21/12/2024

BISLIM ZEQIRI-SHYT MARECI-“TRUPI IM I GJALLË KURRË NUK DO TË DORËZOHET TEK OKUPUESI, I VDEKUR NDOSHTA”

0
Shyt-Mareci

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1909- 8 shkurt 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Bislim Zeqiri ose Shyt Mareci, kishte lindur më 20 maj 1909, në fshatin Marec, lagja e Vakovcit. Mareci është fshati më i madh i Kosovës, dhe ndodhej më pak se 40 kilometra larg Prishtinës. Ai u lind dhe u rrit në një familje patriotike shqiptare, por ata dalloheshin edhe për bujari dhe bamirësi në ato vite të vështira për shqiptarët. Ai jetoi vetëm 38 vite, por për këto vite jetoi vrullshëm dhe me pushkë në dorë. U angazhua dhe luftoi për të parë popullin e tij të lirë dhe të bashkuar në një Shqipëri Etnike. Ai, kurrë nuk kurse asgjë, kur bëhej fjalë për Kosovën dhe lirinë e saj. Nëpër vite e shkriu tërë pasurin e vet në dobi të çështjes kombëtare. Angazhohej dhe shpresonte se vetëm me luftë një ditë do të lirohej vendi dhe populli shqiptar do jetojë pa droje në tokën e të parëve. Në fund, nuk kurseu as jetën që aq shumë e deshi.

Bislim Zeqiri, që në fëmijëri e mori nofkën “Shyt”,  e që nga atëherë në popull njihet me emrin Shytë, ndërsa nga fshati i lindjes mori mbiemrin- Marec. Që në vegjëli u dallua për çapkënllëqe të ndryshme, dhe ishte i dashur në rrethin familjar. Mareci i Shytit ishte një fshat që në afërsi të tij kishte edhe shumë fshatra me popullsi të përzier. Dhe, në kohëra të ndryshme historike edhe ndryshonin qëndrimet e tyre ndaj komshinjve të tyre. Aspiratat e popullit serb ndërronin dhe kishin qëndrim okupues ndaj popullatës tjetër shumicë. Shpesh ndodhte dhe nuk ishin të rralla sulmet çetnike  në fshatrat shqiptare që gjatë luftërave, i bënin për të plaçkitur, dhe dëbuar dhe vrarë fshataret e pafajshëm. Këto sulme i kishte përjetua edhe Shyti i vogël, më vonë edhe Shyti i ri. Ai e kuptoi se sa e vështir ishte jeta, kur jeton nën robëri dhe të tjerët vendosin për fatin tendë. Shyti i ri u betua se do të luftoi për çlirimin e vendit dhe për lirinë e popullit të vet. Dhe, edhe njëherë u bindë se për të ruajtur dhe siguruar një jetë të qetë, duhet të jesh i lirë dhe për të fituar lirin, duhej ngjeshur armët dhe duhet mbrojtur vendin me grykën e pushkës.

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, kur Shyti ishte ende i vogël, e kishte vërejtur se shumë fshatar të tij kishin ikur nga fshati, dhe kur Shyti bënte pyetje nënës se ku shkuan këta fshatar, nëna me dhimbje i thoshte “Shkuan atje…Ku bren miza hekur”. Ai e përjetonte rëndë ikjen e tyre. Ai nuk e dinte se dëbimi i shqiptarëve kishte hyrë në programet politike serbe. Që në atë kohë filloi dëbimi i detyrueshëm i shqiptarëve nga Kosova, Dukagjini, Sanxhaku dhe nga Maqedonia. Me kthimin e ushtrisë serbe në vitin 1918, Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve, pa të drejtë kthimi, ka vazhduar deri në Luftën e Dytë Botërore. Në periudhën e Mbretërisë Jugosllave, pushteti kishte organizuar njësite speciale që në mënyrë të organizuar nga ushtaret, policët dhe çetnikët kryenin tortura, kanë bërë presione të llojeve të ndryshme, kanë vrarë popullsinë shqiptare vetëm e vetëm që të largoheshin nga atdheu i tyre. Vetëm gjatë viteve 1918-1938, ushtria serbe kishte djegur dhe shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Ndërsa gjatë periudhës 1918-1912, ushtria serbe kishte vrarë 12.346 shqiptarë, kishte burgosur 22.150 shqiptar, kishte vjedhur 50.515 shtëpi dhe kishte djegur 6.125 shtëpi. Edhe pse kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, programet vazhdonin të realizoheshin, sidomos vinte në shprehje dhe aplikohej Memorandumi i Vasa Çubrilloviqit, i cili thoshte se dëbimi dhe likuidimi më i mirë ndaj shqiptarëve, është koha e luftës, kur askush askujt nuk i jep llogari. Kështu edhe kishte ndodhur.

Shyt Mareci nuk kishte ndonjë shkollë të përfunduar, por për kah natyra ishte inteligjent dhe vet kishte mësua shkrim leximin. Ndërsa në oda të burrave kishte kryer universitetin e jetës që e quanin trimëri e besë. Për Shytin, pushka nuk ishte diçka e panjohur, ai ishte rritur bashkë me të, se vetëm si i armatosur e ndjente veten të sigurt.

Në vitet 1941-1945, shqiptarët askund nuk ishin të sigurt dhe në asnjë moment nuk e dinin se kur dhe ku do të sulmonin çetnikët e tërbuar që vinin nga fshatrat, që ndodheshin nën zonën bullgare. Andaj, ana e Kamenicës me Gollakun ishin vazhdimisht të rrezikuara.

Pas sulmit të Gjilanit, më 23 dhjetor 1944, dhe pas shpartallimit të forcave të rezistencës,  nis shthurja e grupeve të armatosura që vepronin në këtë anë. Mulla Idriz Gjilani me një grup luftëtarësh strehohet në këtë pjesë të Kosovës, respektivisht në fshatin  Gjyrishecë, te vëllezërit Sadiku. Pas strehimit dhe kalimit në ilegalitet të thellë të Mulla Idrizit, kështu vepruan edhe shumë krerë të Lëvizjes së rezistencës.  Ndërsa në arrati kishin mbetur me pushkë në dorë vetëm anëtarët e Shtabit Drejtues të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore, e që ishin: Muharrem Fejza, Sylë Zarbica, Lam Breznica, Ajet Rainca, Sylë Hotla, Ajet Kosovica, Shyt Mareci, Faik Taliri, Shemsi Mramori, Qazim Sopa- Zekbasha e ndonji tjetër. Të gjithë këta ishin ish- udhëheqës të grupeve të armatosura, por pas Mbledhjes së Shahiqit, që u mbajt me 26/27 dhjetor 1944, në të cilën u sollën disa vendime që duhej  ti përmbaheshin anëtarët e ilegales shqiptare.

Mbledhjen e kishte thirrur dhe e kishte hapur e udhëhequr vet Mulla Idrizi në prani të përfaqësuesve të të gjitha grupeve të rezistencës të Kosovës Lindore. Në këtë takim, Mulla Idrizi iu kishte drejtuar të pranishmëve, duke iu lexuar vendimet që i kishte marr Shtabi Drejtues i Lëvizjes  së Rezistencës Shqiptare, e të cilat duhet ti miratojnë të pranishmit dhe ti përmbahen atyre. Këto ishin: 1.Nuk do të heqim dorë nga lufta për liri; 2. Rezistenca duhet të vazhdoi  tani e tutje në forma të ndryshme dhe pse ndonjëherë edhe do të pësojmë; 3. Në arrati duhet të qëndroj vetëm udhëheqësit e grupeve me ndonjë shoqërues, më së shumti dy veta, sa për ta mbajtur gjallë frymën e lëvizjes së armatosur; 4. Të depërtohet në armatë, në OZN-e dhe në pushtetin lokal e të rretheve; 5. Të mbahet lidhja midis të të arrestuarve dhe me Shtabin Suprem të Kosovës e me Lëvizjen e ballit Kombëtar në Shqipëri, për ti bashkërenditur aksionet politike e luftarake mbi një program politik e luftarak- për çlirimin e Shqipërisë Etnike”. Këto vendime, të pranishmit i pranuan një zëri duke brohoritur “Rroftë Shqipëria Etnike”, dhe me kërkesën unanime të të gjithë anëtarëve të Shtabit Drejtues të rezistencës, në mënyrë unanime u  propozua që udhëheqës drejtues dhe i plotfuqishëm të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Kosovën Lindore që përfshinte: Kamenicën, Kumanovën, Preshevën, Bujanocin e Gjilanin të jetë Mulla Idrizi, i cili nga ilegaliteti do ta drejtoj Lëvizjen përmes lidhjeve me anë të korrierëve që do ti caktoi ai vet. Dhe kjo do të aplikohet deri në momentin e volitshëm, që të merrej pushteti nga brenda, dhe të merrej drejtimi i vendit dhe i pushtetit.

Pas ri-okupimit të Kosovës nga ana e Serbisë e Jugosllavisë, më 1945, OZN-a ishte aktive dhe kishte bë plane që të zhduk e shkatërroi rezistencën shqiptare. Ishte çdo kund dhe hetonte për çdo kënd se ku ishte gjatë luftës. Më 1946, ajo kishte depërtua me njerëzit e vet edhe në qelulat më të vogla të ilegales shqiptare. Në këtë kohë u vranë, u arrestuan shumë patriot shqiptar. U vra prof. Ymer Berisha, u arrestua Gjon Serreqi me shokë, u arrestua Shemsi Haziri i Mramorit i cili më vonë u dënua me pushkatim, u vra me tradhti Sylë Zarbica e shumë luftëtar të tjerë.

Shyt Mareci ishte luftëtar i rrallë dhe shquhej për trimëri. Pasi njihej dhe kishte krijua miqësi me shumë udhëheqës të lëvizjes ilegale patriotike në Kosovë , ai angazhohej dhe zhvillon aktivitet të dendur në radhët e LNDSH-së. Ai, duke e ditur për programin e organizatës së LNDSH-së, dhe qëllimin e saj për bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri Etnike, nuk kurseu asgjë.  Për Shytin thonë se per trimëri e sakrificë ka qenë i pa krahasueshëm dhe i pa kompromisë. Gjatë tërë kohës, ka qenë i armatosur. Nga ai tmerroheshin çetnikët serb, sidomos kur dëgjonin se në fshatrat për rreth dukej Shyt Mareci.

Ishte bashkëpunëtor i Mulla Idriz Gjilanit dhe i Gjon Serreqit. Me të dëgjuar se Shaban Polluzha  ka fillua luftën e Drenicës, më  21 janar 1945, ai me 500 luftëtar ishte nisur për Drenicë, për ti dal në ndihmë heroit të Drenicës. Por, në rrugë e sipër e kishin penguar disa brigada partizane, dhe i kishin shpërndarë me tradhti. Shyti me shok pas kësaj  që kishte ndodhur, kishte formuar grupin e vet të luftëtarëve dhe ishte shumë aktiv në lëvizjen ilegale. Më 25 korrik 1946, kishte marr pjesë në kongresin e Pestë të LNDSH-së, i cili u mbajt në Lypovicë. Por, pas përfundimit të kongresit të gjithë pjesëmarrësit shpërndahen në drejtime të ndryshme, por edhe bashkëpunëtorët e OZN-es ishin në hap me ta, i përcillte çdo kund. Në mesin e luftëtarëve të grupeve ilegale kishte arritur që të infiltronte njerëzit e vet, të cilët për çdo gjë i informonin eprorët e tyre. Njerëz të tillë arritën që të futen edhe në mesin e bashkëluftëtarëve të Shyt Marecit.

Për pushtetarët serbë komunist, ishte shumë e rëndësishme që të arrestonin apo edhe të likuidonin Shyt Marecin me shok, ngase ai ishte njëri ndër ilegalet më rezistues në anën e Gollakut. Ai në një takim me ilegalët ishte betua se “Trupi im i gjallë kurrë nuk do të dorëzohet tek okupuesi, i vdekur ndoshta”. Dhe ashtu kishte ndodhur.

Me 8 shkurt 1947, bashkëpunëtorët e OZN-es, e kishin zbuluar edhe Shyt Marecin me shok. Ai njihej për strategji luftarake dhe ishte një trim i paepur. Shyti gjatë aksioneve luftarake i kishte edhe njerëzit profesionist për aksione të caktuara.  Shyti ishte shok i pandar me Ajet Kosovicën dhe e dinte se ai ishte shenjëtar i mirë për gjuajtje në largësi, andaj edhe e caktoi për sulme të tilla. Ndërsa Bislimin e Feratit e kishte caktua që të gjuaj me mitraloz. Thuhej se ai ishte aq i aftë me këtë armë sa askush nuk mundte ti afrohej afër por pa u likuidua. Zakonisht ai kryente aksione  rreth Kalasë së Artanës dhe Rrasave të Qukës. Si luftëtar i dalluar ishte edhe Bislim Makolli, i cili si 18 vjeçar iu kishte bashkangjitur Shyt Marecit. Pastaj ishte Ajet Kosovica e shumë të tjerë. E dinte se oznashet i kishin rënë në gjurmë, por për të nuk ishte vonë. Ishte i përgatitur për një luftë të tillë. Ai në Malësinë e Gollakut kishte shumë jatak që ishin njerëz të besës. Ata me kënaqësi e pranonin në shtëpitë e tyre dhe kujdeseshin për grupin, por Shyti ishte asi trimi që jatakët nuk donte ti rrezikonte, se serbo sllavët ndaj çdo kujt që i strehonin trimat, merrnin masa ndëshkuese ndaj tyre, andaj Shyti kishte kujdes se ku strehohej. Rrethi i ngushtohej ilegales shqiptare. Shumë nga ata kishin kalua kufirin për Greqi dhe e kishin lëshua vendin. Po Shyti nuk ishte i atij kalibri. Ai e kishte dhënë besën se nga vendi nuk do të largohet se nuk donte ti tradhtonte fshataret që e shihnin shpëtimin tek ai. Atë natë të kobshme, Shyti ishte strehua në fshatin Meshinë, tek miku i tij, Rexhë Sinan Vrapçani. OZN-a i kishte rënë në gjurmë dhe kishte informata të sigurta përstrehimin e tij.

Në mes të natës, forca të mëdha ushtarake e aktivist të OZN-es, e rrethojnë shtëpinë ku ishte strehua Shyti me shokë. Pas një sulmi të furishëm dhe në një luftë të pabarabartë, Shyti me shok nuk dorëzoheshin, dhe me një mjeshtri të madhe luftarake, Shyti arrin të qajë rrethimin e hekurt, por plumbi e kapi në ikje dhe u plagos rëndë. Pranë shtëpisë së Shaban Gubacit, në vendin e quajtur “Nër britë e Kurtoviqe”, duke mos pasur mundësi për rezistencë të mëtejme dhe për të mos rënë i gjallë në duar e OZN-es, ai nxjerr dy bomba dhe i futë nën këmbë kryqin e vet duke i aktivizua, dhe e vret veten trimi i pashoq.

Pas kësaj, oznashët ishin të dëshpëruar, ata donin që ta zinin të gjallë Shyt Marecin, ta lidhnin e ta tërhiqnin zvarrë nëpër fshatrat serbe, donin ta përkulnin atë, e ta përdhosnin trupin e tij prej heroi. E Shyti nuk iu ofroi këtë kënaqësi. Pasi se nuk kishin mundur të bënin këtë spektakël, ata tërë mllefin e vet e zbrazën tek jatakët e tij. E pushkatuan para familjes jatakun Rexhë Sinan Vrapçanin, mu në derën e shtëpisë, duke i tmerruar anëtarët e familjes. Pastaj, pushkatuan edhe Imer Aziz Krasniqin nga Tugjeci, ku ishte strehua për  një kohë të gjatë Shytë Mareci. Pasi i kishin pushkatua këta dy atdhetar, OZN-a trupin e pa jetë të Shytit e ngarkoi në një saj dhe e dërguan në fshatin Hajnoc, fshat i banuar me serbë. E ekspozoi për ca ditë duke i detyruar fshataret që ta shihnin dhe ta përbuznin heroin e tyre. Po a përbuzet heroi vallë?!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok