21/12/2024

Biznes lukrativ me shpifjet kundër Sali Berishës!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Në vitet 1990 isha skeptik dhe më dukej e pabesueshme që lufta mediatike kundër Sali Berishës të ishte një lloj biznesi. Kishte kolegë që më thoshin: “Do projekte?! Do tendera (atëherë kisha një shtypshkronjë të vogël, një shtëpi botuese dhe revistën “KOHA”)?! Do favore financiare?! Shkruaj kundër dhe sulmo Berishën! Ma thonin këtë kolegë gazetarë e analistë të krahut të djathtë, por edhe ndonjë mik nga e majta. I shihja dhe në të shumtën e rasteve nuk flisja. Por mendoja e besoja se një hap i tillë do të thoshte t’i serviloseshe pushtetit! Ndoshta nuk ishte problem të kritikoje Sali Berishën, sepse do të gjeje edhe dobësi te ai. Por problemi ishte se do të duhej ta bëje këtë si shërbim ndaj pushtetit, në rolin e një të korruptuari!

Ky ishte imoralitet njerëzor e njëkohësisht një kompromis që ngjizej me shpifjen, urrejtjen, inatin e gjithçka tjetër kundër kujt? Kundër politikanit më atdhetar që kam njohur! Ndërkaq në jetën time gazetareske kurrë Sali Berisha nuk më tha që të shkruaj për diçka apo kundër dikujt. Nëse idetë dhe mendimet e mia kanë konverguar me idetë dhe vizionin e Berishës, kjo ka ardhur si një lloj harmonie në distancë, e vetëdijshme dhe e ndjesive të përbashkëta sidomos për interesat kombëtare.

Por tashmë më rezulton se Doktor Berisha ka shërbyer si referencë biznesi politik e financiar për shumë grupe dhe individë, sidomos nga ata që ka patur pranë tij. Më të preferuarit ishin politikanë dhe analistë tropojas ose “malokë”, pra nga Veriu i Shqipërisë! Këta u bënë kontigjenti i parë i rekrutimit nga ana e socialistëve në betejën anti-Berishë. Se këta u konsideruan si më të besueshmit për opinionin publik. Më pas operacioni i stilit të sigurimit të shtetit kapi peshqit që i qëndruan pranë e shumë pranë liderit demokrat.

Edhe këta do të ishin të besueshëm në shpifjet e shumta që do të publikonin kundër “ish-shefit” të tyre. Madje këto shpifje do t’i besonin si të vërteta edhe vetë rekrutuesit. Sepse ky lloj zvarranikësh nuk do të thonë kurrë se “po shpifin”! Ata janë të interesuar që shefat e rinj post Berishë ta besojnë gjithçka që nxjerrin nga goja e nga dora e flliqtë e tyre! Kështu bënin edhe me Berishën. I sajonin rrenat si aq të besueshme, sa edhe vetë harronin se po shpifnin! Dhe Doktori, fatkeqësisht, ose i besonte, ose i dukeshin të bukura për t’i besuar! Madje këto flliqësira ishin në garë me njëri-tjetrin për t’u bërë trë besueshëm te ai!

Sa më shumë shpifje, rrena e trillime, aq më shumë privilegje financiare për ta. Aq më shumë përkujdesje për shkollimin e fëmijëve të tyre më paratë e shtetit, aq më shumë taksa të shqiptarëve në patronazhet e tenderave, koncensioneve, fondeve të rindërtimit, të pandemisë ose të tjera operacioneve financiare, aq më shumë leje ndërtimi etj. “Ti (oligarku nr 1) do ta kesh në patronazh x sharës të Sali Berishës! Po m’u ankua, gjej vrimë të futesh”! Kjo është porosia nga lart-maja e piramidës së pushtetit! Dhe oligarku përkatës nuk ka guxuar në nëntë vite t’i thotë jo kërkesave të sharësit e shpifësit të radhës kundër Sali Berishës! Kjo është skema.

Skema tjetër janë fondet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit. Miliona kanë shkuar për projekte fallco të asaj pjese të shoqërisë civile, e cila angazhohet në skenat televizive për të sharë, shpifur, trilluar, fabrikuar dhe manipuluar për të vërtetat rreth Sali Berishës! Dhe jo vetëm nga Sorosi! Edhe nga fondacione të djathta europiane e amerikane, nga agjencitë e zhvillimit e kështu me radhë! Deri te PNUD dhe agjenci të tjera të OKB-së! Sepse fijet e tyre janë në duart e qeverisë shqiptare! Kush shan e kush denigron me shpifje të panumërta Berishën e ka grazhdin më të madh e më të pasur! Prandaj janë në garë!

Nëse ndodh që në një konjukturë të caktuar ndalohet favori financiar për këtë soj politikanësh dhe analistësh e gazetarësh, ata rikthehen përsëri te Berisha! Dhe ky i pranon. Madje me gëzim të madh! Ndoshta edhe se shijon një lloj triumfalizmi në këtë cikël kthesash të pamoralshme. Ndërkaq ka raste që disa zenë radhën për të luftuar Berishën. Basha, Alibeaj, Gazri e disa të tjerë janë trendi i sotëm! Nesër mundet të dalë edhe dikush tjetër dhe me siguri që do të ndodh. Sa kohë që Sali Berisha do të jetë në politikë, aq kohë do të derdhen miliona e miliona për të hartuar shkrime, komente, analiza, opoinione, raporte, “studime”, “përgjithësime” anti-Berishë, gjithnjë me shpifje e sajesa intriguese! Biznes lukrativ është ky!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok