24/12/2024
u6_Blerim-Latifi

Nga Blerim Latifi

Dje në Beograd u zhvillua një paradë ushtarake dhe Vuçiqi urdhëroi të gjithë serbët të ngrisin flamurin dhe të kremtojnë festën e re të shpikur dhe të emërtuar nga ai si “Dita e Unitetit Serb”.

Po pse e zgjodhën pikërisht 15 shtatorin si ditën e kësaj feste?

15 shtatori shënon të ashtuquajturën dita e fitorës serbe në Luftën e Parë Botërore. Kjo fitore lidhet me atë që njihet si “Ofensiva e Vardarit”, në të cilën ushtria serbe e theu ushtrinë bullgare dhe me këtë i hapi rrugës vetes për t’i rikthyer të gjitha territoret e fituara  nga viti 1878 deri në vitin 1913.

Praktikisht me 15 shtator 1918 lindi Serbia e Madhe, e maskuar pak muaj më pas nën emrin “Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene”, e pas vitit 1929 nën emrin e Jugosllavisë Monarkiste të krajl Aleksandrit.

Sot kanë gjetur një emër të ri për ta maskuar ambicien e Serbisë së Madhe. Po e quajnë Bota Serbe. Në qendër të saj projektohet shteti ekzistues i Serbisë, i kufizuar me shtete të mbajtura pengje prej tij, si Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova. Vetëm në Sarajevë, Podgoricë, Prishtinë e Zagreb e kuptojnë gjuhën e këtij rizgjimi të shovinizmit serb. Të tjerët ose se kuptojnë ose i kanë mbyllur sytë e veshët.

Kur është puna tek ne, Serbia ka zgjedhur dygjuhësinë. Tjetër gjuhë e flet me Kosovën dhe tjetër me Shqipërinë. Kosovën e kërcënon, Shqipërisë i ofron dorën e paqes e bashkëpunumit.Kështu, kjo dygjuhësi e Serbisë është shndërruar në sherr të marrësh midis Prishtinës e Tiranës. Nganjëherë më shkon mendja se taktikën “përçaj e sundo” romakët duhet ta kenë zbuluar tek paraardhësit tanë, ilirët.

___________

Cila është lidhja midis tregtisë dhe paqes?

Kjo është një pyetje e vjetër, e cila i mundonte edhe grekët e kohës antike. Plutarku, autori i veprës së famshme “Jetët paralele”, 2000 vjet më parë, ishte i bindur se këmbimet tregtare ua mundësojnë njerëzve çlirimin nga animozitetet reciproke dhe përfaqimin e zgjidhjeve paqësore të mosmarrëveshjeve mes tyre. Sa më shumë tregti, aq më shumë paqe!

Kjo ide, shekuj më vonë, u riafirmua nga liberalizmi, duke u bërë një nga idetë themelore të tij. Mendimtarët liberalë, njëri pas tjetrit, ishin në një vijë me mendimin e Plutarkut. Montesquieu në Francë, Kanti në Gjermani, Milli në Britani, mes shumë e shumë të tjerëve, i mbështetën projeksionet e tyre mbi paqen mes kombeve në konceptin e tregtisë së lirë. Kështu, gradualisht, ideja mbi paqen përmes tregtisë u bë njëra nga besimet themelore të liberalizmit.

Në thelb të këtij besimi është se tregtia mes popujve e shteteve krijon ndërvarësi mes tyre dhe kjo ndërvarësi dekurajon të gjithë ideologjitë që ushqejnë konfliktet e dhunshme, në rradhë të parë nacionalizmin, i cili detyrohet t’ia lëshoj vendin internacionalizmit liberal.

Por, thonë marksistët, gjërat nuk janë kaq të thjeshta, sepse konkurenca e lirë tregtare, në vend të ndërvarësisë simetrike, është e prirur të krijojë ndërvarësi asimetrike dhe pabarazi midis shteteve. Këto dy gjëra pastaj shërbejnë si tokë pjellore për lindjen e tensioneve dhe konflikteve të reja mes shteteve dhe popujve. Tregtia e lirë shëron disa plagë, por, në rrugë e sipër, hapë disa të tjera.

Duhet thënë se literatura mbi këtë çështje është e mbushur me shembuj që i konfirmojnë të dy pikëpamjet. Pra, ka sa e sa shembuj që tregojnë se tregtia mes popujve stimulon paqen mes tyre, por edhe të atillë që tregojnë se po e njëjta tregti krijon pabarazi ekonomike mes tyre dhe rrjedhimisht edhe arsye për sherre të reja ndërkombëtare. Sherret e sotme në Bashkimin Evropian janë pasojë e faktit se barazia formale e anëtarëve të tij nuk përputhet me pabarazinë faktike ekonomike midis tyre.

Unë nuk jam marksist, nëse dikush mendon se në këto pak rreshta po anoj kah marksizmi. Unë jam liberal, por një liberal kritik, e jo liberal fundamentalist që mendon se të gjitha formulat liberale janë të vërteta të padiskutueshme.

Paqja mes kombeve për mes tregtisë është mundësi e mirë, por ajo nuk është formula magjike që sherreve ndërkombëtare ua mbyll shtigjet përgjithmonë.

Çdo formulë politike dhe ekonomike, bashkë me zgjidhjen e disa problemeve, krijon edhe probleme të tjera.

Thjesht nuk duhet pritur dita e zgjidhjes përfundimtare të problemeve!

Nuk mund të presim një Armagedon kur e mira dhe e keqja do t’i qërojnë hesapet njëherë e përgjithmonë me njëra tjetrën!

Duhet jetuar me idenë e ndërvarësisë midis të mirës dhe të keqës, e cila shprehet në përfytyrimin e lashtë kinez të Yin dhe Yang, ku e mira dhe e keqja, e bardha dhe e zeza e mbështjellin njëra tjetrën! Do të thotë që në lëvizjen e tyre ato i japin rast njëra tjetrës.

Në njëfarë mënyre a nuk e thotë edhe Kanuni i Lekës të njëjtën gjë : Del i miri prej t’keqit dhe i keqi prej t’mirit!

___________

Ballkani perëndimor ka dy probleme themelore.

I pari është bllokimi i integrimit europian, për shkakun se Bashkimi Europian e ka pezulluar procesin e zgjerimit dhe askush se di se kur do ta hiqet ky pezullim.

I dyti është se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe askush nuk e di se si të bindet Serbia për ta ndryshuar këtë qëndrim.

Nga pafuqia për t’u dhënë zgjidhje këtyre dy problemeve fundamentale, janë shpikur ide të tjera, sa për t’ua mbajtur gjallë shpresën e njerëzve se Ballkani nuk do të braktiset në fatin e tij historikisht të mbrapshtë. Këto ide përfshijnë Procesin e Berlinit, pastaj ato të Mini-Shengenit Ballkanik, Ballkanin e Hapur dhe Dialogun e Normalizimit Kosovë-Serbi. Krejt këto ide, herët a vonë, do të përfundojnë në koshin e ideve të kota, sepse ato nuk i adresojnë problemet e vërteta të Ballkanit perëndimor, por vetëm nevojën për blerje kohe të atyre që nuk janë në gjendje t’u japin zgjidhje këtyre problemeve. Pra, kjo është gjendja me të cilën, me gjasë, do të jetojmë edhe në vitet në vazhdim, gjendja e të jetuarit në kufirin midis Lindjes  dhe Perëndimit Europian.Një fat ky që i ka kushtuar aq shumë Ballkanit gjatë historisë.

___________

E lexova në një hulumtim : Shkalla e vaksinimit kundër COVID-19 e stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës qenka shumë e lartë. Në krye të listës qenka Fakulteti Filozofik me shkallën më të lartë të të vaksinuarve.

Shenjë e mirë kjo, sepse na tregon se teoritë konspirative dhe budallallëqet tjera të antivaksinerëve nuk ia paskan errësu mendjen stafit akademik të UP-së.

___________

Pse Angela Merkel zgjodhi që vizitën e saj të fundit si kancelare ta bëj në Ballkanin perëndimor?

Dhe pse zgjodhi Tiranën dhe Beogradin për këtë punë?

Duket për të lënë një porosi të madhe: Ballkani perëndimor duhet të mbetet interes themelor i Bashkimit Europian dhe çdo pacifikim përfundimtar i Ballkanit perëndimor nënkupton domosdo një marrëveshje historike midis shqiptarëve dhe serbëve, si dy kombet kryesore të këtij rajoni.

___________

Një mjek, një arkitekt dhe një politikan po grindeshin rreth çështjes se cili ishte më i vjetri prej profesioneve të tyre.

Zoti e kishte nxjerrë Evën nga brinjët e Adamit dhe këtë ai e kishte bërë përmes një operacioni, prandaj mjekësia është profesioni më i vjetër në botë, tha mjeku.

Ndërhyri arkitekti : Kjo nuk qëndron.Puna e parë që bëri Zoti ishte t’i jepte fund kaosit, duke krijuar rregull në botë, prandaj arkitektura është profesioni më i vjetër nga të gjithë të tjerët. Politikani që po i shikonte duke debatuar mjekun dhe arkitektin, ndërhyri duke buzëqeshur me ironi : Po kaosin kush e krijoi?

Bashkëbiseduesit e tij mbetën pa fjalë. Sepse përgjegjja ndodhej brenda vetë pyetjes. Zanati i krijimit të kaosit është zanati më i vjetër në botë dhe këtë zanat askush nuk e zotëron më mirë se politikanët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok