20/04/2024

Besimi kryesor fetar i kosovarëve është Amerika

0

Nga Blerim Latifi

Nuk e di nëse është histori e vërtetë apo e sajuar, por domethënia e saj flet shumë për raportin tonë psiko-politik me Amerikën.

Historia u përket viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Kryetarët e degëve të LDK- së ishin mbledhur në Prishtinë. Do të takoheshin me Rugovën, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në SHBA. Pas takimit ata u shpërndanë nëpër komunat e tyre. Të nesërmen, në mbledhjen e një dege, kryetari i saj u ballafaqua me shumë pyetje kureshtare të anëtarëve të kryesisë mbi vizitën e Rugovës në SHBA. I zënë ngushtë nga fakti se Rugova pak ose asgjë nuk u kishte treguar, kryetari ju drejtua kureshtarëve: – Mos boni za, punët janë mirë, se presidenti kish qesh kur ka zbritë nga aeroplani; mbledhjen e deklaroj të mbyllur!

Ajo është koha kur vizitat e përfaqësuesve tanë politikë në Amerikë fituan një përmasë gati mistike, religjioze. Ato nuk shiheshin më vetëm si vizita politike, por si ngjarje dhe përvojë e veçantë religjioze. Udhëtimi në Amerikë përjetohej si njëlloj pelegrinazhi në një vend të shenjtë.

Dhe që nga ajo kohë gjërat në këtë drejtim nuk kanë ndryshuar. Çlirimi i Kosovës dhe krijimi i shtetit të pavarur të saj- dy procese këto që mbajnë vulën e Amerikës- e kanë bërë edhe më të fuqishme mistikën e raportit tonë me të.

Sot e gjithë ditën në Kosovë nuk mund të qeverisësh i qetë, nëse nuk i ke dyert e hapura në Uashington.

Edhe Vetëvendosja dhe lideri i saj, që në fillim të veprimtarisë së tyre politike e përçmonin raportin politiko-mistik të Kosovës me SHBA- të, tanimë sillen njësoj si parardhësit e tyre në pushtet. E kanë kuptuar më në fund se barra e “mallkimit” që mund të u vij nga “tempujt e Uashingtonit”, është e papërballueshme.

Ne shpesh grindemi për besimet tona tradicionale fetare, derisa harrojmë se besimi kryesor fetar i kosovarëve është Amerika. Dhe krejt kjo e ka një logjikë shumë të kuptueshme: njeriu adhuron atë gjë prej të cilës merr kuptim ekzistenca e tij. Dhe kuptimi i ekzistencës sonë si njerëz të lirë të një shteti të pavarur, nuk qëndron dot në këmbë pa shënjuesin e madh që quhet The United States of America.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok