21/12/2024

BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…

0
Visar-Zhiti

Nga Visar Zhiti

Nuk ka biografi shkrimtari që nuk zbrazet në veprën e tij letrare, madje ajo, jeta e tij, nuk mjafton dhe shkrimtari merr dhe jetë të tjera dhe shkruan dhe vepra të tjera, kështu deri në fundin pafund…

Por as letërsia e tij nuk është thjesht biografi e tij dhe cilado biografi, sido të ketë qenë, gjithsesi s’eshte letërsi, edhe pse jetët dhe veprat janë të lidhura midis tyre, ja, ashtu si enët komunikuese, më vjen krahasimi.

Në fund të fundit, mendoj prapë, se ato janë dhe tjetër gjë, madje edhe të ndara, po e vazhdoj krahësimin, ashtu si ena me atë çfarë ka brenda.

Nëqoftëse do të biem në biografizimin e letërsisë, pra, dhe ta gjykojmë atë të nxitur fatalisht nga biografia e autorit, atëhere duhet që një jetë zulmëmadhe plot lavdi e famë, të ketë dhënë dhe një letërsi të tillë, etj, atëhere duhet të detyrohemi të pranojmë që shkrimtari më i madh shqiptar mbetet të jetë Skënderbeu.

Është poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri që do të shkruante poemën për atë, pa patur biografi kryengritësi dhe punoi në kryeqytetin e perandorisë me të cilën u përball Skënderbeu. Poetit tjetër Kombëtar, At’ Gjergj Fishta, iu persekutua vepra letrare për shkak të biografizimit barbar, kur sundonte Realizmi Socialist dhe po sipas këtij vështrimi, diktatorin Enver Hoxha e trajtuan dhe si shkrimtar kalibri, madje u arrit deri atje sa librin e tij memuaristik, të zakonshëm, “Vitet e vegjëlisë” t’ja kundërvenë romanit të shkëlqyer “Kronikë në gur”, autobiografik janë të dy dhe autorët janë nga i njëjti qytet, Gjirokastra.

Po hidhem në të kundërt, në jetët mjerane, bastarde të artistëve apo të përndjekura. Njoh bashkëvuajtës burgu, qendrestarë të lartë, që kanë shkruar vepra monumentale, por di dhe të rrënuar moralisht, të thyer, spiunë, por kanë dhënë vepra të arrira. Të qënit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit nuk ka qenë pengesë, mbase as avantazh, që të kenë dhe poezi, krijimtari të lavdëruar.

Po marr dhe shembuj të huaj, se janë më sugjestionues: poeti amerikan Ezra Pound ishte fashist, u dënua dhe si i tillë, por atë e mbajnë si ndër poetët më të mëdhenj në botë të shekullit XX.

Pound mbështeti dhe promovoi bashkëkohësit T. S. Eliot, James Joyce, Robert Frost, Ernest Hemingway. Personalitete të tilla kërkuan dhe lirimin e tij nga burgu. Biblioteka e Kongresit Amerikan e nderoi me Çmimin “Bollingen”. Vepra e tij si poet nuk u gjykua prej biografisë së tij as si fashist e as si i sëmurë në spitalin psikiatrik. Po kêshtu dhe Majakovski, edhe  pse Bolshevik i tërbuar, edhe në vepër, ai çmohet si poet futurist dhe në Perëndim…

Prapë nuk them se biografia e shkrimtarit nuk është e lidhur me letërsinë e tij. Shumë fort madje. Por, thënë thjesht, janë si pema e lidhur me frutin e saj, ku fruti s’është pema, askush nuk e ha sa krahu degën e mollës si mollë.

Ndoshta unë dukem disi tendencioz në mosbiografizimin e letërsisë, nga që vetë jam autor që kam qenë në burg, u dënova me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia, refuzova bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, kjo e dokumentuar dhe s’dua të komplesoj asnjë koleg, por mbi të gjitha s’dua që krijimtaria ime, poezi, romane, ashtu siç janë ato, të varen prej biografisë time, por të bëjnë jetët e tyre të pavarura.

Më dhimbet dhe e dua letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, por nuk dua që të shihet vetëm si e tillë, kur ajo është natyrshëm letërsi shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok