23/12/2024

Bekimi Gjerman për Shqipërinë

0
u1_Shyqyri-Fejzo

Shkrimi per Valen Valtraud Tuger Bejko

(Njerëz që afrojnë urat e bashkëpunimit midis popujve)

Nga Shyqyri Fejzo

Mos kujtoni se kjo thënie është “prona” ime. Jo. Ajo ka dalë nga goja dhe pena e poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu. Për të gjetur çelësin e këtij  lloj rebusi të komplikuar, nuk dua të mundoj shumë lexuesin. Bëhet fjalë  Valtraud Tuger Bejko, shkurt e njohur Vala, ish studenten gjermane në Moskë e cila u dashurua dhe u martua me djaloshin sykaltër shqiptar, skraparliun Ilmi Bejko.

Tridhjetë e shtatë vjet jetuan e punuan në Shqipëri Vala dhe Ilmi Bejko. Jeta e tyre familjare, aktiviteti i tyre cilësor në punët që kryenin, qëndrimi e mardhëniet në shoqëri nga njëra anë, përbëjnë një model të përsosur dhe nga ana tjetër sejcili nga ai çift tregoi klasin e vet kulturor dhe profesional. Kudo që ata jetuan dhe punuan, rrezatonin mirësi. Por në rastin e çiftit Bejko ka disa veçori, të cilat herë pas here rrezatojnë dukuri si një ylber pranvere, duke i ngjitur të dy bashkëshortët në majat e “kreshtave” të vargut të mrekullueshëm të perlave të Skraparit dhe të vendit.

Tashmë  dihen mardhëniet e Tiranës në vitet gjashtëdhjetë e më tej me vendet e ish kampit socialist. U larguan ambasadat e vendeve të tyre, përfshi  dhe atë gjermane. Para Valës në këto kushte tani  kishte dy alternativa. Të kthehej andej nga kishte ardhur( ashtu siç bënë disa bashkëshorte të ardhura nga Rusia, Bullgaria etj) martuar me burra shqiptarë, ose të merrte nënshtetësinë shqiptare dhe të mos kishte asnjë mardhënie me Gjermaninë. “Po unë e kisha ndarë mendjen. Unë  me Ilmiun do të jetoja në paqe me familjen time, në Atdheun tim të ri, në Shqipëri.Unë nuk isha martuar as me Ulbrithin, as me Hrushovin, as me Enver Hoxhën, por me Ilmiun të cilit dua ti qëndroj besnike.” “…Unë e përballova vorbullin e jetës  ashtu si më erdhi, megjithëse nuk e kisha menduar se martesa jonë do të më sillte të tilla vuajtje e persekutime. Por i thosha vetes se nuk mund të bëhej ndryshe, i u përshtata  kushteve dhe i u përkushtova tërësisht punës, familjes dhe rrethit miqësor e shoqëror të Ilmiut, të cilët na kanë qëndruar pranë e rrethuar me dashuri e përzemërsi.

Midis njerëzve të thjeshtë, të varfër dhe me dinjitet, siç shprehet Vala, në Fier ata kaluan 12 vjet. Aty u lindën dhe kaluan fëmijërinë fëmijët e familjes Bejko, Aneta dhe Iliri. Viti 1972 ata i gjeti familjarisht në Tiranë. Ilmiu pedagog në fakultetin e Ekonomisë-Agrare dhe Vala përkthyese në radio Tirana. Por kjo nuk qe e thënë të vazhdonte gjatë, mbasi në shtator të vitit 1975 ata u transferuan familjarisht në qytetin e Kuksit. Aty familja Bejko qëndroi plot 9 vjet. U ndodhën të mirëpritur e gati ti ndihmonin për çfarëdo që kishin nevojë. Aty gjeti konkretizim shprehja proverbiale për mikpritjen shqiptare; “Bujrum tek ne e keni derën hapur”. Në këto vite Vala do të shprehej se “ishte dy herë e izoluar, nga Atdheu dhe prindët e saj në Gjermani, por edhe nga vëllezërit e të afërmit e Ilmiut, të cilët jetonin në Tiranë. Ilmiu në bankën Agrare dhe Vala si mësuese punuan me përkushtim dhe me gjithë shpirt për përmirësimin e jetës të banorëve të këtij rrethi. “Gjithëandej mund të mësosh dhe të zgjerosh përvojën e jetës dhe tani unë mendoj se ai njeri që nuk e njeh këtë zonë, nuk mund të ketë një gjykim real për Shqipërinë” do të shprehej Vala.

Në vitin 1982 kam qëndruar gjatë në Kukës në përbërje të një ekipi për financat dhe doganën e Morinës. Ilmiun e njihja që nga koha kur punonte pedagog. Me të më kishin prezantuar shokët e miqtë e mi Kadri Kadi e Kristaq Pata, kolegë të Ilmiut. U nisa tek Banka Bujqësore në ambientet e sa cilës u takuam. Pas fjalëve të përshëndetjes kaluam në diskutimet që lidheshin me profesionin. Ishte shumë entuziast për një studim të thelluar që kishte kryer me specialist të tjerë për problemet e zhvillimit të mëteshëm të prodhimit bujqësor e blegtoral. Meqë ishte mjaft I zënë për momentin, më ftoi që të nesërmen që ishte e djelë, të pimë një kafe së bashku. Fiks në orën 10, ai me gjithë Valën erdhen në lokalin ku kishim lënë takimin. Aty më njohu me të shoqen, të cilën nuk e kisha njohur më parë. Biseda u bë interesante dhe gazmore, duke “kapur” e “lëshuar” sfera të ndryshme të veprimtarisë të sejcilit dhe të jetës.

-Kishe qënë më përpara në Kukës dhe cilat janë përshtypjet tuaja?-pyeti Vala.

-Qytet krejt i ri. Ende pa një shtëpi private. Admiroj shumë qilimat e bukur që u prodhuakan këtu. Më pëlqen shumë kjo kafeja që po pimë, byrekët, petullat dhe boza e melit shoqëruar me akullore. Duket qartë se prodhohen me dashuri dhe më e rëndësishmja, nga mjeshtra të vërtetë…” Vura re se fytyrën e Valës e përshkoi një si dritë e gezueshme, ku gjithëçka i qeshte. U kthye nga Ilmiu  dhe tha:”Paskemi mik të vemendëshëm dhe romantik, Ilmi.” Ai buzëqeshi, më hodhi një vështrim të çastit dhe vazhdoi:”Unë dhe Shyqi kemi të njëjtin profesion, por këtij i shtojmë dhe atë të shkrimtarit. Me sa di unë, ka botuar tre libra  me tregime humoristike, është bankier…”vazhdoi Ilmiu. Atëhere mendova se ishte momenti dhe nxora nga çanta dy librat e mia që mu ndodhën me vete; “Verejtje me shënim në …portofol” dhe “ Kur merr shtatë dhe shpenzon tetë s’ke nevojë për kuletë”, të cilat ia dhurova çiftit Bejko. Të dy patën entuziasëm të përzier me habi.

-E shikon Ilmi, sa besnik i ka mbetur kolegu jot finnanacave e bankës? Çfarë tituj “të kripur”.Po ku I gjete..!

-Me këta djall tituj desh jam djegur Vala. I bëra tërë kujdesin një vëllimi. E çova për botim dhe dolli me titullin “Ja, ku e ka syrin pleshti” por nuk e lanë të qarkullonte dhe e kthyen letër. Qeshën dhe pikasa se po vazhdonin veç lavdërime për mua. Ndaj në një moment pause ndërhyra që ti vinim kapak kësaj teme me kaq. “Puna ime me letërsinë, Vala, është si ai që kishte vetëm 5 dhi dhe ju varte 6 zile”.Qeshën me shpirt, po Vala hapi bllokun të shënonte çfarë shpreha.

“Kështu e bën shpesh kur dëgjon ndonjë shprehje frazeologjike që i bën përshtypje. E ka përvetësuar shumë mirë gjuhën shqipe.” foli Ilmiu.

-Nëpërmjet përkthimeve dhe letërsisë, unë kam gjetur mjetin e kapërximit të izolimit. Ti je njeriu i letrave dhe na kupton drejt. Të parin autor që kam bërë të flasë gjermanisht është Dritero Agolli me “Komisari Memo”.Pastaj vargu i shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë më në zë është i gjatë. Ata, një nga një dhe së toku flisnin gjermanisht. Kështu ndodhi me I.Kadare, S.Godo, A. Abdihoxha, Dh.Xhuvani, A.Kondo,  O.Grillo, N.Lera, I. Ushtelenca, A.Puto, Sh.Demiraj, N.Ceka, S.Pulaha, M.Korkuti etj. “Përkthimet-ka shkruar Vala diku- më dukeshin si një dialog dhe në sajë të kësaj pune mund të hidhja një urë midis dy popujve.”  Por edhe këtu ka mjaft element nënvleftësimi për mos thënë hipokrizie. Në disa biblioteka në Hamburg kam gjetur libra të autorëve shqiptarë përkthyer nga Vala, por emri i saj nuk figuronte asgjëkundi si përkthyese.

Për publikun Vala u bë e njohur e respektuar dhe e adhuruar nga librat e saj. Ato,nga kritika dhe lexuesit janë vlerësuar dhe quajtur enciklopedi për të vërtetën e jetës shqiptare në regjimin komunist. Vala, me shumë dashuri dhe sinqeritet, përshkruan gjithë mozaikun e jetës shqiptare, si zakonet, traditat, besimet e ritet fetare, festimet e vajet dhe të gjitha aspektet e jetës, që nga lindja, fejesa, martesa dhe vdekja. Një nga librat madhore të Valës është pa dyshim romani “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, të cilin ajo e ka shkruar dhe gjermanisht. Është e kuptueshme, midis të tjerave, nëpëmjet rrjeshtave të këtij libri, ngrihen lart virtytet dhe vlerat shpirtërore të kombit Shqiptar. Ai është dhe një lloj mesazhi për Europën për një ndihmë më të madhe dhe efektive ndaj këtij vendi e populli të vuajtur.

Për familjen, të afërmit, rrethin miqësor, shokët e shoqet e punës kudo që punoi, nxënësit që mësonte e gjithë ambientet ku ka jetuar, Vala ka qënë  gjithnjë një symbol i gruas me përmbajtje të lartë njerzore. Në romanin e saj “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, roman i shkruar me një qartësi të lartë mendimi, janë përmbledhur si një enciklopedi, virtytet, dukuritë e çdo shfaqje e jetës shqiptare. Ai libër është  vlerësuar nga lexuesit,nga ata që  e njihnin autoren, nga persona publikë, dietarë shkrimtarë e poetë. Driteroi: “Është një libër që të çlodh kur e lexon. Vala me librin e saj u a ktheu shqiptarëve krenarinë kombëtare të lënduar vitet e fundit.” Poeti Xhevahir Spahiu Valën e quan “bekimi gjerman për Shqipërinë”. Shkrime dinjitoze për të kanë publikuar shkrimtarët Vetëtim Bejko, Shaqir Prizereni dhe shumë intelektualë të tjerë nga Shqipëria e Kosova. Në thelb vepra e  Valës është krahasuar me një përmendore që ajo i ngre kombit shqiptar dhe Valën e quajnë një Edit Durham.

Në romanin tjetër me titull “Vjehrra ime Kole” Vala ka ngritur një përmendore për Kolen, nënën e Ilmiut dhe gjithë nënat shqiptare. Kolja, vjehrra e Valës gjithnjë ka shprehur habi “se si kjo nuse kaq e re, me shkollë të lartë, e ditur dhe e mësuar shumë, ishte aq puntore, aq e thjeshtë, aq e dashur, aq e ëmbël. Romani është një himn për nënat, vjehrrat e mardhëniet komplekse të tyre me nuset.

Në romanin “Shpirtra shtegëtarë” Vala shkruan për jetën në vitet pas kthimit në Gjermani, por edhe këtu ajo nuk ndahet dot nga Shqipëria, pasi sic thotë ajo, “kam Ilmiun me vete, kam një mal me kujtime nga andej, pra kam Shqipërinë me vete e cila nuk më le rehat.” Komentet për këtë mënyrë të shprehuri janë të tepërta.

Cekëm shkarazi në këtë shkrim disa momente nga jeta e një çifti interesant e veçanrisht për bashkëshorten e Ilmi Bejkos, Valtraud Tunger Bejko. Ajo ishte një personalitet që u bë e njohur nga kontaktet e veprimtaritë me njerëzit e thjeshtë, të varfër dhe me dinjitet. I bëri të flasin në gjuhën gjermane veprat e shkrimtarëve e poetëve më në zë të vendit tonë duke u bërë një përkthyese e rrjeshtuar në radhën e më të mirëve. Mijra nxënës në Fier dhe  Kukës kaluan në dorën e saj, dëgjuan fjalën e ëmbël me një shqipe të pastër të saj, dhe jo rrallë nxënëset e morën si model të femrës së thjeshtë e plot hijeshi.

Valtraud Tunger Bejko ishte një personalitet që me qartësinë e mendimit të saj, me kulturën dhe edukatën si dhe këmbënguljen stoike dha një ndihmesë e rol të rëndësishëm në hedhjen e urave të bashkëpunimit dhe miqësisë midis dy popujve. Teknikisht, dihet se urat kanë nyjet lidhëse të tyre, të cilat luajnë rol vendimtar për qëndrueshmërinë e tyre. Dhe Vala rrjeshtohet në ata njerëz që me punën e tyre, çimentuan forcimin e këtyre mardhënieve. Nuk I heq as një presje thënies të poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu se ajo “Ishte bekimi gjerman për Shqiperinë”. Valës shteti dhe institucionet përkatëse i patën borxh njohjen e veprës saj në kohë. Por, për këtë punë nuk është vonë kurrë. Dekorimi i personaliteteve të tilla i bën më shumë nder dekoratave se atyre vetë. Nuk është vonë nga bashkitë e Tiranës, Fierit apo Kuksit që një rrugë të mbajë emrin e saj të nderuar.

Shyqyri Fejzo, Hamburg, janar 2021

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok