues dhe herë herë me përmasa çmendurie!…
NJERËZIT NUMËRA
Katër pjata, katër lugë,
katër krevate të ngushta
për katër numra.
Secili numër me kokë tullace,
secili në botën e vet.
Vitate e rinisë
1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10-të.
Më të voglën shpresë
njerëz në numëra
të mos ketë.
Burgu i Nishit, 22.07.1982. Faqe 52.
Nga kjo lirikë kuptojmë se Sylë Mujaja burgjet e veta ia kushtoi lirisë dhe Kosovës, vetës dhe njerëzve si ai, si dhe popullit mbarë. Kjo ndjenjë kaq e përjetuar shprehet edhe në vargjet: “Nëpër hapat e mij,/ larg e larg mendime.// S’di se si/ Kullë e Dukagjinit/ më erdhi në qeli./ Qendro më tha,/ nga frangjitë e larta/ filloi oshtimë,/ në hatulla, gurë e oxhak.// Ecnim në pesë hapat e qelisë/ Të dy me kokën lartë.“, (Burgu i Nishit, 1984; poezia KULLA E DUKAGJINIT, faqe 36.) E dhembja poetike, po ashtu shpaloset nëpër poezitë tjera të këtij libri, si “Qethja në qeli“, “Tej grilash“, “Plisi” e të tjera, ndërsa atmosfera pamore pasqyrohet nëpër ato 31 vizatimet e vendosura në këtë libër që përbëjnë dy kontraste artistike, por që ndërtojnë mirë si një unison me portretin e individit, natyrisht i burgosur, i cili ëndrronte lirinë, për vete dhe të tjerët.
COPË LETRE
Copë gazete
në oborrin e burgut
hudhur nga dorë
e shqiptarit.
Ne hap pas hapi
deri në qeli.
Copë letre e hudhur,
Minatorët e Trepçës
kërkonin liri.
Burgu i Nishit, 1989. Faqe 48.
Kjo marrëdhënie Art Letrar dhe Art Figurativ, në mes kanë individin artist e poet, e ky është Sylë Mujaj, i cili kaloi dhjetë vjet nëpër burgjet serbe dhe doli Poet, dhe doli Artist, po mbi të gjitha doli Njeri i Shpresës. Shpresë edhe për fëmijën që i përftyrohej si skica më e mirë tragjike që dëshironte ta portretizonte: “Një ditë hyri një fëmijë/ në derë të policisë.// U ul pa bërë zë/ në pragun me dritë.// Belbezoi diçka/ në zërin e fëmijës.// Për mua qe dhe mbeti/ më e mira vizitë.“, (Burgu i Nishit, 1986; poezia NË VIZITË, faqe 60.) Prandaj poeti është një dritë edhe për fëmijën e kësaj poezie, por edhe për të gjithë shoqërinë e cila ka mundur të ketë fatin e këtij Njeriu të Mirë, i cili tërë jetën e pasburgut nisi me një BurgMërgim të ri, por me tërë qenien e tij ia kushtoi letërsisë, artit dhe Kosovës, duke u bërë shembull se si duhet Atdheu, dhe sigurisht ishte ky motiv, kjo shpresë dhe dashuri për Lirinë e Kosovës, kur vendosi për tu bërë edhe Ushtarë i Luftës për Liri.
Ky mozaik lirik, siç e theksuam edhe më lartë, ësshtë plotësuar artistikisht me 31 Vizatimet autoriale të Sylë Mujajt, të shpërndara nëpër libër, e të cilat dhembjen personale artistikisht e kanë shpalosur në dhembje figurative duke iu dhënë pamje kuptimit tragjik të realitetit të shprehur në këto poezi, duke qartësuar më mirë e më bukur dhembjen dhe përjetimin jo vetëm të poetit nëpër burgjet jugosllave.
Ky është Sylë Mujaj, heroi i këtij libri, i këtyre vargjeve dhe vizatimeve artistike, të cilit i urojmë sukses!