21/12/2024

Bisedë me këngëtarin e mirënjohur të këngës popullore Hysni Zela

0
Albert-Zholi

Hyso Xheferaj mund të formonte tinguj të ndryshëm zëri sikur të ishte një instrument muzikor specific.

– Unë kurrë s’do të merrja një nismë individuale për të bërë një këngë për Vaçe Zelën pasi është figurë komplekse.

-Zërat hyjnorë lindin për të shëruar shpirtëra.

-Për herë të parë këndoj në vitin 1970 në Ansamblin e Valleve

-Kur këndoja me Vaçen kisha emocione të shumfishta.

-Në fillimet e mia në Ansambël, drejtuesit nuk donin që unë të këndoja këngën polifoninike “Janinës ç’i panë sytë”.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Këto ditë Shoqata ‘Atdhetare’ ‘Kallarati’ dhe Shoqata ‘Labëria’ dega Tiranë, së bashku me TKOB organizuan një përkujtimore homazh në nderim të mjeshtrit të këngës labe Hyso Xhaferaj, me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta. Një ndër nismëtarët e këtij aktiviteti ishte vëllai i këngëtarit Bako Xhaferaj, poeti Nexhip Onjea, Besnik Gjonbrataj dhe gazetari Aleksandër Çipa. Regjizor i këtij eventi ishte “Mjeshtri i Madh” Sokol Marsi. Moderator Ervin Bejleri. Të ftuar special ishin këngëtarët e mirënjohur me famë botërore grupi lab i Fushbardhës, Irini Qirjako, Hysni Zela dhe Paro Ziflaj. Në këtë takim mund të shkëpus disa çaste këngëtarin e mirënjohur Hysni Zela. Hysniu është një ndër zërat brilant të këngës popullore dhe asaj polifonike shqiptare. Ai ka lindur në familjen ku buroi muzika në Lushnje, në familjen e Hasan Zelës, dhe është vëllai i të madhes Vaçe. E ëma e tij rrëfente se edhe kur punonte këngën e kishte në majë të buzës, e kishte të tijën. Mori shumë nga mbretëresha e muzikës shqiptare, Vaçja, dhe më të rëndësishmen, ai i mori teknikën, teksa e ndiqte nëpër koncerte. Nuk humbi aspak kohë, kur e ndjeu se mund të largohej nga hija dhe t’ja dilte vetë mbanë! Me emrin e tij, që mund të nxirrte zërin dhe t’i futej këngës, u bë pjesë e konkursit të organizuar në Teatrin e Operas. Duke njohur veten më ndryshe, tentoi të provonte diçka tjetër dhe u fut në konkursin e tretë të organizuar nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve Popullore. Dhe ia doli të bëhej pjesë e trupës së Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore.
Fillimet e tij ishin si korist, por me kohë u kuptua zëri i tij i veçantë. Falë dhuntisë që i kishte dhuruar natyra, nisi të ishte një solist me unin e vetë muzikor. Këngët e tij më të njohura kryesisht ishin ato si: “Çelu trëndafil, hapu borzilok”’, “Çu ngrita me natë”, “Këngë për Ali Pashanë”, “Me gërshetin mbytmë mua!”, “Tanë, moj e zeza Tanë!” e mjaft të tjera, të cilat duartrokiteshin gjatë gjithë performancës. Në gjirin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore Hysniu interpretonte midis figurave dinjitoze të këngës, dhe ikonave të muzikës popullore. Kjo e fundit e lartësonte po aq dhe atë vetë.
Mund të themi se ai mbetet një interpretues i timbrikës së këngës së mirëfilltë popullore duke qenë se nuk del jashtë vijës melodike origjinale. Zëri i tij ka karakteristika të llojit si vibrues. Asnjëherë në jetën e tij për të ecur përpara nuk ka përmendur emrin e këngëtares së famshme, motrës së tij, Nderit të Kombit, Vaçe Zelës, por me punë dhe vizion ka parë përpara duke lënë gjurmë në historinë e këngës popullore shqiptare. Familja e tij e ka pas si trashëgimi dëshirën për muzikë dhe këngë, paçka se jeta nuk i kish favorizuar për të studjuar. Vetë Hysniu, me pasionin e tij, me këmbnguljen e tij, ka sjellë në skenat shqiptare dhe platetë e botës, këngët më të vështira dhe më të arrira të polifonisë labe, duke bërë çudira. Ai nuk është lab, por tingulli i kësaj kënge e kish magjepsur që në vegjëli, çka bëri që ai t’i futet në thellësi të shpirtit kësaj gjinie të këngës popullore duke e çuar më pas në altarin e pavdekësisë. Ska lënë cep të Labërisë pa u futur kur dëgjonte një variant apo një zë interesant të polifoinisë, pastaj duke e përmirësuar e përcillte në skenë në mënyrën më të arrirë të artit profesionist. Nuk njeh moshë, sepse ai është bashkudhëtarë me këngën që i jep forcën për të gjetur të renë dhe për të qenë vet gjithmonë i ri. I ri sidomos në zë, ku këngët e tij kanë të njëjtin timbër, bukuri, melodi, në çdo kohë. Zëri i tij është i qartë dhe i pastër si burimet e labërisë që të japin relaks.

-Sot jemi mbledhur për të kujtuar  këngëtarin specifik Hyso Xhaferaj. Një zë që ka lënë mbresa në Asamblin e Këngëve dhe valleve Popullore dhe sot përkujtojmë një vjetorin e ndarjes nga jeta. Kur jeni njohur me Hyso Xhaferaj dhe si do ta cilësonit atë?

Me të madhin Hyso Xhaferaj pata një njohje prej një dekade. Pra plot 10 vjet jetë dhe aktivitet. Kur e njoha për herë të parë pashë disa karaktersitika të veçanta. Një njeri i dashur, njeri plot mirësi, një njeri i përkushtuar dhe i ditur. Këto ishin ana e karakterit të tij. Tani do flas për zërin e tij, këngët e tij, jetën e tij artistike. Kur e kam dëgjuar për herë të parë zërin e tij jam befasuar. Një zë i veçantë, i bukur, plot timbër, me një melodi të veçantë. U dashurova me zërin e tij. Se çfarë kishte diçka magjike ai zë! Kishte diçka që të mbërthente. Edhe unë si këngëtar u bëra fans i zërit të tij. Duke bashkëpunuar sa më shumë e njihja aq më shumë. Befasohesha me cilësitë absolute të zërit të tij, Kam kënduar shumë këngë  më Hyson. Sot mund të them me bindje se ai bënte me të njëtin nivel marrësin, prerësin, kthyesin apo dhe mbushësin me iso. Katër zërëshi:
Zëri parë marrësi.  Zëri i dytë, kthyesi.  Zëri tretë hedhësi.  Zëri katërt mbushësat-iso ishin të njëta për Hyson. Në shumë zëra unë mund ta dalloja menjëherë zërin e tij. Kishte një zë të pakrahësueshëm dhe studiuesve të këngës labe u takon ta studiojnë këtë zë. Nuk gjen fjalë shpirti më të ngrohta për ta përkufizuar melodinë e zërit të tij. Mbetet ndër zërat brilantë të Shqipërisë. E kishte opsion këngën dhe mund të formonte tinguj të ndryshëm zëri sikur të ishte një instrument muzikor specifik. Madje me zërin e tij ai futej pa problem edhe në këngët e përpunuara. E kam ndihmuar dhe më ka ndihmuar dhe mund të them se ndonjëherë bëheshim dhe xhelozë për zërin e tij. Ai hynte në zemrat e publikut pa marrë leje. Zëra të tillë do i mungojnë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, por sidomos këngës labe, që ai e deshi aq shumë. Ai edhe kur bisedonte patjetër që do fuste një varg kënge me zë ndryshe. Na mungon shumë.

– Ndoshta nuk është moment, por dua të ndalem pak edhe tek e madhja Vaçe Zela. Ajo tashmë ka 9 vjet që është  në përjetësi, por zëri i saj dëgjohet edhe sot në radio apo televizione po me atë dashuri sikundër ishte gjallë. A ke menduar të këndoni një këngë për motrën tuaj dhe të gjithë shqiptarëve Vaçe Zelën?

Vaçja na mungon fizikisht, por ajo është kudo mes nesh. Këngët e saj edhe sot këndohen nga çdo grup moshe. Ajo ishte këngëtare e veçantë, por edhe njeri i veçantë. Unë e kisha motër, mësuese, udhëzuese, dhe idhullin tim. Përsa i përket një kënge për të nuk e kam menduar. Nuk e kam menduar se së pari besoj se nuk më takon mua as ta këndoj as ta ideoj. Unë kurresesi nuk mund të këndoj një këngë që të përcjellë jetën e vrullshme të saj. Duhet të mblidhen kompozitorë autorë tesktesh, këgëtarë që të arrihet një mendim i thellë për një këngë të tillë. Nuk është në autoritetin tim një nismë e tillë. Vaçja ishte një figurë komplekse, autoritare, me një histori të veçantë në këngën shqiptare. Zëri i saj kishte timbër melodioz, që nuk zbërthehet lehtë ndaj edhe stepen kompozitorët. Për të duhet shumë kujdes për të ideuar një këngë. Unë vetë kurrë s’do të merrja një nismë individuale. Vaçja sa më shumë kalon koha aq më shumë studiohet, aq më shumë dëgjohet, aq më shumë flitet për të. Ne ndihemi sikur e kemi në krah në çdo hap të jetës.

Sa ka ndikuar babai juaj për të hyrë në rrugën e bukur të këngës?

Babai i Hysniut

Vaçja gjithmonë më ka treguar se babai ynë i binte në mënyrë të shkëlqyer fyellit. Netëve vonë, kur ne të gjithë mblidheshim në shtëpi (tregon Vaçja), babai merrte fyellin në duar dhe fillonte dhe i binte. Ne rinim rreth tij si pëllumba dhe e shihnim si të magjepsur. Meloditë ishin të ndryshme dhe na bënin shumë të lidhur me babanë. Do të doja shumë përfundon ai, që t’i kisha vetë këto kujtime dhe jo të ruajtura kështu duke m’i treguar Vaçja. Më vjen keq që unë do të iki një ditë po pa i ruajtur këto melodi që babai i realizonte me fyell rreth vatrës së shtëpisë.

-Çdo profesion e ka një fillim, e ka një pikë nisjeje…Fillesat e këngës për Hysni Zelën?

(Hh…Psherëtin Hysniu)…Unë kam filluar për herë të parë të këndoj në vitin 1970 në Ansamblin e Valleve. Në atë kohë kam marrë pjesë në tre konkurse. Kur kam kënduar (konkuruar), në Ansamblin e Ushtrisë, Gaqo Avrazi ishte dirigjent i Asamblit të Ushtrisë. Kur më dëgjoi ai më thotë se meqenëse je vëllai i Vaçes nuk do të presësh listën, por menjëherë ti ke fituar. Doja t’i thoja se unë dua vlerësimin për zërin jo se jam vëllai i Vaçes. Njëkohësisht konkurova dhe në teatrin e operas. Doja vetëm dhe vetëm të këndoja. Fitova dhe këtu.  Por… Bababi im kishte dëshirë që unë të këndoja këngë popullore kështu që  vendosa që të konkuroja edhe për muzikën popullore. Konkurova dhe në Ansamblin e Këngëve dhe të vallëve dhe fitova. Endrra ime u realizua. Në këtë Ansambël doja të rrija. Ishte një fat i madh për mua. Brenda isha mbushur me gëzim dhe me dëshirën e mirë për t’u ngjitur në skenë. Pra kalova tek Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Në fillim u futa  si korist..Pastaj drejtuesit më thanë se duhej të këndoja këngën polifonike. Kisha kohë që e mendoja. Këndoja dhe fshehurazi nëpër dhomën e shtëpisë apo rrugëve për në shtëpi. Se di se si kish hyrë brenda meje kjo këngë dhe pse nuk isha prej asaj krahine. Ajo këngë më mbushte (dhe më mbush), më jepte forcë, më jepte jetë, më frymëzonte, më burrëronte. Ajo rrinte e fshehur brenda meje si thesar. Tashmë kish ardhë koha që të diltë në skenë. Dhe unë u mundova ta përcillja me madhështinë që ka. Vetja nuk më tradhëtoi, Zëri im doli i fuqishëm si vetë kënga. Endrra ime mori krahë, si krahët e shqiponjës për të fluturuar i lirë në qiellin e Shqipërisë së bukur.

Kur dhe si e ka filluar Hysniu këngën polifonike?

-Unë e kam futur këngën polifonike në zemër. Në fillimet e mia në Ansambël, drejtuesit nuk donin që unë të këndoja këngën polifonike “Janinës ç’i panë sytë”. Ajo është një këngë e bukur, e fuqishme, plot ritëm, që solli risi në polifoni. Nazifi e këndon shumë bukur dhe për mua mendonin se si myzeqar nuk do mund ta nxirrja dot. Dikush mendonte se, është njëlloj si me marrë një lab dhe me e fut në mes të lushnjarëve. Por kur e këndova i binda. Kjo s’do të thotë që në mënyrën time e këndoj si Nazifi. Secili ka karaktersitikat e veta të zërit. Unë kam kënduar në të gjithë fshatrat e Shqipërisë. Kam kënduar edhe në një fshat të thellë të Leskovikut. Shkova se më thanë se atje është një burrë plak që këndon shumë bukur. Ai këndonte këngën “vaj, vaj djemo”. E dëgjova me vëmendje dhe e ripunova. Në skenë e kam kënduar unë i pari në Shqipëri. Kënga ishte;

O djemo seç na mori malli:

Vaj vaj djemo!

Hytë në luftë si nëpër valle

dhe mbetët nëpër male:

Vaj vaj djemo!

Gjaku juaj është flamuri

me shqiponjën dy krenare:

Vaj vaj djemo!

Ka vargje më të bukura?! Ka fabul më të gjetur? Te gurra e popullit gjen xhevaire, por duhet të dish t’i qëtosh ama, mos të presësh të ti bien dhuratë.

Çështë arti për Hysni Zelën?

Arti mbetet art në çdo kohë. Ai nuk njeh kufij dhe del mbi çdo lloj politike. Arti dhe artisti nuk vdesin kurrë. Flas për artistin dhe artin e vërtetë. Më shumë duhet të kesh dhunti dhe pastaj të punosh, vazhdon rrëfimin Hysniu. Arti duhet të ecë me ritmin e kohës, duhet t’i paraprijë zhvillimeve të kohës. Kështu dhe kënga popullore, ose polifonia. Në krahinën e Labërisë çfarë nuk këndojnë, gjen këngë dhe zëra të mrekullueshëm, magjik, por fatkeqësia është se neve i lemë ashtu siç kanë qenë. Nuk i përpunojmë, nuk i lëmojmë, i lëmë bruto, ose i lëmë fare në harresë. Jo. Kënga e popullit duhet ripunuar, duhet parë në tërësi duke e vënë në sitën e artit të vërtetë. Arti, kënga është pjesë e memorjes së një kombi, pjesa më e dukshme e historisë së tij. Ai nuk duhet të politizohet, as të deformohet, por të pasurohet sipas traditës, mënyrës së kultivimit në vendin tonë. Kështu ai do të marrë vlerat e tij reale dhe do t’i shmanget politizimit thekson Zela.

Koncertet, në regjimin komunist

Artisti duhet të jetë realist, por dhe koshient. Dua të theksoj, vazhdon Hysni Zela, se në sistemin komunist ne jepnim shumë koncerte. Në qoftëse viti kishte 360 ditë ne jepnim 320 koncerte në vit. Ndonjë mund të mos e besojë, por ne arrinim të jepnim dhe 4 koncerte në ditë. Ne shkonim në Petrelë (koncerti ishte në orën 10 të mëngjesit), ku ishim 2-3 këngëtarë dhe dy orkestra. Mbaronim koncertin në Petrelë 1-1.5 orë dhe i hipnim autobuzit dhe shkonim në Bathore. E kështu me radhë edhe në shumë vende të tjera. Por që jepnim 4 koncerte në ditë kjo është e vërtetë. Artisti duhet të këndojë gjithmonë. Ai duhet të jetë në lëvizje, dinamik, energjik… Duhet të jetë gjithmonë si puna e sportistit. Kur nuk këndon ajo ditë është vdekja e artistit.

Festivalet jashtë atdheut..

Ai qesh. Qesh se kujton madhështinë e tyre. Kujton disa nga çastet më magjike të skenës, të këngës kur bota e qytetëruar ngelej e befasuar nga kënga dhe vallet shqiptare. Unë kam shkuar në 26 shtete të botës me Asamblin e Këngëve dhe të Valleve, -fillon sërishmi bisedën Hysniu. Pra në 26 shtete. Hera e parë në Turqi. Ishte viti 1971. Vite kur pak shqiptarë e kishin shansin të dilnin jashtë atdheut. Ne, Ansambli ishim më të privilegjuarit. Ne e justifikonim këtë privilegj. Por hera e parë, mbetet herë e parë,- thotë Hysniu. Kur aeroplani atë natë po ulej mbi Stamboll m’u duk se ai po digjej. Ishin dritat e shumta vezulluese. Ishte hera e parë që fluturoja me aeroplan, hera e parë që dilja jashtë, hera e parë që fluturoja natën. M’u duk se Stambolli digjej me të vërtetë. Ah, sa pa shans jam mendova. Si?!! Që herën e parë në një aerodrom që digjet?! S’do kemi mundësi të ulemi dhe të japim shfaqjen.

Por situata u qartësua. Stambolli “digjej” nga shkëlqimi, madhështia. Në Stamboll ne bëmë të pamundurën. Bëmë atë që dhamë çka kishim në shpirt. Duatrokitjet s’kishin të mbaruar. Suksesi ishte i padiskutueshëm. Në Turqi kam qenë me të ndjerin Janaq Mici, me atë kam filluar të këndoj 2-3 këngë. Më pas, kam qenë në vendet më të bukura dhe më të zhvilluara të botës. Kam qenë edhe në Australi. Në Australi ne kemi shkuar në vitin 1992 dhe kemi qëndruar 3 muaj. Ansambli ynë ishte më i kërkuari kudo që shkonim. Vallet tona këngët tona labe i magjepsnin spektatorët. Besim Zekthi si shqiponjë dukej se fluturonte. Kur kërcente ai, dukej se skena merrte flakë.

Veçoj Suedinë

Hysniu rrëfen me siguri duke e shoqëruar bisedën me këngë të ndryshme…Më kujtohet viti 1976 në Suedi në një “Parken Plaken”, vazhdon ai. Atje kishte shumë spektatorë, dhe spikeri i thotë spektatorëve, ngushtoheni pak, se po vijnë shumë njerëz dhe nuk kanë se ku të ulen. Publiku u ngrit në këmbë, u ngjeshën njëri përbri tjetrit dhe pamë se vendi u mbush plot. Në historinë e Suedisë, (sipas organizatorëve) njerëzit nuk kishin hipur nëpër pemë kurrë, për të parë koncert, dhe në atë koncert pemët ishin plot me njerëz. Në atë koncert ishin yjet e këngëtarëve, valltarëve, dirigjentëve. Në atë koncert ishin Ibrahim Tukiçi, Vaçe Zela, Gaqo Çako, Xhevdet Hafizi (që tani nuk jeton më). Ne kemi pasur një dirigjent shumë të mirë, që tani nuk jeton më Xhemal Laço. Me këta artistë suksesi ishte i padiskutueshëm. Suedia e largët u bë aq e afërt për ne.

Albumi

Kurrë s;kam qenë i etur për të nxjerrë albume, thekson Hysniu. Kurrë s’kam rendur pas sasisë. Kam nxjerrë një album. Tek ky album janë 16 këngë. Janë këngë popullore, por të kënduara bukur, të përpunuara, të freskuara, dhe jo bruto. Ky album është një punë disavjeçare. Aty jam unë me jetën time. Aty janë këngët e zemrës time. Aty është atdheu, që më mban në gji. Aty është populli me poezinë e tij. Aty janë valët e detit, flladi i mbrëmjes, çobani në stan, punëtori në fushë, bagëtia që blegërin, trimat që shkojnë me këngë drejt vdekjes, aty janë heronjtë dhe bukuria femërore. Është vasha me fustanellë, që duket se fluturon si erë. Ai album është Shqipëria e përshkruar në vargje dhe pentagram.

Unë dhe Vaçja dhe një moment në skenë…

Këtu…s’di ç’të them. Për kë të flas? Për Vaçen si këngëtare, si njeri, apo për Vaçen si motër? Eh, për të gjitha këto për mua është e vështirë të flas. Vaçja mbetet ajo, fisnikja, e dashura, nikoqirja, e ndjeshmja, njerëzorja, por…në skenë, mbetet ajo e veçanta, rigorozja, e shenjta. Kam shumë momente sa duhen muaj të tërë të flas, por sot do të shkëpus një moment. Një njeri nuk e ndjen veten keq se harron fjalët, po kur nuk është mirë me zërin e tij. Një herë ne këndonim duetet myzeqare me Vaçe Zelën në TOB. Atë natë në sallë ishte gjithë udhëheqja. Para se të dilnim në skenë, Vaçja më thotë se tani ki kujdes se mos i harro fjalët. Ato fjalë më hutuan. Më hutuan pasi ma tha Vaçja, sepse do ishim para udhëheqjes së asaj kohe dhe do këndoja me Vaçe Zelën. Të këndoje me të ishte përgjegjësi. Por isha dhe i ri. Kur dilja në skenë me Vaçen duhej të mateshe mirë. Ajo e zotëronte tërësisht skenën. Spektatorin e mbërthente. Ja dalim në skenë. …Filluam të këndojmë. Për një moment harroj strofën e parë dhe në vend të saj bëj strofën e dytë. Unë shikoj një dorë nga mbrapa që më shtrëngon fort. Ishte dora e Vaçes. U mobilizova…Gabimi nuk u kuptua pasi ndruam strofat. Në fund duartrokitje të fuqishme. Unë mbushur djersë. Situata kaloi me sukses. Vaçja më buzëqeshi. Unë lotova nga gëzimi.

Mesazhi

-Unë gjithmonë e kam bërë spektatorin të duartrokasë sa herë kam dalë në skenë, gjithmonë ia kam arritur qëllimit. Kjo është puna dhe shpirti që i kemi dhënë ne popullit. Siç është shpirti i popullit që ka hyrë në shpirtin tonë. Populli jonë është i mrekullueshëm, është një popull këngë dashës, një popull punëtor, një popull me tradita, i qetë. Unë edhe në shtëpi kam një opera për Ali Pashë Tepelenën, një opera të luajtur nga një trupë gjermane. Gjermanët qysh në atë kohë i kanë kënduar Ali Pashë Tepelenës. Më vjen keq që kjo pjesë nuk luhet. Do ta jap atë vetëm kur të jem i bindur se ajo do të vihet në skenë. Ne jemi artista shumë të varfër dhe pengu është që unë nuk kam mundësi që të gjej një kompozitor dhe t’ia jepja materialet të gjitha për të bërë këngë të tjera. Nuk kam mundësi që të gjej një sponsor, që të bëj një album tjetër. Në sistemin komunist, por edhe në vitet e para të demokracisë, na thonin se ju jeni 80 ambasadorët e Shqipërisë. Këtë e kemi bërë me këngët, me vallet tona, me kostumet tona popullore. Sot këto vlera dhe puna e Asamblit është zbehur. Nuk është nevoja të thuhet se polifoninë e ka marrë UNESKO, në mbrojtje, pasi polifoninë e mbron vetë populli, e mbrojnë këngët e reja dhe të vjetra të tij, kostumet e tij shumë të rralla, që qëndisen me dorë. Këto këngë dhe këto kostume UNESKO i ka gjetur të mbrojtura nga shpirti i popullit. Sot, mund të ketë më shumë se 13 mijë këngë polifonike. Ato duhet të inçizohen, të këndohen, të filmohen. Këngët e popullit janë të pavdekshme, politika duhet t’i inkurajojë artistët, të japë maksimumin për ta. Pa artin politika i ngjan një peme të tharë që nuk do të lulëzojë kurrë. Arti, kënga është kopshti i gjelbëruar, i një kombi. Kjo s’duhet harruar kurrë. Dua të shoh pëllumbat e paqes, të guisin të qetë në sheshin “Skënderbej”,-përfundon Hysni Zela.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok