21/12/2024

Bashkimi i rivalëve politik!

0
Florim-Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa

Veprimtarët dhe atdhetarët po digjen nën hijen e lisave të thatë, e për fatin e keq nuk janë as lisa, por vetëm shkurre të çoroditura të cilat po e pengojne frymarrjen tonë të lirë dhe ecjen e shtetit përpara drejt anëtarësimit në organizatat evro-atlantike.

Zgjedhjet e ardhshme, test i radhës për qytetarët

Tendencat në rritje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme janë kërkesa të rritje të grupeve të interesit brenda partive politike pa dallim pushtet dhe opozitë. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur një parti opozitare i vardiset partisë politike në pushtet, anipse deri dje ishin në rivalitet ekstrem mes tyre!

Për këtë arsye nuk mund të arrihet ndryshimi i dëshiruar pëmes “votës së lirë” për shkak të përafrimit të pushtetit me opozitën dhe kapjes së tmerrshme të institucioneve shtetërore nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale.

Situata paradoksale, ku lideret partiak nuk merren vesh mes vete për interesin e shtetit, por merren vesh aq lehtë për interesat meskine të tyre, paraqet anën më të shëmtuar të “medaljes” së Kosovës së pavarur.

Pavarësisht faktit se kur do të mbahen, zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test i radhës për qytetarët, ku do të shihet qartë sinqeriteti dhe serioziteti i qytetarëve, do të testohet vullneti i elektoratit, se a do t’u qëndroj besnik edhe më tutje partive shpresëthyerëse dhe liderëve të tejinkriminuar partiak.

Mbetet të shihet, se a do t’i qëndrojë besnik elektorati klasës politike apo do t’i ndëshkojë kusarët politikë që ua thyen të gjitha shpresat për jetë qytetarëve në këtë vend!?

Nëse vërtetë populli e do ndryshimin, atëhere në zgjedhjet e radhës duhet t’i ndëshkojë të gjitha subjektet politike aktuale me mos dalje në zgjedhje. Vetëm bojkotimi i tërësishëm i procesit zgjedhor do të ndëshkonte politikanët e inkriminuar si dhe do të alarmonte faktorin jashtëm për nevojën e një Vettingu ndërkombëtar në të gjitha institucionet e shtetit.

Me bojkotimin e zgjedhjeve fillon epoka e re dhe e mirëfilltë e opozitarizmit të vërtetë qytetarë, për shkak se, sot në Kosovë nuk kemi opozitë por vetëm klasë kusarësh politikë që i vardisen njëri-tjetrit për pushtet.

Kap njëri, ç’kap tjetri, më i zi i riu se i vjetri

Janë disa terma që i shkojnë për shtati realitetit të krijuar brenda subjekteve politike, si bie fjala; të kapura, të zaptuara, të zëna pëng apo të uzurpuara nga grupet e interesit.

Fjala “zaptues”, mbase do të ishte e mirë, dhe s’do të kishte lidhmëri me “kapje” të natyrave të tjera, që i japin kësaj fjale kuptime erotike, kur dikush e “shtie” në dorë dikë!

Megjithatë fjala “uzurpatorë”, është më e përshtatshme, më e sakt dhe më ideale për shumicën e subjekteve politike nën kthetrat e uzurpatorëve, profiterëve e mashtruesve, injorantëve dhe hipokritëve, klaneve e bandave kriminale të maskuara nën petkun e pushtetit dhe opozitarëve të etshëm për pushtet nën maskën e ndryshimit dhe demokracisë parlamentare.

Kjo klasë kusarësh politikë që moti e kanë humbur legjitimitetin për shkak të mos daljes së qytetarëve në zgjedhje, ngulfatjes së demokracisë dhe jetës institucionale, të cilët ua kanë zënë frymën reformave dhe ndryshimeve substanciale brenda partive politike, për të mbajtur pushtetin apo për të ardhur në pushtet përmes vjedhjes së votës së qytetarëve, gjegjësisht kontrabandimit të vullnetit të elektoratit të shprehur me votën e lirë.

Përafrimet e pushtetit me opozitën dhe anasjelltas, janë treguesi më i mirë, se zgjedhjet pa një alternative të re politike nuk kanë kuptim. Nuk kanë kuptim për faktin se zgjedhjet, jo vetëm që nuk do sjellin ndryshim, do të kemi riciklim, përseritje dhe kapje akoma më të tmerrshme të shtetit nga klanet mafioze dhe grupet e interesit mes pushtetit dhe opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok