17/11/2024

BASHKIMIN E KOMBIT PO E KRYEJNË SHKRIMTARËT DHE ARTISTËT

0

Pa tjetër që në letërsi, ana artistike e një vepre, ka rëndësinë e saj, por janë ca tema që, me vërtetësinë e tragjizmit rrëqethës që mbartin brenda tyre, e tejkalojnë atë. – Shpendi Topollaj

Gjakova priti miq e krijues nga gjithë trojet arbërore

Përurim libri dhe ekspozitë pikture

Nga Kadri Tarelli

E pritëm me shumë kënaqësi ftesën e piktorit dhe veprimtarit gjakovar Halil Ahmeti, për të marrë pjesë në veprimtari letrare dhe artistike në Gjakovë, organizuar më datën, 07, 09, 2024, nga dy shoqata simotra, Shoqata “Drini” – Gjakovë-Shkodër, dhe “Drini” – Shkodër-Gjakovë. Të dyja shoqatat, bashkëpunuan me Klubin “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë. E gjitha kjo, me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe sport, në KK. Gjakovë.

Salla e bibliotekës së qytetit u mbush plot e përplot me pjesëmarrës, kryesisht intelektualë, shkrimtarë, poetë, piktorë, pse jo edhe artistë e valltarë, etj. Mund t’i përmend me nderim: Prof. Muharrem Kurti, Gjon Nikoll Kazazi, Engjëll Berisha, drejtor i bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova”, Pashk Gecaj, anëtar i shoqatës “Drini” – Gjakovë-Shkodër, Inxhinier Faruk Polloshka, njëkohësisht edhe të tjerë, si Prof. Muhamet Rugova, ish i burgosur politik, Prof. Universiteti Ruzhdi Sefa, Prof. dr. Migena Arllati, aktori Nimon Muça, tropojani shkrimtar, poet, publicist Hasan Selimi, luftëtarja dibrane Rajmonda Maleçka, pjesëmarrëse në tre luftra, në Dardani, Maqedoni dhe Preshevë, piktori tropojan Avdulla Gjongecaj, kryeredaktor i Gazetës e Alpeve “Tropoja”, Ramiz Lushaj, Isuf Hajdari, poeti dhe botuesi Berat Batiu nga Prizreni, poeti Tahir Bezhani, mes nesh edhe valltare ardhur nga Malisheva.

Personaliteti i njohur shkodran Filip Guraziu, përuron librin e tij të fundit “Jetesë n’mes egërsinave”, novelë, ndërsa vetë artisti Halil Ahmeti hap ekspozitën e tij të parë vetjake, me piktura të punuara prej kohësh.

Nga Shkodra në këtë kuvend libri ishin të pranishëm: Filip Guraziu, autori i librit, znj. Justina Guraziu, mjeke dhe bashkëshorte, Nexhat Grezda, kryetar i shoqatës “Shkodër-Gjakovë”, dhe Ali Demushi.

Dhe ne, një grup durrsakësh nuk e bëmë fjalën dysh, dhe ja ku jemi: Shpendi Topollaj, shkrimtar, poet, kritik, publicist, piktori Arben Kristani dhe unë Kadri Tarelli, ish mësues, shkrimtar dhe gazetar, që po shkruaj këtë reportazh të shkurtër, në nderim për organizatorët dhe mirënjohje për kënaqësinë që na krijuan. Na erdhi keq që për arsye shëndeti, nuk erdhe dy shokët tanë, Eduard Allamani (Jurist) dhe Gëzim Agasi, (ekonomist), ish Prefekt i Durrësit.

Libri i Filip Guraziut është i vogël në pamje por i rëndë në përmbajtje, pasi ka shumë dhimbje njerëzore, shkaktuar nga sistemi i diktaturës komuniste, si në ish Jugosllavi dhe ca më keq në Shqipëri. Personazhi, Kujtim Druvari, bir  i Gjakovës, arratiset si shumë e shumë të rinj dardanas  dhe vjen në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes. Por…. veç ai e di se ç’ hoqi birucave dhe burgjeve. Askush nuk mund të hahet me fatin. Koha bëri të vetën. Të dy diktaturat dështuan. Kujtimi pas njëzet vitesh kthehet në Gjakovë, por nuk i harron miqtë e tij, që nuk u thyen para trysnisë dhe torturave për të dëshmuar në gjyq. Diçka e rrallë për kohën, ndaj Filip Guraziu i vendos në libër, si simbol fisnikërie dhe qëndrese.

Shpendi Topollaj, i cili diskutoi në këtë kuvend, i ka kushtuar një shkrim këtij libri, me titull, “Fati i trishtë i kosovarëve, në librin e Filip Guraziut”, botuar në gazetë “Telegraf”. Tiranë, 05. 09. 2024 dhe “Fjala e lire”, Londër. Diskutimi u prit ngrohtë dhe me duartrokitje.

Halil Ahmeti është mësues dhe luftëtar i Gjakovës dhe por edhe i yni, i Durrësit, pasi për gjashtë vite me radhë, ka punuar si mësues i arteve figurative, në disa shkolla të Durrësit (1993 – 1999). Ndaj me krenari e quaj koleg dhe “Misionar i dijes dhe edukimit”.

Intelektualët e Gjakovës dhe më përtej në krejt Dardaninë, e njohin mirë jetën dhe veprimtarinë e artistit, luftëtarit dhe veprimtarit Halil Ahmeti. Është një jetë plot thyerje, lufte, mundime, ndëshkime, dështime e në fund fitore. Jetë si një roman i madh i ngjeshur në mish, i përjetuar fizikisht dhe shpirtërisht, ku në një farë mënyre është vetë drama dhe romani i Dardanisë shqiptare, është pasqyra dhe gjithë historia e përgjakur dhe e lavdishme e luftës çlirimtare në këto 45 vjet, (1981-1999- 2024), përfshirë edhe 25 vjet Dardani e lirë dhe e Mosvarme. Shpendi Topollaj i ka kushtuar një shkrim me titull: “Piktori gjakovar me ekspozitë të re”. Publikuar gazeta “Telegraf”, Tiranë dhe “Fjala lire”, Londër. 06. 09. 2024.

Kur Halili më rrëfeu albumin ku janë përfshirë një pjesë punimesh, tashmë të vendosura edhe në ekspozitë, më thotë se kjo pikturë në ballinë ka një histori të veçantë, është plagosur në luftë, është prerë me thikë, mbase me bajonetë. Unë po mundohesha të gjej edhe titullin për ta vendosur poshtë saj, por Halili nuk më la të mendohem gjatë:

– E kam titulluar, “Gjurmë lufte”.

– Ndërsa unë po e quaj “Plagë lufte”, – i them qetësisht. – Plagë që dhemb sa herë e shikon, apo që e shikojmë së bashku, si të jetë plagë në trupin tonë, që dëshmon, ashtu si plagët e Gjakovës dhe Dardanisë, të përjetësuar në lapidarët dhe përmendoret e shumta të vendosura nëpër sheshe dhe anët e rrugëve, për të mos i harruar kurrë, si brezi i sotëm dhe ata që do ta trashëgojnë Dardaninë tonë.

Pikturat e këtij artisti, (ato që mbetën nga shkatërrimi i luftës), janë unike për nga përmbajtja dhe forma, që shpesh i afrohen simbolikës, pa lënë mënjanë portretet dhe natyrën e qetë. Vizitorët kanë të drejtë të mendojnë e gjykojnë vlerat. Çdo njëra është një botë më vete dhe flet me poezinë e ngjyrave dhe me gjuhën e heshtjes…..!

Besoj kam të drejtë të shpreh edhe dy mendime njëherazi. Mbase vetë Halili më dëgjon me vëmendje dhe i ve në jetë:

. Ai mund dhe duhet të shkruajë monografinë e tij personale, një jetë përherë në lëvizje, ku jeta dhe vdekja flinin pranë njëra-tjetrës. Dhe, kështu të futet në libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”, si trashëgim i vyer i familjes, i yni si bashkëkohës, por edhe i historisë së Dardanisë.

. Më tej, mbase i mbushet mendja që në të ardhmen kjo ekspozitë të hapet edhe në Durrës. E vlen që durrsakët, kolegët mësues dhe nxënësit e dikurshëm, të njihen me penelin e mësuesit dhe luftëtarit, dikur i ri dhe plot energji, sot burrë i thinjur, jo vetëm nga mosha.

Si përherë, kur jemi në takime të tilla, piktori ynë Arben Kristani, gjatë kohës që ne pimë kafe, apo diskutojmë shoqërisht, shkëputet, merr takëmet e pikturës, kavaletin, ngjyrat dhe niset të gjejë bukuritë e natyrës apo të veçantat e qytetit, që të mund të pikturojë. Në gjakove zgjodhi një pamje nga Çarshia e këtij qyteti, e cila para njëzetepesë vitesh, u dogj nga pushtuesi serb, por u ribë edhe njëherë si dikur, e bukur dhe me finesë të hollë. ……. Si përherë krenari e qytetit!

Në fund, dua të përgëzoj drejtuesit vendor të Gjakovës, që kanë ndërtuar në qendër të qytetit atë bibliotekë sa të bukur, aq edhe funksionale. Ju lumtë! Një vepër arti për krijuesit dhe artisët! Ju admiroj që e doni dhe e vlerësoni qytetin, kulturën, dijen dhe librin. Me dhimbje po shtoj edhe këto fjalë, por nuk kam se çfarë të bëj; Durrësi ynë i lashtë i vjetër sa bota mesdhetare, nuk ka një bibliotekë të mirëfilltë dhe as është menduar të ketë. Ka mbetur në një ndërtesë të vjetër, (Shtëpi banimi të para Luftës II-të Botërore). Premtimet e pushtetarëve lokal e qendror, shkojnë e vijnë, ndërsa qyteti vuan pasojat e mosdashjes.

Nuk më mbetet tjetër, veç t’u uroj suksese dy krijuesve, shkrimtarit Filip Guraziu dhe piktorit Halil Ahmetit.

Gjakova, Dardania dhe krejt bota shqiptare ka nevojë për krijimtarinë e tyre. I mirëpresim!

Faleminderit dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës. 07, Vjeshta e parë, 2024.

Shënim: Fotografitë u realizuan nga mjeshtri gjakovar Shkëlzen Rexha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok